Shtator 2019: Ambasadorët e Javës Europiane të Sportit, jo thjesht sportistë, por shumë më tepër!

Shtator 2019: Ambasadorët e Javës Europiane të Sportit, jo thjesht sportistë, por shumë më tepër!

Me moton #BeActive  sfida për  javën e 5-të të sporteve ishte #5minChallenge – Sfidë për 5 minuta. Kjo pasi bazuar në studime: edhe kryerja e disa ushtrimeve për disa minuta, por të realizuara rregullisht ndikon në mirëqenien e njerëzve. Nëpërmjet kësaj sfide në të cilën mund të merrte pjesë çdokush Java Europiane e Sportit 2019 tregoi shembuj realë sesi në vetëm kaq pak kohë njerëzit kishin kontribuar në zhvillimin e një modeli jetese të shëndetshme. Prandaj në kuadër të saj, për profilin e muajit shtator po ju prezantojmë me disa nga pjesëmarrësit  e këtij edicioni, nga shtetet të ndryshëm të Europës me historitë e tyre frymëzuese të quajtur ambasadorë të vendeve të tyre në kuadër të aktiviteteve të zhvilluara në të gjithë Europën.

**********

Killian Byrne: “Më mirë vonë se kurrë!”

Ambasadori i Irlandës

Killian Byrne është  47 vjeç, babai i 2 fëmijëve, bashkëshort dhe pronar i një biznesi të vogël menaxhimi dhe arredimi eventesh. Historia e tij është një histori suksesi, dhe këtë mund ta themi me plot gojën! Sot ai është 47 vjeç dhe në formën e tij më të mirë, por para 8 vitesh jeta e tij ishte shumë ndryshe. Ai filloi të luante sportin rugby që në moshën 20 vjeçare dhe ndaloi të luante për fat të keq pas lëndimit të shpinës nga një aksident me makinë. Pasi kishte lënë pas çdo gjë që e lidhte me sportin ai vazhdoi jetën e tij familjare dhe private.                                              

Por, teksa koha kalonte ai vuri re që pesha e tij trupore shtohej vazhdimisht duke i krijuar edhe probleme shëndetësore. Ai mendonte se kurrë  nuk do ti rikthehej më sportit, derisa një ditë atij iu desh të udhëtonte me avion dhe vuri re që nuk mund të lidhte dot rripin e tij të sigurimit për shkak të peshës. Siç ai tregon për median “Indipendet.ie”, ishte pikërisht ky moment kur Killian vendosi të ndryshonte çdo gjë duke filluar ta shihte jetën ndryshe nga ç’ishte mësuar pas aksidentit.

Fill mbas asaj dite ai nisi të ecte për 5 minuta, më pas të vraponte për  15 minuta, e më pas 25 minuta, dhe vazhdoi kështu dita ditës, derisa ai arriti të vraponte 5 kilometra derisa filloi të ishte garues në maratona dhe konkurse vrapi të ndryshme derisa arriti këtu ku është tani: Ambasador i Irlandës në Javën Europiane të Sportit. “Jam shumë i lumtur që njerëzit më besuan të jem ambasador në Javën Europiane të Sportit. Ajo çfarë dua të bëj është të inkurajoj njerëzit të besojnë që ata mund t’ja dalin dhe se asgjë nuk është e pamundur” - u shpreh Killian për këtë eksperiencë në një intervistë.  Si një baba i devotshëm Killian vrapon bashkë me familjen e tij dhe ata  e kanë mbështetur në çdo event që ai ka marrë pjesë. Historia e tij tërhoqi shumë vëmendje dhe mediat europiane dhe vetë  faqja zyrtare e Komisionit Europian ka publikuar historinë e tij duke e promovuar atë si shembull për të gjithë ne. Një shembull për të na treguar  sesi ngjarjet që na ndodhin  dhe mënyra se si i shohim ato mund të ndryshojë rrjedhën e jetës dhe nuk është asnjëherë vonë për të vepruar dhe përmirësuar veten dhe jetën tonë!

 

Erberhard Gienger: Nga sportist në bërës të politikave për sportin

Ambasador i Gjermanisë  

Eberhard Gienger, lindur më 21 korrik 1951, është një politikan gjerman (CDU) dhe ish-gjimnast i Gjermanisë Perëndimore. Ai garoi në Lojërat Olimpike Verore 1972 dhe 1976, duke fituar medaljen e bronzit në këtë të fundit në moshën 25 vjeçare. Gjatë karrierës së tij në gjimnastikë nga 1971 deri në 1981, Gienger ka fituar 36 tituj kampionë gjermanë; një medalje ari dhe tre argjendi në kampionatet botërore; tre medalje të arta, dy argjendi dhe dy bronzi në kampionatet europiane, dhe një medalje olimpike bronzi. Gienger ishte një gjimnast i shquar në fushën e paraleleve. Duke fituar një sërë medaljesh në evente kombëtare dhe ndërkombëtare sportive, ai arriti të zgjidhej Sportisti gjerman i Vitit në 1974 dhe 1978. Dhe vetë ushtrimi gjimnastik i saltos në paralele është emëruar pas tij. Gienger ishte anëtar i Komitetit Olimpik Kombëtar gjerman nga 1986 deri në 2006, dhe që nga viti 2006 ka qenë Nënkryetari i Deutscher Olympischer Sportbund, organizata pasardhëse e Komitetit Olimpik Kombëtar gjerman. Pas një karriere shumë të shquar në gjimnastikë, Gienger hyri në politikë në 2001 dhe u bë anëtar i Unionit Kristian-Demokratik(CDU) duke promovuar politikat sportive, parë nga këndvështrimi i një profesionisti.

Falë nismave të tij, si pjesë e grupit parlamentar CDU/CSU, Bundestagu gjerman ka rritur fondet për sportet e nivelit të lartë me një shumë prej 39 milion € për vitin 2019, duke çuar në një total prej 235 milion €. Gienger është tashmë përfaqësues i partisë CDU për politikat në fushën e sporteve. Propozimet e tij për të financuar atletët nëpërmjet Fondacionit të Asistencës së Sportistëve Gjermanë, kanë bërë që politika tashmë t’i kushtojë rëndësinë që duhet kushteve të përgjithshme ku trajnohen dhe punojnë atletë dhe trajnerë të sporteve të niveleve të larta, duke mundësuar që këta të fundit të kenë gjithë mbështetjen e duhur për të konkurruar në rangjet më të larta sportive. Së fundmi, parlamenti gjerman është duke diskutuar në kërkesën e fundit të parlamentarit Gienger, në emër të CDU/CSU për zhvillimin e lojës Invictus, një sport dedikuar ushtarëve të gjymtuar. Eventi sportiv pritet të mbahet për herë të parë në Gjermani më 2022 dhe në vazhdim, si shprehje e solidaritetit dhe përkrahjes së kontributit që kanë dhënë ushtarët për vendin e tyre.   

 

Amal Amjahid: Kampionia e Jiu-Jitsu e përballur me shumë vështirësi

Ambasadore e Belgjikës

Amal Amjahid, lindi më 28 tetor 1995 në Bruksel. Ajo është me origjinë Marokene, dhe dallohej nga shoqëria e saj për ngjyrën e lëkurës dhe për përmasat fizike pasi ishte fëmija më i vogël në klasë. Këto tipare provokuan sjelljen e e bashkëmoshatarëve të saj ku sulmonin vazhdimisht vogëlushen Amjahid. Ishte pikërisht kjo sjellje e bashkëmoshatarëve të saj që e detyruan Amalin të provonte kurset e stërvitjes së karatesë në disiplinat xhudo dhe taekwondo dhe madje ajo provoi dhe boksin. Edhe pse i provoi këto disiplina ajo ende nuk po ndihej e sigurt në vetvete derisa ajo filloi të stërvitej në Jiu-Jitsu. Amal kuptoi që kjo ishte pikërisht çfarë kishte kërkuar  dhe filloi ta merrte shumë seriozisht stërvitjen e saj, madje duke u ndeshur dhe ne divizionin e djemve.

Trajneri i saj Khalid Houry duke parë potencialin e Amal e trajnoi atë gjatë gjithë karrierës së saj që nga rripi i bardhë e deri tek ai i zi. Amjahid mori pjesë në shumë trajnime stërvitore përreth globit (kryesisht në Kaliforni dhe São Paulo) ku i dha asaj mundësitë të përmirësonte teknikën e saj të luftimit. Ndërsa ngjiti shkallët e Jiu-Jutsu dhe duke qenë pjesë e federatës braziliane “Sport Accord" arriti të njihej me Komitetin Olimpik. Kjo i siguroi asaj të merrte “statusin e atletit” që i dha asaj mundësinë të sponsorizohej në vendin e saj të lindjes për ndjekjen tashmë të këtij  sporti.

Ajo u konsiderua si një nga rripat më të ashpër kaf në divizionin e femrave në 2018 dhe Amal Amjahid ishte favoritja kryesore për të pushtuar Kampionatin Botëror IBJJF. Fatkeqësisht për shkak të çështjeve të paparashikuara të vizave, instruktorit iu ndalua të hynte në Shtetet e Bashkuara  për të marrë pjesë në këtë kampionat. Amad nuk pranoi të udhëtonte pa instruktorin e saj, dhe shpresat për të fituar rripin kaf në Titullin Botëror të 2018 u ndërprenë aty. Guximi dhe aftësia teknike e Amjahidit nga ana tjetër bëri të mundur që në qershor 2018 të fitonte rripin e zi në moshën 23 vjeçare.

Amal edhe pse ka ndjekur karrierën e saj sportive njëkohësisht ka ndjekur dhe studimet e larta. Ajo gjatë gjithë jetës së saj ka fituar 7 medalje ari në  sportin e Jiu-Jitsu dhe ajo gjithashtu kontribuon tek organizata “Together” e cila ndihmon migrantët dhe tek “ADEPS For Life” i  cili është një projekt për të ndihmuar fëmijët e varfër. Tashmë ajo gjithashtu po kalon të gjithë eksperiencën e saj tek “Cens Academy” ku së bashku me prindërit e saj në Molenbeek po ndihmojnë të rinjtë që kanë pasion dhe talent në Jiu-Jitsu duke i stërvitur. Ata gjithashtu ofrojnë kurse në psikometri, gjimnastikë dhe gjithashtu në futboll për personat që janë në karrige me rrota. Ajo gjithashtu e shikon të luajturit në mënyrë të ndershme si shumë të rëndësishme dhe është ambasadore e “Play4play” një organizatë e cila  promovon diversitetin në të gjitha llojet e sporteve. Ajo është Ambasadore e Belgjikës në Javën Europiane të Sportit për vitin 2019 duke u bërë frymëzim për të gjithë ata persona që pavarësisht vështirësive punojnë fort pqë realizimin e synimeve të tyre.

E veçanta e historisë së saj qëndron në faktin sesi ajo pavarësisht vështirësive arriti të bënte gjëra kaq të mëdha në moshë mjaft të re. Historia e saj u promovua në media të ndryshme europiane dh tashmë mund të themi me siguri se shoqëria e vjetër e saj nuk do të dëshironin ta sulmonin më Amal.

Stafi i EuroSpeak, shtator 2019

371Ndjekës
5616Ndjekës
1944Ndjekës
22Abonues
Ambassade_Niva2_Engelsk
PA_logo