Si po formëson Covid-19 arenën ndërkombëtare dhe pozicionin e superfuqive: BE, SHBA, Kinë

Si po formëson Covid-19 arenën ndërkombëtare dhe pozicionin e superfuqive: BE, SHBA, Kinë

***

Në kuadër të një lufte të fortë tregtare mes SHBA dhe Kinës që njëkohësisht ishin duke negociuar fort në nivel dypalësh por edhe duke përdorur armët multilaterale në forume globale si OBT-ja, apo të një përplasjeje të konsiderueshme interesash tregtarë BE-Kinë por edhe SHBA-BE, koronavirusi mund të vejë në pikëpyetje aleancat tradicionale por edhe të kërcënojë brishtësinë e partneriteteve dhe rivaliteteve të cilat metamorfizohen brenda pak kohësh. 

Artikulli analizon krisjet që Covid- 19 ka shkaktuar veçanërisht në marrëdhëniet SHBA-Kinë, por edhe hedh dritë mbi mundësitë e konvergjencave të interesave globale në një front të bashkuar për të luftuar pandeminë më kërcënuese qysh prej Gripit Spanjoll të para një shekulli por edhe problematikën më sfiduese qysh prej Luftës së  Dytë  Botërore.

Hyrja

Pandemitë, kanë qenë një bashkëshoqërues i hershëm i njerëzimit. Për shembull, Murtaja e Zezë që shpërtheu në 1347 paradoksalisht me gjenezë Italinë e Jugut, dhe mendohet të ketë vrarë nga 75 deri në 200 milionë njerëz në Euroazi brenda një harku kohor prej 4 vjetësh. Sikundër ka argumentuar së fundmi Patten (2020), në Evropë, luftimi i sëmundjes ishte një element formues në rritjen e autoritetit politik dhe qeverisjes së shtetit në mesjetën e vonë dhe periudhën e hershme të Rilindjes. Pandemi paneuropiane si ajo e murtajës i bënë autoritetet në qytetet italiane dhe gjetkë të përmirësonin higjienën publike dhe të fusnin karantinat. Anglia dhe shtetet e tjera europiane të Henry VIII krijuan spitale izolimi. Më vonë, Shtetet e Bashkuara zhvilluan shërbime të shëndetit publik pjesërisht për të luftuar ethet e verdha dhe epidemitë e tjera.

Pandemitë kanë pasur një rol kritik edhe në Amerikat ku rreth 90% e popullsisë vendase (indianët e Amerikës) u shfarosën pikërisht nga sëmundje si lija, apo shytat apo tifo për të cilat ata nuk kishin zhvilluar imunitetin e europianëve dhe kjo bëri që një grusht burrash spanjollë të udhëhequr nga aventureri Kortes të nënshtronin perandori të shquara si ajo Azteke apo bashkëkombësi i tij Francisko Pizzaro që arriti të zhdukte perandorinë Inkase. Gjithashtu, në Amerikën e Veriut, shumica e amerikanëve vendas u shfarosën kryesisht si rezultat i viruseve dhe baktereve me të cilat nuk ishin të imunizuar sesa nga luftërat konvencionale.

Pra efektet e pandemive të shkaktuara nga përhapja e beftë e viruseve në shkallë të gjerë, kanë gjithnjë efekte që shtrihen përtej politikave mjekësore, zhvillimit të politikave ekonomike si për shembull sistemi welfare europian që gjenezën e tij e pati me luftën për të eradikuar Gripin Spanjoll apo efekte kulturore siç duket të jetë forma e re e distancimit social që mendohet se do jetë një normë e re për një periudhë afatgjatë. Por edhe politike dhe gjeopolitike, aq më tepër që përhapja e koronavirusit aktual po ndodh në botën më të globalizuar në historinë njerëzore, me më tepër ndër-veprim të drejtpërdrejtë falë distancave gjithnjë e më të shkurtra falë përmirësimit të transportit dhe teknologjisë. Gjithashtu vjen në një kohë që bota është përherë e më e ndarë mes globalistëve dhe nacionalistëve, me një hendek jo të vogël mes shtresave të ndryshme të popullsisë dhe një polaritet në rritje, me parti populiste të të dy ekstremeve dhe kërcënime gjeo-strategjike në rritje.

Analiza

Sot planeti ndodhet para kërcënimit më të madh të shekullit të 21 dhe për shumë, përfshirë liderë botërorë dhe analistë ndërkombëtarë si sfida më e madhe pas luftës së dytë botërore. Sikur COVID-19 të përfundonte duke pasur një vdekshmëri prej vetëm 1%, numri i fundit i vdekjeve do të ishte i përafërt me atë të Luftës së Dytë Botërore. Që nga 3 mars, Organizata Botërore e Shëndetit e vendosi nivelin e vdekshmërisë aktuale në 3.4%, bazuar në rastet e raportuara, por pritet që kjo të ulet ndjeshëm dhe të stabilizohet te 1 përqindëshi duke marrë parasysh edhe personat që nuk tregojnë simptoma të dukshme siç ka paralajmëruar së fundmi prestigjiozja shkencore The Lancet. Për krahasim “Gripi Spanjoll” infektoi gjysmë miliardë njerëz ose çerekun e popullsisë së asaj kohe dhe u mori jetën rreth 50 milionë njerëzve ose disa-fishin e atyre që humbën jetën në luftën e parë botërore.

Vendi me impaktin më të lartë sot për sa i përket shifrave të të prekurve por edhe të atyre që kanë ndërruar jetë, duke pasur njëkohësisht dhe përqindjen më të lartë të të infektuarve që kanë vdekur me mbi 8%, është Italia. Faktorët janë disa duke nisur nga përqindja ndër më të lartat në botë e grupmoshës mbi 60-vjeç që janë dhe kategoria më e rrezikuar, te mosmarrja e masave si karantinimi në kohë apo ndoshta edhe mutacion i vetë virusit apo mosraportim i shifrave të sakta nga Kina që ishte dhe vendi i parë dhe më i prekuri fillimisht nga virusi. Shumë në Itali por edhe në Shqipëri, kanë shprehur indinjatë që italianët u lanë vetëm nga Bashkimi Europian në këtë orë të vështirë, dhe një pjesë e madhe e opinionit publik në Itali e ndjeu këtë edhe përgjatë krizës financiare globale që nisi në 2008-ën dhe zgjati me vite me radhë. Italia ka mbi 10 vjet në recesion ekonomik pa marrë ndonjë ndihmë konkrete nga Brukseli ndërkohë që ka pasur dhe fluksin më të madh të refugjatëve dhe migrantëve ekonomikë bashkë me Greqinë. Jo rastësisht italianët ndajnë një opinion pesimist për BE-në. Sikundër sa kujton Braw (2020), një studim i Pew Research Center për vitin 2018 tregoi se 58% e italianëve kanë një këndvështrim të favorshëm për BE-në, disi më të ulët se mesatarja e BE-së prej 62%, por shumë më e lartë se 37% e Greqisë. Më 13 mars, Komisioni Europian premtoi për ndihmë ndaj ekonomisë së goditur fort të Italisë, por deri më tani asnjë ndihmë mjekësore nga vendet anëtare nuk është materializuar.

Britania e Madhe pritet të ketë një dëm jo të vogël edhe si rezultat i ndjekjes së një rruge ndryshe nga vendet e BE-së për strategjinë e ballafaqimit me Covid 19 ku fillimisht ideja ishte që të lihej i pakontrolluar përhapja e epidemisë në mënyrë që të përftohej imuniteti në shkallë të gjerë apo “imuniteti i tufës” (herd immunity) në kushtet ku vaksina do të duhej minimalisht 1 vit të ishte e disponueshme. Por qeveria Johnson u tërhoq shpejt nga ky vendim dhe urdhëroi karantinim, izolim dhe të tjera masa të distancimit social sikundër vendet e tjera pasi u ballafaqua me projeksione shifrash që do e çonin numrin e të vdekurve në mbi 20 mijë, çka do të sillte ndër të tjera rënien e qeverisë dhe destabilitet politik në prag të materializimit të BREXIT dhe rënies pikiatë të ekonomisë si dhe kolaps të sistemit shëndetësor.

Ajo që është e rëndësishme të theksohet është dinamika jo vetëm e përhapjes së koronavirusit në Kinë, mospërhapja e raportuar masive e tij në Rusi si dhe përhapja aktualisht në Shtetet e Bashkuara që e kthejnë këtë të fundit në vendin e tretë me shkallën më të lartë të përhapjes dhe fataliteteve të shkaktuara nga Covid-19, pas Italisë dhe Kinës. Por edhe brishtësia e marrëdhënieve bilaterale dhe struktura gjeopolitike globale si rezultat i strategjive që po ndjekin kryesisht këto vende për të përballuar pandeminë, por edhe kanalizuar fajin, edhe instrumentalizuar atë për përfitime kapitali politik në elektoratet respektive. Një lojë me shumë vektorë ku është ende herët të thuhet se cili do të jetë bilanci përfundimtar. Ndër strategjitë e përdorura deri tani të bien në sy lajmet e rreme se ky virus ishte fabrikuar në një laborator amerikan dhe përhapur qëllimisht si një armë bio-teknologjike, tezë e konfirmuar dhe përsëritur nga figura të larta të ushtrisë dhe shtetit kinez (Dreher 2020) por edhe përforcuar nga media ruse pro-qeveritare si Sputnik. Një përmbledhje por edhe përgënjeshtrim si i origjinës së lajmit të rremë të origjinës laboratorike të koronavirusit por edhe panikut përmes lajmeve të fabrikuara që po përhap qëllimisht Kremlini është bërë së fundmi edhe nga Bashkimi Europian në formë zyrtare (EEAS Special Report).

Nga ana tjetër Rusia jo vetëm izoloi vijën e saj të gjatë kufitare me Kinën dhe po raporton raste shumë të pakta të numrit të infektuarve por po tregohet mjaft aktive edhe në Europë dhe jo vetëm nëpërmjet mbjelljes së panikut dhe kundërvënies së publikut qeverive të tyre sikundër shqetësohet ngjashëm Brukseli dhe Washingtoni. Por edhe nëpërmjet strategjive të diplomacisë publike si për shembull ndihma e ofruar në personel mjekësor dhe medikamente, Italisë në këto momente kur Italia duket e braktisur nga aleatët e saj natyrorë, vendet anëtare të BE-së dhe e vetmja ndihmë deri tani (përveç Rusisë së fundmi) i ka ardhur nga Kina dhe Kuba.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara i janë përgjigjur ashpër Kinës për përpjekjet e saj për faturimin e kostos politike Washingtonit dhe shpërndarjes së lajmeve të rreme për origjinën laboratorike të virusit duke e quajtur Covid-19 “virusi kinez” si për shembull në konferencat për shtyp të Presidentit Trump dhe duke akuzuar Kinën drejtpërsëdrejti që jo vetëm e mbajtën fshehur epideminë për të paktën një muaj por edhe lejuan mbi 5 milionë kinezë dhe të tjerë të linin rajonin e Wuhanit deri sa ky i fundit u izolua. Sot kur Kina duket se e ka mposhtur të paktën përkohësisht koronavirusin brenda territorit të saj përmes kombinimit të represionit të fortë dhe karantinimit të një shkalle të gjerë, SHBA dhe pjesa më e madhe e Europës Perëndimore është duke u përballur me një shkallë të lartë përhapjeje të virusit dhe dëmeve kolaterale që po shkakton. Sikundër ka argumentuar së fundmi një vëzhgues: “Ai (Xi Jingping) është duke ngritur një fushatë publicitare vendase dhe ndërkombëtare, duke theksuar triumfin e tij mbi virusin dhe duke veshur rrobat e kampionit global që punon për të mbrojtur të tjerët” (Kempe 2020).

Disa studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare besojnë se pandemia aktuale do të forcojë shtetin dhe nacionalizmin. Qeveritë e të gjitha llojeve do të miratojnë masa emergjente për të menaxhuar krizën, dhe nuk do të heqin dorë nga këto fuqi të reja kur të përfundojë kriza" (Walt 2020). Gjithashtu Walt (2020) shkruan se: “Covid-19 gjithashtu do të përshpejtojë ndryshimin e pushtetit dhe ndikimin nga perëndimi në lindje. Përgjigja në Evropë dhe Amerikë ka qenë e ngadaltë dhe e paqartë në krahasim [me Kinën, Korenë e Jugut dhe Singaporin], duke prishur më tej aurën e 'markës' perëndimore”.

Ndërkohë Mira Rapp-Hooper nga Këshilli i SHBA për Marrëdhëniet me Jashtë shkruan se “Kjo krizë e qeverisjes vendore dhe ndërkombëtare mund të ndryshojë natyrën e rendit ndërkombëtar në disa mënyra…. Nëse SHBA lë ‘karrigen’ bosh, Kina mund të marrë krizën si një mundësi për të filluar vendosjen e rregullave të reja sipas vizionit të vet të qeverisjes globale" (Tisdall 2020). Gjithsesi është ende herët për të bërë parashikime se kjo varet nga kohëzgjatja e krizës, nga zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA, nga reagimi i pjesës tjetër të botës ndaj Kinës dhe shumë variabla të tjerë në lojë.

Përfundime

Siç thotë së fundmi Krastev (2020) “qeveritë do të detyrohen të zgjedhin ndërmjet përmbajtjes së përhapjes së pandemisë me koston e shkatërrimit të ekonomisë ose tolerimit të një kosto më të lartë njerëzore për të shpëtuar ekonominë”. Kjo luftë e cila mendohet t’i kushtojë ekonomisë botërore së paku 2 trilionë dollarë në periudhën afatshkurtër si dhe humbjen e rreth 50 milionë dollarëve natyrisht që ka për rikonfiguruar dhe mjetet e luftës mes superfuqive botërore, edhe aleancat e sotme dhe të nesërme, edhe fatet politike të një Bashkimi Europian të kapërthyer përmes krizave të shumëfishta. Një Brukseli që duhet njëkohësisht të përballet me efektet shkatërruese të pandemisë por edhe të ruajë solidaritetin dhe besimin mes vendeve anëtare. Që duhet të përballojë edhe BREXIT-in por edhe dobësimin e mundshëm të euros, goditjen e Eurozonës, pezullimin e përkohshëm të Shengenit, si dhe faktin që ka mjete mjaft të kufizuara të politikës monetare dhe fiskale në dispozicion.

Në përfundim mund të themi që rreziqet me të cilat përballohet globi sot, janë të shumëfishta. Analisti i mirënjohur i tregjeve financiare Nouriel Roubini (2020) ka veçuar së fundmi rrezikun e trefishtë të pandemive të pakontrolluara, arsenalet e pamjaftueshme të politikës ekonomike dhe “mjellmat e bardha” gjeopolitike – që janë të mjaftueshme për të futur ekonominë globale në depresion të vazhdueshëm dhe një shkrirje të pakontrolluar të tregut financiar. Rreziku i një lufte mes superfuqive duke përdorur një kombinim të kërcënimit të armëve konvencionale me ato jo-konvencionale do të ishte jo vetëm i tepërt në këtë periudhë por edhe do të përkeqësonte ndjeshëm situatën e përgjithshme globale dhe do të fuste botën në një spirale depresioni të gjatë me kufij të mbyllur, tregti të kufizuar me barriera të larta, papunësi në shkallë të gjerë dhe rritje të konflikteve lokale. Një botë përherë dhe më të ballkanizuar, pa një rend të dakordësuar mes fuqive të mëdha dhe të pasigurt. Të shpresojmë që Shtetet e Bashkuara do dëshmojnë lidership në këtë botë ende uni-shumë polare ku ata ngelen primus inter partes dhe Bashkimi Europian maturinë që ka treguar përgjatë krizave të kaluara për të dalë më i fortë nga kriza më sfiduese e ekzistencës së tij gjysmë-shekullore.

 

Dr. Ilir Kalemaj, prill 2020 Tiranë

*Dr. Ilir Kalemaj, është pedagog i shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e New York Tirana. Dr. Kalemaj ka një Ph.D nga Universiteti i Evropës Qendrore (CEU). Ekspertiza e tij është kryesisht në fushat e politikës krahasuese, marrëdhënieve ndërkombëtare, studimeve evropiane dhe të drejtës ndërkombëtare dhe diplomacisë. 

 

 ****

Referencat

Braw, Elisabeth. The EU Is Abandoning Italy in Its Hour of Need. https://foreignpolicy.com/2020/03/14/coronavirus-eu-abandoning-italy-china-aid/?fbclid=IwAR2-_YvvHBht64bc1Go5BËsYZGAkXzIJalo32GBM4zEm1qytXp77vN1T94U March 14, 2020.

EEAS Special Report: Disinformation on the Coronavirus – Short Assessment of the Information Environment. Covid-19 Disinformation, March 19, 2020.

Dreher, Rod. Trump Is Right: It’s China’s Fault. The American Conservative. https://www.theamericanconservative.com/dreher/trump-is-right-china-fault-coronavirus/

Kempe, Frederick. How the US can avoid COVID-19’s geopolitical perils” https://sesecuritycenter.org/how-the-us-can-avoid-covid-19s-geopolitical-perils/ 22 March 2020.

Krastev, Ivan. “Seven Early Lessons from the coronavirus” European Council of Foreign Relations. https://www.ecfr.eu/article/commentary_seven_early_lessons_from_the_coronavirus  18 March 2020

Patten, Chris. “Truth and Viral Consequences”, Project Syndicate https://www.project-syndicate.org/commentary/china-covid19-telling-truth-saves-lives-by-chris-patten-2020-03 March 20, 2020

Roubini, Nouriel. A Greater Depression? https://www.project-syndicate.org/commentary/coronavirus-greater-great-depression-by-nouriel-roubini-2020-03   March 24, 2020.

Subacchi, Paola. “What the G20 Must Do? Project Syndicate https://www.project-syndicate.org/commentary/g20-covid19-global-response-by-paola-subacchi-2020-03 March 20, 20.

Tisdall, Simon. Power, equality, nationalism: how the pandemic will reshape the world. The Guardian, https://www.theguardian.com/world/2020/mar/28/power-equality-nationalism-how-the-pandemic-will-reshape-the-world March 28, 2020.

Walt, Stephen M. et al. How the World Will Look Like After the Coronavirus Pandemic? Foreign Policy. https://foreignpolicy.com/2020/03/20/world-order-after-coroanvirus-pandemic/ March 20, 2020

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk