Pjesëmarrja sociale dhe politike e të rinjve konsiderohet si një mjet për të inkurajuar një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe demokratike. Aktivizimi i tyre në vendimet dhe veprimet në nivel lokal dhe rajonal rrit aftësinë e tyre për të ndikuar në vendimmarrje dhe u lejon atyre të kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie më të mirë.
Të pakënaqur me qeveritë e tyre kombëtare dhe/apo me BE-në?
Sipas një sondazhi të vitit 2017, të rinjtë europianë janë të lodhur nga gjendja ekzistuese në Europë dhe janë të gatshëm të dalin në rrugë për të sjellë ndryshime. Pjesë të sondazhit të mbështetur nga Bashkimi Europian ishin 580 000 të anketuar në 35 shtete, nën titullin "Gjenerata Çfarë?". Nga të dhënat e raportit, të rinjtë në Greqi ishin të interesuar për t'u bashkuar në një kryengritje të madhe kundër qeverisë së tyre, me 67% që iu përgjigjën po pyetjes.
Në Itali, pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 4 mars 2018, rezultatet treguan se si Lëvizja “Pesë-Yje” fitoi votën e rinisë, të cilët ndjehen të zhgënjyer nga dështimet e partive të qendrës. Kur intervistojnë një studente 18 vjeçare mbi rezultatet ajo shprehet se nuk i kushton shumë vëmendje politikës dhe se titujt politikë në Itali janë gjithmonë rreth disa skandaleve apo korrupsionit dhe se nuk përfshijnë ndonjë mesazh për të rinjtë. Për partinë populiste ajo thotë se përfaqësuesit e saj përpiqen të jenë transparentë dhe se idetë e tyre janë të shpjeguara qartë në faqen në internet, e cila është lehtësisht e kuptueshme nga të gjithë. Të zhgënjyer me institucionet politike që injorojnë problemet e tyre, duke përfshirë papunësinë e lartë dhe mundësitë në rënie, të rinjtë po ndihmojnë në ndryshimin e peizazhit politik italian në mënyra që mund të riformësojnë të ardhmen e vendit.
Gjithashtu, referendumi i Brexit dhe pasojat e tij kanë shërbyer si një thirrje zgjimi. Vlerësohet se nga 64% e 18 - 24 vjeçarëve të Mbretërisë së Bashkuar që votuan në referendumin e vitit 2016, rreth 75% e tyre kanë votuar për të qëndruar në BE. Kjo pjesëmarrje ishte më shumë se 20% se në zgjedhjet e përgjithshme të mëparshme në vitin 2015. Gjithsesi, pjesëmarrja konsiderohet e papërfillshme në krahasim me 90% të pjesëmarrësve mbi 65 vjeçarë, të cilët votuan për Brexit.
Por si ndjehen ata që janë pjesë e 75% që votoi kundër Brexit? Kur gazeta The Guardian organizoi një thirrje në twitter menjëherë pas referendumit, pati më shumë se 200 reagime në gjysmë ore. Ky reagim nuk u kufizua vetëm tek të rinjtë që kishin votuar, por ata morën përgjigje dhe nga 16 - 17-vjeçarët të cilët nuk patën mundësinë të kishin fjalën e tyre në këtë vendim të rëndësishëm. Ndër reagimet më të shumta ishin se vendosën të votonin largimin në minutën e fundit prej mungesës së demokracisë dhe llogaridhënies së BE-së, apo se votuan për të qëndruar, por pas rezultateve tashmë të njohura, ata ndjeheshin të zhgënjyer, të trishtuar dhe të frikësuar për të ardhmen e brezit të tyre. Të rinjtë argumentuan se Britania e Madhe është shumë e varur nga burimet e BE-së dhe bashkëpunimi, dhe për këtë arsye nuk e përqafonin idenë e largimit. Ndërkohë, ndarja demografike me personat mbi 55 vjeç që votonin kryesisht për të lënë bllokun europian, nxitën diçka të ngjashme me atë që njihet si 'revoltë e të rinjve'. Referendumi solli frikën midis miliona britanikëve të rinj për humbjen e të drejtës për të jetuar, punuar dhe udhëtuar në vendet e tjera të BE-së.
Sipas rezultateve të Flash Eurobarometer 375, të titulluar "Rinia europiane: pjesëmarrja në jetën demokratike", tregojnë se mbi gjysma (56%) e të gjithë njerëzve të moshës 15-30 vjeç kishin votuar në zgjedhje gjatë tre viteve të mëparshme, ndërsa 44% nuk kishin votuar. Pjesëmarrja në votime në mesin e të rinjve ishte veçanërisht e lartë në Maltë, Belgjikë dhe Itali.
Pjesëmarrja në aktivitete të organizuara mund të ndikojë tek të rinjtë dhe të nxisë interesin e tyre në politikë apo në zgjedhje. Shkalla e pjesëmarrjes për të rinjtë e përfshirë në organizatat lokale me qëllim të përmirësimit të komunitetit lokal ishte më i ulët se përfshirja në klubet sportive, të argëtimit apo organizata rinore, pasuar nga ata që janë aktivë në organizatat kulturore dhe organizatat joqeveritare. Organizatat e ndryshimeve klimatike dhe çështjet mjedisore, si dhe organizatat politike apo partitë politike ishin më pak të njohura, siç janë ato që promovojnë të drejtat e njeriut ose zhvillimi global.
Rezultatet e sondazhit “Gjenerata Çfarë?” nxjerrin në pah mendimet e të rinjve mbi Europën dhe shumica prej tyre shprehet se Europa simbolizon një ndërtim të domosdoshëm dhe se BE-ja është më shumë e lidhur me lëvizshmërinë në punë, udhëtime dhe studime, me rritjen ekonomike dhe me diversitetin kulturor. Ata besojnë se disa nga politikanët janë të korruptuar dhe se nuk i besojnë sistemit ligjor, politik apo medias dhe janë më të prirur të gjejnë zgjidhje të tjera për problemet mbi punësimin, sistemin arsimor dhe mjedisin.
Generation-what.eu, mars 2018