Michel Bernard Barnier dhe David Davis, diskutojnë mbi "faturën e divorcit"

Michel Bernard Barnier dhe David Davis, diskutojnë mbi


Michel Bernard Barnier: kush është kryenegociatori i Komisionit Europian?
Michel Bernard Barnier i lindur më 9 janar 1951 është një politikan francez republikan i cili po shërben si kryenegociatori kryesor nga ana e Komisionit Europian për Brexit që nga dhjetori 2016. Lindur në La Tronche në Alpet Franceze, Barnier u diplomua nga ESCP Europe në 1972. Ai ka shërbyer në disa pozicione të rëndësishme në kabinetin francez si ministër si dhe ka shërbyer në nivel europian si Komisioner Europian dhe si deputet i Parlamentit Europian. Komisioni Europian e ka emëruar atë si kryenegociatorin përgjegjës për Përgatitjen dhe Kryerjen e Negociatave me Mbretërinë e Bashkuar sipas nenit 50 të Traktatit për Bashkimin Europian.

Karriera politike kombëtare

Barnier shërbeu në stafin e ministrave Golistë në vitet 1970, para se të zgjidhej në vitin 1978 në moshën 27 vjeçare si Zëvendës për Departamentin e Savoisë në Asamblenë Kombëtare Franceze ku punoi deri 1993. Barnier së pari u bashkua me kabinetin francez si Ministër i Mjedisit pas fitores të së Djathtës në zgjedhjet legjislative të vitit 1993 dhe në vitin 1995 u emërua nga Jacques Chirac si Sekretar të Shtetit për Çështjet Europiane. Më pas shërbeu si Komisioner Europian për Politikën Rajonale dhe si Ministër i Jashtëm i Francës deri më 5 qershor 2005. Në mars të vitit 2006, Barnier u zgjodh nënkryetar i Partisë Popullore Europiane (PPE) për një mandat trevjeçar.

Karriera politike europiane

Barnier punoi në vitin 2006 si këshilltar special i José Manuel Barroso, President i atëhershëm i Komisionit Europian. Në vitet 2006-2007 ai shërbeu si anëtar i Grupit Amato, një grup politikanësh europianë të nivelit të lartë që punonin jo-zyrtarisht për rishkrimin e Traktatit që themeloi një Kushtetutë për Europën në atë që u bë i njohur si Traktati i Lisbonës pas refuzimit nga votuesit francezë dhe holandezë .

Në shkurt 2010 ai u konfirmua si Komisioner Europian për Tregun e Brendshëm dhe Shërbimet. Si përgjegjës për reformimin e Sistemit Bankar Europian, ai argumentonte për një "treg të vetëm koherent me rregulla që zbatohen kudo". Ai u emërua Komisioner i Veprimit për Industri dhe pas përfundimit të mandatit u emërua në një tjetër komision si Komisioner Europian për Tregtinë dhe Shërbimet e Brendshme ku dhe trajtoi shumë çështje të rëndësishme siç është reforma e sektorit financiar, bashkimi bankar dhe tregu i vetëm dixhital. Nga viti 2015, Barnier shërbeu si Këshilltar Special i papaguar për Politikën Europiane të Mbrojtjes tek Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker duke u emëruar më pas si kryenegociator i Komisionit Europian Brexit. Negociatori i Komisionit Europian i Brexit ka insistuar që bisedimet e daljes së Britanisë nga BE duhet të zhvillohen në frëngjisht.  David Davis, euroskeptiku i përhershëm ndaj Bashkimit Europian

Jeta e hershme

Lindur në York të Anglisë, më 23 dhjetor 1948, Davis fillimisht u rrit nga gjyshërit e tij në kushte jo të mira ekonomike duke jetuar në një lagje të varfër. Ai është kthyer në një shembull për këdo që nuk beson se duke luftuar fort mund të arrish objektiva të mëdha. Kur nëna e tij u martua me një punonjës polak hebre, Ronald Davis, familja u zhvendos në Londër, ku ata jetonin fillimisht në një banesë në një lagje të varfër në Londër.

Kur e braktisi shkollën e mesme në Tooting, rezultatet e tij të nivelit A nuk ishin aq të mira për të siguruar një vend universitar, kështu që Davis punoi si nëpunës i sigurimeve dhe u bë anëtar i Regjimentit 21 SAS të Ushtrisë Territoriale për të fituar paratë për të rimarrë provimet e tij . Pas kësaj jeta e tij merr një rrjedhë tjetër, ai fitoi në Universitetin e Warwick (Shkenca Molekulare / Shkenca Kompjuterike). Më pas u bë pjesë e London Business School, ku mori një diplomë Master në Biznes (1971-73) si dhe në Universitetin e Harvardit (Programi i Menaxhimit të Avancuar 1984-85). Ai shkroi për përvojat e tij të biznesit në librin e vitit 1988 ‘How to Turn Round’ dhe që në moshë fare të re u dallua për idetë e qarta që pasqyronte.

Karriera politike

Davis u zgjodh për herë të parë në Parlamentin anglez në zgjedhjet e përgjithshme të 1987 si deputet për Boothferry. Përparimi i Davisit nëpërmjet rangjeve konservatore bëri që ai të emërohej Ministër i Shtetit në Zyrën e Jashtme dhe atë të Komonuelthit.

Si një politikan që dallohej shpesh për ide ekstermiste dhe euroskepticizëm, Davis në një intervistë shfrytëzoi pozitën e tij për të shprehur mbështetjen e tij personale për rikthimin e dënimit me vdekje për njerëzit e dënuar për vrasje të shumëfishta kur ka prova të qarta dhe nuk ekziston asnjë dyshim. Kjo intervistë erdhi pothuajse 40 vjet pas heqjes së dënimit me vdekje për vrasjet duke u kthyer në një mollë sherri e duke krijuar mbështetje ose pakënaqësi në publik.

Gara e udhëheqjes në 2005

Në kohën kur filloi gara për udhëheqjen e Partisë Konservatore të vitit 2005, David Davis ishte Sekretar i Shtetit dhe në votimin e parë të deputetëve konservatorë arriti të mblidhte numrin më të lartë të votave. Në votimin e dytë të mbajtur dy ditë më vonë ai arriti të mblidhte numrin e mjaftueshëm të votave për të kaluar në fazën tjetër, por rivaliteti ishte shumë i lartë. Po pse oferta dhe programi politik i Davis humbën vrullin? David Davis kishte përballë David Cameron dhe në një debat kokë më kokë të BBC-së në fazën përfundimtare ai u dallua për një performancë të dobët duke humbur përballë popullaritetit të rivalit të tij. Anëtarët e Partisë Konservatore votuan për të zgjedhur Cameron si liderin e ri konservator.Gjithesesi, Cameron zgjodhi të rivendosë rivalin e tij si sekretar i çshtjeve të Brendshme të Kabinetit Hije, një kabinet opozitar që kontrollon kabinetin qeveritar asaj kohe të partisë laburiste me kryeministër Tony Blair.

Liritë civile

Në 2008 Davis dha dorëheqjen nga Kabineti dhe njoftoi dorëheqjen e tij si deputet duke lobuar dhe shkaktuar një debat të gjerë mbi çështjen e vetme që ai besonte dhe mbronte siç ishin liritë civile. Më 18 qershor 2008, ai dha dorëheqjen nga Dhoma e Përfaqësuesve, por qëndroi si kandidat i Partisë Konservatore për vendin e tij në zgjedhjet pasuese. Ai fitoi rizgjedhjen me 72% të votave duke thyer disa statistika votimi në Britani të Madhe, por duhet theksuar që Partia Laburiste dhe ajo Liberale Demokrate nuk paraqitën një kandidat.

Në rolin e tij si deputet, Davis vazhdoi fushatën për liritë civile. Ai mori pjesë në Konventën për Liritë Moderne dhe mbajti fjalimin kryesor në ditën e fundit të konventës. Së bashku me deputetin Tom Watson ai sfidoi futjen e qeverisë në Aktin e Ruajtjes së të Dhënave dhe të Hetimeve në gjykata. Si një euroskeptik i vendosur ai ka argumentuar kundër tërheqjes nga juridiksioni i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njerut të shumë çështjeve që mund të zgjidhen më me lehtësi në nivel kombëtar duke inkurajuar vendet që kanë dhe mbrojnë liritë civile të veprojnë në të njëjtën mënyrë. Qëndrimet konservatore të Davis nuk kanë fund, kjo gjë shihet në votimin në mënyrë të përsëritur të disa çështjeve të lirive civile për të kufizuar abortin, trajtimin e pjellorisë, hulumtimin e embrionit dhe të drejtat e komunitetit LGBTI.

Torturë

Gjatë një debati në Dhomën e Përfaqësuesve David Davis akuzoi qeverinë e Britanisë së Madhe për ushtrim torture duke lejuar Rangzieb Ahmed të largohej nga vendi (edhe pse qeveria kishte prova kundër Ahmedit, mbi të cilin më vonë Ahmed e dënuan për terrorizëm) si dhe për përpjekjen për të gënjyer Ahmed-in. Davis ishte midis nënshkruesve të një letre drejtuar The Guardian duke dënuar përpjekjet e koalicionit për të fshehur përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në ushtrimin e torturës pas gjyqeve të fshehta.

Pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2010 u zbulua se David Cameron dëshironte të ftonte Davis dhe të tjerë të krahut të djathtë si Michael Howard dhe Iain Duncan Smith në kabinetin e koalicionit të tij Konservator-Liberal Demokrat. Sidoqoftë, Davis refuzoi dhe mbeti kritik i qeverisë për qëndrimin e tij mbi tarifat e shkollimit. Ai ofroi komente kritike mbi koalicionin në një intervistë të BBC-së në mars të vitit 2012. Pas buxhetit të George Osborne në vitin 2014, Davis shkroi për "The Conservative Woman", duke i bërë thirrje atij që të bëjë kompensimin personal plotësisht të transferueshëm për familjet me të ardhura të vetme.

Sekretar i Shtetit për Daljen nga Bashkimi Europian

Pas emërimit të Theresa May si Kryeministre, më 13 korrik 2016 Davis u emërua Sekretar i Shtetit për negocimin e daljes së Britanisë sëmMadhe nga Bashkimi Europian. Ai botoi në Conservative Home mendimet e tij fillestare për mënyrën se si Brexit mund të vazhdojë. Në rolin e tij si Sekretar i Shtetit ai njoftoi se Parlamenti do të marrë masa për përkthimin e legjislacionit të BE-së në legjislacionin britanik si pjesë e procesit të tërheqjes nga Bashkimi Europian.

Brexit: David Davis dhe Michel Barnier fillojnë diskutimet mbi "faturën e divorcit"

Përfaqësuesit e Mbretërisë së Bashkuar dhe BE, negociatorët David Davis dhe Michel Barnier theksuan se pasiguria politike në Britani mund të vonojë negociatat duke këmbëngulur në shtyrjen e bisedimeve për çështjen e tregtisë. Takimi i fundit i mbajtur në Bruksel, korrik 2017 u fokusua në kohën dhe strukturën e bisedimeve. Pasiguritë e shkaktuara nga Brexit sollën në vëmendje ndikimin e politikave mbi qytetarët, kufijtë dhe politikat e Bashkimit Europian. Prioritetet dhe afatet kohore duket se kanë shqetësuar më së shumti Davis i cili ngulmon dhe i bën thirrje udhëheqësve të BE-së të përshpejtojnë bisedimet dhe të bien dakord për një marrëdhënie tregtare ndërkohë që po vendosen kushtet e planit të daljes.

Davis dhe Barnier dy personazhe të ndryshëm, njëri euroskeptik dhe konservator, tjetri federalist që beson në BE dhe te një kushtetutë europiane po luftojnë për një qëllim të përbashkët për ta bërë sa më të lehtë daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Brexit tashmë është çështje fakti, pasiguritë qëndrojnë mbi pasojat dhe efektet që kjo dalje do shkaktojë mbi komunitetin. Dy liderat po bëhen bashkë pavarësisht divergjencave, presim të shikojmë vendimet që do ndërmerren dhe hapat e mëtejshëm.

                                                                                                                        Stafi i EuroSpeak, korrik 2017

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk