Shqipëria ndodhet në një moment kyç të transformimit të saj dixhital, ku inteligjenca artificiale po kalon gradualisht nga një koncept teknologjik në një instrument konkret të administrimit publik. Ky zhvillim lidhet drejtpërdrejt me procesin e integrimit në Bashkimin Europian, ku dixhitalizimi, inovacioni dhe përafrimi rregullator janë bërë pjesë qendrore e reformave shtetërore. Për vendet kandidate, adoptimi i teknologjive të reja nuk matet vetëm me shpejtësinë e përdorimit të tyre, por me aftësinë për t’i vendosur ato brenda një kuadri ligjor që garanton transparencë, përgjegjësi dhe mbrojtje të të drejtave themelore.
Në dy dekadat e fundit, Shqipëria ka investuar në mënyrë të vazhdueshme në transformimin dixhital të administratës publike, duke arritur një nivel të konsiderueshëm të ofrimit të shërbimeve online. Platforma kombëtare e-Albania është shndërruar në portën kryesore të komunikimit mes qytetarëve dhe shtetit, ndërsa shumë procese burokratike janë automatizuar ose thjeshtuar. Megjithatë, ky progres teknologjik nuk është shoqëruar gjithmonë me politika të plota për përfshirjen sociale, sigurinë dixhitale dhe aksesin e barabartë për të gjithë qytetarët.
Sipas një analize mbi rrugën e Shqipërisë drejt përafrimit me kuadrin europian për inteligjencën artificiale, zhvillimi praktik i teknologjisë ka ecur më shpejt se ndërtimi i mekanizmave rregullatorë që duhet ta udhëheqin atë. Kjo ka krijuar një hendek të dukshëm mes përdorimit të AI në administratë dhe gatishmërisë institucionale për ta kontrolluar, audituar dhe orientuar atë sipas standardeve europiane (SCiDEV, 2026). Në nivel europian, kjo qasje është formalizuar përmes Aktit të Inteligjencës Artificiale të Bashkimit europian (EU AI Act), miratuar në vitin 2024. Ky është kuadri i parë gjithëpërfshirës rregullator për inteligjencën artificiale në botë dhe vendos një sistem të bazuar në risk, duke klasifikuar sistemet AI nga ato me rrezik të papranueshëm deri tek ato me risk minimal. Për sistemet me risk të lartë parashikohen detyrime të forta për transparencën, cilësinë e të dhënave, mbikëqyrjen njerëzore dhe sigurinë teknike (Regulation (EU) 2024/1689). Ky model nuk synon vetëm kontrollin e teknologjisë, por ndërtimin e një “AI të besueshme”, ku inovacioni ecën paralelisht me mbrojtjen e lirive themelore dhe me llogaridhënien publike. Për Shqipërinë, si vend kandidat, ky standard përbën më shumë sesa një referencë ligjore: ai është një udhërrëfyes për mënyrën se si duhet të ndërtohet qeverisja e teknologjisë në vitet e ardhshme.
Në këtë kontekst, Shqipëria ka nisur të integrojë inteligjencën artificiale në disa fusha të administratës publike. Një nga rastet më të diskutuara është asistenti virtual “Diella”, i prezantuar si pjesë e platformës e-Albania për të lehtësuar komunikimin me qytetarët përmes ndërfaqeve të automatizuara dhe komandave zanore. Projekti u paraqit si simbol i modernizimit të shtetit dhe përdorimit të teknologjive të avancuara në shërbimet publike.
Megjithatë, rasti i “Diellës” u shoqërua me debate të forta brenda dhe jashtë vendit. Siç vë në dukje një analizë e Citizens.al, pas jehonës mediatike mbetën shumë paqartësi mbi funksionin real të sistemit, kompetencat konkrete, mënyrën e funksionimit dhe bazën ligjore të përdorimit të inteligjencës artificiale në një rol kaq simbolik shtetëror (Citizens, 2026). Kritikat nuk u fokusuan tek teknologjia në vetvete, por tek mënyra se si ajo u komunikua dhe tek mungesa e informacionit publik mbi kapacitetet reale të saj.
Ekspertë të cituar në debat e konsideruan këtë zhvillim më shumë si një operacion komunikimi politik sesa reformë substanciale. Sipas tyre, përdorimi i një avatari dixhital mund të krijojë perceptimin e inovacionit, por nuk zëvendëson nevojën për institucione të forta, procedura transparente dhe përgjegjësi njerëzore në vendimmarrje. Në këtë kuptim, teknologjia mund të shërbejë si mjet mbështetës, por jo si garanci automatike kundër abuzimeve.
Rasti ngre pyetje më të gjera për vendet aspirante për integrim europian: a mjafton prezantimi i zgjidhjeve teknologjike për të dëshmuar progres reformues? Përvoja e Bashkimit Europian sugjeron të kundërtën. Përafrimi me standardet europiane kërkon jo vetëm investim në teknologji, por kuadër rregullator të qartë, mbrojtje të të dhënave personale, auditim të algoritmeve, transparencë institucionale dhe mekanizma ankimi për qytetarët. Pa këto elemente, ekziston rreziku që inteligjenca artificiale të përdoret më shumë si simbol modernizimi sesa si instrument real reformues.
Përtej rasteve simbolike, AI po hyn edhe në fusha të tjera të administratës shqiptare. Teknologjitë e automatizuara po përdoren në procese përkthimi dhe përafrimi legjislativ me acquis communautaire, në analizën e mospërputhjeve normative, si dhe në sistemet fiskale për identifikimin e transaksioneve të dyshimta dhe menaxhimin e riskut. Këto janë fusha ku inteligjenca artificiale mund të sjellë rritje efikasiteti dhe ulje kostosh administrative. Megjithatë, këto zhvillime mbeten të fragmentuara dhe të shpërndara në sektorë të ndryshëm, pa një arkitekturë të unifikuar kombëtare për qeverisjen e AI. Strategjitë sektoriale në punësim, arsim, shëndetësi dhe inovacion e përmendin inteligjencën artificiale si prioritet, por pa krijuar një autoritet koordinues ose një sistem horizontal mbikëqyrjeje për përdorimin e saj në të gjithë administratën publike. Në të njëjtën kohë, Shqipëria ende nuk ka një ligj të dedikuar për inteligjencën artificiale. Kuadri aktual mbështetet në akte horizontale që lidhen me mbrojtjen e të dhënave, sigurinë kibernetike, prokurimet publike dhe shërbimet elektronike. Kjo e bën të vështirë adresimin sistematik të çështjeve kyçe si transparenca algoritmike, përgjegjësia institucionale, diskriminimi i mundshëm automatik dhe vlerësimi i riskut.
Deepfake dhe dizinformimi një tjetër sfidë për Shqipërinë
Një dimension gjithnjë e më i dukshëm i sfidës që sjell inteligjenca artificiale në Shqipëri lidhet me përhapjen e përmbajtjeve të manipuluara vizualisht dhe me rritjen e rrezikut të dezinformimit. Ndërsa teknologjitë gjenerative bëhen më të aksesueshme dhe më të lira për t’u përdorur, prodhimi i imazheve dhe videove që imitojnë realitetin po bëhet gjithnjë e më i lehtë. Kjo krijon vështirësi reale për publikun në dallimin mes informacionit autentik dhe materialeve të fabrikuara, veçanërisht në mjedise mediatike ku verifikimi i fakteve mbetet i kufizuar. Në këtë kontekst, Shqipëria nuk përbën përjashtim nga tendencat globale, por një terren veçanërisht të ndjeshëm për shkak të nivelit të kufizuar të edukimit mediatik dhe dixhital të publikut, si dhe mungesës së mekanizmave të konsoliduar të verifikimit të informacionit në kohë reale. Për një pjesë të madhe të publikut, veçanërisht përdoruesit që nuk kanë njohuri të thelluara mbi funksionimin e inteligjencës artificiale, përmbajtje të tilla shpesh perceptohen si të vërteta, duke krijuar një efekt të drejtpërdrejtë në perceptimin publik dhe në formësimin e opinionit shoqëror.
Ky fenomen prek në mënyrë të veçantë edhe gazetarinë, e cila ndodhet përballë një presioni të dyfishtë: nga njëra anë rritja e volumit të informacionit të gjeneruar automatikisht, dhe nga ana tjetër nevoja për verifikim më të shpejtë dhe më të saktë të burimeve. Në një mjedis ku përmbajtja mund të prodhohet dhe shpërndahet në mënyrë automatike, roli i medias si ndërmjetës i së vërtetës bëhet më kompleks dhe më i ekspozuar ndaj rrezikut të manipulimit.
Në Shqipëri, platforma e verifikimit të fakteve Faktoje ka dokumentuar një sërë rastesh ku imazhe të krijuara me inteligjencë artificiale janë shpërndarë si reale në rrjetet sociale. Mes tyre përfshihen fotografi të fabrikuara që paraqesin presidentin rus Vladimir Putin duke u arrestuar, kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu me pranga, si edhe materiale të rreme që përfshijnë Papa Françeskun në situata që nuk kanë ndodhur. Këto raste tregojnë se figurat publike mbeten objektiva të shpeshtë të manipulimit dixhital, pasi përmbajtje të tilla kanë potencial të lartë viraliteti dhe ndikimi emocional. (Faktoje 2023)
Fenomeni nuk kufizohet vetëm te personazhet ndërkombëtare. Faktoje ka verifikuar edhe raste me referenca shqiptare, si video të gjeneruara me AI që paraqesin bustin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut në mënyrë të animuar. (Faktoje 2023) Edhe kur paraqiten si satirë ose argëtim, materiale të tilla dëshmojnë se kufiri mes humorit, manipulimit dhe dezinformimit po bëhet gjithnjë e më i paqartë, sidomos kur përmbajtja shpërndahet pa kontekstin e duhur.
Një tjetër prirje shqetësuese është përdorimi i inteligjencës artificiale për të mbështetur teori konspirative. Sipas rasteve të analizuara nga Faktoje, imazhe të gjeneruara me AI janë përdorur si “prova” të rreme për narrativa të vjetra dezinformuese, si pretendimi se ulja në Hënë ishte e falsifikuar. Kjo tregon se AI nuk krijon domosdoshmërisht forma krejt të reja manipulimi, por forcon dhe modernizon mekanizma ekzistues të propagandës dhe mashtrimit publik. UNESCO ka theksuar se zhvillimi i inteligjencës artificiale gjenerative po krijon një krizë të re të besimit në informacion, ku kufiri mes reales dhe artificiales po zbehet ndjeshëm dhe ku audiencat janë gjithnjë e më të ekspozuara ndaj përmbajtjeve të manipuluara pa qenë të vetëdijshme për natyrën e tyre. (UNESCO, AI and Disinformation). Në rastin e Shqipërisë, ky problem merr një dimension edhe më të gjerë për shkak të mungesës së një politike të unifikuar kombëtare për edukimin mediatik dhe inteligjencën dixhitale. Aktualisht, ndërhyrjet në këtë fushë janë të shpërndara në iniciativa të ndryshme institucionale dhe projekte të kufizuara edukative, pa një strategji të centralizuar që të synojë rritjen sistematike të aftësive të qytetarëve për të identifikuar përmbajtje të manipuluar apo të gjeneruar nga inteligjenca artificiale.
Një aspekt veçanërisht kritik lidhet me ekspozimin e fëmijëve dhe të rinjve ndaj këtyre teknologjive. Në mungesë të filtrave efektivë dhe edukimit të strukturuar dixhital, grupmoshat më të reja janë ndër më të rrezikuarat nga përmbajtjet e manipuluara, si për shkak të konsumit të lartë të mediave sociale, ashtu edhe për shkak të mungesës së aftësive kritike për të analizuar burimet e informacionit. Kjo krijon një sfidë afatgjatë për sistemin arsimor dhe politikat publike, të cilat duhet të adresojnë jo vetëm aksesin në teknologji, por edhe mënyrën se si ajo kuptohet dhe përdoret.
Në këtë kuptim, mungesa e një kuadri të qartë rregullator për inteligjencën artificiale në Shqipëri nuk lidhet vetëm me aspektet teknike të qeverisjes së sistemeve algoritmike, por edhe me mungesën e mekanizmave të mbrojtjes së publikut nga efektet anësore të këtyre teknologjive në hapësirën informuese. Ndërsa Bashkimi Europian përmes Aktit të Inteligjencës Artificiale ka vendosur standarde të qarta për transparencën, etikën dhe vlerësimin e rrezikut të sistemeve AI, në nivel kombëtar këto parime ende nuk janë të konsoliduara në një politikë të vetme koherente. Në këtë mënyrë, inteligjenca artificiale në Shqipëri shfaqet jo vetëm si një instrument i modernizimit shtetëror, por edhe si një faktor i ri rreziku për ekosistemin informativ dhe për qëndrueshmërinë e debatit publik demokratik. Sfida kryesore nuk qëndron më vetëm në adoptimin e teknologjisë, por në aftësinë e institucioneve dhe shoqërisë për të ndërtuar reziliencë ndaj manipulimit të informacionit në një epokë ku e vërteta dhe artificialja po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u dalluar.
Arbjona Çibuku, qershor 2026
*Arbjona Çibuku ushtron profesionin e gazetares në Citizens.al, e fokusuar në gazetarinë hulumtuese, politikat publike dhe të drejtat e njeriut. Gjithashtu ka bashkëpunuar me media ndërkombëtare si Observatorio, The Guardian, Orato, Kosovo 2.0 dhe Birn. Puna e saj është përqendruar kryesisht në çështje që lidhen me transparencën institucionale, qeverisjen mjedisore, zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe ndikimin e teknologjive të reja në administratën publike dhe hapësirën demokratike. Është gjithashtu e angazhuar si menaxhere projektesh në Citizens.al, ku ka kontribuar në koordinimin e iniciativave mediatike dhe hulumtuese. Po ashtu ka drejtuar dhe realizuar podkaste me fokus në çështje sociale, politike dhe mediatike.
Referencat
Citizens.al (2025). “Diella, asistentja virtuale që u bë ministre: realitet apo spektakël?”
https://citizens.al/en/2025/09/22/diella-asistentja-virtuale-qe-u-be-ministre-realitet-apo-spektakel/
Council of Ministers of Albania. (2024). Decision No. 479 on methodology and technical standards for AI use. https://www.konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/864
Council of Ministers of Albania. (2024). Public Procurement Strategy 2024–2027.
https://www.konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/864
European Commission. (2024). Commission guidelines on prohibited artificial intelligence practices under Regulation (EU) 2024/1689 (AI Act).
https://digital-strategy.ec.europa.eu/en/policies/european-approach-artificial-intelligence
European Parliament & Council of the European Union. (2024). Regulation (EU) 2024/1689 (Artificial Intelligence Act). Official Journal of the European Union.
https://eur-lex.europa.eu/eli/reg/2024/1689/oj
SCiDEV. (2026). Albania’s path towards alignment with the EU AI Act (Working Paper).
https://scidevcenter.org/wp-content/uploads/2026/02/AIACT_Paper_Final.pdf
SCiDEV & Albanian Helsinki Committee. (2025). Protecting human rights in the age of AI (Policy paper).
https://scidevcenter.org
UNESCO. (2025). Deepfakes and the crisis of knowing.
https://www.unesco.org/en/articles/deepfakes-and-crisis-knoëing
UNESCO. (2025). AI in the neësroom: Ethical integration and media integrity.
https:/www.unesco.org/en/articles/ai-newsroom-unesco-supports-ethical-integration-south-east-europe
Faktoje (2023). “Arrestimi i kryeministrit Netanyahu – prodhim i inteligjencës artificiale.”
https://faktoje.al/arrestimi-i-kryeministrit-netanjahu-prodhim-i-inteligjences-artificiale/
Faktoje (2023). “Arrestimi i Putin – krijim i inteligjencës artificiale.”
https://faktoje.al/arrestimi-i-putin-krijim-i-inteligjences-artificiale/
Faktoje (2023). “Fotot e Papës në festën e Vitit të Ri janë krijim i inteligjencës artificiale.”
https://faktoje.al/fotot-e-papes-ne-festen-e-vitit-te-ri-jane-krijim-i-inteligjences-artificiale/
Faktoje (2024–2025). Raporte dhe verifikime mbi përmbajtje të gjeneruar me AI dhe deepfake në rrjete sociale. https://faktoje.al
Faktoje (2023). “Video e bustit të Skënderbeut e gjeneruar nga inteligjenca artificiale.”
https://faktoje.al/e-gjeneruar-nga-inteligjenca-artificiale-video-e-bustit-te-skenderbeut/
.png)
.png)

.png)





.jpg)



























