Partneriteti Përgjegjës për Rritjen e Qëndrueshmërisë dhe të Sigurisë

Partneriteti Përgjegjës për Rritjen e Qëndrueshmërisë dhe të Sigurisë

Takimi u organizua nga Kryeministri i Italisë Matteo Renzi dhe u drejtua nga Presidenti i Këshillit Europian Herman Van Rompuy. Për herë të parë në këtë takim ishin prezentë përfaqësues nga Kroacia dhe Kazakistani të cilat i janë bashkuar së fundmi ASEM, duke e çuar numrin e vendeve anëtare në 53. Nën temën "Partneriteti Përgjegjës për Rritjen e Qëndrueshmërisë dhe të Sigurisë", liderët shkëmbyen mendime mbi çështjet ekonomike, financiare, rajonale dhe globale, si dhe sfidat tradicionale dhe jo-tradicionale të sigurisë, në frymën e partneritetit midis Azisë dhe Europës. Diskutimi u bazua në 4 shtylla:

Promovimi Financiar dhe Ekonomik

Udhëheqësit riafirmuan rëndësinë e reformës së vazhdueshme ekonomike dhe financiare dhe u theksua rëndësia e promovimit të lëvizjes së lirë të njerëzve, të tregtisë, investimeve, energjisë, ideve përmes së ashtuquajturës “Rruga e Re e Mëndafshtë”.  U nënvizua dobia e shkëmbimit të praktikave dhe përvojave më të mira në fusha me interes të përbashkët, për shembull në lidhje me qeverisjen e tregut të vetëm të BE-së dhe zbatimin e Master Planit të ASEAN. Liderët shprehën interes për shqyrtimin e rrugëve për rritjen e lidhjes dixhitale mes Europës dhe Azisë, përparimin në Rrjetin Informativ Trans-Eurasia (TEIN) etj. Gjithashtu u mirëprit mundësia për shkëmbime të mëtejshme mbi çështjet kibernetike. Ata theksuan angazhimin e të gjithë aktorëve, duke përfshirë industrinë, organizatat think-tank dhe komunitetin akademik, në procesin e rritjes së lidhjes midis dy rajoneve. U nënvizua roli i sektorit privat, dhe në veçanti roli i jashtëzakonshëm i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM), për të kontribuar në rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës, duke konsoliduar partneriteteve ekzistuese dhe nxitur mënyra të reja bashkëpunimi ekonomik për të përmbushur sfidat e sotme. Gjatë takimit, iu kushtua vëmendje dhe pronësisë intelektuale dhe mbrojtjes së saj në nxitjen e inovacionit, dhe për këtë arsye ranë dakord për të forcuar bashkëpunimin në vazhdimësi për çështjet e të drejtave të pronës intelektuale në të gjitha fushat përkatëse, duke përfshirë vënien në  zbatim të këtyre të drejtave dhe inkurajuar iniciativën e Indisë për të organizuar një tryezë të rrumbullakët mes vendeve pjesëtare të ASEM me temë:  “Bashkëpunimin në Industrinë R & D dhe Aleancat për Teknologjinë” në nëntor të 2014. Gjatë takimit u rikonfirmua se Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe reforma në qeveri mbetet një përparësi kryesore. Liderët shprehën pakënaqësi për vonesën e vazhdueshme në zbatimin e reformave dhe i bënë thirrje të gjithë anëtarëve të FMN për të ratifikuar reformën e 2010 sa më parë.

Adresimi i Çështjeve globale në një botë të ndërlidhur

Fillimisht udhëheqësit  dikutuan për mënyrat e përballimit të ndryshimeve klimaterike dhe mbrojtjen e mjedisit, në përputhje me të gjitha parimet dhe dispozitat e UNFCCC(Konventa Kuadër e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike). Liderat konfirmuan se duhet të ndërmerren hapa sistematike për të përmirësuar sigurinë e energjisë në të gjitha nivelet, dhe nevojën e diversifikimit të burimeve të energjisë. Udhëheqësit nënvizuan rëndësinë e efikasitetit të energjisë,  promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtëritshme me qëllim uljen e nivelit të karbonit, eliminimin eventual të subvencioneve të karburantit fosil, përdorimin e  teknologjive të pastra dhe integrimin efikas të këtyre teknologjive në kapacitetin e prodhimit të energjisë. Çdo zhvillim dhe përdorim i energjisë bërthamore duhet të bëhet në përputhje me standardet e aplikueshme dhe garancive ndërkombëtare të sigurisë. Në këtë kontekst, liderët e pranuan rolin e rëndësishëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Por nuk u arrit asnjë marrëveshje kosensuale për ndryshimet klimaterike, duke qene se qeveritë e vendeve të zhvilluar ende i rezistojnë përpjekjeve për reduktimin e emisioneve të dioksidit të karbonit. Së dyti, riafirmuan angazhimin e tyre për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut. Ata theksuan rëndësinë e respektit dhe mirëkuptimit për diversitetin kulturor e fetar, dhe të promovimit të tolerancës, respektit, dialogut dhe bashkëpunimit midis kulturave, qytetërimeve dhe popujve.  Udhëheqësit vendosën për bashkëpunim të mëtejshëm në fushën e kujdesit shëndetësor, në veçanti për fëmijët, gratë dhe të moshuarit.

Promovimi i bashkëpunimit në punësim, arsim, dhe çështjet kulturore e sociale

Liderët pranuan që punësimi për gratë dhe të rinjtë, është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm dhe gjithpërfshirës. Ata ripohuan angazhimin e tyre për forcimin e politikave, programeve dhe bashkëpunimin për të lehtësuar përpjekjet për të siguruar forcën e punës, e cila posedon njohuritë dhe aftësitë e nevojshme, rritjen e rezultateve të punësimit, trajnimin, zbatimin e sigurisë dhe shëndetit në punë dhe të parimeve themelore dhe të drejtave në punës, marrëdhëniet industriale dhe promovimin e mbrojtjes sociale. Udhëheqësit pranuan rolin e rëndësishëm të biznesit, organizatave të punës dhe grupeve të shoqërisë civile në nxitjen e zhvillimit ekonomik që krijon një punësim të denjë dhe produktiv dhe inkurajuan forcimin e kurseve të zanatit, dhe programet e trajnimit që mundësojnë afrimin e të rinjve me tregun e punës. Gjatë diskutimit u nënvizua influenca e madhe që ka urbanizimi në zhvillimin global dhe afirmuan angazhimin e tyre për të punuar së bashku drejt një axhendë të re urbane. Liderët theksuan vendosmërinë e tyre për të respektuar, mbrojtur dhe promovuar diversitetin kulturor dhe ruajtjen e trashëgimisë materiale dhe jomateriale të të gjitha kulturave në përputhje me konventat dhe programet kulturore të UNESCO-s, duke përfshirë shkëmbimin e praktikave më të mira dhe bashkëpunimit në nivel bilateral, rajonal dhe ndërkombëtar. Gjithashtu kujtuan rëndësinë e turizmit  si një motor për rritjen dhe krijimin e vendeve të punës dhe si një mjet thelbësor për të rritur kontaktet mes njerëzve, dhe rikonfirmuan gatishmërinë e tyre për të thelluar  bashkëpunimin në këtë fushë mes Azisë dhe Europës.

Çështjet Rajonale dhe Ndërkombëtare

Udhëheqësit përsëritën rëndësinë e ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me mjete paqësore në përputhje me Kartën e OKB-së dhe të Drejtën Ndërkombëtare. Çështja e situatës në Ukrainë duket se ishte kryefjala e këtij samiti, ku pati edhe një sëre takimesh ndërmjet liderëve botërorë ku veçanërisht spikat takimi i shumëpritur dhe i shumëpërfolur midis Presidentit Petro Poroschenko dhe atij rus Vladimir Putin, falë së cilës u arrit një marrëveshje për gazin, por që në të vërtetë është një marrëveshje për një armëpushim të qendrueshëm si dhe për tërheqjen e trupave ruse nga kufiri me ukrainën. Gjithashtu zoti Putin pati takim edhe me Kancelaren Gjermane Angela Merkel, ku diskutuan rreth marrëveshjes së arritur ndërmjet të dyja vendeve, dhe faktit se ende nuk i është dhënë fund luftimeve në ish republikën sovjetike. Disa prej temave të nxehta që u trajtuan gjatë këtij samiti ishin çështjet që kishin të bënin me sanksionet e vendosura ndaj Rusisë nga ana e BE-së, çështjet të pazgjidhura detare në Detin e Kinës Jugore, protestat studentore për demokraci në Hong Kong, çështjen tashmë të njohur të Ukrainës si edhe kërcënimi i sigurisë botërore prej grupeve të terrotistëve islamikë. Liderët pranuan nevojën për të nxitur më tej çarmatimin, kontrollimin e vazhdueshëm dhe mospërhapjen e armëve bërthhamore. Gjithashtu vendosën për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën e tregtisë së paligjshme të armëve konvencionale, në veçanti  armëve të lehta, të vogla. Liderët e panë me përparësi hyrjen në fuqi të Traktatit të Tregtisë e Armëve dhe inkurajuan shtetet të beheshin palë në Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore. Liderët shprehën shqetësimin e tyre se përhapja e virusit Ebola përbën një kërcënim serioz për shëndetin dhe sigurinë globale. Duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit, udhëheqësit diskutuan rrugën për krijimin e një ambienti të përshtatshëm për prosperitetin e popullit të tyre nëpërmjet nxitjes së bashkëpunimit mes Azisë dhe Europës.
                                                                                                                              europa.eu, tetor 2014

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk