Përfshirja e të rinjve në mirëqeverisje dhe politikëbërje, jetike për funksionimin e demokracisë

Përfshirja e të rinjve në mirëqeverisje dhe politikëbërje, jetike për funksionimin e demokracisë


Pjesëmarrja i referohet një koncepti të gjerë i të qenit pjesë e një aktiviteti, procesi, një komuniteti apo ekosistemi të caktuar. Në këtë artikull do të flasim për pjesëmarrjen e të rinjve në politikëbërje dhe në mirëqeverisje për t`i dhënë rëndësinë e duhur procesit të vendimmarrjes me qëllim që të rinjtë të njohin potencialin, rolin dhe fuqinë e tyre për të ndikuar komunitetet dhe shoqëritë ku ata bëjnë pjesë.

Kombet e Bashkuara e kanë vlerësuar energjinë, idetë inovatore dhe punën e të rinjve si jetësore për zhvillimin e shoqërisë në të cilën ata jetojnë (Kiilakoski, 2020). Mënyra se si sfidat, problematikat dhe potenciali i të rinjve është pasqyruar nëpërmjet vendimeve të marra nga ata gjatë hartimit të politikave publike krijon mundësi më të mira për të zhvilluar shoqërinë në të cilën ata jetojnë dhe për të siguruar kushte më të mira ekonomike dhe sociale. (United Nations, 2017). Të rinjtë, në të gjitha vendet e botës janë një burim i madh i zhvillimit njerëzor dhe njëkohësisht një nga agjentët kyçë për të sjellë ndryshimin social, zhvillimin ekonomik dhe atë teknologjik (Dhëmbo dhe Agolli, 2010).

Kur flasim për pjesëmarrjen e të rinjve, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (United Nations, 2017) dallon disa fusha: pjesëmarrja ekonomike që ka të bëjë me punësimin, eliminimin e varfërisë dhe krijimin e një ekonomie të qëndrueshme; pjesëmarrja shoqërore që ka të bëjë  me trajtimin e sfidave dhe përfshirjen në jetën e komunitetit vendor;pjesëmarrja kulturore që ka të bëjë me format e ndryshme të artit dhe të shprehjes; pjesëmarrja politike që do të jetë edhe fokusi i këtij artikulli, dhe ka të bëjë me qeveritë, politikat publike, ushtrimin e pushtetit dhe ndikimin në shpërndarjen e burimeve në nivele të ndryshme (UN, 2017).

Pjesëmarrja dhe përfaqësimi i të rinjve është i një rëndësie primare për demokracinë në një vend, si edhe për përgatitjen e kuadrove dhe drejtuesve të ardhshëm politikë (Wike, 2019). Të rinjtë mendohet që kanë informacion të mjaftueshëm në lidhje me të drejtat dhe përfaqësimin e tyre, por në realitet shumica e tyre në Europë dhe veçanërisht në Shqipëri kanë akses të limituar në edukimin për të drejtat dhe nivelin e përfaqësimit. Shumë shoqëri  përballen me përjashtimin social, me varfërinë, me ndryshimet politike, me diferencat midis besimeve, etnive, avantazhet dhe disavantazhet e globalizimit. Edukimi i të rinjve mbi të drejtat e njeriut, përfshirjen në politikë dhe në vendimmarje, përbën shtyllën e civilizimit dhe garantimit të demokracisë në një shtet të caktuar.

Përfshirja e të rinjve në politikëbërje është një pasuri e pazëvendësueshme e një shoqërie, me një objektiv të gjerë, rol dhe ndikim domethënës për të mirën e përparimit të vendit. Promovimi i pjesëmarrjes të të rinjve në jetën politike nga mekanizmat më të lartë globalë si Kombet e Bashkuara, Këshilli i Europës, Bashkimi Europian etj., kanë si qëllim të ndërgjegjësojnë të rinjtë, të rrisin forcën e reagimit të tyre si grup dhe të luftojnë kundër prirjeve të politikave jodemokratike në fushën e ekonomisë, edukimit dhe arsimimit duke e vënë theksin tek rëndësia e marrjes së vendimeve nga të gjitha grupet e shoqërisë për të funksionuar shteti i së drejtës dhe e mira publike. (Muxel, 2015).


Pjesëmarrja e të rinjve në politikëbërje

Demokracia, si formë qeverisjeje qoftë në vendet e zhvilluara, qoftë në vendet të cilat janë në periudhë tranzicioni, ka si qëllim kryesor përfshirjen në vendimmarrje dhe qeverisje të të gjitha grupeve të shoqërisë dhe sidomos të të rinjve që synojnë ta transformojnë dhe rigjallërojnë atë (Foa, et.,al, 2020). Por, sa të pranishëm janë të rinjtë në politikëbërje dhe sa të përfaqësuar ndihen ata, që të kontribuojnë në mirëqeverisje dhe në garantimin e funksionimit të demokracisë? Si mund të krijojmë mekanizma me qëllim rivitalizimin e demokracisë për të inkurajuar pjesëmarrjen e të rinjve? A janë parlamentet një mënyrë efektive për përfshirjen e tyre në proceset e vendimmarrjes? Pyetje të tilla janë ngritur nëpër takime dhe tryeza të rrumbullakëta nga përfaqësues të të rinjve në Këshillin e Europës, në Kombet e Bashkuara dhe në struktura të tjera që kanë në fokus rininë (Council of Europe, 2015).

Të dhënat globale tregojnë se vetëm 1.65% e parlamentarëve të të gjitha vendeve janë rreth moshës 20 vjeç dhe vetëm 11.87% e tyre janë deri në moshën 30 vjeç. Ndërkohë, mosha mesatare e deputetëve që janë pjesë e parlamenteve në të gjithë botën është rreth 53 vjeç për burrat dhe 50 vjeç për gratë (IPU and UNDP, 2012). Ndërkohë, që të rinjtë në Shqipëri përbëjnë 1/3 ose (23.2%) të popullsisë së përgjithshme të vendit (Pulaha et  al. 2020 CRCA) dhe si të tillë ata duhet të luajnë një rol tepër të rëndësishëm në sigurimin e stabilitetit politik dhe ekonomik të shtetit tonë.

Politikat rinore të Këshillit të Europës synojnë tu japin mundësi të rinjve që të mund të fitojnë njohuri, aftësi dhe kompetenca në mënyrë që ta gjejnë vendin e tyre në të gjitha aspektet e shoqërisë. Programi i Qendrave Rinore Europiane në Budapest dhe Strasburg dhe projektet e përkrahura nga Fondacioni Europian Rinor janë shembull për përfshirjen e të rinjve me qëllim përmbushjen e të drejtave dhe detyrave të tyre (Brander,. Et al, 2020). 

Ndërkohë që të rinjtë në Europë përpiqen të rivitalizojnë demokracinë, të rinjtë në Shqipëri i gjen edhe si pjesë e qeverisjes edhe si pjesë e politikëbërjes. Por, a kanë ata vërtet forcë për të marrë dhe për të influencuar vendimet apo thjesht përdoren si tokenizëm (dekorim), nga të tjerët sepse duhet të jenë aty për vizibilitet? Në vend që të rinjtë të jenë pjesë e një vendimmarrjeje të përbashkët sikurse Hart (1992) e quan, projektet apo idetë janë dhënë nga të rinjtë dhe të rriturit janë të ftuar që të marrin pjesë në procese vendimmarrëse si partnerë. Por, të rinjtë në vendin tonë thjesht janë pjesë e procesit sepse duhet të jenë aty, pra duhet të shikohen si pjesëmarrës nga të tjerët.

Rënia e sistemit totalitar në Shqipëri në të vërtetë, filloi përmes një lëvizjeje rinore të fuqishme siç ishte Lëvizja Studentore e Dhjetorit e vitit 1990, e cila, në bashkëpunim edhe me aktorë të tjerë të shoqërisë shqiptare, u shndërrua shpejt në një lëvizje të mirëfilltë politike që legjitimoi kështu, pas gati 50-vjetësh, pluralizmin politik dhe sistemin e ri politiko-ekonomik të mbështetur tek demokracia liberale dhe ekonomia e tregut të lirë (CESS, 2020).

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në vitin 2019 ligjin Nr. 75/2019 “Për rininë”, i cili u hartua me qëllim mbrojtjen, mbështetjen dhe garantimin e të drejtave të të rinjve nëpërmjet mekanizmave si Këshillat Vendorë Rinore, Këshilli Kombëtar i Rinisë, dhe të Organizatës Kombëtare Përfaqësuese Rinore.Ky ligj ka për qëllim përcaktimin e veprimtarive, të mekanizmave dhe të autoriteteve përgjegjëse për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të të rinjve në Republikën e Shqipërisë. Nëse ky ligj gjen zbatim, garanton në njëfarë forme përfshirjen dhe përfaqësimin e të rinjve në proceset politike. Megjithatë, lidhur me pjesëmarrjen politike në Shqipëri, të dhënat tregojnë se ka një përqindje të ulët të të rinjve në pozicione ekzekutive si ministra, zëvendësministra në qeveri dhe në pushtetin vendor. Mungojnë strukturat rinore bashkangjitur ministrive dhe bashkive, dhe rrjedhimisht një pjesëmarrje e reduktuar në vendimmarrje.Kjo ka ardhur për shkak të shumë faktorëve, siç është mungesa e hapësirave nxitëse për përfshirjen e të rinjve, mungesa e informimit dhe edukimit qytetar të të rinjve për të qenë aktivë në komunitet dhe më gjerë, pabarazitë e mëdha që ekzistojnë midis zonave rurale dhe urbane apo dhe mosekzistenca e një mekanizmi politik që bën bashkë të rinjtë me institucionet (Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, 2020). Megjithatë, strategjitë dhe planet kryesore për përfshirjen sociale dhe ekonomike të të rinjve, vitet e fundit në Shqipëri janë ndikuar nga politikat dhe kuadri europian.


-        Përfundime

Në mënyrë që të reduktojmë hendeqet e krijuara mes gjeneratash, politika duhet të fokusohet tek strukturat dhe mekanizmat përkatës për përfshirjen e të rinjve. Të rinjtë duhet të jenë pjesë e sistemit por jo si proces i tokenizmit (dekorimit). Ata janë në gjendje të ndryshojnë sistemin nga brenda,  nëpërmjet mekanizmave politikë, përfshirjen e kuotave në lista dhe duke ulur moshën e votimit. Kjo do të thotë që të rinjtë të qasen më shumë ndaj mundësive dhe alternativave të ndryshme dhe të marrin pjesë në axhendat politike dhe në hartimin e politikave publike, sepse ata mund të identifikojnë më mirë se kushdo interesat dhe nevojat e tyre.

Pjesëmarrja e të rinjve nëpërmjet integrimit në lëvizjet shoqërore luan po ashtu një rol të rëndësishëm për krijimin e mekanizmave që nxisin përfshirjen e lëvizjeve rinore në vendimmarrje. Strukturat shoqërore dhe politike kanë nevojë që të qasen drejt botës dixhitale dhe të gjejnë forma inovatore për të ofruar informim, komunikim dhe për të qenë të gjithë të përfshirë duke qenë se jetojnë në epokën e dixhitalizimit, si një riformim i demokracisë.

Garantimi i mirëqeverisjes lidhet drejtpërdrejt me pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje në të gjitha nivelet, në bazë të një konsensusi të gjerë shoqëror dhe politik në mbështetje të qeverisjes dhe llogaridhënies me pjesëmarrje. Në thelb, qëndrueshmëria e çdo shoqërie demokratike mbështetet në krijimtarinë, dinamizmin, angazhimin shoqëror dhe kompetencat e të rinjve të saj. 



 Lubjana Malaj, qershor 2022

Lubjana Malaj është diplomuar në degën “Punë dhe Politika Sociale” në Fakultetin e Shkencave Sociale, në Universitetin e Tiranës, dhe në Master Shkencor “Shërbimet Sociale në Drejtësinë Penale” po në këte fakultet. Aktualisht, ajo ushtron veprimtarinë e saj në një nga institucionet publike të Republikës së Shqipërisë. Lubjana jep kontributin e saj në promovimin e të drejtave dhe përfshirjes së të rinjve në jetën demokratike dhe në vendimmarrje nëpërmjeti informimit, edukimit dhe mbështetjes së të rinjve me më pak mundësi. Në këtë kuadër, ajo është pjesë e organizatës “Center for Education and Social Advancement”. 



Bibliografia

·       Brander. P., Keen. E., Juhasz. V., Schinder. A., (2022). COMPASS. Manual for Human Rights Education ëith Young People. 2nd edition. Council of Europe, Strasbourg.

·       Center for Economic and Social Studies (2020). Lëvizja Sociale (Qytetare) në Shqipëri. Mes përceprimit qytetar dhe kapacitetit të tyre për të nxitur ndryshime.

·       Council of Europe, Youth Department (2015). Have Your Say. Manual on the revised European Charter on the Participation of Young People in Local and Region Life.

·       Dhëmbo. E, dhe Agolli. I (2010). Politikat Sociale dhe Mirëqënia Sociale. Leksione, Ese, Artikuj. albPaper, Tiranë.

·       Foa, R.S., Klassen, A., Wenger, D., Rand, A. and M. Slade. 2020. “Youth and Satisfaction with Democracy: Reversing the Democratic Disconnect?” Cambridge, United Kingdom: Centre for the Future of Democracy.

·       Hart. R (1992). Children`s Participation: From Tokenism to Citizenship. UNICEF International Child Development Centre Spedale degli lnnocenti Florence, Italy. 1014-7829.

·       IPU and United Nations Development Programme (UNDP), 2012. Global Parliamentary Report 2012: The changing nature of parliamentary representation. Available at:file:///C:/Users/user/Downloads/gpr2012-full-e%20(1).pdf

·       IPU, 2022.Global Parliamentary Report 2022. Public engagement in the ëork of parliament. Future focus of engagement.  Available at:file:///C:/Users/user/Downloads/GPR%20Report_EN_LR.pdf

·       Kilioki. T., (2020). Perspective on Youth Participation. Analitical Paper, Youth Partnership.

·       Ligji Nr. 75/2019. Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave.

·       Muxel. A., (2015) Youth and Politics: Towards a new model of citizenship in advanced democracies, (p. 25-27)

·       Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (2020). Pjesëmarrja Politike, Sociale dhe Ekonomike e të Rinjve në Shqipëri. Youth Bank Hubs – Western Balkans and Turkey Raporti Vjetor – Albania.

·       Pulaha. K, Mustafaraj. A, Osmanaj. E, Hazizaj. A, (2020). Raporti Kombëtar “Rinia në Shqipëri 2020”, CRCA/ECPAT Shqipëri, 2020.

·       United Nation (2022). Youth Strategy. Youth 2020. Working with and for young people. Available at: https://www.un.org/youthenvoy/wp-content/uploads/2018/09/18-00080_UN-Youth-Strategy_Web.pdf

·       United Nation (2017). World Program of Action of Youths.  Adopted by the United Nations General Assembly in its resolutions A/RES/50/81 and A/RES/62/126 on 14 December 1996 and 18 December 14 2007.

·       Wike, R., L. Silver and A. Castillo, 2019. “Many Across the Globe Are Dissatisfied With How Democracy Is Working”, 29 April 2019. Pew Research Center. Available at: https://www.pewresearch.org/global/2019/04/29/many-across-the-globe-are-dissatisfied-with-how-democracy-is-workinng/

 

 





1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk