Unë, Ballkani dhe Europa*

Unë, Ballkani dhe Europa*

Në fakt nuk më kërkoi askush të shkruaja, as më tha të flisja mirë, as ti bija kokës. Unë po e shkruaj një herë, pastaj a e publikojnë është punë për ta. Unë nuk kam ndërmend me i heqë presjen, maksimumi me shtu ndonjë ‘’ë’’ a ‘’ç’’. Si për forcë zakoni me ndjekë çdo ndodhi, me fol me njerëz, dhe me mendu çfarë do bëja unë më mirë, mora vesh çfarë ndodhi këtë javë të kobshme.

Dita e Europës me 9 Maj, është kryeqendra e Javëve të Europës çdo vit, e sivjet lajtmotivi qëndronte mbi diversitetin, gjithëpërfshirjen e të drejtat e njeriut. Në këtë mes sipërmarrja, të gjeturit risinë në mullarin më të vjetër, e ti fusësh pak ose shumë dixhitalizim është kryefjala.

Në mes të mesit është të gjesh një mënyrë se si ta bësh këtë të prekshme e të vlefshme për të gjithë, gjyshër, fëmijë, etni, besime, pëlqime, vendndodhje dhe gjithçka ndërmjet e përtej.

Pa dashur ti bëj lajka e lëvdata Europës si e tërë, e veçanërisht përfaqësisë në Tiranë, jam bindur që 11 milion e 750 mijë Euro të financuara për EU4Innovation, apo 526 mijë euro kontribut  ndaj sipërmarrjes sociale janë para të investuara dhe jo të shpenzuara. Mendoja më parë, se më mbarë e efektive do ishte t’ ia jepnin në dorë dhe do të ndriste puna. Por në fakt, një investim në kokë është me jetëgjatë se ai në qira për dyqan, blerje makinerish, apo paga për njerëz. Të cilat edhe ato janë bërë ndër të tjera.

Ky patjetër është një opinion personal, si besimtar i devotshëm i vlerave europiane. Nuk dua të gënjej të them që nuk kam dëgjuar për tymnajën me abuzimet e fondeve të BE, apo dritëshkurtësinë e këtyre parave. Ama në 9 ditë me aktivitete të Javës së Europës kam biseduar me njerëz që përtej rrogës që marrin, duan vërtet të ndryshojnë perceptimet për barazinë gjinore, mënyrën se si konsumojmë dhe të sjellin një fllad të ri për kombin inovator në zemër të Ballkanit.

Nga Shiroka në liqen, në Gjirokastrën majë guri, gjer në Tiranën urbane, s’ di të ketë pasur ndonjëherë një javë kaq të majme.

Është hapur thirrja e dytë për financime e Challenge Fund, e cila herën e fundit çoi peshë zemrat e 20 sipërmarrësve. Supershkollat e RYCO-s do shtohen me ca të tjera. Romët e Gjirokastrës kanë një treg të pashoq për të tregtuar nga ato kanistrat me kashtë e punë të tjera dore. Dhe mora vesh që deri në qershor ka një thirrje të hapur për ato që duan të jenë pionerë të paketimeve të ripërdorshme.

Denada Shpuza në Shkodër ka pjekur kushtet që viktimat e dhunës të kenë një mundësi pune, i gjithë GIZ-i që po edukon qytetarët e po shkruan kapitullin e ri të ekonomisë, Albanian Skills lidh ura me Europën për edukimin profesional e bindjen për të qëndruar në Shqipëri. Ndërkaq, balta në Farkë po bëhet tamam më e ëmbël se mjalta nga ato poça e poçarë që po rijetësojnë artizanatin e të parëve.

Përpos limontisë që vjen nga gjithë këto, mua në fakt më trishton që ne nuk dimë ti vjelim tamam, se e kemi marrë për të mirëqenë që kjo tokë është e begatë e mendjet tona janë pjellore. Kemi harruar që e kemi vetë në dorë me gjëra të vogla, e herë-herë të mëdha. Për shembull me votu, mos me korruptu (ASKËND, ASESI), me konkurru dhe me qenë kryeneçë të meritokracisë. Kemi harru që jemi të gjithë bashkë në vijë të parë për të qenë i 28-ti shtet në BE.

Pastaj gjellës i duhet ndenjur mbi kokë, mos ti lëmë të bëjnë gabime, ti rrimë me zile në dorë dhe e-mailin hapur për ti thënë që unë nuk jam dakord, qyteti, fshati, lagjja ime nuk po begenisen, na duhet edhe ky neni tjetër.

Prandaj akordet nga nota bëhen, se po qe për të ndenjur vetëm, nota këngë nuk bëhet kurrë.

Kur e mendon, çfarë ka Kroacia më shumë se ne?

 

Jursi Temali, maj 2024

 

Titulli i marrë nga poezia e Skënder Temalit – Unë, Ballkani dhe Europa

**Jursi Temali është punonjës rinor, aktivist dhe koordinator i nismave që përfaqësojnë respektin për të drejtat e njeriut dhe nismat e udhëhequra nga të rinjtë. Ai ka studiuar Komunikim dhe Marrëdhënie Publike ndërsa vullnetarisht angazhohet në nisma të ndryshme mes Tiranës dhe Shkodrës. Ai është pjesë e Ambasadorëve Rinorë Europianë dhe e vlerëson këtë nismë si një mundësi për zhvillim strategjik dhe rrjetëzim për më shumë fuqizim dhe bashkëpunim. 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk