Zgjedhja e presidentit Joe Biden në SHBA dhe “entuziazmi” i liderëve në Europë!

Zgjedhja e presidentit Joe Biden në SHBA dhe “entuziazmi” i liderëve në Europë!

 

***

Në rrafshin ndërkombëtar plani i tij është për një Amerikë në krye të çështjeve ndërkombëtare me një axhendë rikthimi për disa prej tyre të anashkaluara nga presidenti Trump ka "entuziazmuar" partnerët. Në këtë drejtim Biden do i rikthehet bashkëpunimit tradicional me aleatët e tij në NATO, një raport i "krisur" më herët apo objektivi për t'ju rikthyer marrëveshjes së vitit 2015 me Iranin. Çështjet që shtrohen për analizë lidhen me kursin e ri të presidencës amerikane në fushën politike dhe ekonomike në raport me partnerin tradicional me Bashkimin Europian. Në vëmendje të këtyre dinamikave mbeten dhe raportet e mprehta midis Britanisë së Madhe dhe BE-së, sikundër zhvillimi i marrëdhënieve mes Britanisë dhe SHBA-ve.

Në janar të vitit 2021 Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të drejtohen nga një president i ri dhe sfidat që e presin janë komplekse dhe shumëdimensionale. Ai zotohet për një projekt që do të riparojë dëmet e shkaktuara nga presidenti Trump dhe për të hartuar një kurs thelbësisht të ndryshëm për politikën e jashtme Amerikane për botën siç e gjejmë sot - dhe siç e parashikojmë që do të jetë nesër (Foreign Policy and American Leadership/Joe Biden, 2020). Politika e ndjekur nga presidenti Trump ku në qëndër ishte "Amerika e para" dhe interesi amerikan mbi çdo gjë tjetër e çoi politikën e jashme amerikane drejt heqjes së përgjegjësive duke rrezikuar rolin e saj në arenën ndërkombëtare. Sikundër është shprehur presidenti Biden, nëse do të vazhdohej në këtë rrugë vetëm dy alternativa do të ishin: "ose dikush tjetër do të zërë vendin e Shteteve të Bashkuara, por jo në një mënyrë që përparon interesat dhe vlerat tona, ose askush nuk do, dhe do të krijohet kaos" (Biden, 2020), ndaj rikthimi në krye të tavolinës i SHBA-ve dhe marrja e përgjegjësive është rruga e duhur. Në lidhje me politikën e jashtme, presidenti i ri Joe Biden është kujdesur që në krye të herës të shtjellojë hapat e menjëhershëm që do të ndërrmarë në lidhje me domosdoshmërinë për të rinovuar demokracinë dhe aleancat e SHBA-ve, për të mbrojtur të ardhmen ekonomike dhe që një herë tjetër Amerika të udhëheqë përsëri botën" (Biden, 2020). Kështu nën presidencën Biden pritet që gjatë vitit 2021, Shtetet e Bashkuara të organizojnë një Samit global për Demokracinë për të rinovuar frymën dhe qëllimin e përbashkët të kombeve të botës së lirë. Këto objektiva madhore dhe axhenda që pritet të vihet në zbatim është mirëpritur nga shumë lider kudo në botë dhe padiskutim dhe nga partnerët europian.


Axhenda "Biden" dhe partnerët europian


"Amerika është kthyer, ju mund të mbështeteni tek ne."
(Joe Biden)


Ka një vlerësim të dyanshëm si nga ana e lidershipit të ri amerikan dhe liderëve në Europë për domosdoshmërinë e marrëdhënieve të ngushta transatlantike për përballimin së bashku në të njëjtën vijë të sfidave më të mprehta që bota po përjeton. Kështu, Amerika nën vizionin e presidentit Biden e shikon veten në vijën e parë të "frontit" së bashku me partnerin e saj më kryesor Bashkimin Europian në përballjen e këtyre sfidave. Pavarsisht peshës dhe forcës ekonomike që përfaqëson SHBA-ja me ¼ e produktit botëror bruto, lidershipi i ri vlerëson fuqinë e bashkëpunimit me aleatët e demokracive perëndimore duke theksuar se forca e tyre e bashkuar dyfishohet (Biden, 2020). Në artikullin e saj me titull "Shtatë shtyllat e politikës së jashtme të presidentit Bajden", gazetarja Robin Wright analizon se me "Rikthimin e Perëndimit" në axhendën e Biden si shtylla e tij e parë e politikës së jashme dhe qasja "romantike" në lidhje me marrëdhëniet transatlantike është e dëshirueshme dhe nga Europa. Ajo vlerëson se: "...veçanërisht në mes të tensioneve të daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian, shumica e njëzet e shtatë kombeve në BE - me përjashtim të mundshëm të autokratëve në Hungari dhe Poloni - janë të lehtësuar për zgjedhjen e tij" (Wright, 2020).

Vlen të përmendim qasjen për "një front të bashkuar" së bashku me aleatët dhe partnerët e SHBA-ve kundrejt Kinës për çështje që lidhen me shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut apo ndryshimet klimatike, mospërhapja e armëve bërthamore apo siguria e shëndetit global (Biden, 2020). Këto janë mesazhe të fuqishme politike për të mbështetur një rifillim të ri mes palëve. Nga ana tjetër, në kontinentin europian janë ndjerë dukshëm pasojat e Doktrinës Trump. Politika e ndjekur prej tij, dobësoi një aleancë që për dekada ka qenë mjeti më i fuqishëm i sigurisë transatlantike. Këto ngjarje do të çonin drejt një mungese koordinimi mes dyshes tradicionale Francë – Gjermani. Prej kohësh liderët e të dy vendeve ndajnë këndvështrime të ndryshme përsa i takon mbrojtjes dhe sigurisë në BE-së dhe rolit të tyre në NATO. Pikëpamja franceze në lidhje me sigurinë bazohej në "nocionin e sovranitetit ushtarak dhe teknologjik europian" (The Economist, 2019) pra fokusi qëndron në mbështetjen drejt një "autonomie strategjike europiane" (Küfner, 2020). Nga ana tjetër, gjermanët e cilësojnë si "iluzion" këtë pikëpamje e cila sipas Ministres së Mbrojtjes e Gjermanisë Annegret Kramp-Karrenbauer se "...shkon shumë larg në qoftë se ajo ushqen iluzionin se NE mund të garantojmë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin në Europë pa NATO-n dhe pa SHBA," (Deutsche Welle, 2020). Nëse politika amerikane e ka të qartë rolin e saj si udhëheqëse në botë, nuk mund të thuhet se Europianët e kanë të qartë rolin dhe zhvillimin e një vizioni të përbashkët për pozicionin e tyre në botë. Ashtu siç e ka pranuar dhe Presidenti Emmanuel Macron: "Gjermania dhe Franca punojnë më me efektivitet bashkë, kur kanë përcaktuar qëllime të përbashkëta" (DW, 2020).

Trekëndëshi i marrëdhënieve SHBA, BE dhe Britani e Madhe; Çfarë pritet nga administrata Biden?

Gara presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës merr një vëmëndje dhe rëndësi të jashtëzakonshme për shkak të ndikimit që ky vend ka në botë. Me padurim janë pritur dhe rezultatet e këtyre zgjedhjeve sidomos në Europë ku dukshëm kontinenti i vjetër europian shpresonte për një fitore të presidentit Biden. Nga ana tjetër, britanikët, siç është pohuar dhe nga ish-ambasadori i Britanisë në Washington Kim Darroch: "Kryeministri Boris Johnson dhe qeveria e tij prisnin - nëse nuk shpresonin - që presidenti Trump do të rizgjidhej" (Booth, 2020). Midis presidentit Trump dhe kryeministrit Johnson ka patur një marrëdhënie "speciale" gjë e cila me largimin e tij vë në pikëpyetje shpresën e britanikëve për arritjen e një marrëveshje të shpejtë të tregtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara. Është i ditur botërisht qëndrimi i Biden në lidhje me largimin e Britanisë së Madhe, të cilën e ka cilësuar "dalja e Britanisë nga Europa nuk është një ide e shkëlqyer". Momenti në të cilin ndodhet lidershipi Britanik nuk është aspak i favorshëm për ta. Në kushtet kur për një muaj finalizohet dalja nga Bashkimi Europian dhe ende nuk ka një marrëveshje tregtare pas Brexit, situata duket e vështirë dhe komplekse si në fushën politike, ekonomike dhe atë të sigurisë.

Sipas analizës së bërë nga Booth dhe Adam me humbjen e presidentit Trump, nuk ka më asnjë arsye që europianët të kenë frikë se Britania do të ketë një marrëveshje më të shpejtë dhe më të mirë me amerikanët. Johnson nuk mund të kërcënojë më negociatorët e Brukselit (Booth, 2020) dhe pa marrëveshje me BE-në, ekziston rreziku i doganave dhe i vendosjes së pengesave të larta tregtare. Po kështu nga ana e presidentit Biden është bërë e ditur se nuk do të ketë marrëveshje tregtare SHBA–Britani nëse Brexit zvogëlon lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave me Irlandën e Veriut, një aspekt të cilët britanikët duhet ta marrin shumë në konsideratë. Drejtori i Institutit Mbretëror të Marrëdhënieve me Jashtë (Chatham House) Robin Niblett, ngre shqetësimin se qeveria e Britanisë së Madhe duhet të punojë shumë për të futur veten në planet e ekipit të Biden për një partneritet të ripërtërirë transatlantik pasi shumë nga përparësitë e administratës së re të SHBA-ve, të tilla si sanksionet ndaj Rusisë, marrëdhëniet tregtare me Kinën, taksimi dhe rregullimi i kompanive të teknologjisë amerikane do të jenë negociatat SHBA-BE me Britaninë e Madhe të përjashtuar" (Niblett, 2020). Megjithatë pikat e përbashkëta janë aty, të dyja vendet ndajnë të njëjtin qëllim për çështjen e Iranit, ndryshimet klimatike, forcimin e NATO-s dhe sigurinë kibernetike. Viti 2021 do të jetë një vit i testeve të mëdha në arenën ndërkombëtare, dhe ajo që mund të thuhet me bindje është se me fitoren e presidentit Bajden, liderët europian kanë arsye për të besuar në një bashkëpunim më të qëndrueshëm, më të parashikueshëm dhe se entuziazimi i tyre është me vend.

Përfundime

Si përfundim mund të themi se atmosfera e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara më Bashkimin Europian po ndryshon plotësisht. Fitorja e presidenti Biden ndezi reagime pozitive në Europë. Në postimin e saj në Twitter më 20 nëntor, presidentja e Komisionit Europian Ursula Ursula von der Leyen shkruante: "Flamuri i Bashkimit Europian dhe Flamuri i Shteteve të Bashkuara së bashku kanë fuqinë dhe ndikimin që është "i domosdoshëm" për të ankoruar bashkëpunimin global në shekullin 21" (Twitter, 2020). Po kështu dhe presidenti Francez Emanuel Macron, në një postim në Twitter më 7 nëntor do të shprehej se: "Ne kemi shumë për të bërë për të kapërcyer sfidat e sotme. Le të punojmë së bashku!". (Twitter, 2020). Nga këndvështrimi i Robin Niblet, Drejtori i Institutit Mbretëror të Marrëdhënieve me Jashtë: "Kur Shtëpia e Bardhë e Presidentit Biden të shikojë nga Europa, ajo së pari do shikojë Bashkimin Europan dhe jo Britaninë" (Niblett, 2020). Në të gjitha planet zgjedhja në krye të Shteteve të Bashkuara e presidentit Biden ishte një lajm i mirë për Europën. Eksperienca e tij e jashtëzakonshëm në politikën e jashtme dhe vizioni i tij për bashkëpunimin me BE-në zgjoi shpresa për një politikë të ekuilibruar mes partnerëve që ndajnë të njëjtat vlera.

Elda Zotaj, nëntor 2020

*Dr. Elda Zotaj është lektore në Departamentin e Shkencave Politike, në Fakultetin e Shkencave Politike Juridike, në Universitetin "Aleksandër Moisiu", Durrës. Dr. Elda Zotaj është autore e më shumë se dhjetëra publikimeve në revista shkencore në konferenca rajonale, kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e Shkencave Politike.

 

Referencat:


(2020, November 17). Retrieved November 21, 2020, from Deutsche Welle: https://www.dw.com/en/german-defense-minister-europe-still-depends-on-us-for-security/a-55626599

(2020). Retrieved November 21, 2020, from Foreign Policy and American Leadership/Joe Biden: https://joebiden.com/americanleadership/#

(2020, November 7). Retrieved November 22, 2020, from Twitter: https://twitter.com/EmmanuelMacron?ref_src=twsrc%5Egoogle%7Ctwcamp%5Eserp%7Ctwgr%5Eauthor

(2020, November 20). Retrieved November 23, 2020, from Twitter: https://twitter.com/vonderleyen?ref_src=twsrc%5Egoogle%7Ctwcamp%5Eserp%7Ctwgr%5Eauthor

Biden, J. (2020, March 1). Retrieved November 21, 2020, from Foreigns Affairs: https://www.foreignaffairs.com/articles/united-states/2020-01-23/why-america-must-lead-again

Booth, W. a. (2020, November 12). Retrieved November 23, 2020, from washingtonpost: https://www.washingtonpost.com/world/europe/boris-johnson-biden-brexit/2020/11/12/2d0e889a-2396-11eb-9c4a-0dc6242c4814_story.html

DeYoung, K. (2020, October 21). Retrieved November 21, 2020, from https://www.washingtonpost.com/national-security/biden-foreign-policy-begins-with-telling-the-world-americas-back/2020/10/21/2fc0e528-1348-11eb-bc10-40b25382f1be_story.html

DW. (2020, August 22). Retrieved November 21, 2020, from https://www.dw.com/sq/berlini-dhe-parisi-do-t%C3%AB-koordinohen-m%C3%AB-mir%C3%AB-p%C3%ABr-krizat/a-54649066

Küfner, M. (2020, November 22). Retrieved November 22, 2020, from https://www.dw.com/sq/sovraniteti-i-europ%C3%ABs-duhet-t%C3%AB-filloj%C3%AB-n%C3%AB-mendjet-gjermane/a-55684322

Niblett. (2020, November 12). Retrieved November 23, 2020, from Chatham House: https://www.chathamhouse.org/2020/11/new-us-uk-democratic-agenda-could-be-horizon?utm_source=Chatham%20House&utm_medium=email&utm_campaign=11973216_CH%20-%20CH%20Newsletter%20-%2013.11.2020&utm_content=US-UK-CTA&dm_i=1S3M,74MLC,NUTA4J,SU44W,1

The Economist. (2019, November 07). Retrieved November 22, 2020, from https://www.economist.com/europe/2019/11/07/emmanuel-macron-in-his-own-words-english

Wright, R. (2020, November 11). Retrieved November 22, 2020, from https://www.newyorker.com/news/our-columnists/the-seven-pillars-of-bidens-foreign-policy

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk