Arba Kokalari: Për herë të parë në Parlamentin Europian, një shqiptare si eurodeputete

Arba Kokalari: Për herë të parë në Parlamentin Europian, një shqiptare si eurodeputete


Kush është Arba Kokalari?

Arba u lind në Tiranë më 27 nëntor 1986. Ajo është mbesa e disidentes, shkrimtares dhe atdhetares së njohur Musine Kokalari, e cila ishte një ndër viktimat e regjimit dikatorial. Pas viteve 90’ Arba u zhvendos familjarisht në Suedi ku dhe jeton prej vitesh. Arsimin fillor e kreu në shkollën muzikore “Adolf Frederik”. Me politikë ajo filloi të angazhohej që në moshën 16 vjeçare. Pasi studioi në fushën e së Drejtës Ndërkombëtare në Kolegjin Suedez të Mbrojtjes Kombëtare, ajo i thelloi studimet e saj për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Stokholmit. E orientuar në diplomaci, Arba ka shërbyer si këshilltare politike në Ministrinë e Punëve të Jashtme Suedeze. Orientimi i saj politik si centriste do të reflektohej që në fillimet e saj politike ku ajo mbajti rolin e Zv/Presidentes në organizatën politike rinore YEPP e cila është krahu i djathtë i Partisë Popullore Europiane (EPP). Aktualisht ajo shërben si deputete e Partisë së Moderuar-Moderatna. Në zgjedhjet e Parlamentit Europian ajo hyri në histori si shqiptarja e parë që fiton mandatin e eurodeputetes.


Këndvështrimi i saj mbi politikën dhe Bashkimin Europian

Duke qenë se vetë familja e saj ka jetuar gjatë komunizmit në Shqipëri dhe ajo ka lindur në vitet e fundit të tij, Arba e shikon bashkëpunimin europian si shumë të rëndësishëm për një Europë paqësore dhe demokratike, raporton fplus.se. Ajo shton se është pjesë e Partisë së Moderuar pikërisht për shkak të bindjeve të saj mbi lirinë e individëve që kjo parti garanton. Në BE, Arba është e vendosur për të përfaqësuar çështje si forcimi i kritereve demokratike për anëtarësimet në BE, çështjet klimatike mbi reduktimin e emetimeve të dëmshme dhe eleminimin e taksave dhe të burokracisë. Në çështjen e parë ajo ndalet duke shpjeguar se BE duhet të heqë dorë nga kontributet që jep në një shtet që nuk respekton liritë dhe të drejtat qytetare. Për sa i përket ligjit për të drejtën e autorit, ajo shprehet se ky ligj vështirëson lirinë e shprehjes duke shërbyer si një filtër censure. Kjo sepse do të ishte më e vështirë të gjeje informacione në internet, shprehet Arba në një intervistë për fplus.se. Për më tepër, ajo beson se tregtia e lirë, teknologjia dhe inovacioni e rrisin ndjeshëm cilësinë e jetës. Për sa i përket sfidave me të cilat përballet BE, Arba shprehet se Europa duhet të shërbejë si një promotore e lirive demokratike në botë, të jetë inovatore dhe të fuqizohet së brendshmi. E pyetur mbi bashkëpunimet e Suedisë në fushën e jashtme, Arba beson se Suedia do të fuqizohet nëse rrit marrëveshjet me shtetet Nordike dhe Baltike, duke rritur kështu influencën e saj në Europë.


Reagimet pas fitores

Menjëherë pas fitores, ajo postoi në rrjetet sociale një postim ku falenderonte stafin dhe elektoratin e partisë Moderatna. “Moderatorët marrin një mandat të katërt dhe unë kam hyrë në Parlamentin Europian! FALEMINDERIT për të gjithë ata që kanë luftuar për Moderatorët dhe mua!” - shkruante Arba. Kjo fitore e saj nuk u la jashtë vëmendjes së politikanëve shqiptarë të cilët gjetën rastin për të uruar Arba Kokalarin.

Siç raportojnë disa burime të afërta, lidhjet e saj me Shqipërinë nuk janë shkëputur dhe ajo vazhdon ta flasë gjuhën shqipe. Arba ka premtuar se do jetë një zë përfaqësues i Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian, duke vazhduar një ëndërr politike që Musine Kokalari nuk e realizoi dot. Me disa dekada diferencë dhe në situata politike të ndryshme, duket se aftësia e lidershipit dhe ambicia gjenden në ADN-në që karakterizon familjen Kokalari.

                                                                                                                           Stafi i EuroSpeak, maj 2019

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk