Zgjedhjet në Suedi: Cili do jetë kryeministri i ardhshëm i vendit?

Zgjedhjet në Suedi: Cili do jetë kryeministri i ardhshëm i vendit?

Zgjedhjet janë përqendruar në tre fuqi kryesore - Partia Social-Demokrate e cila është në qeveri në saj të aleancës me Partinë e Gjelbër, -Aleanca Kryesore opozitare e përbërë nga Partia e Moderuar apo të Moderuarit (M), Partia Liberale dhe Partia Qendrore, dhe partia e kahut të djathtë ekstrem Demokratët e Suedisë (SD).

Stefan Löfven i social-demokratëve: A do të vazhdojë të jetë kryeministër i Suedisë?

Partia u themelua në 1889, gjë që e bën atë partinë më të vjetër politike në Suedi. Udhëheqësi i partisë Social Demokrate që nga viti 2012 është Stefan Löfven, i cili është gjithashtu Kryeministër i Suedisë që nga 2014. Politikat e kësaj partie, themeluar në 1889 dhe mbahet sot si partia më e vjetër politike në Suedi, bazohen në lirinë, barazinë dhe solidaritetin dhe partia i jep përparësi krijimit të më shumë vendeve të punës dhe ofrimit të një arsimimi më të mirë për të gjithë.

Löfven, i cili kandidon për një mandat të dytë si kryeministër, ka lindur më 21 korrik 1957 në Stokholm ku u vendos në një jetimore 10 muaj pas lindjes së tij. Löfven u birësua më vonë nga një familje kujdestare dhe sipas marrëveshjes me këtë familje, nëna e tij e lindjes do të rimerrte kujdestarinë e tij kur ajo të ishte në gjendje financiare megjithatë, kjo nuk ndodhi. Gjatë rinisë së tij ai filloi studimet për punë sociale në Universitetin Umeå, por i la ato përgjysmë pas një viti e gjysmë. Ndërkohë ai ka ndjekur një kurs saldimi dhe ka një eksperiencë pune si saldator që nga 1987. Në vitin 2001, ai u zgjodh nënkryetar i Unionit të Metaleve të Punëtorëve dhe në nëntor 2005 u zgjodh kryetari i parë i sindikatës së sapoformuar IF Metal. Ai gjatë angazhimit në sindikatë ka zhvilluar greva dhe demonstrata gjatë vitit 2006 e më tej shkruan The Guardian.

Edhe pse ka qenë anëtar i Social Demokratëve që në adoleshencë dhe ka qenë aktiv në ligën e të rinjve, karriera politike për të filloi realisht në 2006, kur u zgjodh në bordin ekzekutiv të Social Demokratëve. 6 vite më vonë, në 2012, në moshën 54 vjeçare ai kandidon për tu bërë kreu i ri i partisë. Më 27 janar 2012, Löfven u zgjodh në një votim të partisë. Löfven udhëhoqi partinë e tij përmes zgjedhjeve të Parlamentit Europian 2014, ku Social Demokratët ruajtën pozicionin e tyre si partia më e madhe nga Suedia në Parlamentin Europian. Partia Social Demokrate e konsideron vetën të jetë pjesë e ideologjisë socialdemokrate, me ndikime të forta nga liberalizmi social. Një nga idetë më të qarta të socialdemokratëve suedezë është të bëjë kompromis me partitë e tjera. Kjo ka rezultuar në disa koalicione me parti liberale dhe ato të qendrës. Ndikimi i këtyre partive ka bërë që partia të ketë nevojë për të përshtatur shumë nga vlerat e tyre, siç është liberalizimi i tregut.

2 vite si kryetar i Partisë i sollën atij një tjetër sukses, pasi u zgjodh kryeministër i Suedisë më 2 tetor 2014. Duke pasur parasysh dobësinë e koalicionit të tij, ndoshta nuk ishte shumë e çuditshme që ai tha se donte një qeveri të bazuar në bashkëpunim dhe jo në konflikt. Ndër prioritetet e qeverisë ishin reduktimi i papunësisë dhe përmirësimi i arsimit dhe sigurimit social.

Deklaratat e Löfven gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 2018, përfshijnë premtimin për të punësuar 14 000 më shumë në kujdesin mjekësor për mandatin e ardhshëm të 2018. Stefan Löfven pyetjes mbi premtimet e vitit 2014 që ai nuk arriti të përmbushte, iu përgjigj duke komentuar me faktin se hendeku i të ardhurave u rrit gjatë mandatit që ai shërbeu duke e bërë këtë pengesën kryesore në ndërmarrjen e masave dhe reformave. Programi i tij përfshin mbrojtjen e sigurisë së Suedisë, paqes dhe lirisë pasi situata e sigurisë, rivalitetet në rritje të fuqive politike dhe zhvillimet më të gjera të politikave të sigurisë kërkojnë masa të reja të shtetit për të mbrojtur banorët e tij.

Ulf Kristersson: të Moderuarit kërkojnë të udhëheqin Suedinë

Udhëheqësi i Partisë së Moderuar që nga tetori i 2017 është Ulf Hjalmar Kristersson i lindur më 29 dhjetor të 1963 në Lund. Në rininë e tij Kristersson ishte një sportist i gjimnastikës dhe pse më vonë studimet i vazhdoi për ekonomik në Universitetin Uppsala. Sipas AFP Angazhimin e tij politik e ka filluar që në moshën 22 vjeçare, ku në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1985, ai ishte angazhuar si aktivist. Më 26 nëntor të 1988, ai konkurroi për t'u bërë kryetar i ri, por pa sukses. Në vitin 1991, kabineti i qendrës së djathtë Bildt mori pushtetin dhe së shpejti Kristersson u bë kritik i zëshëm i marrëveshjes së krizës qeveritare me socialdemokratët. Në vitin 2006, ai u emërua nënkryetar i komunës Socialborgarråd në Stokholm ku u vendos përgjegjës për sektorin e mirëqenies sociale dhe të punës. Ai ka qenë anëtar i Riksdag (Parlamentit Suedez) që nga viti 1994 deri 200, duke u rizgjedhur përsëri në zgjedhjet e 2014. Ai ka shërbyer si Ministër i Sigurimeve Shoqërore për vitet 2010-2014. Kristersson teksa formulonte një politike të re familjare për partinë e tij, shkaktoi polemika duke sugjeruar që baballarët duhet të marrin një muaj pushim të atësisë për familjen për të marrë të gjitha përfitimet. Kjo ishte në mënyrë të qartë në konflikt me politikën tradicionale të Partisë së Moderuar, konservatore e më fokus politika të djathta. Pas zgjedhjes së Anna Kinberg Batra si udhëheqëse e partisë së Moderuar tanimë në opozitë, ajo e emëroi atë si ‘Ministër hije i Financave’. Më 1 shtator 2017, Kristersson vendosi publikisht të kandidojë për udhëheqjen e partisë, du duke marrë kreun një muaj më vonë. Partia pa një rritje të mprehtë në mbështetje në votime, krahasuar me numrin rekord të ulët nën paraardhësit e tij. Profili i i tij bëhet dhe më interesant në lidhje me familjen e krijuar, pasi ka birësuar tre vajza nga Kina shkruan the Local. Ndërkohë që kritikët e quajnë atë një politikan ‘coffe-break’, me sensin që ai ka vetëm fjalë por jo vepra. Për më tepër figura e tij shpeshherë është kompromentuar në lidhje me disa shkelje dhe evazione fiskale. Ai pranoi në vitin 2001 se kishte paguar në të zezë, pa deklaruar në mënyre ligjore duke ju shmangur kështu taksave vendore. Kristersson u pikas në vitin 2008 se kishte marrë me qera një apartament me katër dhoma gjumi nga Erstas në 2006. Kjo u kritikua sepse qëllimi i kompanisë Erstas është të ndihmojë njerëzit në nevojë. Filloi një hetim paraprak i kësaj sjelljeje të pahijshme, por u lirua menjëherë pas pak javësh pa pasur zgjidhje.

Partia e Moderuar filloi si një parti konservatore dhe nacionaliste dhe u themelua në vitin 1904. Sot partia e përkufizon ideologjinë e saj si konservatore liberale. Liria e individit për të zgjedhur është thelbësore për politikat e saj. Partia e Moderuar, së bashku me Partinë Social –Demokrate, cilësohen si partië më të mëdha dhe tradicionale suedeze që përgjatë historisë i kanë lënë vendin njëra-tjetrës për udhëheqjen e shtetit. Partia e Moderuar ka formuar një koalicion të qendrës së djathtë të njohur si Aleanca, me Partinë Qendrore, Partinë Liberale dhe Kristian-Demokratët. Kur humbi shumicën në vitin 2010, koalicioni u cilësua si një qeveri e pakicës. Fokusi i tyre gjithashtu përqendrohet në uljen e taksave, liberalizmin ekonomik si dhe krijimin e vendeve të punës.

Nga viti 2006 deri në 2014, partitë e Aleancës ishin në qeveri. Në zgjedhjet e vitit 2014, partia e moderuar ishte partia e dytë më e madhe në Suedi. Partia mbështet tregjet e lira dhe lirinë personale dhe ka qenë historikisht forca thelbësore për privatizimin dhe uljen e normave tatimore dhe zvogëlimin e sektorit publik. Çështje të tjera të theksuara gjatë fushatës janë politikat dhe masat kundër krimit të dhunshëm dhe krimit seksual,për rritjen dhe promovimin e vlerës së punës si dhe cilësisë në sistemin arsimor. Partia mbështet martesën e gjinisë së njëjtë në Suedi. Qëndrimet e saj janë pro-europiane, pro anëtarësimit të Suedisë në NATO si dhe anëtarësimit në Eurozonë. Nga ana tjetër ajo mbështet kontrollet kufitare dhe rregullat më të ashpra për emigrantët, duke përfshirë lejet e qëndrimit të përkohshëm, kërkesa më të rrepta për ribashkimin familjar dhe shkurtime në përfitimet sociale.

Jimmie Åkesson: Udhëheqësi i ri i Demokratëve të Suedisë me retorikë populiste dhe nacionaliste

Jimmie Åkesson lindur më 17 maj të vitit 1979 është politikan i partisë Demokratët e Suedisë, dhe ka shërbyer për këtë parti si kryetar i saj që nga maji i vitit 2005. Në vitin 1998, në moshën 19 vjeçare, Åkesson u zgjodh në zyrën publike si këshilltar në Komunën e Sölvesborgut. Në të njëjtin vit, ai gjithashtu u bë zëvendëskryetar i grupit të rinisë së sapozgjedhur të Suedisë Demokratike dhe më vonë, nga viti 2000 deri në vitin 2005, ishte kryetar i organizatës rinore. Në vitin 2005, në moshën 26 vjeçare ai fitoi kundër udhëheqësit të partisë, Mikael Jansson në zgjedhjet partiake për t'u bërë udhëheqës i partisë së Demokratëve të Suedisë. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2010, Demokratët e Suedisë për herë të parë kaluan pragun zgjedhor dhe hynë në Parlamentin Suedez, me 5.70% të votave, duke fituar kështu 20 vende. Åkesson, i cili u rendit i pari në votimin kombëtar të partisë, u zgjodh deputet së bashku me 19 nga anëtarët e tjerë të partisë. Para se të angazhohej në politikë, Åkesson kishte punuar si një web-dizajner në kompaninë BMJ Aktiv, të cilën ai e bashkë-themeloi me Björn Söder, ish sekretar i Partisë së Demokratëve të Suedisë. Ai studioi shkenca politike, jurisprudencë, ekonomi, gjeografi dhe filozofinë humane në Universitetin e Lundit, edhe pse ai kurrë nuk arriti të diplomohej.

Në shtator të vitit 2014, Sveriges Radio raportoi se Åkesson kishte shpenzuar më shumë se 500,000 korona suedeze ose diku te 65,000 € në bastet online. Shuma e shpërdoruar është më shumë se sa një politikan do të kishte fituar gjatë gjithë vitit. Zbulimi shkaktoi një trazirë, si në mesin e njerëzve që e konsiderojnë Åkesson si të pabesueshëm si dhe në grupin e njerëzve që kundërshtonin vendimin e burimit informativ për të publikuar informacionin. Vetë Åkesson e quajti këtë informacion një përpjekje për dëmtimin e tij si figurë me influencë politike në vend. Pas zgjedhjeve të vitit 2014, Åkesson njoftoi se do të merrte një raport mjekësor për shkak të komplikacioneve me shëndetin. Në fillim të vitit 2015, Åkesson u emërua drejtuesi më i rëndësishëm i opinionit të popullsisë së Suedisë për vitin kalendarik 2014 nga revista DSM suedeze në renditjen e tyre vjetore.

Shumica e njerëzve në Suedi mendojnë se Åkesson është një lider karizmatik. Ai është një folës shumë i aftë dhe shpesh i lë kundërshtarët e tij pa fjalë në debate. Ai dhe partia e tij kanë pasur shumë popullaritet kohët e fundit.

Nacionalistët e partisë me nota neonaziste deri diku Demokratët e Suedisë kanë bërë deklarata të bujshme në të gjithë Europën me programin e tyre radikal për zgjedhjet e 2018. Ideologjia e tyre konsiston në nacionalizëm dhe konservatorizmin social dhe studiues të shumtë i kanë quajtur ata nacionalistë radikalë, populistë ksenofobikë dhe racistë.

Programi i mbështet si shtyllë të parë forcimin e nacionalitetit suedez dhe mbështet fuqishëm fushatën anti-migracion. Ai ka deklaruar se nuk ka punë të mjaftueshme për popullin suedez, por ka gjithnjë e më shumë emigrantë dhe shpreson se nëse fiton mandatin e ardhshëm do të ul imigracionin me 90% dhe sondazhet duket se tregojnë se po shtohet numri i suedezëve me qëndrime kundër migracionit.

Në plan të dytë synon të ulë normën e taksave për të moshuarit, si dhe të rrisë strehimin e subvencionuar për të moshuarit. Gjithashtu dëshiron të ndajë burime shtesë për komunat në mënyrë që t'u sigurojë të moshuarve ndihma ushqimore dhe në përgjithësi, të përmirësoj cilësinë e jetesës së tyre.

Madje Åkesson nuk e sheh aspak partinë e tij, si parti raciste apo fashiste pasi partia e dikurshme është thjesht një e kaluar që nuk i ngjan programit të asaj të sotshmes. Kështu është përpjekur të shmangë partinë nga e kaluara e saj fashiste, duke u zotuar gjithashtu për të forcuar kufirin midis Danimarkës dhe Suedisë dhe duke ofruar një referendum nëse Suedia duhet të largohet nga Bashkimi Europian. Sipas tij, BE nuk është rruga për të bashkëpunuar në Europë. Qëndrimi i tij është që ai duhet të negocioj kushtet e anëtarësimit të Suedisë në BE dhe më pas shtetasit e tij duhet të kenë fjalën e fundit sipas Express.co. Gjithashtu politikat e tyre përfshijnë një ngrirje totale mbi azilkërkuesit dhe pranimin e refugjatëve vetëm nga fqinjët e Suedisë në të ardhmen. Ata gjithashtu duan dënime më të ashpra për krimin dhe më shumë kompetenca për policinë si dhe pretendojnë se shpenzimet për mirëqenien e shtetasve mund të financohen duke shkurtuar taksat dhe duke ulur buxhetin e imigracionit

Por Åkesson është sfiduar gjatë fushatës së zgjedhjeve nga kryeministri Stefan Löfven, i cili e quajti partinë "neo-fashiste", duke cituar lidhjet e saj të hershme me Keep Sweden Swedish dhe White Aryan Resistance, dy lëvizjet e bazuara në Stockholm të cilat më vonë u përdorën si slogan i lëvizjeve nacionaliste që pasuan më vonë.

Politikanët dhe mediat në Suedi kanë mbajtur një qëndrim unik në Europë, duke shmangur Demokratët e Suedisë, duke përjashtuar ato nga debati politik dhe duke drejtuar kritika të ashpra ndaj kujtdo që sugjeron që politika e azilit të vendit është një problem. Suedia aktualisht pranon më shumë se dyfishin e refugjatëve për banor se çdo vend tjetër nga 34 shtetet anëtare të OECD-së.. Ndërkohë që nga ekspertët parashikohet që asnjë parti nuk do të arrijë dot e vetme të krijojë qeverinë, dhe koalicione jo-tradicionale mund të bëhen, të dyja partitë e mëdha Social-Demokratët dhe të Moderuarit kundërshtojnë në mënyrë të hapur çdo lloj bashkëpunimi me partinë e djathtë ekstreme të Demokratëve të Suedisë shkruan Politico. Zgjedhjet në Suedi, mund të sjellin ndryshim të statuskuosë dhe probleme për partitë tradicionale dhe forcim të partive populiste, diçka e parë dhe në vend të tjera europiane si Italia, Franca apo Holanda.

                                                                                                                    Stafi i EuroSpeak, gusht 2018

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk