“We can’t always build the future for our youth,
but we can build our youth for the future”
Franklin D. Roosevelt
Të rinjtë dhe politika, nëse do e përshkruaja fare thjesht këtë raport, togfjalëshi i parë që më shkon ndërmend është “raport i vështirë”. E përkufizoj si të tillë, nisur nga një sërë aktorësh dhe faktorësh të cilët do mundohem t’i shpjegoj më poshtë duke shprehur qasjen time modeste rreth kësaj teme. Roli i partive politike si organizata demokratike po zbehet çdo ditë e më shumë sepse pushteti është i zhvendosur tek figura e kryetarit. Ky përqendrim vertikal i pushtetit ka bërë që partitë të largohen nga ideologjia që kanë mbështetur tradicionalisht dhe të shkojnë drejt krijimit të një sistemi klientelist (Hofmeister & Grabow, 2011). Ndodhur në këtë situatë, partitë e mbështesin pushtetin e tyre tek besnikëria e militantëve dhe nuk frymëzojnë pjesën tjetër të shoqërisë (Hofmeister & Grabow, 2011) Në këtë mënyrë votuesi “gri” nuk gjen hapësirë për tu ndjerë i përfaqësuar. Të rinjtë janë një nga kategoritë që preken më së shumti nga ky mospërfaqësim, së pari në organet e partive politike, rrjedhimisht edhe në parlament.
Kohët e fundit vihet re një interesim i ulët i të rinjve për të marrë pjesë në proceset zgjedhore, që shpesh lidhet me mungesën e besueshmërisë së tyre tek alternativat politike, si pasojë e mosekzistencës së programeve reale, mungesa e figurave të reja, ndikimi familjar në përcaktimin e preferencës politike etj. Kjo situatë vjen edhe si pasojë e ndikimit tëkryetarit në vendimmarrjen e partisë dhe veçanërisht në përgatitjen e listës së deputetëve, rol i cili po shkon përtej çdo parashikimi statutor që ia lejon atij këtë të drejtë. Prandaj, këta të rinj të diktuar nga nevoja bëhen pjesë e masës, duke u shndërruar në militantë besnikë dhe jo pjesëmarrës të ndryshimit të mentalitetit të mbyllur të partive dhe më pas të përmirësimit të qeverisjes së vendit. Kjo do të vlente për të rinjtë që akoma nuk kanë zgjedhur rrugën e largimit drejt një vendi që minimalisht do u ofronte një mjedis konkurrues, në të cilën nuk do u duhej të luftonin për mbijetesë. Largimi i tyre nga vendi vjen si pasojë e mungesës së perspektivës. Kjo situatë ka bërë që dekurajimi i të rinjve të përkthehet në mungesë besimi për të qenë pjesëmarrës aktiv në shoqëri, përfshirë këtu edhe në partitë politike. Ky ngurim pasqyron dëshirën për t’u mos u bërë pjesë e këtyre organizatave të mbyllura, të cilat prej më shumë se tridhjetë vitesh, asnjëherë nuk e kanë lejuar qarkullimin e elitave.
Thënë këto, të rinjtë detyrohen që për hir të karrierës së tyre të bëhen pjesë e një modeli ku debati i brendshëm është i cunguar dhe ku mbledhja në organet e partisë nuk shfaqet si një shkëmbim produktiv idesh, por na servir imazhin e një mitingu të brendshëm partiak. Për pasojë ky model pasqyrohet në jetën parlamentare dhe në tërësi të veprimtarisë së qeverisjes së vendit. Edhe sikur angazhimi i tanishëm në parlament i të rinjve të ishte efektiv dhe real, sërish përfaqësimi i tyre nuk është në proporcion të drejtë me numrin e përgjithshëm të të rinjve me popullsinë e vendit (Instituti i Satistikave,2022). Për më tepër, këta legjislatorë të rinj duket se nuk ngrenë zërin për mbrojtjen e interesave të shoqërisë dhe të rinjve të tjerë, por ndjekin rrugën e diktuar nga interesat e kryetarit dhe partisë.
Duket sikur situata ndër vite ka ndryshuar. Ka të rinj që janë angazhuar në partitë politike, duke u pasuar me zgjedhjen e disa prej tyre në parlament si deputetë. Megjithatë, në pjesën më të madhe ky angazhim ka ardhur si rrjedhojë e promovimit personal nga kryetari i partisë dhe jo si pasojë e zhvillimit të një gare në forumet rinore të partive politike. Figura të panjohura dhe të padëgjuara më parë në arenën politike po bëhen të pranishme gjithnjë e më shumë edhe pa dhënë kontribute në politikë, apo të kenë spikatur në fusha të tjera në shoqëri, aq sa për të justifikuar më pas dhe zgjedhjen e tyre në parlament. Këto kontribute duhet të kishin ndikuar në promovimin e tyre në politikë, duke justifikuar kështu besimin për të qenë përfaqësuesit e sovranit. Këtu, duhet marrë në konsideratë fakti se përfaqësimi parlamentar duket se ka shkuar drejt regresit, deri në pikën që u desh një ligj specifik për pastrimin e tij nga figura politike të papërshtatshme (Ligji Nr. 138/2015) Fatkeqësisht, promovimi i të rinjve në parti dhe më tej në parlament do të zhvillohet në vazhdën e këtyre modeleve aspak të denja përfaqësimi. Mosha në vetvete nuk duhet të jetë arsyeja thelbësore në të cilën mbështetet promovimi i një të riu në parti dhe më gjerë. Kombinimi i elementit të moshës, si një formë inkurajimi për të qenë aktiv në politikëbërje, me kontributet qoftë edhe më minimale në një fushë të caktuar, mund të jetë një formulë e goditur për promovimin e të rinjve në politikë. Kjo do të ndihmonte në përcaktimin e një axhende që ata do të ndiqnin gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre partiake dhe parlamentare.
Sanela Lilaj, qershor 2022
Sanela ka përfunduar studimet Bachelor për Drejtësi në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë dhe Masterin e Shkencave në të Drejtë Publike në Universitetin e Tiranës. Ajo ka punuar si redaktore ligjore në kuadër të projektit RISA dhe Fjalorit Anglisht-Shqip të Ligjit të Logjistikës dhe Sigurimeve Detare. Lilaj ka marrë pjesë në konkurse dhe trajnime të ndryshme lidhur me drejtësinë, politikën dhe të drejtat e njeriut.
Kushtetuta e Shqipërisë, e ndryshuar
Ligji Nr.8580, datë 17.2.2000,“Për partitë politike”, i ndryshuar
Ligji Nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”
Krasniqi. A, Hackaj. A, “Demokracia e brendshme në partitë politike shqiptare”, Botues: Friedrich-Ebert-Stiftung Office Tirana
Hofmeister. W, H. Grabow, “Partitë Politike: Funksionimi dhe Organizimi në Shoqëritë Demokratike”, Singapor: Konrad Adenauer Stiftung, Përktheu: Starova Zlatku, B, Redaktoi: Krasniqi. A.
“Sjellja e votuesve të rinj në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit 2021”, përgatitur nga Qëndresa Qytetare dhe WFD, në kuadër të projektit “Zgjedhje Gjithëpërfshirëse”, financuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, Prill 2021.
Statuti i Partisë Socialiste
Statuti i Partisë Demokratike
Statuti i Lëvizjes Socialiste për Integrim
Faqe interneti të aksesuara
http://www.instat.gov.al/media/9828/popullsia-me-1-janar-2022_final-15-04-2022.pdf