Menaxhimi i Riskut të Katastrofave: Sfidat e reja për sistemin e arsimit në Shqipëri

Menaxhimi i Riskut të Katastrofave: Sfidat e reja për sistemin e arsimit në Shqipëri

***

Ky artikull do të përqendrohet në sfidat e sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri dhe Ballkan dhe përgjigjen e tij ndaj nevojave për ndërtimin e kapaciteteve në ndihmë të përballimit të sfidave nga katastrofat. Do të ofrohet një përmbledhje krahasuese e programeve të arsimit në fushën e menaxhimit të riskut nga katastrofat në Europë dhe në Rajon, duke argumentuar ndër të tjera nivelin e integrimit të temave të menaxhimit të riskut nga katastrofat në kurrikulat e programeve universitare. Në përmbyllje të tij do të ofrohen rekomandime të mëtejshme në lidhje me aftësinë e sistemit arsimor për t'iu përgjigjur sfidave globale që burojnë nga katastrofat.

Katastrofat natyrore kanë një ndikim të madh në kushtet e jetesës, performancën ekonomike, aktivitetet dhe shërbimet mjedisore të vendeve ose rajoneve të prekura. Të gjitha këto janë të kushtëzuara kryesisht nga rritja e popullsisë dhe aseteve të ekspozuara ndaj ngjarjeve natyrore të pafavorshme, një tendencë që ka gjasa të përkeqësohet me urbanizimin në rritje, degradimin e mjedisit dhe rritjen e pritshme të numrit dhe intensitetit të ngjarjeve hidro-meteorologjike si pasojë e ndryshimit të klimës. Katastrofat mund të kenë ndikime të gjera, duke shkaktuar jo vetëm dëme në jetë, ndërtesa dhe infrastrukturë, por edhe në aktivitetin ekonomik, me efekte kaskadë dhe globale potenciale. Pasojat mund të jenë afatgjata dhe madje mund të ndikojnë në mënyrë të pakthyeshme në strukturat ekonomike, sociale dhe mjedisore. Për të përballuar pasojat e katastrofave, kërkohet pjesëmarrje dhe bashkëpunim shumëpalësh. Ekspozimi ndaj katastrofave paraqet shumë sfida për mjedisin tonë ekonomik dhe shoqëror. Sistemi arsimor është një nga sektorët që preken shumë nga këto sfida.

Katastrofat ndikojnë si në anën e kërkesës ashtu edhe të ofertës të edukimit. Komunitetet më pak të zhvilluara janë ato që mbartin kostot më të larta të një mjedisi të dëmtuar, dhe kjo ndikon edhe në drejtim të aksesit në edukim. Fatkeqësitë, qofshin ato natyrore ose jo, mund të dëmtojnë ose shkatërrojnë objektet shkollore dhe sistemet arsimore, duke kërcënuar sigurinë fizike dhe mirëqenien psikologjike të komuniteteve. Kërcënimet e klimës mund të shkaktojnë migrimin e popullatës, duke ndikuar në ndërprerjen e ofrimit të arsimimit. Për më tepër, pasojat ekonomike të katastrofave ulin numrin e të regjistruarve në shkolla, pasi fëmijët mund të jenë të detyruar ta ndërpresin arsimimin e tyre për të ndihmuar familjet të përballojnë humbjet nga katastrofa. Së fundmi, katastrofat ndikojnë edhe në cilësinë e arsimit, pasi forma të reja mësimi mund të kërkohen në kushtet e një katastrofe dhe pamundësia për t’i realizuar ato cenon standardin mësimor.

Situata aktuale pandemike e shkaktuar nga Coronavirus-i i ri ka krijuar një sërë problematikash të tjera në sektor. Shkollat në një pjesë të madhe të botës janë mbyllur dhe mësimdhënia në distancë është kthyer në alternativën e vetme për të përmbyllur detyrimet e vitit shkollor. Janë duke u eksperimentuar mënyra të ndryshme për ta realizuar atë. Stafi mësimor dhe studentët janë angazhuar në zhvillimin e arsimit përmes platformave të ndryshme online. Por në fakt, jo të gjithë anëtarët e stafeve akademike janë të kënaqur me klasat virtuale. Është vënë re një ndarje e dukshme midis anëtarëve të stafit akademik që nuk kanë përdorur ndonjëherë pajisje audio-vizuale ose programe multimediale dhe anëtarëve më të rinj të stafit mësimdhënës që ndjehen më të sigurt në përdorimin e teknologjisë. Sidoqoftë, mësimi në internet është një proces që kërkon kohë dhe trajnim për përgatitje dhe aftësim edhe për ata që janë më të familjarizuar me teknologjinë. Për më tepër, stafet akademike janë duke u vetë-trajnuar për ta arritur këtë, dhe kjo paraqet vështirësi dhe sfida më vete. Leksionet duhet të përshtaten, si dhe detyrat e shtëpisë dhe projektet e kursit duhet të përputhen me mënyrën e re të komunikimit ndërmjet studentëve. Studentët gjithashtu përballen me një sërë problemesh nga kurset online. Mësimi në internet nënkupton angazhime sipas një kalendari të ri mësimor, llojeve të reja të projekteve të kursit dhe mënyrës së re të komunikimit me bashkëmoshatarët e tyre dhe lektorët. Për më tepër studentët mund të humbasin ndjenjën e të qenit pjesë e grupit, i cili në jetën reale inkurajon konkurrencën dhe motivimin.

Pavarësisht kërcënimeve nga katastrofat, sektori i arsimit në vetvete përfshin edhe shumë kapacitete adaptuese. Institucionet e Arsimit të Lartë janë vendi ku formohen udhëheqësit e së ardhmes. Prandaj, mënyra sesi realizohet ky formim, duke përfshirë përmbajtjen e lëndëve, metodologjinë e mësimit, dhe ofertën për programe të ndryshme edukimi, ndikon tërthorazi në përgjigjën e sistemit arsimor ndaj katastrofave. Për më tepër, shkollat dhe institucionet arsimore ndikojnë në përforcimin e kapaciteteve adaptuese përmes politikave të gjelbërta që promovojnë qëndrueshmërinë nëpërmjet ndërtimit, projektimit dhe mirëmbajtjes së objekteve arsimore, duke zvogëluar në këtë mënyrë gjurmët e tyre ekologjike. Tashmë është provuar që sistemi arsimor ka potencialin të ndikojë në çështjet kryesore me rëndësi globale, prandaj është e rëndësishme që roli i tij të mos anashkalohet.

Sfidat e Edukimit të Qëndrueshëm në Shqipëri

Megjithëse roli i arsimit në adresimin e sfidave të katastrofave po njihet gjithnjë e më shumë, aftësia e arsimit për të kontribuar në sfidat që lindin nga katastrofat duhet ende të depërtojë më gjerësisht në zhvillimin e të menduarit. Kjo është veçanërisht e domosdoshme për rajonin e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë.

Ndërsa sektori i arsimit në Bashkimin Europian po kontribuon gjithnjë e më shumë në sfidat e krijuara nga katastrofat, në vendet e Ballkanit ka ende punë për t’u bërë në këtë drejtim. Vendet e rajonit ofrojnë pak programe në fushën e menaxhimit të riskut nga katastrofat. Shumica e këtyre programeve ofrohen nga universitete politeknike, pavarësisht se fusha paraqet shumë problematika ndërdisiplinore, të cilat kërkojnë domosdoshmërisht bashkëpunim ndërmjet disa fakulteteve. Gjithashtu, programet që ekzistojnë janë kryesisht të përfshira në ciklin master, ndërsa programet e ciklit të parë të studimit universitar kanë tendencë të jenë më tradicionale përsa i përket përmbajtjes dhe përqendrimit.

Popullsia shqiptare ka një përvojë të hidhur nga katastrofat natyrore dhe njerëzore që ka përjetuar. Efekti i tyre ka qenë me të vërtetë shkatërrues për popullsinë, ekonominë shqiptare dhe zhvillimin e vendit (BB, 2014). Vitet 2019-2020, veçanërisht, do të mbahen mend gjatë si vitet e katastrofave më të rënda ndër dekada që ka përjetuar vendi. Tërmetet e shtatorit 2019 dhe nëntorit 2019 krijuan probleme serioze ekonomike, sociale dhe politike, ndërkohë që situata aktuale pandemike mbart krahas problemeve të brendshme, edhe sfidat e importuara nga një planet i tërë në recension. Sistemi arsimor gjithashtu është goditur rendë nga këto fatkeqësi.

Tërmeti i nëntor 2019, përveç pasojave tragjike që solli me vete shkaktoi mjaft dëme në infrastrukturën arsimore. Konkretisht, vlerësimet e mëposhtme janë përfshirë në Raportin e Vlerësimit të nevojave të realizuar nga Bashkimi Europian, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara dhe Banka Botërore:

  • 321 institucione arsimore u prekën nga tërmeti, që përfaqësojnë 24% të të gjitha institucioneve arsimore,
  • Tirana dhe Durrësi kanë pjesën më të madhe të dëmeve, përkatësisht 55% dhe 21%,
  • Humbjet e sektorit të arsimit janë- 8.76 milion EUR (7.5% e të gjitha dëmeve),
  • Rimëkëmbja e sektorit të arsimit do të kushtojë rreth 95 milion EUR ose gati 9% të kostos totale të rimëkëmbjes.

Vlerësime nga Federata Ndërkombëtare e Shoqërive të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) përcaktojnë gjithashtu se pavarësisht planeve të kontigjencës të aktivizuara pas tërmetit, metodologjia, niveli dhe qëllimi i tyre ishin të pamjaftueshme për të adresuar situatën. Të gjitha këto fakte, shifra dhe zhvillime flasin për mungesën e strategjisë dhe përgatitjes për përballimin e ngjarjeve të kësaj natyre, dhe pjesërisht kjo vjen si pasojë e mangësive në sektorin e edukimit.

Deri në vitin 2018, në Shqipëri nuk kishte programe universitare (as në nivelin master dhe as në ciklin e parë universitar) të përqendruara në menaxhimin e riskut të katastrofave në Shqipëri. Të vetmet programe që adresonin pjesërisht problemin ishin programet në fushën e Inxhinierisë së Mjedisit dhe Inxhinierisë së Tërmeteve. Ndërkohë, përmbajtja e programeve master në Menaxhimin e Riskut në BE është e larmishme, me më shumë se 107 programe të edukimit në fushën e menaxhimit të riskut nga katastrofat.

Në vitin 2018, në kuadër të një projekti të financuar nga Komuniteti Europian i titulluar Knowledge for a resilient Society (K-Force), u krijuan në Shqipëri 2 programe të reja studimi në nivelin master, një në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës dhe një në Universitetin Epoka. Këto programe adresojnë në një masë të gjerë edhe disiplina (kurse, lëndë) në fushën e menaxhimit të riskut të katastrofave dhe konsiderohen si përpjekja e parë e konsoliduar e sektorit arsimor për t’iu përgjigjur sfidave dhe kërkesave të fushës së Menaxhimit të Riskut nga Katastrofat (MRK).

Nevojat për arsim ndërdisiplinor në fushën e Menaxhimit të Riskut nga Katastrofat janë evidentuar edhe nga ekspertët që kanë kohë që punojnë në këtë fushë. Intervista të shumta janë zhvilluar në kuadër të një studimi të tregut të punës në periudhën Mars-Prill 2017, të cilat kanë dëshmuar se zhvillimi i programeve, lëndëve, dhe kërkimeve në fushën e MRK tashmë është domosdoshmëri.

Përveç vëzhgimit të tregut, një sondazh i Kulturës mbi Sigurinë u krye nga Projektit K-FORCE me qëllim për të zbuluar se sa të sigurt dhe të përgatitur për fatkeqësitë natyrore ndjehen të rinjtë në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe sa të gatshëm janë ata për të studiuar në fushën e riskut nga katastrofat. Në këtë studim morën pjesë 1364 pjesëmarrës. Shumica e pjesëmarrësve të anketuar ishin nga Shqipëria - 486, ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina - 469 dhe Serbia - 396 pjesëmarrës. Ky studim zbuloi gatishmërinë midis shumicës së të anketuarve për t'u përfshirë në kurse që lidhen me MRK. Rezultatet tregojnë se ekziston një potencial për të krijuar dhe shfrytëzuar kapitalin njerëzor dhe për të përmirësuar kulturën e sigurisë në vitet e ardhshme në mënyrë që të mundësohet një përgjigje e duhur ndaj sfidave me të cilat do të përballet rajoni në këtë fushë.

Krahas përpjekjeve në drejtim të përmbajtjes së programeve të studimit, një aspekt tjetër që kërkon vëmendje të veçantë është metodologjia e mësimit. Edukimi që adreson katastrofat ka nevojë për një qasje tjetër ndaj mësimdhënies. Mësimdhënia në këtë fushë përfshin natyrën ndërdisiplinore të problemeve në fjalë. Zakonisht, lektorët e përfshirë në këtë lloj mësimdhënieje duhet të punojnë jashtë fushave të tyre të ekspertizës. Ata duhet të sjellin përmbajtje dhe metodologji të reja në procesin e mësimdhënies, në mënyrë që të inkurajojnë të menduarit kritik dhe një qasje për zgjidhjen e problemeve nga studentët.

Për më tepër, në situata të veçanta, edhe mënyra e mësimit duhet të përshtatet me problemet dhe kërkesat e situatës. Problemet e shkaktuara nga situata pandemike aktuale janë dëshmi për këtë. Mësimi në distancë dhe mësimi online kanë paraqitur vështirësi dhe probleme të shumta për aktorët e përfshirë në këtë proces. Ndërsa shumë vende kanë përvojë në këtë drejtim, sistemi i arsimit të lartë në Shqipëri u gjend plotësisht i papërgatitur. Sfidat e krijuara po trajtohen hap pas hapi, shpesh në mënyrë autodidakte dhe rastësore, për shkak të pamundësisë për ndërtimin dhe zbatimin në një afat kaq të shkurtër të një strategjie, që duhej të ishte hartuar prej kohësh,

Përfundime dhe rekomandime

Në Shqipëri, trajtimi i riskut nga katastrofat dhe menaxhimi i katastrofave duhet të trajtohen si çështje parësore, veçanërisht në dritën e tërmetit të rëndë të vitit 2019. Ky tërmet dëshmoi mungesën e kulturës së sigurisë në shoqëri në përgjithësi dhe në veçanti nevojën për profesionistë, ekspertë, kompetentë për të operuar në fazat e parandalimit, reagimit dhe rikuperimit të ngjarjeve të katastrofave dhe zgjidhjen e problemeve ndërdisiplinore në fushën e Menaxhimit të Riskut të katastrofave. Më shumë vëmendje duhet t'i kushtohet ngritjes së vetëdijes së gjeneratës së ardhshme për të fituar njohuri në fushën e Menaxhimit të Riskut nga Katastrofat si një mjet që do të sigurojë bazën për ndërtimin e një shoqërie rezistente.

Përveç zhvillimeve dhe ngritjes së kapaciteteve në fushën e arsimit të lartë, studiuesit e fushës kanë vlerësuar se rreziqet nga katastrofat që mund të ndodhin në të ardhmen duhet domosdoshmërisht të përfshihen në planet ekonomike kombëtare dhe planet e reagimit të shpëtimit të vendit. Realiteti ka vërtetuar se zhvillimi ekonomik ndikohet nga katastrofat. Në rrethana të tilla, është domethënëse të ndërtohen kapacitete me njohuri ndërdisiplinore dhe bashkëpunim mes fakultetesh, të afta të krijojnë plane financiare të qëndrueshme për përgatitjen dhe marrjen e masave parandaluese ndaj katastrofave, sipas burimeve të ekonomisë kombëtare dhe rajonale.

Për të adresuar këto sfida dhe për t’i hapur rrugë qëndrueshmërisë në sistemin e arsimit të lartë, bashkëpunimi dhe ndihma ndërkombëtare është thelbësore. Përvoja e vendeve të BE-së në këtë fushë, mund të jetë shtytje në arritjen e qëllimeve të qëndrueshmërisë për arsimin e lartë në rajonin e Ballkanit. Projektet e përbashkëta, bashkëpunimi mes institucioneve të arsimit të lartë nga BE dhe Ballkani, si edhe nxitja e bashkëpunimit dhe rrjetëzimit brenda rajonit dhe më gjerë, adresojnë synimet e integrimit të secilit vend dhe i shërbejnë nevojave të veprimit të përbashkët dhe të integruar për kontributin në fushën e Menaxhimit të Riskut nga katastrofat.

Elona Pojani dhe Perseta Grabova, maj 2020

*Dr. Elona Pojani është pedagoge në Universitetin e Tiranës që prej vitit 2008. Në vitin 2014, ka mbrojtur disertacionin e saj për marrjen e gradës “Doktor” në Universitetin e Tiranës me temë vlerësimin e mjedisit në zonat e mbrojtura në Shqipëri. Dr. Pojani është konsulente për ekonominë e mjedisit në Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) që prej vitit 2010.

*Dr. Perseta Grabova është lektore në Departamentin e Financës, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës që prej vitit 2008, dhe jep lëndë kryesisht në fushën e Menaxhimit të Riskut, Menaxhimit të riskut të katastrofave natyrore dhe Financave Personale. Në vitin 2013 ajo mbrojti Doktoraturën në Universitetin e Tiranën në fushën e Sjelljes Financiare.

 

 

Referenca:

Inter-ministerial Committee for Civil Emergencies “Albania Post-Disaster Needs Assessment”, Volume A Report / Tirana, Shkurt 2020.

International Federation of Red Cross and Red Crescent Societies “Emergency Plan of Action (EPoA) Albania: Earthquake”, Nëntor 2019

World Bank. 2014. Albania - Disaster Risk Mitigation and Adaptation Project (English). Washington, DC : World Bank Group. http://documents.worldbank.org/curated/en/313781468193510916/Albania-Disaster-Risk-Mitigation-and-Adaptation-Project

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk