Vorbulla e Ekstremizmit të Dhunshëm në Bashkimin Europian

Vorbulla e Ekstremizmit të Dhunshëm në Bashkimin Europian

***

"Sot, Islami është një fe që është në krizë në të gjithë botën." Kjo ishte deklarata e Presidentit të Francës në 2 tetor, ndërsa shpalli "planin e tij kundër-radikalizmit" (Lester, 2020). Vetëm dy javë më vonë, më 16 tetor, një besimtar radikal vrau mësuesin e shkollës së mesme, Samuel Paty, për shkak se ai shfaqi karikaturat famëkeqe të Profetit Muhamed në klasën e tij (Rahim et al, 2020). Vetëm pak më vonë, besimtarë të një kishe në Nice u vranë egërsisht nga një tjetër terrorist i cili dukej se kishte të njëjtin motiv: të ndëshkonte blasfeminë kundër profetit të Islamit (Auley, 2020). Në vijim, autoritetet franceze filluan një goditje ndaj gjithçkaje që ata e konsideruan si islamizëm dhe gjithashtu projektuan karikaturat e diskutueshme të Profetit Muhamed në ndërtesat qeveritare në Francë (Cuthbertson, 2020)—çka provokoi protesta masive në pjesë të ndryshme të botës myslimane (BBC, 2020). Ndërkohë qe sulmi terrorist ndaj Samuel Paty kishte motiv islamik, shembuj të ngjashëm të ekstremizmit të dhunshëm në Europë nuk janë të paktë edhe tek grupet e ekstremit të djathtë, i fundit me përmasa të konsiderueshme ishte ai i shkurtit në Gjermani, ku autori vrau rreth 10 persona në një “hookah bar” që frekuentohej kryesisht nga imigrantet. Gazeta Bild tha se personi i armatosur kishte shprehur pikëpamje të ekstremit të djathtë në një letër rrëfimi të lënë pas (Connolly, 2020). Një rast tjetër i ngjashëm është ekstremisti i së djathtës ekstreme i cili në vitin 2019 ndërmori dy sulme në dy xhami në Zelandën e Re ku ngelën të vrarë 49 persona që ishin duke u falur gjatë ditës së premte - dhe më pas postoi një manifest 74-faqesh në mediat sociale në të cilin ai e identifikoi veten si një supremacist i bardhë i cili i kreu sulmet për të marrë hak ndaj sulmeve të kryera nga myslimanët në Europë (Baker, 2019). Të gjitha këto raste forcojnë konceptin e radikalizimit reciprok, në të cilin individët ose grupet lëvizin drejt konfliktit në përgjigje të lëvizjes së të tjerëve.

Kthehemi tek ngjarja e Francës, disa në Perëndim e shohin tani Francën si fenerin e vlerave të iluminizmit kundër forcave të errëta të fanatizmit fetar (Stewart, 2020), të tjerët argumentojnë se problemi kryesor është islamofobia (e përdorur shumë për llogaritje politike), racizmi dhe arroganca koloniale e Francës në një botë ku - me përjashtim të një grushti ekstremistësh - myslimanët janë viktimat e vërteta (Saad, 2020). Pavarësisht se cili prej këndvështrimeve duket më i drejte, përfundimi është bindës: të gjitha këto ngjarje kanë krijuar një cikël vicioz ku intoleranca dhe/ose ekstremizmi i njërit krah, ushqen intolerancen dhe ekstremizmin e krahut tjetër – ky proces njihet ndryshe si “efekti pygmalion”. Shfaqja e dhunës nga secila palë i shërben këtij cikli vicioz nga i cili përfitojnë vetëm grupet fundamentaliste të secilës palë. Ky është një model shpesh i përsëritur: për shembull, një perëndimor përqesh ose nënçmon haptazi Islamin, shpesh duke e etiketuar atë si një fe të ashpër, intolerante dhe të dhunshme (shpesh e njohur si islamofobi). Në përgjigje, disa myslimanë kanë reagime të ashpra, intolerante apo edhe të dhunshme - pa e kuptuar që ata nëpërmjet atyre reagimeve vetëm se e konfirmojnë akuzën. Në vijim, grupet e ekstremit të kundërt kundërpërgjigjen me veprime të dhunshme ndaj atyre që ata i perceptojnë si armiq. Pra, e gjitha kjo ndërton beteja midis grupeve radikale, nga të cilat humbasin civilet e pafajshëm dhe cenohet bashkëjetesa midis qytetërimeve. Siç argumenton një shkrimtar i njohur mysliman, “myslimanët duhet t’i përgjigjen islamofobisë në një mënyrë që nuk do ta forcojë atë, por përkundrazi ta çarmatosë atë (Akyol, 2020), por dikush mund të shtojë se edhe jomyslimanët duhet t'i përgjigjen në këtë mënyrë sulmeve islamike, duke kuptuar përgjegjësinë individuale ose të një grupi pa njollosur dhe bërë përgjegjëse një fe të tërë.

Histori e shkurtër e emigrantëve myslimanë në BE dhe fillimi i një problemi

Prania e myslimanëve në Europë ka rrënjë më të thella historike, madje myslimanet janë edhe komunitete indogjene në disa shtete të Europës, megjithatë, ky artikull fokusohet te mbërritja e myslimanëve në Bashkimin Europian pas Luftës së Dytë Botërore. Sipas llogaritjeve të fundit që datojnë në vitin 2017, rreth 26 milionë myslimanë jetojnë në shtetet anëtare të Bashkimit Europian (BE), duke zbritur numrin e myslimaneve në Mbretërinë e Bashkuar, përllogaritet që momentalisht të jenë rreth 22 milionë myslimanë në BE (Center, P. R.,2017). Ndërsa shtetet europiane filluan rindërtimin e tyre në fund të luftës, ata iu drejtuan ish-kolonive të tyre për të kompensuar mungesat e fuqisë punëtore. Qindra mijëra imigrantë nga ish-kolonitë u larguan nga vendet e tyre gjatë viteve 1950 dhe 1960 në kërkim të punës, përparësive shoqërore dhe pagave më të larta. Në tërësi, këta imigrantë kontribuan në lulëzimin ekonomik të shumë shteteve europiane pasi ndërtuan rrugë dhe hekurudha, punuan në minierat e qymyrit, pastruan rrugë dhe zyra dhe, në tërësi, bënë punët që europianët hezitonin të bënin.

Deri në vitin 1970, nuk kishte as një "problem" imigrimi, as një "problem" mysliman në Europën Perëndimore - pavarësisht se perceptimi europian dhe më gjerë ai perëndimor për Islamin dhe myslimanët ka rrënjë shumë të thella dhe bazohen kryesisht në fantazi (Arjana, 2015) - imigrantët ishin kryesisht të padukshëm në vendet publike. Ata nuk kishin kërkesa specifike në lidhje me fenë e tyre pasi nuk kishin ndërmend të vendoseshin përgjithmonë dhe nuk vuanin nga diskriminimi ose paragjykimi pasi po kontribuonin në mirëqenien e shoqërive europiane. Nuk kishte islamofobi, megjithëse racizmi klasor ekzistonte. Për ta përmbledhur, imigrimi u pa si një dhuratë, jo si një barrë dhe aq më pak si një kërcënim. Në fillim të viteve 1970 shtetet europiane miratuan ligje që kufizuan imigrimin e rregullt, por, në të njëjtën kohë kishin politika relaksuese të ribashkimit të familjes. Imigrantët nxituan të sjellin familjet e tyre, dhe këto masa prodhuan efekte të konsiderueshme sasiore dhe cilësore. Së pari, ardhja e familjeve nga zonat rurale ndryshoi qëndrimet e imigrantëve ndaj vlerave fetare dhe kulturore. Së dyti, dukshmëria e imigrantëve në hapësirën publike u rrit (gratë e mbuluara, fëmijët që shkojnë në shkollë, etj.). Së treti, familjet imigrante u mblodhën në zona të caktuara ku mund të gjenin struktura informale mbështetëse dhe rrjete sociale.

Të paktën që nga vitet 1980, imigrimi është bërë një problem, kryesisht sepse dy të tretat e migrantëve janë myslimanë. Në të vërtetë, gjithçka që lidhej me Islamin në Europë u bë një shkak ankthi: rritja e numrit të xhamive, mbulesat e grave dhe zelli i ri fetar, së bashku me sulmet terroriste nga grupe të vogla të fanatikëve islamikë dhe radikalizimi i "mijëra" europianëve myslimanë vendas, nxitën më tej ndjenjat islamofobe në Europë (Khader, 2016). Ishtë në këtë kontekst që u shfaqën partitë e ekstremit të djathtë dhe filluan të grumbullojnë mbështetje në paraqitjen e imigracionit si një kërcënim. Në reagim, shtetet e Europës Perëndimore filluan ngritjen e mbrojtjeve të reja kundër kërcënimit shumë të mediatizuar të imigrimit masiv duke forcuar imigracionin e drejtpërdrejtë, megjithatë, ata nuk mund të ndalonin ose edhe të ngadalësonin rrjedhën e imigrimit të parregullt. Problemi u bë më i mprehtë në vitet e mëvonshme me rritjen e konsiderueshme të azilkërkuesve nga vendet e varfra ose të shkatërruara të Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme (Khader, 2016).

Kërcënimi i perceptuar i “Pushtimit mysliman të Europës”

Myslimanët janë një pakicë relativisht e vogël në Europë, duke përbërë afërsisht 5% të popullsisë. Një studim paraqet një vlerësim se si popullsitë myslimane në Europë u rritën midis 2010 dhe 2016 dhe parashikimet sesi ato do të vazhdojnë të rriten nën tre skenarë imigrimi. Nëse të gjitha migrimet do të ndaleshin menjëherë dhe përgjithmonë - një skenar "imigrimi zero" - popullata myslimane e Europës pritet që të rritet nga niveli aktual prej 4.9% në 7.4% deri në vitin 2050 sepse myslimanët janë më të rinj (me 13 vjet, mesatarisht) dhe kanë lindshmëri më të lartë (një fëmijë më shumë për grua, mesatarisht) sesa europianët e tjerë. Një skenar i dytë, "mesatar" i imigrimit supozonte se të gjitha flukset e refugjatëve të ndaleshin nga mesi i vitit 2016 por nivelet e fundit të imigrimit "të rregullt" në Evropë të vazhdojnë. Në këto kushte, myslimanët mund të arrijnë 11.2% të popullsisë së Europës në 2050. Më në fund, një skenar i "lartë" imigrimi projekton fluksin rekord të refugjatëve në Europë midis viteve 2014 dhe 2016 që të vazhdojë për një kohë të pacaktuar në të ardhmen me të njëjtën përbërje fetare (dmth. të përbërë nga myslimanë) përveç fluksit tipik vjetor të imigrantëve të rregullt. Në këtë skenar, myslimanët mund të përbëjnë 14% të popullsisë së Europës deri në vitin 2050. Flukset e refugjatëve rreth vitit 2015, megjithatë, ishin jashtëzakonisht të larta dhe filluan të bien që në vitin pasardhës pasi Bashkimi Europian dhe shumë prej vendeve anëtare të saj kanë bërë ndryshime në politikën e refugjatëve (Hackett et al, 2019). Këto numra nuk janë kërcënues. E megjithatë ekziston një ndjenjë e përhapur, e promovuar nga politikanë të krahut të djathtë si Viktor Orbán, Marine Le Pen, Alice Weidel ose Geert Wilders se Europa po pushtohet nga një popullsi myslimane në rritje që nuk mund ose nuk do të asimilohet dhe që ëndërron ta pushtojë atë.

Një sondazh i Ipsos Mori mati hendekun midis perceptimit të publikut dhe realitetit në 40 vende në vitin 2016, zbuloi se të anketuarit francezë kishin shumë të ngjarë të mbivlerësonin popullsinë aktuale myslimane të vendit të tyre. Vlerësimi mesatar francez ishte se 31% e popullsisë ishte myslimane, ndërsa në realitet përqindja nuk kalon 8.8%. Francezët nuk ishin të vetmit që kishin keqkuptime të tilla, pasi të anketuarit italianë, gjermanë dhe belgë mendonin se më shumë se një e pesta e popullsisë rezidente ishte myslimane, ndërsa në realitet shifra varion nga 4.8% në Itali, 6.1 në Gjermani, në 7.6 % në Belgjikë (Duncan, 2016).

Rruga përpara

Qasja e politikave shtetërore ndaj komuniteteve ka rëndësi të madhe. Për shembull, politikat amerikane janë kryesisht tolerante ndaj fesë, ndërsa politikat franceze zakonisht ndalojnë dukshmërinë e saj publike, siç shihet në ndalimet e tyre ndaj shamive myslimane. Në Shtetet e Bashkuara, ideologjia dominuese është "laiciteti pasiv", i cili kërkon që shteti të luajë një rol pasiv, duke lejuar dukshmërinë publike të fesë. Ideologjia dominante në Francë është "laiciteti kategorik", i cili kërkon që shteti të luajë një rol kategorik në përjashtimin e fesë nga sfera publike (Kuru, 2009). Për më tepër, në Francë, Kushtetuta e përcakton shtetin vetëm si laik, pa përcaktuar kufijtë e atij laiciteti. Në Shtetet e Bashkuara, Amendamenti i Parë kufizon angazhimin e shtetit laik me fenë, duke thënë se qeveria nuk mund të krijojë një fe as të ndalojë ushtrimin e lirë të një feje. Duke u ndjerë të lirë për të zhvilluar jetesën, komunitetet minoritare ndjehen më të lidhura me shtetin ku jetojnë. Ndryshe nga Presidenti i Frances, i cili ndërmori një projekt të sponsorizuar nga shteti për të "krijuar një lloj Islami të iluminuar", Presidenti i 44 i SHBA-ve ka pasur një qendrim tjetër rreth Islamit, kur mbajti një fjalim në Egjipt në vitin 2009, me synimin e përmirësimit te marrëdhënieve të SHBA me botën Islame, ai theksoi “Eshtë e rëndësishme që vendet perëndimore të shmangin pengimin e qytetarëve myslimanë nga praktikimi i fesë siç e gjykojnë të arsyeshme - për shembull, duke diktuar se çfarë rrobash duhet të veshë një grua myslimane” (Office of the Federal Register, 2010).Fjalimi i Presidentit Obama pasqyroi një "melting pot - bashkjetesë" të idealizuar amerikane, një vend ku identitetet e ndërtuara, si për shembull ato myslimano-amerikane, janë të zakonshme. Laiciteti francez nuk sheh identitete të ndertuara - vetëm identitet francez ose jo-francez.

Meqenëse pjesa më e madhe e myslimanëve janë imigrantë ekonomikë ose të lindur nga prindër imigrantë, ata janë më të varfër se mesatarja e vendit dhe ata shpesh jetojnë në lagje të ndara. Sidoqoftë, është gjithashtu e vërtetë që varfëria shpesh lidhet me kontrollin e dobët të prindërve, braktisjen e shkollës dhe mungesën e mundësive. Dështimi i dukshëm për t'u integruar është parë në aspektin kulturor, domethënë, si dështim për t'u përshtatur me kulturën europiane dhe për të miratuar normat, vlerat dhe stilet europiane. Me fjalë të tjera, muslimanët nuk integrohen sepse janë muslimanë dhe Islami perceptohet si i papajtueshëm me kulturën dhe vlerat perëndimore. Sidoqoftë, nuk ka asnjë komunitet mysliman në Europë; kjo është një fantazi. Myslimanët vijnë nga vende të ndryshme, jetojnë në vende të ndryshme dhe flasin gjuhë të ndryshme. Si gjithë komunitetet e tjera, myslimanët janë të ndarë në besimin e tyre, në etninë e tyre dhe gjithashtu në lidhje me praktikën fetare dhe rolin që luan feja në jetën e tyre. Shumë myslimanë po ndërtojnë jetën në shoqëritë europiane dhe gradualisht të integrojnë jetesën e tyre. Histori të shumta suksesi të myslimanëve në të gjithë sektorët, nga ekonomia, politika, kultura dhe sporti, japin prova të bollshme se nuk ka fatalitet mysliman. Myslimanët me arsim të lartë dhe paga më të larta nuk jetojnë në komunitete të ndara dhe janë të integruar mirë në shoqëri. Fatkeqësisht, pjesa më e madhe e myslimanëve në Europë janë imigrantë ekonomikë ose fëmijë të emigrantëve të punës të cilët janë të pajisur keq për t'u integruar më mirë në shoqëritë europiane, jo për shkak të Islamit, por për shkak të gjendjes së tyre socio-ekonomike.

Myslimanët po vendosen në Europë dhe numri i tyre po rritet nga viti në vit, por po ashtu po rritet edhe numri i mbështetësve dhe retorikës të së djathtës ekstreme. Duke pasur parasysh këtë realitet, shtetet europiane duhet të bëjnë çmos për integrimin e mëtejshëm të myslimanëve, dhe myslimanët duhet të kontribuojnë duke treguar lidhjen dhe besnikërinë e tyre ndaj vendeve të tyre të reja. Nëse nuk ka një përpjekje të përbashkët nga secila palë, tensionet mund të bëhen shqetësuese.

 

Romario Shehu, dhjetor 2020

 *Të gjitha mendimet janë të autorit dhe nuk përfaqësojnë asnjë subjekt tjeter

**Romario Shehu është hulumtues dhe koordinator projekti pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, i përqendruar në çështjet e lidhura me sigurinë. Aktualisht, ai është duke koordinuar zbatimin e projektit “Shkolla Qendër Komunitare” në disa shkolla në Shqipëri, si dhe projektin “Radari i Krimit të Organizuar në Ballkanin Perëndimor” (WB-OCR). Fushat e tij kërkimore përqendrohen rreth radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, por ai ka punuar gjithashtu në temat që lidhen me krimin e organizuar dhe forcimin e qëndresës komunitare. Romario ka Master të Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Universiteti i Tiranës dhe Diplomë Bachelor në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Universiteti Epoka. Ai zotëron gjuhët shqipe, angleze dhe turke.

 

Referenca:

 Akyol, M. (2020, February 27). Muslims Should Disarm Islamophobia with Kindness. Retrieved from CATO Institute: https://www.cato.org/publications/commentary/muslims-should-disarm-islamophobia-kindness

al., C. H. (2019). Projections of Europe’s Growing Muslim Population Under Three Migration Scenarios. Journal of Religion and Demography, 87-122.

 al., Z. R. (2020, October 21). A teacher is beheaded, and France's war over secularism, freedom of speech and religious equality reignites. Retrieved from CNN: https://edition.cnn.com/2020/10/21/europe/france-secularism-macron-samuel-paty-intl/index.html

 Arjana, S. R. (2015). Muslims in the Western Imagination. Oxford: Oxford University Press.

 Auley, J. M. (2020, October 29). After knife attack kills three at church in Nice, Macron says France will not give in to terrorism. Retrieved from The Washongton Post: https://www.washingtonpost.com/world/europe/france-nice-stabbing-church-attack/2020/10/29/e375eef0-19c5-11eb-8bda-814ca56e138b_story.html

 Baker, N. P. (2019, March 16). New Zealand mosque shooter broadcast slaughter on Facebook. Retrieved from Associated Press: https://apnews.com/article/ce9e1d267af149dab40e3e5391254530

 Barlas, A. (2020, November 11). On freedom of speech and ‘Islamist separatism’. Retrieved from Al-Jazeera: https://www.aljazeera.com/opinions/2020/11/11/on-freedom-of-speech-and-islamist-separatism/

 BBC. (2020, October 30). Anti-France protests: Muslims hold rallies worldwide as tensions rise. Retrieved from BBC: https://www.bbc.com/news/world-54751920

 Center, P. R. (2017). Europe’s Growing Muslim Population. Washington D.C.: Pew Research Center.

 Connolly, P. O. (2020, February 20). Germany shooting: far-right gunman kills 10 in Hanau. Retrieved from The Guardian: https://www.theguardian.com/world/2020/feb/19/shooting-germany-hanau-dead-several-people-shisha-near-frankfurt

 Cuthbertson, A. (2020, October 23). Charlie Hebdo Muhammad cartoons projected onto government buildings in defiance of Islamist terrorists. Retrieved from The Independent: https://www.independent.co.uk/news/world/europe/charlie-hebdo-cartoons-muhammad-samuel-paty-teacher-france-b1224820.html

 Duncan, P. (2016, December 13). Europeans greatly overestimate Muslim population, poll shows. Retrieved from The Guardian: https://www.theguardian.com/society/datablog/2016/dec/13/europeans-massively-overestimate-muslim-population-poll-shows

 Khader, B. (2016). Muslims in Europe: The Construction of a Problem. Madrid: BBVA.

 Kuru, A. T. (2009). Secularism and State Policies toward Religion The United States, France, and Turkey. Cambridge: Cambridge University Press.

 Lester, D. (2020, October 2). President Macron says Islam ‘in crisis all over the world’, prompting backlash. Retrieved from The Independent: https://www.independent.co.uk/news/world/europe/macron-france-islam-speech-seperatism-religion-b746835.html

 Office of the Federal Register, N. A.-7. (2010). Public Papers of the President of the United States. Washington D.C.: United States Government Printing Office.

 Saad, A. (2020, October 28). Islamophobia: Macron’s desperate bid for re-election. Retrieved from Al-Jazeera: https://www.aljazeera.com/opinions/2020/10/28/islamophobia-as-an-integration-strategy-in-france/

 Stewart, B. (2020, November 11). Secular Modernity under Theocratic Assault. Retrieved from Quillete: https://quillette.com/2020/11/11/secular-modernity-under-theocratic-assault/

 http://www.assemblee-nationale.fr/connaissance/constitution.asp

 https://www.law.cornell.edu/constitution/first_amendment

 https://uk.ambafrance.org/France-to-restore-the-Republic-to-fight-Islamist-separatism

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk