Tiparet e punësimit të komunitetit Rom dhe Egjiptian në Shqipëri dhe ndikimi i Pandemisë Covid-19

Tiparet e punësimit të komunitetit Rom dhe Egjiptian në Shqipëri dhe ndikimi i Pandemisë Covid-19

Komuniteti Rom dhe Egjiptian në Shqipëri, sipas ligjit nr. 96/2017, neni 3, pika 2 “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, klasifikohen si pakica kombëtare. Romët dhe Egjiptianët janë grupet sociale më të margjinalizuara në shoqërinë shqiptare. Të vendosur në territorin shqiptar prej shekujsh, këto komunitete kanë ruajtur një pjesë të mirë të traditave dhe kulturës së tyre. Edhe pse nuk ka pasur konflikte dhe persekutime raciale, marrëdhëniet  mes tyre dhe shqiptarëve kanë qenë të distancuara. Gjatë periudhës së regjimit totalitar pati njëfarë gjithëpërfshirje të tyre në shoqëri, e cila u zbeh dukshëm në fillim-vitet ‘90, për ta kthyer përsëri vëmendjen ndaj tyre kryesisht në dhjetëvjeçarin e fundit. Aktualisht, romët dhe egjiptianët janë grupet sociale më të varfra në shoqëri.

Gjendja ekonomike dhe punësimi i komunitetit Rom dhe Egjiptian në Shqipëri

Gjatë periudhës së sistemit totalitar (1945-1990), romët dhe egjiptianët përjetuan përmirësime të dukshme në strehim, arsim, kujdes shëndetësor dhe shërbime sociale. Në këtë periudhë ata gëzonin punësim të plotë, ashtu si shqiptarët (UNDP, 2012). Tranzicioni pas regjimit diktatorial drejt ekonomisë së tregut u shoqërua me mbylljen dhe zvogëlimin e aktivitetit të ndërmarrjeve shtetërore. Rrjedhimisht romët kaluan nga punësimi i plotë dhe i garantuar në një papunësi masive dhe afatgjatë. Në vitet 2000 kjo papunësi vlerësohej në 71%. Ndërkaq, përshtatja e romëve me kërkesat e tregut të punës, ka qenë e vështirë, si pasojë e nivelit të tyre të ulët arsimor e profesional, kapitalit të pakët social, disa formave të diskriminimit dhe përjashtimit social.Si pasojë e varfërisë dhe përjashtimit social, shumica e romëve dhe egjiptianëve bëjnë punë të pakualifikuara në sektorin informal. Kjo punë u siguron të ardhura të pamjaftueshme për familjet e tyre (po aty).

Punësimi shërben edhe si indikator i përfshirjes sociale të një grupi komunitar në shoqëri. Shkalla e punësimit në Shqipëri mbetet relativisht e ulët krahasuar me vendet e rajonit apo Europës. Në këto kushte, punësimi i komuniteteve është në nivele akoma më të ulëta, rrjedhim i kësaj, përfshirja sociale e komunitetit rom dhe egjiptian në shoqërinë shqiptare është në nivele të ulëta. Niveli i varfërisë në radhët e komunitetit Rom dhe Egjiptjan është dy herë më i lartë se në pjesën tjetër të popullatës, shkalla e papunësisë së tyre është tre herë më e lartë se mesatarja. Të ardhurat përrreth 48% të familjeve rome janë më pak se 10 000 lekë/muaj (Plani Kombëtar i Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptjanëve 2016-2020).  Mungesa e të ardhurave, vështirësia e jetesës  dhe punësimi janë problemet më të mëdha me të cilat përballen këto komunitete. Punësimi informal është burimi kryesor i të ardhurave për komunitetin Rom dhe Egjiptian. Të ardhurat nga aktivitete joformale si grumbullimi dhe shitja e kanaçeve përbëjnë burimin kryesor të jetesës për 40% të familjeve rome. Nëse përfshijmë këtu edhe ata që deklarojnë si burim kryesor jetese, punësimin në sektorin privat informal (10%), si edhe ata që deklarojnë si burim kryesor punësimin e rastit (punë me ditë, 11%), atëherë rezulton se për 61% të familjeve rome të ardhurat nga sektorët informalë përbëjnë burimin kryesor të jetesës (Gëdeshi. I , 2013). 

Romët janë më së shumti të përfshirë në tregti të vogla të dorës së dytë dhe mbledhjen e mbeturinave të riciklueshme, ndërkohë që egjiptianët janë të përfshirë në sektorin e shërbimit, përkujdesjes shtëpiake dhe ndërtim. Shumica e romëve janë të vetëpunësuar (62%), krahasuar me 32% të egjiptianëve dhe 35% të shqiptarëve. Romët e “vetëpunësuar” vetëm në raste të veçanta kanë të punësuar dhe punojnë zakonisht në profesione të pakualifikuara,  si mbledhja e metalit për skrap ose si punonjës joformalë jo të kualifikuar. Prapëseprape, nuk ka përpjekje për ta formalizuar këtë punë (po aty).

Në dhjetëvjeçarin e fundit janë bërë disa përpjekje institucionale për integrimin e komunitetit Rom dhe Egjiptian. Plani i Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve 2016-2020 ka për qëllim të rrisë qasjen në programet e mbrojtjes sociale për anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian. Qeveria organizon aktivitete që promovojnë hyrje në tregun e punës ose programe të formimit profesional. Megjithatë, pjesëmarrja e romëve dhe egjiptianëve është e kufizuar duke qenë se kjo nuk do të siguronte mjaftueshëm të ardhura për të siguruar jetesën. Sipas Planit të Veprimit, romët dhe egjiptianët që kanë punësim zyrtar janë më shumë të zënë me jetesë agrikulture (për banorët e zonave rurale) që karakterizohet nga toka shumë të vogla, mungesë infrastrukture dhe kosto të mëdha ujitjeje dhe mirëmbajtjeje.

Ndikimi i Pandemisë Covid-19 në aspektin ekonomik tek komuniteti Rom dhe Egjiptian

Pandemia COVID-19 preku në mënyrë direkte gjithë veprimtaritë e jetës së përditshme.Efektet e saj janë të shumëanëshme, duke filluar nga ato shëndetësore, psikologjike, sociale, e mbi të gjitha ekonomike. COVID-19 nuk rrezikoi vetëm jetën tonë, por goditi fuqishëm edhe ekonominë botërore, pasojat e së cilës sipas ekonomistëve pritet të jenë afatgjata.  Shqipëria, si një vend me ekonomi në zhvillim, mori një goditje të fortë ekonomike nga masat kufizuese të marra për të evituar përhapjen e virusit. Pasojat e një krize ekonomike, më së shumti i ndjejnë grupet më vulnerable të shoqërisë. Kështu, komuniteti rom dhe egjiptian në Shqipëri ishin kategoria sociale më e prekur nga pasojat ekonomike të pandemisë Covid-19 (Porta Vendore.al,2020) Kjo ka ndodhur për së paku dy arsye kryesore.

Së pari, vendosja e masës së izolimit në shtëpi, si një formë për të parandaluar përhapjen e virusit, preku më së shumti familjet e komunitetit rom dhe egjiptian. Duke qenë se këto komunitete jetesën e sigurojnë nëpërmjet veprimtarisë tregtare, izolimi i popullatës në shtëpi bëri që këto familje të mos kenë mundësi të punojnë (Reporter.al, 2020)

Së dyti, anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian janë të angazhuar kryesisht në tregun informal të punës, kryesisht në mbledhjen e hekurishteve, në tregtinë e rrobave të përdorura, punët e rastit, ndërtim, kjo solli si pasojë mungesën e mbështetjes ekonomike nga ana institucionale. Paketat ekonomike që shpërndahu qeveria shqiptare në zbutjen e krizës për nevojat e përditshme nuk i përfshinë kategoritë që punonin në mënyrë informale (Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. 2020).

Pandemia Covid-19 nxorri në pah për të disatën herë se komuniteti Rom dhe Egjiptian  në Shqipëri mbetet më i prekuri. Raportet nga organizatat e shoqërisë civile shpejt filluan të përmendnin specifikisht se komunitetet rome dhe egjiptiane  po goditeshin rëndë nga rritja e papunësisë dhe humbja e të ardhurave si rezultat i masave të bllokimit të shkaktuara nga Covid-19. Kështu që, nevojitet një plan masash institucionale afatgjata për të integruar këto komunitete në shoqëri dhe të krijohen kushtet e një jetese me dinjitet.

Besjana Lazja, Stafi i EuroSpeak, shkurt 2022


Bibliografia

  1. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (2020). Paketa e ndihmës financiare Nr.1 dhe Nr.2

  2. Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërinë (2016). Plani Kombëtar i Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve, 2016-2020.

  3. Gëdeshi, I. (2013). Punësimi i Romëve.Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë

  4. UNDP Albania (2012).Vleresimi i nevojave te komuniteteteve rome dhe egjiptianeve ne Shqiperi.

  5. https://www.reporter.al/pa-pune-dhe-pa-ndihma-karantina-thellon-varferine-e-komunitetit-rom-dhe-egjiptian/ (cituar më 02/04/2020)

  6. https://portavendore.al/rishperndarje-dhe-diferencim-propozimet-e-rimekembjes-ekonomike-post-covid-per-komunitetin-rom-dhe-egjiptian/ (cituar më 16/06/2020)






1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk