Zgjedhje në kohë pandemie – Çfarë kemi mësuar?

Zgjedhje në kohë pandemie – Çfarë kemi mësuar?


Situata e pandemisë globale Covid-19 solli kufizime të mëdha të lirive civile e politike, duke shkaktuar shtyrjen apo përshtatjen e dhjetëra proceseve zgjedhore në botë, të cilët ishin planifikuar për tu mbajtur gjatë 2020-2021. Edhe në Shqipëri, më 25 prill 2021 u mbajtën zgjedhjet e radhës për Kuvendin e Shqipërisë, zgjedhjet e para të zhvilluara në kushte pandemie.

Ky artikull synon analizimin e problematikave që lidhen me këtë çështje dhe mësimeve të nxjerra nga eksperienca e Shqipërisë dhe shteteve të tjera. Së pari, ky artikull synon të analizojë ndikimin e pandemisë globale Covid-19 mbi procesin zgjedhor si të tillë, mbarëvajtjen e fushatave elektorale, ushtrimin e të drejtës së votës dhe të drejtave të tjera politike. Së dyti, ky artikull synon të ofrojë një qasje krahasimore të mbajtjes së zgjedhjeve gjatë periudhës së pandemisë në disa shtete në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021 në Shqipëri, në raport me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira. Së fundmi, ky artikull synon të nxjerrë disa konkluzione mbi masat që duhet të marrin shtetet, në mënyrë që të bëjnë të mundur mbarëvajtjen e proceseve demokratike dhe vijimin e garantimit të të drejtave politike edhe në kushtet e një pandemie globale.

Pandemia Covid-19 pati ndikim mbi procesin zgjedhor si të tillë, mbarëvajtjen e fushatës, si dhe ushtrimin e të drejtës së votës dhe të drejtave të tjera politike. Sfidat që u krijuan lidhen me mundësinë e të infektuarve apo të karantinuarve për të votuar, nevojën për të shmangur rritjen e rasteve të infektimit, përshtatjen e fushatës zgjedhore në kushtet e kufizimit të lëvizjes dhe tubimeve, transparencën dhe mundësinë për monitorim, si dhe nevojën për siguri dhe kushte të përshtatshme sanitare.

Koha e fushatës zgjedhore e gjeti Shqipërinë me një ndalim absolut mbi grumbullimet e më shumë se 10 personave, si dhe me liri lëvizjeje të kufizuar për shkak të orarit policor në fuqi. Pavarësisht kësaj, kufizimet shpesh herë u injoruan pasi vazhdimisht u mbajtën takime elektorale dhe mitingje në qytete të ndryshme. Pavarësisht kësaj, kufizimet shpesh herë u injoruan pasi vazhdimisht u mbajtën takime elektorale dhe mitingje në qytete të ndryshme. Masat ndëshkimore nuk u aplikuan ndaj partive politike, por vetëm ndaj kandidatëve të pavarur, duke evidentuar standarde të dyfishta. Nga ana tjetër,  partitë politike dhe kandidatët e zhvendosën një pjesë të mirë të fushatës në mediat sociale dhe platformat e tjera në internet. Zhvendosja e fushatës në hapësirën dixhitale shoqërohet me sfida shtesë të cilat e gjetën Shqipërinë të papërgatitur. Këto sfida lidhen ndër të tjera me transparencën, disinformimin, manipulimin e opinionit publik dhe përpunimin/përdorimin e paligjshëm të të dhënave personale. Një rast i mbledhjes dhe përpunimit të paligjshëm të të dhënave personale të 910 000 votuesve në formën e një databaze rrodhi në media 10 ditë përpara zgjedhjeve. Databaza e rrjedhur përmbante të dhëna personale, por edhe preferencat politike të supozuara të çdo zgjedhësi në Tiranë. Mendohet që këto të dhëna janë mbledhur dhe përpunuar nga partia në pushtet pa pëlqimin e personave, pra në shkelje të ligjit, si dhe duke përdorur informacion nga portali qeveritar e-albania. Implikimet dhe problematikat që mund të krijohen nga qarkullimi i këtyre të dhënave janë të panumërta dhe veprimtari të tilla cenojnë rëndë privatësinë, sigurinë e personave si dhe fshehtësinë e votës. Nga ana tjetër, me zhvendosjen e fushatës në territorin dixhital, janë rritur shpenzimet për reklama online. Ndërkohë që Shqipërisë i mungojnë rregullimet e forta ligjore për kontrollin e financimit të fushatave zgjedhore, sipas BIRN, 123 152 $ (dollarë amerikanë) u shpenzuan për reklama politike dhe sociale nga partitë. Sidoqoftë, të dhënat tregojnë se vetëm 113 252 $ janë shpenzuar nga partitë, kandidatët ose faqet që shpërndajnë reklama politike. Reklamat e tjera ishin nga media dhe nga kompani të cilat janë kategorizuar gabimisht nga algoritmi i Facebook-ut. Nga ana tjetër, zhvillimi i ‘’luftës’’ politike online shpesh herë shoqërohet me manipulime të opinionit publik dhe disinformim. Vetë Facebook, ka dobësi në kontrollin e ‘’sjelljeve jo autentike të koordinuara (CIB)’’ të cilat përdoren nga politikanët për të manipuluar opinionin publik nëpërmjet faqeve/profileve fallco, duke shfrytëzuar vakumin në rregullat e Facebookut. Sipas The Guardian, Shqipëria është një nga vendet e dyshuara për pasjen e një rrjeti në Facebook me profile fallco që kualifikohen si CIB. Sjellje të tilla online janë identifikuar edhe në një investigim të Exit.al në 2019 ku u zbulua që një rrjet profilesh fallco vepronin në mënyrë të koordinuar, duke komentuar në mënyrë pozitive postimet e politikanëve dhe duke sulmuar postimet kritike ndaj tyre. Kjo është konfirmuar edhe nga një ish-punonjëse e Facebook, sinjalizuese (bilbilfryrëse), sipas së cilës rasti i Shqipërisë ishte shumë serioz. Sjellje të tilla janë vënë re edhe gjatë periudhës së fushatës elektorale 2021 dhe kjo lloj mbështetjeje fallco në rrjetet sociale, mund të ndikojë në opinionin e publikut, duke e shtrembëruar atë dhe duke krijuar perceptimin që qeveria, apo politikanë të caktuar janë më popullorë nga sa janë në të vërtetë. Zhvendosja e fushatës në një territor të parregulluar dhe të pamonitoruar plotësisht, siç është hapësira dixhitale, mungesa e transparencës, si dhe abuzimi me të dhënat personale të zgjedhësve për qëllime elektorale rrezikojnë të minojnë integritetin e zgjedhjeve per se.

Përveç zhvillimit të fushatës në kushte sui generis dhe në një territor të ‘’parregulluar’’, situata e pandemisë shtroi problemin e votimit të personave të infektuar me Covid-19. Në këto raste, por jo vetëm, standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira sugjerojnë alternativa votimi për t’i bërë zgjedhjet të aksesueshme nga kushdo. Disa alternativa të tilla janë votimi me postë, votimi me prokurë, votimi në shtëpi apo në një institucion të posaçëm, votimi nëpërmjet teknologjisë etj. Këto alternativa votimi, në rastin e pacientëve me Covid-19, do tu mundësonin atyre në mënyrë të barabartë ushtrimin e të drejtës së votës, pa rrezikuar të tjerët apo veten. Shtete të ndryshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor të cilat zhvilluan zgjedhje gjatë pandemisë aplikuan disa prej këtyre metodave si psh. në Kroaci u zbatua votimi me prokurë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Mal të Zi u mundësua votimi në shtëpi ose institucione të caktuara. Në Shqipëri votimi i të infektuarve me Covid-19 nuk u lejua, duke u mohuar të drejtën e votës dhjetëra mijëra qytetarëve, duke i diskriminuar kështu për shkak të gjendjes shëndetësore. Kushtetuta e Shqipërisë lejon kufizime të të drejtës së votës vetëm për shtetasit e deklaruar me vendim gjyqësor të formës së prerë si të paaftë mendërisht, ose kur ligji përcakton kufizime për ata që vuajnë një dënim. Ndërkohë që Shqipërisë i është rekomanduar edhe më herët nga OSCE që të heqë kufizimin diskriminues të të drejtës së votës për personat e shpallur të paaftë mendërisht me vendim gjykate, ky kufizim jo vetëm që nuk është hequr, por u aplikua edhe mbi pacientët e infektuar me Covid-19. Në bazë të standardeve ndërkombëtare, kufizimet mbi të drejtën e votës janë të lejueshme vetëm nëse janë të arsyeshme, të përcaktuara në ligj dhe ngushtësisht proporcionale me objektivat dhe qëllimet që synojnë të arrijnë. Edhe sipas jurisprudencës së Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, kufizimet blanket mbi një kategori të caktuar personash, janë gjetur në shkelje të nenit 3 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ (e drejta për zgjedhje të lira).

Një tjetër grup i përjashtuar nga votimi në zgjedhjet e 25 prillit 2021 ishte diaspora. Pavarësisht se ndryshimet e Kodit Zgjedhor të miratuara me shumë nxitim në 2020 mundësuan për herë të parë votën e diasporës, kjo risi nuk u vu në zbatim në zgjedhjet e 2021. Ky grup përbën rreth 35% të popullsisë votuese dhe në pamundësi të votimit nga larg, ishin të dekurajuar apo të pamundur për të udhëtuar për në Shqipëri për shkak të kufizimeve të lidhura me Covid-19. Duhet theksuar që këto kufizime u shtuan 5 ditë para zgjedhjeve, me vendosjen e karantinës së detyrueshme 2 javore për udhëtarët nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut. Në vend që të adresohej pjesëmarrja e ulët në zgjedhje dhe apatia e qytetarëve e cila ka mbizotëruar ndër vite, në zgjedhjet e 2021 u bë një përjashtim a priori mbi dy grupe votuesish, të infektuarit me Covid-19 dhe diaspora, fakt që mund të shihet si taktikë zgjedhore që çon drejt një devijimi të standardit të përfaqësimit.

Si përfundim, pandemia solli në vemendje aspekte tradicionale të procesit zgjedhor që duhen rishikuar e përmirësuar, si dhe nevojën për të konsideruar mënyra alternative votimi, për të rritur aksesin, përfshirjen, si dhe për të shmangur diskriminimin e grupeve të caktuara. Kjo duhet shoqëruar me rritjen e kapaciteteve logjistike, alokimin e burimeve financiare të nevojshme si dhe me adresimin e implikimeve të lidhura me privatësinë dhe sigurinë. Së fundmi, pandemia nënvizoi rëndësinë e përmirësimit të komunikimit dhe mënyrave alternative të tij, si dhe ekspozoi dobësitë në kuadrin rregullator dhe ligjor sa i përket transparencës së burimeve të financimit të fushatave, mbrojtjes së të dhënave personale dhe luftimit të ndikimit të praktikave të pandershme në internet në integritetin e zgjedhjeve.


Megi Reçi, maj 2021

*Megi Reçi është juriste me formim të fortë në të drejtat e njeriut dhe punon për organizatën ndërkombëtare Civil Rights Defenders. Ajo ka një Master Shkencor në të Drejtën Publike nga UT dhe ka përfunduar kurse ndërkombëtare në universitete si ai i Malmos, Wake Forest dhe Beogradit. Përvojat e saj të mëparshme konsistojnë në OJF, zyra avokatie, misione monitorimi të gjykatave dhe praktika në institucione publike. Fushat e saj të punës dhe kërkimit janë sundimi i ligjit, anti-diskriminimi, lirina e shprehjes dhe medias, Ballkani Perëndimor etj. Ajo aktualisht është pjesë e një grupi ekspertësh të pavarur që po hartojnë një raport vlerësimi mbi situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri gjatë kryesimit të Shqipërisë në OSBE dhe është kontribuese vjetore në raportin global Women Bussiness and the Law të Bankës Botërore i cili synon të identifikojë ligje diskriminuese dhe të tregojë se si ligji prek gratë në botë në faza të ndryshme të jetës së tyre.

 

Bibliografia

1.   Global overview of COVID-19: Impact on elections https://www.idea.int/news-media/multimedia-reports/global-overview-covid-19-impact-elections

2.   Një databazë që hedh në erë çdo standard të mundshëm zgjedhor https://www.reporter.al/nje-databaze-qe-hedh-ne-ere-cdo-standard-te-mundshem-zgjedhor/?fbclid=IwAR3gY_TKLowXnpI8KXMyNj90hMYjO4pQNiX8EHXxCTAeKqI3IVlLpDB6uYE

3.   Facebook Reveals Cost of Albanian Parties’ and Candidates’ Election Ads https://balkaninsight.com/2021/04/15/facebook-reveals-cost-of-albanian-parties-and-candidates-election-ads/?fbclid=IwAR0rvsSW2l9FDYS_FJZgp5xyF90yVozjM1KLf2W9ySflgWWXE3roK9v4oBs

4.   How Facebook let fake engagement distort global politics: a whistleblower's account https://www.theguardian.com/technology/2021/apr/12/facebook-fake-engagement-whistleblower-sophie-zhang

5.   Investigation Reveals How Albanian Politicians Weaponized Facebook to Manipulate Public Opinion https://exit.al/en/2021/04/22/exclusive-investigation-reveals-how-albanian-politicians-weaponized-facebook-to-manipulate-public-opinion/?fbclid=IwAR2J553YbAnZe7EU2jCLllXzfcKDwbh_O1lXtJ5Z3F3OKUQEdJi4fnjqNa4

6.   Facebook Whistleblower Sophie Zhang: “What I Found in Albania Was So Severe…I Felt Like I Had Blood on My Hands” https://exit.al/en/2021/04/23/facebook-whistleblower-sophie-zhang-what-i-found-in-albania-was-so-severe-i-felt-like-i-had-blood-on-my-hands/

7.   Albania: Alarm over indications of personal data breach, election campaign violations https://www.transparency.org/en/press/albania-alarm-over-indications-of-personal-data-breach-election-campaign-violations

8.   Alternative voting methods and arrangements, OSCE OIDHR https://www.osce.org/files/f/documents/2/a/466794.pdf

9.   Misioni i OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Raporti Përfundimtar 2017 https://www.osce.org/files/f/documents/2/d/351226.pdf

10.       Alajos Kiss kundër Hungarisë 38832/06https://hudoc.echr.coe.int/eng#{%22itemid%22:[%22001-98800%22]}

11.       Albania – Joint Opinion of the Venice Commission and the OSCE/ODIHR on the amendments to the Constitution of 30 July 2020 and to the Electoral Code of 5 October 2020, approved by the Council for Democratic Elections at its 70th meeting (online, 10 December 2020) and adopted by the Venice Commission at its 125th Plenary Session (online, 11-12 December 2020) https://www.venice.coe.int/webforms/documents/?pdf=CDL-AD(2020)036-e

12.       A ka rëndësi vota e rinisë në Shqipëri? https://kosovotwopointzero.com/a-ka-rendesi-vota-e-rinise-ne-shqiperi/

13.       Përfshirja e qytetarëve shqiptarë në procese politike, me fokus në proceset zgjedhore dhe ushtrimin efektiv të të drejtave demokratike https://votavlen.al/wp-content/uploads/2021/03/Arnisa-Tepelija_Eng.pdf

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk