Një realitet i ri dixhital - përshpejtimi i dixhitalizimit dhe qasja gjithëpërfshirëse

Një realitet i ri dixhital - përshpejtimi i dixhitalizimit dhe qasja gjithëpërfshirëse

Më 15 janar 2021, Wikipedia mbushi 20 vjeç. E krijuar në 2001, një enciklopedi dixhitale e ushqyer nga vullnetarë, numëron 55 milion artikuj në më shumë se 200 gjuhë, duke rezultuar si website më i madh i referuar, ku sipas The economist kompani si Apple dhe Amazon mbështeten në të, për të mundësuar përgjigjen e pyetjeve nga asistentët dixhital Alexa dhe Siri. Deri më sot, një algoritëm dixhital, si Wikipedia, e shumë sisteme të tjera teknologjikë, nuk janë konsideruar veçse metoda që ofrojnë lehtësim në shërbime, prakticizëm në komunikim e madje në jo pak raste, mjete përfitimi marramendëse. 

Në libra e artikuj të shumtë, shpesh herë jemi hasur në analiza e opinione që lidhen me të ardhmen e njerëzimit, duke ju referuar dixhitalizimit të jetesës, zhvillimeve të teknologjisë dhe ndryshimin e mënyrës së jetesës, deri në zëvendësimin e profesioneve të vyera njerëzore, me inteligjencën artificiale. Pra, si domosdoshmëri, dixhitalizimi i çdo aspekti të jetës pritej në “epokën futuriste”, atëherë kur ndoshta dhe makinat do të fluturojnë e nuk do drejtohen më nga njerëz, përveçse nga robotë.

E në fakt, jo më larg sesa nga viti i trishtë 2020 që lamë pas, e në vazhdim viti që po jetojmë si simotër e tij, po manifestohet gjithnjë e më shumë nevoja e dixhitalizimit të shoqërive mbarë globale, “për të jetuar shëndetshëm”. Tanimë, me krizën e pandemisë që po përjeton bota, jemi para faktit që dixhitalizimi, përveçse është bërë mënyrë jetese, është shndërruar në domosdoshmëri. Forma më e shpeshtë e komunikimit është dixhitale; ofrimi i shërbimeve është drejt perfeksionit dixhital; është dixhitale puna ideale; është dixhitale mësimdhënia; është dixhitale edhe ekonomia etj.

Që prej fillimit të vitit 2020, lëvizja fizike e mallrave dhe njerëzve është e kufizuar, ndërsa tregtia dixhitale po luan një rol vendimtar në mbajtjen e rrjedhës së tregtisë. Nga e-tregtia ndërkufitare dhe pagesa dixhitale, deri tek telekonferencat me partnerë biznesi në të gjithë botën tek zëvendësimi i dokumenteve fizike me regjistrime elektronike, aktivizimi i transaksioneve dixhitale në mallra dhe shërbime, është më i rëndësishëm se kurrë. Nëse do të marrim rastin e kompanisë Alibaba, e cila para 7 vitesh u prek nga virusi SARS në Kinë dhe që asokohe ishte një start-up 4 vjeçar, nuk dihej nëse kompania do t’i mbijetonte krizës. Kompania e shfrytëzoi karantinën duke vazhduar punën nga shtëpia, periudhë në të cilën lançoi Taobao, platformën e parë të kompanisë në shërbim të konsumatorëve dhe tregun online me pakicë më të madh në botë sot. Siç është reflektuar në rastin e Alibaba-s në Kinë, por jo vetëm, një sistem i ndërtuar mbi ekonominë dixhitale është elastik, i zhdërvjellët dhe i aftë të përshtatet me ndryshimet. Aktualisht qasja ideale është të krijohen një sërë rregullash globale në çështjet e ekonomisë dhe tregtisë, në kuadrin e globalizimit dixhital.

Pandemia ka detyruar gjithashtu edhe pushtetin e drejtësisë në mbarë globin të dixhitalizohet me nxitim. Paketa stimuluese Covid-19 e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshin një dispozitë ku parashikohet që gjyqtarët federale të përdorin telekonferencën për zhvillimin e seancave gjyqësore. Gjykata Supreme në Amerikë, zhvilloi seanca dëgjimore për herë të parë përmes telefonit. Gjykata Supreme e Indisë filloi të dëgjojë të gjitha çështjet në një aplikacion të quajtur Vidyo në 23 mars të 2020. Gjithashtu, Spanja zhvilloi gjyqin e parë në internet në maj të vitit 2020. Teknologjia mund ta bëjë drejtësinë më të lirë dhe më të arritshme. Seancat dëgjimore në dhomat e konferencave digjitale mund të jenë më të lehta sesa ato fizike, për t'u ndjekur edhe nga reporterët që mbulojnë gjykatat. Gjetjet fillestare sugjerojnë një divergjencë midis degëve të sistemit të drejtësisë.

Çështjet civile - ato pa juri në sistemin common law - duket se transferohen lehtësisht në hapësirën e internetit. Më 5 qershor 2020, Këshilli i Drejtësisë Civile në Britani, publikoi një raport që anketoi më shumë se 1000 avokatë, gazetarë dhe anëtarë të publikut që kishin marrë pjesë në çështje civile të zhvilluara online që nga mesi i marsit. Rreth 71.5% e të anketuarve thanë se kishin përvojë pozitive ose shumë pozitive me dëgjime në distancë. Për sistemet ligjore, pandemia ka arritur në një eksperiment të papritur, për disa muaj, nëpërmjet procedurës dixhitale.

Edhe në vendin tonë pandemia u ndje jo pak në sistemin gjyqësor. Për fat të keq, gjykatat u mbyllën përkohësisht, pa një zgjidhje të shëndetshme alternative. Megjithatë Shqipëria mund të fillojë të ecë drejt dixhitalizimit gjyqësor përmes krijimit të një task force/grupi pune, i cili mund të fokusohet posaçërisht, që mund të mbledhë rezultate nga vendet e tjera, të identifikojë dhe të bazohet në rreziqe, si dhe të përpiqet t'i adresojë ato. Grupi i punës mund të krijojë një qasje në faza dhe të identifikojë mundësitë për dixhitalizim, kur ka më pak rrezik dhe të pilotojë nisma të tilla përpara se të identifikojë rrugë të tjera për dixhitalizimin pilot të të gjithë hallkave të sistemit të drejtësisë.

Megjithatë një teknologji e tillë është e paprovuar në shkallë. Kërkimet e deritanishme mbi ndikimin e tij kanë qenë jo përfundimtare. Në Britani gjyqtarët kanë folur për vështirësinë e trajtimit të çështjeve delikate siç është p.sh. kujdestaria e fëmijëve. Gjykatësit e çështjeve të tilla, shpesh flasin drejtpërdrejt me pjesëmarrësit në fund të gjykimeve për të shpjeguar vendimet e tyre. Interneti zvogëlon mundësitë për të ofruar ndjeshmëri jashtë formaliteteve të rregullta të dëgjimit.
Në fakt, ndër mbrojtësit e të drejtave të njeriut, ka nga ata që argumentojnë se dhënia e dënimeve të ashpra nga distanca është "çnjerëzore" - nëse do të vendoset që dikush të dënohet me vdekje – si në rastet e sistemeve common law – kjo nuk mund të bëhet nëpërmjet Zoom-it.

Për shkak të pandemisë Covid-19, edhe objektet arsimore në të gjithë globin janë detyruar të mbyllen përkohësisht për sigurinë e stafit dhe studentëve të tyre, duke detyruar gjenerimin e një sistemi të ri online, të mësimdhënies. Kompani të shumta po priren gjithnjë e më shumë drejt zhvillimit të teknologjive të reja të mësimdhënies, nëpërmjet dixhitalizimit. Në një rast interesant nga Kenia, një iniciative interesantë e-Learning e kompanisë Huawei Technologies, ka bërë të mundur që mbi 15 milion studentë të mund të mësojnë nga shtëpia, nëpërmjet programit Learn On, i cili siguron burime me cilësi të lartë në një platformë të hapur, së bashku me mbështetje financiare për të siguruar vazhdimësinë arsimore. Dhjetë universitete në Kenia dhe qindra studentë kanë shfrytëzuar burimet në dispozicion përmes programit Learn On dhe më shumë se 500 studentë janë pajisur me pako të të dhënave për të mundësuar studimin në internet.

Ndërsa në Kroaci, klasat 1-4 të shkollës fillore, gjatë muajit maj të 2020, filluan të organizohen përmes TV publik: mësuesit u dërgonin prindërve ushtrime shtesë për studentët. Duke pasur parasysh moshën e tyre, nuk pritej që këta fëmijë ta përdorin vetë internetin direkt, por përkundrazi ata komunikonin me mësuesit e tyre përmes prindërve të tyre. Mësimet në video viheshin në dispozicion si përmes TV ashtu edhe përmes internetit. Për më tepër, secila shkollë kishte të organizuar një dhomë virtuale të mësuesve dhe klasë virtuale në platforma të ndryshme (Loomen, Microsoft Teams, Yammer) ku mësuesit komunikonin çdo ditë me nxënësit e tyre, duke dhënë udhëzime, duke kontrolluar veprimtarinë e tyre dhe përfundimin e detyrave. Kompanitë e telekomunikacionit gjithashtu ofronin qasje në internet falas (përmes kartave SIM) për nxënësit me status më të ulët socio-ekonomik.  Një qasje thuajse e njëjtë, u ndoq edhe në vendin tonë. Edhe pse aktualisht, mësimdhënia, për grup-mosha të caktuara po zhvillohet në klasa fizike, duke respektuar rregullat bazë të shmangies së përhapjes së virusit, ndërsa për të tjerë (sikundër janë studentët) procesi i mësim dhënies zhvillohet online. Gjatë 2020 nisi një cikël i ri mësimdhënieje nëpërmjet televizionit, duke dedikuar një kanal dixhital, për shpjegimin e klasave të caktuara.

Në të gjithë këto përshpejtime të zhvillimeve të një realiteti të ri dixhital, në fakt duhet konsideruar që jo të gjitha vendet mund të jenë të gatshme mjaftueshëm, për t’u përshtatur menjëherë ndaj këtij ndryshimi të menjëhershëm. Vendi ynë, mund të jetë një rast, ku edhe pse aktualisht, ka pasur një përpjekje serioze për dixhitalizimin e ofrimit të disa shërbimeve (një rast i suksesshëm është platforma e-Albania, ku qytetarët mund të aksesojnë disa shërbime, që më herët ofroheshin nëpërmjet burokracive), shtrirja gjithëpërfshirëse e dixhitalizimit të jetës mbetet ende mes pengesave. Këto pengesa mund të jenë të shumta, nisur që nga kultura dhe edukimi i brezave të caktuar të shoqërisë, që mund të kenë vështirësi të kuptueshme të aksesimit apo përdorimit të mjeteve teknologjike, e deri tek mundësitë ekonomike për të poseduar një paisje dixhitale.

Një tjetër faktor i rëndësishëm, që duhet konsideruar në të gjithë këtë epokë të re, është sigurisht edhe krimi kibernetik, i cili ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e shëndetshëm të jetesës dixhitale. Një raport i ri i Forumit Ekonomik Botëror, mbi Parimet e Udhëheqjes së Sigurisë Kibernetike: Mësimet e marra gjatë pandemisë Covid-19 për tu përgatitur për “normalitetin e ri”, synon të udhëheqë sigurinë në internet dhe veçanërisht tek drejtuesit e bizneseve, pasi ata janë përgjegjës për një pjesë të veprimeve që balancojnë qëllimet afatshkurtra kundër imperativëve të mesme dhe afatgjata. Propozimet janë që duhet të nxitet një kulturë e rezistencës kibernetike dhe kjo kulturë të jetë gjithëpërfshirëse dhe të depërtoje veçanërisht në bizneset, të cilat mund të goditen dhe të pësojnë humbje nga këto krime. Menaxhimi efektiv i rrezikut kibernetik mund të ndihmojë bizneset të arrijnë një transformim më të zgjuar dhe më të shpejtë dhe të qëndrojnë në këmbë në këto kohë të pasigurta.

Duhet ritheksuar se shpejtësia me të cilën po ndodh ky dixhitalizim, e nxitur nga situata e krizës aktuale, bën që efektet, në fakt, të jenë të vështira për t’u parashikuar, por është e sigurt që do të ndikojnë në riformatimin e shumë sektorëve, edhe pasi të ketë mbaruar pandemia e Covid-19. Ndërsa kriza vazhdon, zhvendosja e pashmangshme drejt shërbimeve dixhitale do të përshpejtohet, duke penetruar gjithnjë e më shumë në çdo sektor të jetës tonë.

Lorina Misku, prill 2021

 

*Lorina Misku është diplomuar për Drejtësi, në Universitetin e Tiranës, si dhe ka fituar titullin Master i Shkencave në të Drejtë Pubike. Është koordinatore e Politikave dhe Prioriteteve Kombëtare, në Kryeministri. Fokus i veçantë i ekspertizës është e drejta publike dhe politikat zhvillimore, si dhe qasja menaxheriale.  Lorina ka një interes të veçantë për proceset e integrimit në Bashkimin Europian. Ka kryer një sërë trajnimesh për fushat e saj të ekspertizës si dhe është Alumni e Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave.  Është bashkëautore e disa publikimeve shkencore, pranë Universitetit të Tiranës.

 

 

Referenca:

Thomas L. Friedman Thank you for being late.An Optimist's Guide to Thriving in the Age of Accelerations (2016), ISBN: 9780241301449

https://www.economist.com/international/2021/01/09/wikipedia-is-20-and-its-reputation-has-never-been-higher

https://www.mckinsey.com/business-functions/strategy-and-corporate-finance/our-insights/how-covid-19-has-pushed-companies-over-the-technology-tipping-point-and-transformed-business-forever#

https://www.economist.com/international/2021/01/09/wikipedia-is-20-and-its-reputation-has-never-been-higher

https://www.weforum.org/agenda/2020/06/5-ways-to-advance-modernize-digital-trade-in-the-post-covid-pandemic-world/

https://www.weforum.org/agenda/2020/06/action-on-cross-border-payments-will-support-digital-trade-growth/

https://www.worldbank.org/en/topic/edutech/brief/how-countries-are-using-edtech-to-support-remote-learning-during-the-covid-19-pandemic

https://www.weforum.org/agenda/2020/05/principles-for-effective-cybersecurity-leadership-covid-19-coronavirus-pandemic-cyberattacks-cyber-risk-security-cloud-technology/

https://www.springwise.com/innovation/education/huawei-contactless-education-systems-kenya

 

371Ndjekës
5616Ndjekës
1936Ndjekës
21Abonues
Ambassade_Niva2_Engelsk
PA_logo