Galina Timchenko: simboli i një zëri të lirë në mërgim

Galina Timchenko: simboli i një zëri të lirë në mërgim


Galina Timchenko u lind më 8 maj të vitit 1962 në Moskë. Timchenko u diplomua në Institutin Mjekësor të Moskës, por duket që interesi i saj i vërtetë nuk ishte mjekësia por gazetaria. Nga viti 1997 deri në vitin 1999 punoi si redaktore në gazetën Kommersant. Në vitin 1999 ajo u transferua në portalin e sapo krijuar online në Rusi, Lenta.ru, dhe në vitin 2004, ajo mori postin e kryeredaktores në të njëjtin portal. Në vitin 2010, Universiteti i Harvardit zhvilloi një studim të blogosferës ruse dhe njohu Lenta.ru si portalin më të cituar në burimet e lajmeve të blogjeve në gjuhën ruse. Sipas firmës hulumtuese comScore, në kërkimin e kryer më prill 2013, Lenta.ru zuri vendin e 5-të në frekuentimin e faqeve europiane të lajmeve. Sipas Alexa.com në një studim të marsit 2014 ajo renditej e 16-ta për popullaritet në Rusi.

Më 12 mars të vitit 2014 pronari, Alexander Mamut, e pushoi nga puna Galina Timchenko, mes shumë punonjësve të tjerë të pushuar në të njëjtën kohë, dhe e zëvendësoi atë me Alexey Goreslavsky, i cili më parë kryesonte një faqe interneti pro-Kremlinit. Punonjësit e Lenta.ru lëshuan një deklaratë duke shprehur se qëllimi i pushimit në masë ishte që të vendosej një redaktor i ri, i kontrolluar nga Kremlini, dhe për ta kthyer portalin informativ në një mjet propagandistik. Pushimi i saj nga puna u pa nga vendet perëndimore europiane dhe opozita ruse si një shkelje e rëndë për median e lirë dhe të pavarur.

Sipas një interviste të Timchenko, BBC citon se ajo u shkarkua pasi autoriteti rregullator i medias ruse i lëshoi Lenta.ru-së një paralajmërim për botimin e materialeve sipas tyre të një "natyre ekstremiste" dhe “antikombëtare”. Gazeta the Independent shkruan se Timchenko besonte në presionin e ushtruar ndaj pronarit të Lenta.ru për artikullin e saj mbi revolucionin EuroMaidan në Ukrainë, pasi Kremlini nuk ishte i kënaqur me përmbajtjen.

Nga tetori i vitit 2014, Timchenko së bashku me 23 ish-punonjës të tjerë të Lenta.ru, filluan aktivitetin e tyre në një portal informativ të quajtur Meduza. Ky portal e ka qendrën në Riga të Letonisë. Arsyeja e vendosjes së qendrës së portalit në këtë shtet dhe zhvendosjes së Timchenko dhe kolegëve të saj ishte fakti se këtu ajo do të mund të ishte e pavarur, në ndryshim nga aktiviteti i tyre në Rusi. Në një interviste për Los Angeles Times, gazetarët që e ndoqën Timchenkon në Letoni shprehen se kanë mall për vendin dhe shtëpitë e familjet e tyre, por përsëri kushtet nuk janë shumë keq. “Kemi punë të gjithë në këtë vend, kështu nuk ndihemi si refugjatë. Gjysma e popullsisë flet rusisht dhe Moska është larg 1 orë e 20 minuta me avion. Pjesa më e madhe e jona shkon në shtëpi të paktën një herë në muaj.” Ata shprehen që deri tani nuk kanë pasur probleme për të udhëtuar drejt Rusisë.

Portali tërhoqi mbi 8 milion vizitorë gjatë verës 2017, dhe ka rreth 2.5 milion vizitorë unik çdo muaj. Rreth 70% e lexuesve të Meduzës janë Rusë dhe pjesa tjetër janë emigrantë rusë që jetojnë në Izrael, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nën maskën e syzeve dhe tipareve të buta, Timchenko, është një gazetare investigative e guximshme që lufton me gjarpërinjtë e Meduzës që synojnë ta ndalojnë, frymëzim ky dhe për emrin e platformës provokuese. Galina Timchenko ka treguar një vendosmëri të ashpër, duke luftuar kundër përpjekjeve për të gënjyer publikun rus.

Në profilin e saj në Politico, ajo rrëfen se heronjtë dhe motivuesit e saj janë Steve Jobs, për mendjen e tij të shkëlqyer dhe zemrën e guximshme, Angela Merkel për vetëkontrollin dhe Mikhail Baryshnikov, konsideruar si një nga balerinët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, për talentin, pasionin dhe suksesin e tij. Kur e pyesin nëse Meduza do të zhvendoset ndonjë ditë në Kremlin, Timchenko deklaron se: "Të qenurit në mërgim është pjesë e ADN-së sonë tashmë. Mund të kthehemi vetëm kur Rusia të jetë gati për një shtyp të lirë dhe të pavarur." Për të Kremlini sot është si një ujk, që qarkullon nën pemën me mediat e mbetura të lira që kërkojnë të mbahen fort, pasi rrezikojnë çdo ditë të shtypen e të ndalohen. Ajo shprehet se nëse Meduza do të ishte krijuar në Moskë, stafi i gazetarëve do të ishte nën kërcënimin e vazhdueshëm për të marrë një vizitë nga ‘burrat me maska’.

Sot, Meduza është një nga 10 faqet më të cituara në mediat ruse. Ndryshe nga faqet e tjera të lajmeve ruse që kanë frikë nga ndëshkimi për artikujt e mundshëm kundër Kremlinit, Meduza kritikon nga baza e saj në Riga, e lirë të ndjekë hetimet në tema si korrupsioni në rrethin e brendshëm të Presidentit rus Vladimir Putin apo manipulimet në zgjedhjet e SHBA-së. Faqja e internetit është një përmbledhje e raportimeve origjinale nga kolegët e saj që gjenden ende në Rusi dhe poston artikuj të mediave të tjera, vendase dhe të huaja. Faqja e internetit ka kryer një sërë artikuj mbi falsifikimin e statistikave të krimit të qeverisë ruse dhe efektin e mos-raportimit të dhunës dhe korrupsionit. Një retrospektivë mbi jetën e udhëheqësit të opozitës Boris Nemtsov, i vrarë pranë Kremlinit në shkurt 2015, jep detaje nga një raport që Nemtsov po përpilonte, mbi aktivitetin ushtarak rus në Ukrainë. Temat e trajtuara nga Meduza janë mjaft të gjera. Meduza gjithashtu publikon një version në gjuhën angleze, që e quan veten "Rusia e Vërtetë, Sot". Me lajmet e përpiluara nga burime të tjera, si dhe raportimet e veta, versioni anglez Meduza është një burim mjaft i rëndësishëm për lexuesit që nuk e njohin gjuhën ruse.

Meduza është sulmuar shpesh pasi nuk ka transparencë mbi financimin e saj. Timchenko thotë se ajo nuk i zbulon mbështetësit e saj financiarë për t'i mbrojtur ata nga "rreziqet politike dhe personale" të lidhura me projektin. Sipas saj ata janë figura private, disa nga Rusia dhe disa nga jashtë, pa lidhje me politikën. Të gjithë mendojnë se ajo po merr fonde nga Mikhail Khodorkovsky, një ish-miliarder dhe figura kryesore e opozitës, i cili u burgos për gati një dekadë. Timchenko është shprehur se ka diskutuar për të bashkëpunuar me të, por vendosi të mos e bënte këtë gjë dhe nuk i vjen mirë për publicitetin e atyre diskutimeve. Ajo thotë se është e frustruar nga pyetjet rreth financimit të saj, duke argumentuar se të ngresh një media në internet nuk është në të vërtetë shumë shtrenjtë, prandaj identiteti i mbështetësve të saj nuk duhet të ketë shumë rëndësi. Qëllimi është të ndërtojmë një audiencë mjaft të madhe që të arrijmë të vetëfinancohemi. "Media është një biznes me kosto të ulët - ne nuk bëjmë tregti armësh, nuk tregtojmë drogë apo naftë", thotë ajo në një intervistë për Reuters .

Kohët e fundit, platforma është bashkuar dhe me platformën amerikane popullore Buzzfeed, për të ndarë përmbajtjen dhe për të bashkuar burimet e tyre gazetareske. Siç e pranon dhe vetë stafi i Meduza, është e paqartë se deri në ç' masë rruga censuruese e Kremlinit është e gatshme dhe e aftë të shkojë, dhe nëse ata do të bëjnë përpjekje për të bllokuar aksesin e portalit brenda Rusisë. “Mediat Ruse kanë harruar plotësisht parimet e profesionit ... se një gazetar duhet të jetë i pakëndshëm për të gjithë", -u shpreh ajo për Reuters - "Autoritetet shtetërore gjithmonë do të përpiqen të zënë sa më shumë hapësirë që të jetë e mundur. Por, Mediat duhet të qëndrojnë në front duke thënë: ’Jo, ne po mbrojmë interesat e njerëzve dhe nuk do të lejojmë të shkoni më tej’.”

                                                                                                                          Stafi i EuroSpeak, prill 2018

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk