Akti mjedisor që përçau “Kopshtin”: Reflektime nga rrugëtimi për “jetë a vdekje” i Ligjit Europian për Restaurimin e Natyrës

Akti mjedisor që përçau “Kopshtin”: Reflektime nga rrugëtimi për “jetë a vdekje” i Ligjit Europian për Restaurimin e Natyrës

“Këtu shtrihet tragjedia. Çdo njeri është i ngërthyer në një sistem që e detyron të rrisë zotërimin e tij pa limit – në një botë që është e limituar. Shkatërrimi është destinacioni drejt të cilit të gjithë njerëzit rendin, secili në përndjekje të interesave të tij vetjake në një shoqëri që beson në lirinë e së përbashkëtës.” (Hardin 1968, f. 1,244)” ― Elinor Ostrom, “Qeverisja e së Përbashkëtës: Evolucioni i Institucioneve për Veprim Kolektiv”


Ndryshe nga përjetimet e dikurshme të Remarque-ut, sot nga fronti perëndimor ka gjithnjë të reja. Javët e fundit në Bashkimin Europian kanë shenjuar procese historike të rregullimit të përdorimit të Inteligjencës Artificiale, hapje negociatash dhe shtete të reja kandidate për anëtarësim nga Europa Lindore dhe Kaukazi, si dhe progres në axhendën e integrimit gradual të Ballkanit Perëndimor, mes të tjerash. Ndërkohë, në një tjetër linjë urgjence, teksa kontinenti i mbijetoi një vere me nxehtësi rrezikshmërisht të paprecedentë, të gjitha këto zhvillime në zgjerim, realpolitikë dhe dinamizëm dixhital kanë zbehur vëmendjen nga rrugëtimi i trazuar i Unionit për të qenë kontinenti i parë neutral klimatikisht në 2050. Trajtesa tenton të eksplorojë navigimin procedural dhe politik për jetë a vdekje të Ligjit të BE-së për Restaurimin e Natyrës përgjatë muajve të fundit, si ilustrim i përpiktë i vështirësisë së prioritizimit të këtij vizioni në agorën mbarë-europiane që lundron mes prioritetesh të tjera dhe përçarjes politike.[1]

 

Sfondi

Në të gjithë territorin e BE-së, përkeqësimi i pashembullt i gjendjes së mjedisit dhe shkatërrimit të ekosistemeve po shndërrohet në standard. Rreth 81% e habitateve të vlerësuara nën Direktivën e BE-së për Habitatet figurojnë në gjendje të keqe ose të dobët konservimi (EEA, 2020). Për këtë arsye, Ligji Europian për Restaurimin e Natyrës, i prezantuar me entuziazëm për herë të parë nga Komisioni Europian në vitin 2022, është nisma e parë madhore që synon ripërtëritjen e ekosistemeve të degraduara në territorin e BE-së dhe parandalimin e humbjes së mëtejshme të

biodiversitetit në shkallë kaq të gjerë. Akti përbën kështu një gur qendror shahu dhe parashikimet e tij janë një kusht sine qua non për efikasitetin e Marrëveshjes së Gjelbër Europiane të vitit 2019. Pas më tepër sesa një viti qarkullimi në tryeza debatesh dhe lobimi në prapaskenat e Brukselit e deri në momentin e miratimit të tij fillestar në Parlamentin Europian më 12 korrik 2023, është eufemizëm të thuhet se projektligji i përçau ashpër qarqet zyrtare dhe jo-zyrtare europiane.

Mbijetesa e vështirë, pas rrëzimit në 3 Komitetet kyçe (LIFE, 2023)[2],u arrit me vetëm 336 vota pro ndaj 300 votave kundër dhe 13 abstenimeve, çka garantoi që të paktën përmbajtja dhe miratimi i ligjit të mos kushtëzoheshin nën një Parlament dhe Komision të ri, pas zgjedhjeve europiane të 2024. Ndërkohë, lajme të mira erdhën më 9 nëntor 2023, kur trilogu ndërinstitucional (Komision-Parlament-Këshill) u finalizua me sukses pas negociatash të gjata mes PE-së dhe Këshillit, duke i mundësuar BE-së tashmë një bazë të fortë për të vijuar axhendën e synuar nga Unioni të udhëheqjes mjedisore në nivel global.

 

Një ligj si asnjë tjetër

Varianti i dakordësuar në nëntor shkaktoi reagimin e organizatave që punojnë prej vitesh në drejtim të konservimit natyror dhe të drejtave mjedisore të cilët shprehën zhgënjimin dhe revoltën për “tretjen” e parashikimeve të miratuara në krahasim me propozimin origjinal të Komisionit (WWF EU, 2023). Megjithëkëtë, synimet e projektligjit mbeten të admirueshme. Parashikimet e tij mbështeten në mësimet e marra nga zbatimi defektoz i Direktivave të natyrës (mbi Zogjtë dhe Habitatet), të cilat fatkeqësisht ende nuk kanë gjeneruar mjaftueshëm veprim për të frenuar humbjet në ekosistem dhe biodiversitet (Network Nature, 2022).

Me objektivin për të parandaluar degradimin e mëtejshëm të specieve dhe habitateve që kanë qenë të mbrojtura më parë, projektligji detyron rigjenerimin pa vonesë të paktën të 20% të sipërfaqes tokësore dhe detare të BE-së deri në 2030, si dhe të gjitha ekosistemeve që kanë nevojë për restaurim deri në 2050.

Paralelisht, parashikimet për restaurimin e ekosistemeve urbane vendosin detyrim mbi Shtetet Anëtare për të rritur sipërfaqen totale kombëtare të hapësirave të gjelbra urbane me të paktën 3% deri në 2040 dhe të paktën 5% deri në 2050. Po ashtu, projektligji përcakton se masat e restaurimit nuk do të kufizohen vetëm në zonat e Natura 2000[3],por do të aplikohen edhe jashtë zonave të mbrojtura (Paulus, 2023), duke rikonfirmuar se rreziqet natyrore nuk njohin kufij dhe as përpjekjet për të shpëtuar ekosistemet e rrezikuara. Të gjitha këto parashikime – mes shumë të tjerash - e bëjnë projektligjin nismën më të madhe të kësaj shkalle në nivel Unioni dhe më ambiciozen për rikuperimin e biodiversitetit dhe natyrës së dëmtuar.

 

Politika e frikës dhe dikotomia e një krize

Diskursi publik dhe ai prapa dyerve mbi ligjin prodhuan një skizmë absolute mes forcave politike të Unionit dhe brenda tyre njëherësh, duke testuar dakordësinë e supozuar europiane mbi urgjencën klimatike. Manipulimi në votim përmes presionit të brendshëm politik në forcat konservatore, si dhe disinformimi publik ishin akuzat kyçe të të majtëve për qëndrimin e konservatorëve. Teksa forcat e majta ishin shtytëset kryesore të këtij legjislacioni të ri, kundërshtimet kryesore erdhën nga sektori pyjor, fermerët dhe peshkatarët, në emër të të cilëve EPP dhe ECR/Konservatorët dhe Reformistët Europianë e interpretuan ligjin si prioritizim të natyrës përpara nevojave shoqërore (O’ Reilly, 2023). Kundërshtitë e tyre bazoheshin kryesisht në (a) frikën për sigurinë ushqimore për shkak të pakësimit të tokës bujqësore, (b) frikën për rritjen potenciale të varësisë së BE-së nga importi i produkteve, si dhe (c) frikën për rritjen e qëndrimeve populiste në BE, veçanërisht në komunitetet e fermerëve dhe peshkatarëve.

Lufta në Ukrainë ka mundësuar për këtë kah të lavjerrësit politik europian një argument të fortë mbi rëndësinë që ka siguria ushqimore për Unionin dhe vëmendjen që duhet të marrë investimi i shtuar në këtë sektor. Megjithatë, këto qëndrime të grupit konservator meritojnë të lexohen me skepticizëm, veçanërisht duke ditur peshën historike të lobit agrikulturor në qarqet e Brukselit. Njëherësh, deklarata si ajo më e fundit e Partisë së Fermerëve Holandezë (BBB) për t’u bashkuar me EPP në koalicion për zgjedhjet europiane të 2024 (EURACTIV, 2023) dhe vizioni i saj për të kërkuar që Holandës t’i njihet një rezervë përjashtuese nga politikat komunitare mbi mjedisin dhe migracionin në rast rihapjeje të Traktateve (EURACTIV, 2023) shtojnë edhe nuanca të tjera kritike mbi qëndrimin e konservatorëve europianë ndaj lëvizjeve populiste. Ç’është më e rëndësishmja, ato vënë në diskutim serioz dashamirësinë e së djathtës europiane për prioritizimin e çështjeve të gjelbra.

Edhe matanë mbizotëron frika, por e një tjetër lloji: frika për humbjen e parikuperueshme të ekosistemeve dhe biodiversitetit, pa të cilat rrezikohet seriozisht edhe siguria e shumëpërfolur ushqimore. Rreth 1.200.000 firma nga qytetarë dhe nga përfaqësues të mbi 100 organizatave të të gjithë sektorëve, përfshirë korporata të mëdha si Nestlé, Iberdrola dhe Spar (EU Observer, 2023), si dhe autoritetet fetare, shprehën përkrahjen e tyre në qershor 2023 për vijimin e kushtëzimeve mjedisore ndaj Politikës së Përbashkët Bujqësore në BE (Corporate Europe Observatory, 2023). Edhe një letër e nënshkruar nga 3339 shkencëtarë si një shprehje e mirëfilltë e shqetësimit për sulmet ndaj Marrëveshjes së Gjelbër dhe Ligjit për Restaurimin e Natyrës shtroi akuza për keqinformim të publikut dhe për luftë ndaj shkencës e fakteve. Letra ofroi më tej ekspertizë shkencore që adresonte shqetësimet për rreziqet që mund t’i kanoseshin sigurisë ushqimore dhe tregut të punës nga projektligji, duke qetësuar opinionin publik[4].

Në këtë mision përgënjeshtrimesh u angazhuan disa herë edhe mediat, me rastin më të famshëm kur Grupi EPP ngriti zyrtarisht alarmin në fushatën e rrjeteve sociale se nën parashikimet e reja, Rovaniemi, qyteti finlandez i Babagjyshit do të zhdukej nga harta dhe Babagjyshi do të mbetej pa shtëpi (Raymond, 2023). Kjo rriti qartësisht vizibilitetin e së djathtës mbi çështjen, por njëherësh, edhe kritikat, duke e polarizuar qëndrimin popullor ndaj EPP-së. Edhe njëherë, mjedisi u rikonfirmua si fushëbetejë ideologjike, me disa që e identifikuan këtë valë kundërshtimesh si një frymë të re“Trampizmi europian”, që ndërthur qëndrime kundër politikave të gjelbra, emigrantëve dhe feminizmit njëherësh (Plesea, 2023). Dukshëm, axhenda klimatike e BE-së është më e politizuar se kurrë më parë.

 

Quo vadis, BE?

Rreziku euroskeptik: BE ndodhet përballë zgjedhjeve vendimtare të qershorit 2024. Përfshirja në debat e Presidentes së Parlamentit Roberta Metsola ia atribuoi rritjen meteorike të euroskepticizmit pikërisht ritmit intensiv të rregullimeve mjedisore në Union (Financial Times, 2023). Duke bërë thirrje që politikat mjedisore të ndërmarra nga Unioni të mos tejkalojnë peshën që votuesit europianë janë të gatshëm të mbajnë mbi supe, dhe duke e quajtur edhe rrëzimin e mundshëm të projektligjit si një ushtrim demokracie (Financial Times, 2023), vetiu u la të kuptohet se rreziku i euroskepticizmit mund shumë shpejt ta detyrojë Unionin të tolerojë politika të deritanishme që kanë rezultuar të dëmshme mbi ekosistemet eiropiane, e gjitha nën emrin e demokracisë.

Lind kështu natyrshëm pyetja 1-milion dollarëshe mbi të ardhmen e fatit të përbashkët të europianëve: a është realisht i mundur sensibilizimi masiv dhe zbatimi i një axhende sakrifice kolektive për të menaxhuar pasojat e gjithçkaje që gëzojmë sot në kurriz të mjedisit? Kjo dilemë demokracie i përball edhe njëherë ligjbërësit europianë me detyrën e vështirë për të përkthyer në vota nevojën për jetë a vdekje për transformimin rrënjësor të të gjitha sistemeve tona të jetesës së përditshme nën rrezikun klimatik.

Ende në mungesë të kandidaturave zyrtare për kryesimin e Komisionit, mbetet për t'u parë sesi këto vizione të ndryshme mbi restaurimin e natyrës dhe veprimin klimatik në përgjithësi do të reflektohen në rezultatet e zgjedhjeve. Megjithatë, ndërkohë që erërat populiste fryjnë në Kontinentin e Vjetër, fatkeqësisht politikat klimatike vijojnë të mbeten dëm kolateral i përplasjes së ideologjive më të konsoliduara politike, të cilat ende nuk janë dakordësuar mbi urgjencën globale të veprimit klimatik; ndaj mund të themi me siguri se cilido të jetë rezultati, ai do të ndikojë fort në vijimin e axhendës mjedisore të Unionit dhe për rrjedhojë, gjendjen e ekosistemeve në kontinent

BE-ja si aktor global: E gjykuar në një tablo më të madhe, eliminimi i rreziqeve ekzistenciale për ligjin – i cili pret miratimin final – i jep absolutisht një moment frymëmarrjeje udhëheqësisë mjedisore të BE-së, e cila ka rezultuar tejet sfiduese teksa formësohet një rend i ri botëror multipolar. Akti i Reduktimit të Inflacionit nga Presidenca Biden në qershor 2022, si një paketë unikale tërheqëse që subsidiarizon nismat e energjisë së gjelbër, ka filluar pashmangshmërisht të formësojë tregtinë e gjelbër ndërkombëtarisht, dhe vonimi i çdo pjesëze të legjislacionit të gjelbër nga BE-ja vë në rrezik pozitën e saj konkurruese dhe lidershipin e saj klimatik në të ardhmen (ECFR, 2023).

Po aq rëndësishëm, Unioni nuk e ka luksin e ndasive të brendshme politike sa i takon implementimit të Marrëveshjes së Gjelbër, e cila gjendet nën presion të jashtëm ekstrem për akuza neo-kolonializmi ndaj Jugut Global dhe injorimi të kontributit të Europës në ngrohjen globale (Almeida et al., 2023). Kështu, për aq kohë sa tensionet e brendshme nuk adresojnë këto akuza të jashtme që cenojnë pozitën e Unionit si aktor i besueshëm global, është jetike që BE të sheshojë sa më shpejt përçarjet politike dhe të shfaqet si një zë i vetëm ndërkombëtarisht në axhendën klimatike.

Thënë kjo, në përfundim të kësaj trajtese, zhvillimet e fundit në BE mbi miratimin e Ligjit për Restaurimin e Natyrës hedhin qartësisht dritë mbi pozicionin e cenueshëm që ka veprimi mjedisor në listën e prioriteteve të BE-së. Pavarësisht dinamizmit rregullator në çështjet mjedisore, Unioni është ende shumë larg së mesmes së artë mes ambicies së vet dhe gatishmërisë së qytetarëve për t’i dhënë kësaj ambicieje dritën jeshile. Në këto kushte, axhenda europiane për veprimin klimatik mbetet e brishtë nga përplasjet e ndasive ideologjike dhe nga frika e zhvillimeve politike që mund të zhbëjnë progresin e deritanishëm në mbrojtjen e ekosistemeve dhe biodiversitetit. Teksa Ligji për Restaurimin e Natyrës i shpëtoi rrezikut dhe pret miratimin final mes dhjetëra prioritetesh, Unioni duhet ende të bindë se është një aktor i zëshëm dhe autoritar – brenda dhe jashtë - në adresimin e urgjencës së veprimit klimatik dhe përmbushjen e vizionit të lidershipit mjedisor, përtej deklaratave politike.

 

Silvana Rusi, mars 2024

 

 

*Silvana Rusi shërben si Këshilltare e Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsion në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, duke shfrytëzuar ekspertizën e saj në shtetin e së drejtës dhe mirëqeverisjen, çështjet europiane, Ballkanin Perëndimor dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ajo ka njohuri akademike mbi Bashkimin Europian dhe Legjislacionin e BE, dhe ka përfunduar studimet në Kolegjin e Europës në Natolin. E përkushtuar në realizimin e ndërmarrjen e reformave të qëndrueshme në administratën publike të Shqipërisë dhe në promovimin e integritetit në qeverisje.



Bibliografia

Bounds, Andy. “Climate Regulation Is Driving Support for Populism, Says EU Parliament Chief.” Financial Times, September 7, 2023. https://www.ft.com/content/16f30328-8031-4486-b0bf- 2a934e6e8b1b.

Denisson, Susie, and Mats Engström. “Ends of the Earth: How EU Climate Action Can Weather the Coming Election Storm.” European Council on Foreign Relations, September 28, 2023. https://ecfr.eu/publication/ends-of-the-earth-how-eu-climate-action-can-weather-the-comingelection-storm/.

“EU Civil Society Urges Von Der Leyen: Green Deal Must Secure a Sustainable Future for next Generations, Biodiversity and Farmers.” Corporate Europe Observatory, June 12, 2023. https://corporateeurope.org/en/2023/06/eu-civil-society-urges-von-der-leyen-green-deal-mustsecure-sustainable-future-next.

Financial Times. “EU Parliament Chief Wades into Environmental Law Debacle,” June 2023. https://www.ft.com/content/72330322-485e-422b-9833-31dc7cd70b8a.

Griera, Max. “Dutch Farmers’ Party to Join EPP Group after EU Elections.” EURACTIV (blog), December 15, 2023. https://www.euractiv.com/section/elections/news/dutch-farmers-party-tojoin-epp-group-after-eu-elections/.

O’ Reilly, Thomas. “EPP Unity Falters Under Pressure As Nature Restoration Law Passes.” The European Conservative (blog), July 12, 2023. https://europeanconservative.com/articles/news/epp-unity-falters-under-pressure-as-naturerestoration-law-passes/.

Paulus, Jutta. “Nature Restoration Law Adopted in Trilogue, but Still a Long Way to Go,” November 10, 2023. https://www.euractiv.com/section/biodiversity/opinion/nature-restorationlaw-adopted-in-trialogue-but-still-a-long-way-to-go/.

Plesea, Ioana. “‘It’s European Trumpism’: EU Nature Restoration Law Fails Again in Committee Vote.” The Brussels Times, June 27, 2023. https://www.brusselstimes.com/574717/its-europeantrumpism-eu-nature-restoration-law-fails-again-in-committee-vote.

“Policy Brief - The Proposed EU Nature Restoration Law: What Role for Cities and Regions?” Network Nature, 2022.

Raymond, Shane. “FactCheck: Will the EU Nature Restoration Law Turn Lapland’s Capital into a Forest?” The Journal (blog), July 9, 2023. https://www.thejournal.ie/nature-restoration-lawforest-rovaniemi-lapland-santa-finland-6112418-Jul2023/.

Sánchez Nciolás`, Elena. “Big Businesses Back EU Nature Restoration Law, after EPP Attack.” EU Observer, June 12, 2023. https://euobserver.com/green-economy/157133.

“Scientists Support the EU’s Green Deal and Reject the Unjustified Argumentation against the Sustainable Use Regulation and the Nature Restoration Law,” June 13, 2023. https://www.linkedin.com/signup/coldjoin?session_redirect=https%3A%2F%2Fwww%2Elinkedin%2Ecom%2Ffeed%2Fhashtag%2F %3Fkeywords%3Dmisinformation%26highlightedUpdateUrns%3Durn%253Ali%253Aactivity %253A7074618822036451328&trk=login_reg_redirect.

Stöckl, Benedikt. “Dutch Farmer Party Demands Opt-out for EU Nature, Migration Policy.” EURACTIV (blog), September 11, 2023. https://www.euractiv.com/section/politics/news/dutchfarmer-party-demands-opt-out-for-eu-nature-migration-policy/.

Vela Almeida, Diana, Vijay Kolinjivadi, Tomaso Ferrando, and Roy Brototi. “The ‘Greening’ of Empire: The European Green Deal as the EU First Agenda.” Political Geography 105 (July 7, 2023). https://doi.org/10.1016/j.polgeo.2023.102925.

WWF. “Nature Restoration Law One Step Closer to Becoming Reality – but with Loopholes,” November 9, 2023. https://www.wwf.eu/?12188966/Nature-Restoration-Law-one-step-closer-tobecoming-reality--but-with-loopholes.



[1]Termi nuk ka një lidhje direkte me axhendën mjedisore të Bashkimit Europian, por është përzgjedhur stilistikisht si një mënyrë referimi e Unionit, nën fjalët e Zv. Presidentit të Komisionit Europian, z. Josep Borrell. Përgjatë një eventi në Kolegjin e Europës, Brugge, shefi i diplomacisë europiane iu referua Europës si një “kopsht” i rrezikuar nga pushtimi prej pjesës tjetër të botës që është, në fjalët e tij, “një xhungël”. Z. Borrell i hodhi poshtë akuzat për eurokolonializëm, por termi interpretohet ende sot në përqasje të BE-së si një Eden shembullor ku asgjë nuk shkon keq, një pikëpamje kjo e kundërshtuar nga shumë kritikë të BE-së brenda dhe jashtë saj. Dilemat jetike të Unionit për veprimin klimatik janë një shembull i qartë i këtij tensioni këndvështrimesh.

[2]Komiteti për Peshkimin (PECH), Komiteti për Mjedisin, Shëndetin Publik dhe Sigurinë Ushqimore (ENVI) dhe Komiteti për Agrikulturën dhe Zhvillimin Rural (AGRI) e refuzuan projekt-aktin. Refuzimi nga Komiteti ENVI shënoi rastin e parë të mosvotimit nga ky Komitet të një akti “të gjelbër”; për më shumë shih “Nature in the Balance: EU’s Nature Restoration Bill Hangs by a Thread,” Low Impact Fishers of Europe, June 2023, https://lifeplatform.eu/naturein-the-balance-eus-nature-restoration-bill-hangs-by-a-thread/.

[3]Natura 2000 është një rrjet i zonave të mbrojtura natyrore në territorin e Bashkimit Europian, krijuar më 1992.

[4]Për më shumë, shih: “Scientists Support the EU’s Green Deal and Reject the Unjustified Argumentation against the Sustainable Use Regulation and the Nature Restoration Law,” June 13, 2023. https://www.linkedin.com/signup/coldjoin?session_redirect=https%3A%2F%2Fwww%2Elinkedin%2Ecom%2Ffeed%2Fhashtag%2F%3Fkeywords%3D misinformation%26highlightedUpdateUrns%3Durn%253Ali%253Aactivity%253A7074618822036451328&trk=log in_reg_redirect.

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk