Ajo është një kritike e ish-qeverisë së Sllovakisë dhe një aktiviste kundër korrupsionit, ka fituar zgjedhjet presidenciale të Sllovakisë, duke u bërë kështu e para grua në Europën Qendrore që do të shërbejë në krye të shtetit. Caputova, një avokate e çështjeve të mjedisit me pothuajse asnjë përvojë politike, mundi diplomatin e profilit të lartë, komisionerin europian për energjinë Maroš Sefcovic, i nominuar nga partia qeverisëse, në raundin e dytë të votimeve. Sipas Zyrës Sllovake të Statistikave, Caputova ka fituar 58.40% të votave ndërsa komisioneri Šefčovičç fitoi rreth 41.59 %.
Votuesit në Sllovaki zgjodhën kreun e ri të shtetit në raundin e dytë më 30 mars 2019, pas raundit të parë ku garuan 13 kandidatë dhe Caputova mori më së shumti vota 40,6% ndërsa Sefcovic mori 18,7%. Arsyeja që e shtyu të kandidonte për presidente ishte vrasja e gazetarit Jan Kuçiak, i cili po investigonte lidhjet mes politikanëve dhe krimit të organizuar kur u qëllua për vdekje bashkë me të fejuarën në shkurt të 2018-ës. Ajo është anëtare e Partisë Liberale Progresive të Sllovakisë, e cila nuk ka asnjë vend ende në parlament. Duke u nisur nga një valë e pakënaqësisë popullore mbi korrupsionin e përhapur Caputova premtoi t’i kthejë vendit të saj dinjitetin e munguar, i cili është mbytur nga klima politike toksike e Sllovakisë.
Po kush është Zuzana Caputova?
Caputova u lind në vitin 1973 në një familje të klasës punëtore në qytetin e Pezinok (Çekosllovakia në ato vite). Pasi studioi Drejtësi në Universitetin e Bratislavës, ajo iu bashkua Via Iuris, një organizatë ligjore e avokatisë sllovake. Caputova u bë e njohur me nofkën "Erin Brockovich" e Sllovakisë pasi udhëhoqi një çështje ligjore të suksesshme kundër një landfill-i që ishte planifikuar të ndërtohej në vendlindjen e saj. Kauza e saj 14 vjeçare kundër landfill-it përfshiu organizimin e protestave, paraqitjen e padive dhe shkrimin e peticioneve në Bashkimin Europian. Kjo nismë kujtohet si organizimi popullor më i madh që prej rrëzimit të regjimit dikatorial në 1989. Me anë të kësaj fushate ajo fitoi çmimin prestigjioz “Goldman Environmental” në vitin 2016, shkruan “New York Times”.
“Kauza ishte përvojë intesive kundër arrogancës, vulgaritetit, fuqisë ekonomike dhe politike,”- tha në një intervistë. “Ishte një eksperiencë kundër së keqes”, mesazh të cilin do ta përdorte dhe në garën politike për presidente.
Vlerat e saj liberale janë në kontradiktë me legjislacionin e Sllovakisë për sa i përket çështjeve të martesave me të njëjtin seks. Ajo është shprehur në favor të organizatave që mbrojnë të drejtat LGBTI+. Gjithashtu, favorizon adoptimet e fëmijëve jetimë përkundrejt jetesës së tyre në jetimore. Për sa i përket abortit, ajo ka deklaruar se është në zgjedhjen e gruas, raporton “Time”.
Në hobet e saj jashtë politikës ajo përmend vizatimin, basketball-in, ecjen dhe notin. Caputova është njohëse e gjuhës angleze dhe dikur ka pas ditur dhe gjuhën ruse, për të cilën shpreh pendesë që e ka harruar. Momentalisht është e divorcuar dhe ka dy vajza adoleshente. Partneri i saj aktual është muzikant dhe fotograf, publikon “Japan Times”.
Zgjedhja e Caputovës është një fitore e rrallë progresive në Europën qendrore, ku retorika nacionaliste është rritur tepër gjatë viteve të fundit. Në Hungarinë fqinje, Poloni dhe Austri, qeveritë dominohen nga partitë nacionaliste të krahut të djathtë. Si një progresiste e krahut të majtë, ajo nuk harroi pa falenderuar dhe votat e minoriteve. "Unë jam e lumtur jo vetëm për rezultatin, por kryesisht se u bë e mundur rezistenca ndaj populizmit", - iu tha Caputova një grupi mbështetësish në Bratislavë. Ajo gjithashtu shprehu besim te e vërteta dhe te përfaqësimi i interesave të popullit pa qenë nevoja e përdorimit të një fjalori agresiv, raporton “Deutsche Welle”.
“Ajo ngjante si dikush për të cilën Sllovakia kishte nevojë: e sjellshme, e ndershme dhe kurrë nuk sulmoi kundërshtarët e saj. Pasi e pashë duke folur në një event, e kuptova menjëherë që do votoja për të. Ishte shumë autentike, humane dhe e besueshme në ato që thoshte.’’, deklaruan disa prej votuesve të saj.
Pavarësisht faktit se titulli i Presidentit është më tepër ceremonial në Republikën Parlamentare të Sllovakisë, në qershor, kur Caputova të marrë mandatin do të ketë fuqi të rëndësishme bllokuese, do jetë kreu i Forcave të Armatosura dhe do ketë pushtetin për të zgjedhur gjyqtarët e lartë.
Stafi i EuroSpeak, mars 2019