Vota e emigrantëve shqiptarë

Vota e emigrantëve shqiptarë

Kriza e madhe politike e krijuar në Shqipëri pas largimit nga Kuvendi të të gjithë përfaqësuesve opozitarë në shkurt të 2019 detyroi të gjithë spektrin politik të vendit të bashkëpunonte për të arritur një marrëveshje për një reformim të thellë të sistemit zgjedhor. Si përfaqësuesit në Kuvend, si ata jashtë tij, u shprehën njëzëri se reforma e re që do dilte nga ky kalvar diskutimesh do të sillte edhe të drejtën e mbi 1.6 milionë emigrantëve, ose rreth 36% e totalit të popullsisë, për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021 (INSTAT, 2020). Megjithë këto premtime, vota e emigrantëve nuk u arrit të jetësohej as në këtë proces zgjedhor. Kjo jo vetëm për mungesë të vullnetit politik, por edhe për shkak të kohës së shkurtër që institucionet shtetërore kishin në dispozicion për të formalizuar këtë politikë komplekse.  Pyetja që lind natyrisht është, sa i mundur është jetësimi i këtij hapi kaq të madh sistemor dhe a kanë të drejtën këta individë të zgjedhin se kush do e drejtojë vendin nga i cili vijnë por në të cilin nuk janë më rezidentë? Ky dualitet i madh bëhet akoma edhe më kompleks kur vendoset në një sistem thellësisht vulnerabel siç është ai shqiptar, i cili vuan nga probleme ontologjike si shit-blerja e votës, kriminalizimi i procesit, politizimi i administratës publike, despotizmi, korrupsioni galopant etj. Në këto kushte, kur vendi ndodhet në një sistem kaq të dobët politik, vota e emigrantëve, nga një përpjekje për rritjen dhe konsolidimin e demokracisë mund të përkthehet në një thellim të krizës sistemore.

 

Nëse marrim në analizë shëndetin e sistemit politik shqiptar, ai sot është dukshëm shumë i pafuqishëm për të siguruar votimin e qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashte vendit. Konturet ligjore parashikuar në kodin e ri zgjedhor nuk përbëjnë pengesë, madje ato janë ndërtuar në një format shumë të favorshëm për të jetësuar votimin e emigrantëve. Problematika në këtë proces qendron kryesisht te besueshmëria që qytetarët kanë për zgjedhjet dhe për peshën e vërtetë të votës së tyre për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre politik. Tendenca e vazhdueshme për të tjetërsuar rezultatet zgjedhore përmes blerjes së votës, presioni insitucional ndaj nënpunësve shtetërorë, shtypja e lëvizjeve të reja politike përmes kontrollit të mjeteve financiare dhe politike, përfshirja e subjekteve kriminale në listat e kandidatëve për përfaqësues, mungesa e efektivitetit në realizimin e një procesi të rregullt zgjedhor dhe shumë problematika të tjera, zbeh çdo përpjekje për ta transformuar këtë sistem. Do përbënte një veprim jologjik përpjekja për t’u dhënë të drejtën e votës emigrantëve pa siguruar kushtet më bazike në një proces zgjedhor siç është transparenca, depolitizimi i administratës, implementimi i mjeteve teknologjike dhe dekriminalizimi i aktorëve pjesmarrës, si për kandidatët ashtu edhe për financuesit e fushatës së tyre.

Tjetër çështje që duhet medoemos të ezaurohet në këtë drejtim është diskutimi mbi legjitimitetin e votës së emigrantëve. Sa i drejtë në aspektin demokratik është barazimi i votës së një qytetari që jeton fizikisht brenda një eniteti politik të caktuar, me një tjetër i cili mund të mbajë shtetësinë formale por jeton jashtë kufijve fizik të shtetit në fjalë? Nëse diskutimi shtrihet në kuadrin normativ, atëherë ndarja bëhet shumë e vështirë. Këta emigrantë mund të jetojnë faktikisht jashtë kufijve fizik, por ata në të njëtën kohë janë një ndër motorët kryesorë të ekonomisë vendase, sidomos në rastin e Shqipërisë. Të dhënat tregojnë së gjatë përiudhës 2008-2020 remitancat në vend zënë rreth 9.2% të PBB (BSH, 2020, p. 16). Përpos peshës ekonomike, komunitetet shqiptare në shumë vende të botës kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm jo vetëm në promovimin e kulturës shqiptarë në mbarë botën, por edhe në ndikimin e tyre në zhvillimet e brendshme politike dhe shoqërore të ndodhura në Shqipëri, kryesisht pas rënies së regjimit enverist. Edhe nëse diskutimin e shtrojmë në rrafshin organizativ, një qytetar i cili jeton jashtë vendit sot, në kulmin e zhvillimeve tekonologjike të komunikimit, mund të jetë njësoj prezent në zhvillimet politike të vendit sa mund të jetë edhe një individ që jeton në vend. Thënë me fjalë më të thjeshta, ekziston shumë pak ndasi mes peshës sistemore që ka një shtetas banor i përhershëm në vend me subjektet e tjera me statusin e emigrantit.

 

Referuar edhe problematikave të shfaqura dekadën e fundit, periudhë në të cilën vota e emigrantëve është bërë çeshtje politike, ky proces ka dështuar vazhdimisht pasi qasja e ndjekur nga përfaqësuesit politik ka qenë në mos dashakeqe, e pa planifikuar në formën e duhur. Pra çështja është propaganduar dhe premtuar nga partitë politike për kapital politik, por puna reale në krijimin e kushteve të nevojshme për ta realizuar ka shkuar në përpjesim të zhdrejtë me premtimet e tyre. Është synuar të realizohet kjo politikë pa patur asnjë strategji afatgjatë në të cilën të realizohej një studim i detajuar lidhur me numrin e qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë, kostos financiare që shteti duhet t’i përgjigjet dhe afateve kohore në të cilat duhet të kalojë ky proces nga planifikimi e deri te finalizimi i tij. Këto mangësi reflektohen edhe te reforma e re zgjedhore. Synohej të sigurohej e drejta e votës për emigrantët, por nuk dihej se sa është numri i tanishëm i tyre, pasi në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve figurojnë të regjistruar vetëm 884 individë që banojnë jashtë territorit të vendit dhe duan të ushtrojnë të drejtën e votës në Republikën e Shqipërisë, kjo referuar një deklarate të lëshuar për mediat nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Z.Ilirjan Celibashi, dy muaj para mbajtjes së zgjedhjeve. Në këto kushte, rezultati maksimal që mund të arrihej në zgjedhjet parlamentare të 2021 ishte mundësimi i votimit vetëm për më pak se 1 mijë individë nga më shumë se 1.6 milionë të tillë që de facto jetojnë jashtë territorit të Republikës. Në këtë mënyrë, edhe sikur partitë politike të arrinin marrëveshje mes tyre për mënyrën se si do implementohej kjo politikë në parim, jetësimi i saj nuk do ishte gjithëpërfshirës pasi ligji e kufizon të drejtën e votës nga jashtë territorit vetëm për ata qytetarë të regjistruar formalisht në regjistrin kombëtar të gjëndjes civile me banim të përhershëm jashtë vendit. Kjo mungesë rakordimi mes kuadrit ligjor dhe programeve politike jo vetëm e pamundësoi të drejtën e votës së diasporës në zgjedhjet e 25 prillit por rrezikon ta shtyjë atë për një periudhë të largët, me shumë mundësi disa vjeçare, nëse kemi parasysh këtu mungesën e skajshme të bashkëpunimit politik dhe klimës mosbesuese mes palëve legjislative. Përpos këtyre, edhe ndryshimet e shpeshta strukturore dhe punësimi militantesk në administratën publike kanë ndikuar negativisht drejtpërdrejtë në efektivitetin dhe eficiencën e tyre, çka e vështirëson akoma më tej realizimin e këtij procesi kaq jetik për demokracinë shqiptare.

 

Çështja që shtrohet është a mundet që vota e emigrantëve të sjellë dobi për demokracinë në vend dhe nëse po, në çfarë niveli mund të arrijë kjo dobi? Kjo është një temë shumë e gjatë diskutimi për shkak të amorfizimit të madh qe ekziston brenda komunitetit të diasporës. Sidoqoftë, nëse e marrim këtë komunitet në shqyrtim në parim kemi disa tipare që mund ti vishen këtij grupi si një i tërë. Fillimisht, pjesa më e madhe e tyre janë larguar nga Shqipëria për shkak se janë ndodhur, ose kanë gjykuar se ndodhen, në kushte të pafavorshme për të jetuar me dinjitet. Pra, ekziston një pakënaqësi shumë e gjerë, përjashto raste të izoluara, ndaj elitës politike që drejton vendin që nga rënia e regjimit enverist, çka përkthehet në një votë potenciale kundër establishmentit ekzistues. Në anën tjetër diaspora duke qenë shumë amorfe, është shumë e vështirë për t’u penetruar nga propaganda e partive politike, shto këtu edhe faktin se ata nuk presionohen dot me praktika ndëshkimi siç rëndom ndodh për shtresat vulnerabël të qytetarëve rezidentë me të drejtë vote, të cilët presionohen në forma të ndryshme për ta tjetërsuar votën e tyre, kjo bazuar në raportet e fundit të OSBE-së mbi proceset zgjedhore në vend. Me rëndësi këtu është edhe fakti se pjesa më e madhe e diasporës shqiptare jeton kryesisht në vendet perëndimore ku shteti i së drejtës, demokracia, ekonomia dhe mirëqenia shoqërore janë në nivele shumë më të konsoliduara në raport me Shqipërinë. Në të tilla kushte, këta votues qartazi do kenë prirje opozitare ndaj sistemit dhe kjo e përkthyer në vote, është një votë kundër ndaj tyre. Më fjalë më të thjeshta, mënyra se si është farkëtuar kjo diasporë, madhësia e saj dhe përbërja cilësore e saj shoqëruar me gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet vendi (migrimi masiv, korrupsioni, varfëria, destabiliteti politik etj.) do e vendoste sistemin politik ekzistues të konsoliduar në një gjendje shumë të pasigurtë. Është pikërisht kjo arsyeja se përse të tri partitë kryesore përbërëse të Kuvendit nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë pët ta jetësuar votën e emigrantëve, kjo pasi një veprim i tillë i përkthyer në kapital politik do ishte në mos shpërbërës i establishmentit të tyre, një destablizues i madh i tij.

 

Një tjetër problematikë e madhe në jetësimin e të drejtës së votës për emigrantët shqiptarë është fakti se përkundrejt neglizhencës dhe zvarritjes së elitës politike në vend, edhe organizimi i vetë diasporës si subjekt qendror në këtë proces ka qenë shumë i dobët. Edhe pse një grupim me peshë të madhe në zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe politik të vendit, diaspora shqiptare si një entitet me një emërues të përbashkët shumë domethënës është shoqëruar nga një fragmentarizim i madh, mungesa e formalizimit të kërkesave të tyre ndaj shtetit amë dhe mungesa e koherencës politike. Nëse i referohemi zhvillimeve të viteve të fundit, i vetmi projekt ambicioz lidhur me formalizimin e këtij komuniteti ishte Samiti i Diasporës i mbajtur dy herë përgjatë viteve 2016-2019 dhe i ndërprerë në vitin 2020 për shkak të pandemisë. Edhe ky hap në dukje i madh për konsolidimin e Diasporës si një entitet politik, u zbeh shumë nga politizimi i tij nga partitë politike vendase dhe nga fakti se në fund, ai nuk prodhoi një materializim të qartë të synimeve politike të diasporës dhe strategjive (afatshkurtra dhe afatgjata) për realizimin praktik të tyre. Sidoqoftë, në vitet e fundit është vënë re përherë e më shumë një organizim i emigrantëve jashtë vendit bazuar në interesat e partive politike në Shqipëri duke nxitur të gjithë komunitetin shqiptar që banon jashtë vendit të marrë pjesë në proceset zgjedhore, madje në disa parti një pjesë e mirë e elitës drejtuese të saj, janë individë të cilët nuk jetojnë në Republikën e Shqipërisë, duke e rritur influencën politike të Diasporës në zhvillimet politike në vend (Diasporës, 2021).

 

Përllogaritjet lidhur me mundësinë e sigurimit të së drejtës së votës për emigrantët shqiptarë tregojnë se përpos deklaratave poltike të bëra nga politikbërësit në Shqipëri, shumë pak është bërë praktikisht në këtë drejtim. Edhe pse një mbështetës i madh për ekonominë vendase, si në investime direkte ashtu edhe në ato të tërthorta, diaspora shqiptare luan një peshë shumë të papërfillshme në zhvillimet politike në vend. Neglizhimi i vazhdueshëm i elitës poltike në Shqipëri kundrejt kësaj çështjeje bën që barra për formalizimin dhe strukturimin e votës së emigrantëve nëpërmjet një strategjie afatgjatë të mirëstrukturuar t’i kalojë vetë komunitetit të diasporës. Shtyrja e kësaj politike në kohë do prodhojë humbje kapitale për vetë këta emigrantë, kjo pasi pjesa më e madhe e tyre kanë familjarë, prona dhe interesa të tjera të shumëllojshme të lidhura drejtpërdrejtë me konturet politike, ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri. Në të njëjtën kohë humbje pëson edhe vetë shoqëria shqiptare jo-migratore, pasi mundësia e tyre për të luajtur rolin e tyre presionues ndaj ligjvënësve në një mjedis përherë e më armiqësor bëhët më i vështirë pa mbështetjen e votës së emigrantëve. Në këto kushte, klima politike pas-zgjedhore dhe bashkëpunimi midis subjekteve të dala nga këto zgjedhje do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në finalizimin ose dështimin e kësaj politike kaq thelbësore për demokracinë shqiptare.



Albert Pepaj, maj 2021

*Albert Pepaj ka përfunduar studimet bachelor në Shkenca Politike pranë Universitetit të Tiranës. Aktualisht është në ndjekje të studimeve master në Qeverisje dhe Politika Publike. Përgjatë studimeve ka qenë pjesë e shumë projekteve dhe programeve që lidhen me politikëbërjen. Alberti po ashtu është duke zhvilluar një program praktike pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mundësuar nga National Democratic Institute.

 

 

Referenca

BSH, B. e. (2020). Remitancat dhe Pandemia.

Diasporës, M. e. (2021). Strategjia Kombëtare për Diasporën 2021-2025. 22.

INSTAT. (2020). Raporti demografik.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 



371Ndjekës
5616Ndjekës
1935Ndjekës
21Abonues
Ambassade_Niva2_Engelsk
PA_logo