Ndërkombëtarët në ligjërimin e lidershipit politik në Shqipëri

Ndërkombëtarët në ligjërimin e lidershipit politik në Shqipëri

Raportet mes gjuhës dhe politikës janë bërë objekt  studimi  prej kohësh. Për Christinam   (Christinam, 1997), një problem në kompleksin e gjuhës dhe politikës është se si të përcaktohet se çfarë është politikë. Veçanërisht në shekullin XX, si  rezultat i zgjerimit masiv të shtypit dhe medias elektronike, gjithnjë e më shumë njerëz janë të ekspozuar ndaj ligjërimit që mund të karakterizohet si  politikë në natyrë. Mundësitë për çdo person që të jetë pak a shumë i përfshirë  në ligjërimin politik, janë rritur jashtëzakonisht.

Për Fairclough I. dhe Fairclough N. (Fairclough I., Faircloough N., 2012) ngjarjet ligjërimore  formohen nga situatat, institucionet dhe strukturat sociale, por ajo gjithashtu  i formon ata.  Në analizën e ligjërimit,  gjuha përdoret për të thënë dhe për të bërë diçka, duke qenë e lidhur me  kontekstin në të cilin përdoret. Në të njëjtën linjë qëndron dhe Van Dijk (Van Dijk, 1977), i cili mendon se në ligjërimin politik, strategjitë dhe strukturat  e argumentimit mund të organizojnë një diskutim politik, në të cilin qëndrimet  e kundërta të të tjerëve sulmohen në mënyrë sistematike, ndërsa ata të grupit  politik mbrohen ose luajnë me termat, në funksion të ekzagjerimit ose  minimizimit të përmasave të një realiteti politik.

Nëse zbresim në  kontekstin politik shqiptar, lojërat me termat në funksion të qëllimeve  politike predominojnë ligjërimin politik. Termat përgjithësues si Europa dhe SHBA, janë ndër më të përdorurit dhe kjo ka një shpjegim, pasi, në tërësi, vendeve jashtë BE-së, ose në periferinë e saj, Europa dhe  SHBA-ja nuk janë vetëm modele demokracie apo strategji legjitimimi i programeve dhe alternativave politike, por mbi të gjitha i ligjërimit politik të përditshëm. Shpesh, heterogjeniteti i qëndrimeve, interesave, konteksteve apo bindjeve të caktuara politike të aktorëve apo institucioneve të ndryshëm ndërkombëtare, zerohen në përmbajtjen e ligjërimit të aktorëve lokalë në Shqipëri kur lind nevoja për të legjitimuar në sytë e opinionit publik një kauzë apo aksion të caktuar politik, ndërsa kur interesi i tyre nuk përkon me komentet e përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare, gjuha dominohet nga terma të personalizuara, etiketues dhe fyes.

Gjetjet e  studimit

Për arsye studimore kemi marrë si rast studimor dy liderët e forcave kryesore politike, Kryeministrin Rama dhe drejtuesin e Partisë Demokratike Basha për të parë natyrën e ligjërimit. Janë përzgjedhur deklaratat e tyre për periudhën janar 2018 – dhjetor 2019 në faqet zyrtare të partive politike që ata drejtojnë. Në faqen zyrtare të Partisë Demokratike janë analizuar 144 fjalime dhe deklarata për shtyp të kryetarit të kësaj partie Lulzim Basha për vitin 2018, dhe 127 për vitin 2019. Ndërsa në faqen zyrtare të Kryeministrit Rama janë analizuar fjalimet dhe deklaratat për shtyp, specifikisht 191 për vitin 2018 dhe 133 për vitin 2019. Metoda e përdorur është metoda e analizës së përmbajtjes e kombinuar me metodën e analizës së ligjërimit.

Liderët

Viti

Deklarata për shtyp

Fjalime

Totali

Lulzim Basha

2018

19

125

144

Edi Rama

2018

28

163

191

Lulzim Basha

2019

24

103

127

Edi Rama

2019

19

114

133

 

Referuar termave më të përdorur në ligjërimin e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha për vitin 2018 janë: Europa, Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Partitë Popullore Europiane dhe Budenstagu, ndërsa më pak përmenden termat: Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Shtetit, Komuniteti Ndërkombëtar, Eurodeputetët, Parlamenti Europian dhe Krerët e Bashkimit Europian. Bie në sy fakti që termat: Europë dhe Bashkim Europianjanë ndër më të përdorurit krahasuar me SHBA. Nisur nga kjo e dhënë mund të thuhet se për vitin 2018 Basha ka përdorur për referencë apo mbështetje në ligjërimin e tij më shumë termin: Europë, BE sesa  SHBA.


Ndërsa në nivele  shtetesh dhe qytetesh, Gjermania, Holanda, Italia, Brukseli dhe Franca përmenden  më shpesh, ndërsa shtetet që gjejnë më pak përdorim si referencë apo mbështetje  në ligjërim janë: Uashingtoni, Danimarka, Greqia, Zvicra etj. Gjermania, siç do  të shikojmë edhe te lideri i Partisë Socialiste, zë vend më shumë si referencë  apo mbështetje krahasuar me vendet e tjera, por për arsye të ndryshme nga ajo e  Partisë Demokratike. Kjo e fundit i referohet më së shumti si mbështetje e  kauzave të saj ose si vend që adreson kritika të forta ndaj qeverisë, ndërsa  Partia Socialiste i referohet si mbështetëse e liderit Rama në veçanti dhe  qeverisë në tërësi. 


Në vitin 2019  vërejmë se termat më të përdorur nga Basha janë: Europa, Bashkimi Europian, Budenstagu gjerman, SHBA dhe Këshilli Europian, ndërsa termat më pak të përdorur janë: Shtëpia  e Bardhë, ndërkombëtarët, komuniteti ndërkombëtar, eurodeputetët, Komisioni Europian  etj. Siç shikohet përsëri dy temat përgjithësues Europa dhe Bashkimi Europian janë më të përdorurit për vitin 2019. Termi i parë përdoret në kuptimin e familjes politike, kulturore dhe ekonomike  ku duhet të aderojë Shqipëria, ndërsa tjetra, si referencë e problemeve dhe  kritikave që adresohen ndaj performancës së qeverisë.


Interesant është  fakti se Basha i referohet më se shumti Europës dhe Bashkimit Europian  krahasuar me SHBA. Kjo prirje nxjerr në pah edhe orientimin e liderit Basha që  për problematikat që evidentohen në 2018 dhe 2019 të ketë si referencë më shumë  atë çfarë deklarohet apo adresohet si kritikë apo sugjerim nga ana e  përfaqësuesve të lartë të BE sesa përfaqësuesve apo institucioneve të SHBA.

Për sa i përket  shpeshtësisë së përdorimit të termave përgjithësues vërehet dallim mes dy  viteve. Një arsye lidhet me intensitetin e ngjarjeve të ndodhura në 2019, të  cilat kanë nxitur nevojën për legjitimitetin e komunitetit ndërkombëtar. Në  këto kushte është luajtur me strategjinë: sa më përgjithësues termi aq më  impresionuese në sytë e publikut  mbështetja e komunitetit ndërkombëtar. Po ashtu, sa më i përgjithshëm  standardi që kërkohet për vende si ne të bëhen pjesë e familjes europiane, aq më legjitime nevoja për ta përmbushur atë standard.

Në lidhje me  shpeshtësinë e përdorimit të shteteve apo qyteteve si mbështetje apo referencë,  vërejmë se për vitin 2019 kryetari i opozitës Basha iu është referuar më së  shumti shteteve si Gjermania, Britani e Madhe, Holanda, Franca dhe Belgjika, ndërsa më pak të artikuluar janë: Italia, Greqia, Uashingtoni dhe Zvicra.


Nga të dhënat e  viteve 2018 dhe 2019 del në pah fakti se në artikulimin në nivel shtetesh dhe  qytetesh, Gjermania ka një frekuencë  përdorimi qartësisht të dukshme në raport me vendet e tjera. Kjo e dhënë tregon  jo vetëm për rolin lider që ka ky vend në BE, por edhe për prezencën e saj  krahasuar me vendet e tjera të BE në zhvillimet e fundit politike.

Referuar  ligjërimit të kryeministrit Rama, vërejmë se gjatë vitit 2018 termat më shumë të përdorur janë: Bashkimi Europian,  Europa, Komisioni Europian, Këshilli Europian dhe SHBA. Ndërsa, termat më  pak të përdorur janë: Shtëpia e Bardhë,  ndërkombëtarët, Departamenti i Shtetit, komuniteti ndërkombëtar, eurodeputetët,  Parlamenti Europian, Institucionet ndërkombëtare etj.


Këto të dhëna  tregojnë se gjatë këtij viti, kryeministri Rama ka pasur si fjalë kyçe Bashkimin Europian dhe Europa. Të parin  si referencë për legjitimitetin dhe mbështetjen e performancës së qeverisë,  ndërsa Europa si sistem vlerash ku mendohet të projektohet në të ardhmen  shoqëria shqiptare.

Në nivel shtetesh  dhe qytetesh, për 2018 Gjermania, Franca, Greqia, Holanda dhe Brukseli artikulohen më shpesh në ligjërimin e Ramës,  krahasuar me shtetet si: Italia,  Britania, Uashingtoni, Danimarka etj. Dhe në këtë rast, bie në sy prirja e  liderëve shqiptarë për t’iu referuar më shumë vendeve të Europës sesa SHBA-së.  Siç konstatuam në rastin e liderit Basha, edhe te Rama, Gjermania përdoret si referencë për të vlerësuar punën e qeverisë  ose si mbështetje për aksionet e saj në raport me opozitën. Pra, të dy liderët  i referohen Gjermanisë (institucioneve  të saj),  por për qëllime të kundërta.


Viti 2019 ka një  dinamikë tjetër politike dhe ndërhyrja e komunitetit ndërkombëtar shikohet në  disa momente si faktor zgjidhjeje. Bojkoti i parlamentit, mospjesëmarrja në  zgjedhje lokale, vendimi për hapjen e negociatave, protestat e opozitës, ngërçi  për ngritjen e institucioneve të reja, janë disa nga ngjarjet politike për të  cilat kërkohet opinioni apo ndërhyrja e komunitetit ndërkombëtar. Në lidhje me  shpeshtësinë e përdorimit të termave përgjithësues në këtë periudhë bie në sy  fakti se më shumë të përdorur janë: Bashkimi  Europian, Europa, SHBA, Këshilli Europian dhe Komisioni Europian, ndërsa,  termat më pak të përdorur janë: Shtëpia e  Bardhë, Departamenti i Shtetit, ndërkombëtarët, Komuniteti Ndërkombëtar,  eurodeputetët dhe Bundestagu.


Nga të dhënat, bie në  sy shpeshtësia e përdorimit të termave përgjithësues Bashkimi Europian, krahasuar me Partinë Demokratike. Së dyti,  ndryshe nga Partia Demokratike, SHBA  zë më shumë vend në ligjërimin e Ramës për vitin 2019, krahasuar me liderin  Basha.

Ndërsa shtetet që  përmenden më shumë si burim legjitimiteti apo kritikë adresuar opozitës për  2019 janë: Gjermania, Franca, Holanda,  Danimarka dhe Italia, ndërsa më pak të artikuluar janë: Britania e Madhe,  Uashingtoni, Greqia dhe Zvicra. Edhe në rastin e Partisë Socialiste bie në  sy prirja për t’iu referuar lidershipit të BE, Gjermanisë si burim legjitimiteti dhe mbështetjeje. Francës më  shumë i referohet si kritikë për qëndrimin e mbajtur në shtyrjen e vendimit për  hapjen e negociatave sesa si mbështetje.


Konkluzione

Të dhënat e mësipërme tregojnë se prirja e liderëve shqiptarë për të përdorur terma përgjithësues dhe shtete të veçanta si nevojë për mbështetje apo si  referencë për të justifikuar në publik  veprimet apo nismat e tyre është evidente. Së dyti, vërehet tendenca për t’iu referuar më shumë institucioneve të  Bashkimit Europian sesa atyre të  SHBA-ve. Pavarësisht se kjo e  fundit është faktor me shumë influencë dhe ka rol në zhvillimet  politike shqiptare, siç kemi argumentuar, në aspektin e  peshës që zë në artikulimin e liderëve  shqiptarë, SHBA (institucionet e saj) artikulohen më pak se BE. Së treti, të dy liderët i  referohen Gjermanisë  (institucioneve të saj, përfaqësuesve  të rëndësishëm politikë), duke nxjerrë  në pah rolin vendimtar që ka kjo e fundit në politikën e jashtme dhe brenda vendimeve që merren në institucionet e  Bashkimit Europian. Së katërti, të dy liderët i referohen Gjermanisë, por për qëllime krejt të kundërta. I pari  pretendon se mbështet qeverinë dhe kritikon kundërshtarin, ndërsa i dyti  mendon për të kundërtën. Së pesti, lideri Basha i referohet më shumë Europës si sistem vlerash sesa Rama, ndërsa ky i fundit i referohet më së shumti Bashkimit Europian si  referencë institucionale nisur nga  rekomandimet, vendimet dhe opinionet qe adreson ndaj Shqipërisë krahasuar me Bashën.

Roland Lami, prill 2021

*Prof  Asoc, Dr. Roland Lami  mban gradën Doktor në Shkenca Politike, MA në Sociologji, MA në Studime Europiane dhe BA në Sociologji të Universitetit të Tiranës. Ai është autor i librave: “Njohuri Bazë të Kërkimit në Shkencat Sociale”, ”Komunikimi dhe Marrëdhënia Shoqërore”,  “Identity of Political Parties in Albania (during the period 1990 – 2013)” “Kriza e demokracisë lokale” dhe “Ndërkombëtarët dhe partitokracia në Shqipëri”. Gjithashtu, ai ka botuar me dhjetra artikuj në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit si dhe studime në fushën e shkencave politike për llogari të disa institucioneve ndërkombëtare.


Referenca:

Bormann, E.G. (1986) Fantasy theme analysis of presidential debates. In T. Ensink, A. van Essen and T. van der Geest (eds) Discourse Analysis and Public Life. Papers of the Groningen Conference on Medical and Political Discourse (pp. 289-36).

Barbullusi, O. (2008) “Kështu foli Evropa – Mbi ndërtimin dhe përdorimin e europianizimit të ligjërimit zyrtar dhe politik,“ Ndërkombëtarët dhe demokratizimi,  Revista Polis 4, Tirane : UET PRESS, .fq, 9

Christinam S (1997) Analysing Political Speeches, London: Blackwell Publishing Ltd, pp 6,

Chilton, P. (2004) Analysing Political Discourse, London and New York: Routledge pp 12.

Fairclough, I. Fairclough, N. (2012) Political Discourse Analysis: A Method for Advanced Students. Routledge: London.

Foucault, M (2011) Pushteti i dijes, Tirane: UET PRESS.

Kajsiu, B (2005) “ Ligjerimi steril,” Colloquium Liberal', Tirane: Dituria.

 

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk