Futbolli, Shqipëria, Integrimi Europian dhe EURO2024

Futbolli, Shqipëria, Integrimi Europian dhe EURO2024

Sociologjia e sportit (Soziologie des Sports, Risse H.) është një nëndisiplinë e sociologjisë, e cila rreket të shpjegojë ndikimin e sportit në shoqëri dhe në socializim. Sociologët e sportit hulumtojnë mbi efektin socializues të sportit, lidhjen ndërmjet identitetit kombëtar dhe sportit, globalizimin e sportit, migrimin për arsye sportive etj. Pjesëmarrja në veprimtari sportive sjell përfitime të shumta sociale, sporti të disiplinon, të mëson mbi punën në grup, lidershipin, empatinë dhe cilësi të tjera pozitive. Ndërkaq, sporti nxjerr në pah dhe elemente të identitetit kombëtar, si një instrument politik, por dhe kulturor, ai krijon një imazh specifik për një shtet të caktuar, si p.sh. cricket që shihet si sporti i Anglisë, apo taekwondo në Korenë e Jugut. Në ceremonitë apo ndeshjet sportive, përveç himneve kombëtare, performohen dhe kërcime tradicionale, si Haka nga kombëtarja e Zelandës së Re, ku kryesimin e merr një lojtar i fisit Maori, nga ku e ka origjinën dhe vallja. Pra, siç shihet, nëpërmjet sportit, celebrohet diversiteti e njëkohësisht pranimi i këtij diversiteti.

Komiteti Olimpik Europian, në një studim të fundit në bashkëpunim me Komisionin Europian, ka nxjerrë këto rezultate në lidhje me rolin e sportit në ekonomi: PBB i BE-së që shpenzohet për sportin është 2.12 %, me vlerë € 279.7 miliardë euro, ndërsa punësimi në sektorin e sportit përfshin 2.72% të punësimit në total të BE-së, me rreth 6 milionë persona, që në praktikë rezulton se, sporti gjeneron më shumë të ardhura se sa ato që shpenzohen për të. Rezultatet e këtij studimi theksojnë rolin makroekonomik të sportit në BE, si dhe potencialin e lartë për punësim. Në këtë mënyrë, shoqatat sportive mund t'i kërkojnë financim sektorit shtetëror apo privat, mbi bazën e përfitimit të mundshëm dypalësh.

Në Shqipëri, sporti më popullor është futbolli. Federata Shqiptare e Futbollit është themeluar në vitin 1930 dhe  prej 93 vitesh është organi drejtues i këtij sporti në Shqipëri. Në vendin tonë, futbolli ka filluar të luhet që përpara pavarësisë, me fillesat e veta në qytetin e Shkodrës, si nismë e misionarëve të huaj në këtë qytet. Gjatë periudhës së komunizmit, Shqipëria ka qenë organizatorja e Kupës së Ballkanit dhe një nga vendet themeluese të UEFA-s, organit drejtues europian të futbollit. Aktualisht, sipas të dhënave të siguruara nga faqja zyrtare e Ministrisë së Arsimit (viti 2021), në Shqipëri luajnë 217 ekipe futbolli, zhvillohen 2 517 veprimtari kombëtare, 6 veprimtari ndërkombëtare, luajnë 4 786 sportistë të të dyja gjinive (të regjistruar), si dhe janë 908 trajnerë dhe 269 arbitra. Po për vitin 2021, në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, në statut thuhet shprehimisht se financimi i federatës bëhet nga kuotat e anëtarëve, tregtimi i të drejtave të FSHF-së, donacione nga FIFA dhe UEFA, donacione të tjera etj.

UEFA prej vitesh mbështet FSHF-në, në misionin e saj për modernizimin e fushave dhe minifushave në Shqipëri, stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, “Ymer Zeqiri” në Kukës dhe ndërtimin e Arenës Kombëtare. Duke marrë shkas nga faktet e mësipërme, ngjan e udhës të arrish në përfundimin se integrimi në BE do të sillte vetëm efekte pozitive, megjithatë kjo gjë nuk do mund të vinte pa arritjen e rezultateve të larta sportive. Së pari, pjesëmarrja në kompeticione europiane (Champions League, Europa League, EURO2024) do të gjeneronte të ardhura për klubet shqiptare dhe kombëtaren. Rritja e të ardhurave nënkupton më shumë financime për projekte, punësim dhe mirëqenie. Së dyti, shtimi i sukseseve rrit interesin e sektorit privat dhe dëshirës/shprehjes së interesit për sponsorizim, ekipet europiane mbështeten gjithnjë nga biznese të rëndësishme. Së treti, integrimi në Bashkimin Europian (i cili vjen në një moment ku stabiliteti ekonomik dhe politik ekziston prej një kohe të gjatë), rrit akoma dhe më, mundësitë që qytetarët shqiptarë të bashkëpunojnë me të ngjashmit e tyre në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, siç u përmend më sipër, integrimi nuk mund të vijë pa u plotësuar disa kushte të vendosura nga autoritetet europiane.

Një sprovë politiko-sportive, e cila ndodhi në vitin 2014 në kuadër të Kualifikueseve të Europianit 2016, me përplasjen midis përfaqësueses sonë dhe asaj serbe, ishte tregues i klimës ende të tensionuar në rajon dhe se pajtimi në Ballkan ishte ende larg. Duke iu rikthyer aktualitetit, kualifikueset për Europianin 2024 në Gjermani, vunë Shqipërinë në një grup me Çekinë, Poloninë, Moldavinë dhe Ishujt Faroe. Deri në përfundim të eliminatoreve, Shqipëria ishte në krye të renditjes në grup, duke siguruar kështu kualifikimin në EURO2024. Kualifikimi në këtë kompeticion i siguron futbollit shqiptar 9 milionë euro, duke shtuar këtu dhe pagesa për 'huazimin' e lojtarëve nga klubet përkatëse shqiptare, për pjesëmarrjen në këtë kompeticion.

Për këtë edicion, në total shpërblimi i dhënë nga UEFA do të jetë më i lartë se për EURO 2020, me rreth 140 milionë euro për të gjitha përfaqësueset. Për çdo ndeshje të fituar gjatë kompeticionit në Gjermani, do të ketë 1.5 milion Euro shtesë dhe 700 000 Euro në rast barazimi. Ndërkaq, kalimi i fazës së grupeve do të shpërblehet me 2 milionë euro.

Përfitimet ekonomike të këtij kualifikimi janë të mëdha dhe futbolli në vendin tonë do t’i ndiejë ato, pasi këto shuma pritet të përdoret për mjete ndihmuese dhe zhvillimin e mëtejshëm të futbollit në Shqipëri.

Për të kuptuar më qartë qëndrimin e shqiptarëve kundrejt kombëtares, integrimit europian dhe  marrëdhënies me fqinjët, iu drejtova një anketimi online, ku individë të profileve të  ndryshme iu përgjigjën pyetjeve me interpretime të shumta  në lidhje me futbollin dhe politikën, të tilla si: ndjekja e futbollit nga të anketuarit, nëse ata do ta ndjekin EURO2024 për pasion apo vetëm nëse kualifikohet Shqipëria, dëshirës për anëtarësim në BE dhe ndikimin e sportit në integrimin europian dhe rritjen e bashkëpunimit rajonal. Rezultatet përfundimtare të këtij anketimi tregojnë se nga 100 të anketuar,  78% e tyre ndjekin futbollin, ku kombëtarja mbizotëron me 50% të interesit të shikueshmërisë. Nga ky numër, 56% e përgjigjeve janë dhënë nga femra dhe 44% nga meshkuj, kryesisht të moshës 25-35 vjeç. Ndërkaq, vetëm 50% e tyre shkon në stadium për të ndjekur ndeshje të ndryshme. Pyetjes a do ta ndiqni EURO2024, të anketuarit u përgjigjën 72% po, 24% vetëm nëse kualifikohet Shqipëria dhe 4% nuk do ta ndjekin. Ky rezultat tregon se dhe ata që nuk e ndjekin futbollin, për hir të kualifikimit të kombëtares sonë, do ta ndjekin këtë europian. Suksesi i Shqipërisë në futboll vlerësohet mesatarisht me notën 5, megjithatë përballë vendeve të rajonit, shihet si më e suksesshme edhe se Kroacia, 26% kundrejt 23% të anketuesve. Në vijim, pothuajse 90% e të anketuarve dëshirojnë që Shqipëria të jetë pjesë e BE, por në lidhje me vendet e rajonit kjo vlerë është më e ulët, pasi 94% dëshirojnë fqinjët të jenë pjesë. Vlen të përmendet që Serbia mbetet vendi më i papëlqyer në rajon, sidomos pas ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës, ku të anketuarit janë shprehur pro të gjithë vendeve të rajonit, përveç Serbisë. Në përmbyllje, 66% e të anketuarve mendojnë se sporti ndikon pozitivisht në integrimin në BE dhe bashkëpunimin rajonal, si një mënyrë për t'i treguar Europës që Shqipëria nuk është vetëm krim, korrupsion dhe varfëri, por dhe një vend me kulturë sportive, ambicie dhe dëshirë për stabilitet në rajon.

Kompeticioni që do të zhvillohet në verën e 2024 në Gjermani do të jetë një event kyç, ku shqiptarët do të kenë mundësi të shpalosin elemente të kulturës sonë, etikës, bashkëpunimit, miqësisë dhe zbatimit të rregullave. Rreth 1.2 milionë bileta do të jenë në shitje në total për të ndjekur të gjitha ndeshjet e europianit dhe për çdo ndeshje që do të luajnë, për tifozët shqiptarë do të jenë dhënë minimalisht 10 000 bileta, që do të thotë 30 000 ambasadorë të Shqipërisë në Europë, pa llogaritur ndeshjet si tifozë neutralë.

Nuk na mbetet gjë tjetër vetëm t’i urojmë suksese Kombëtares Shqiptare dhe tifozët shqiptarë të kontribuojnë në ngritjen e imazhit të Shqipërisë në Europë!

Ilenia Kaso, dhjetor 2023

*Ilenia është diplomuar në Shkenca Politike dhe Msc. në Studime Politike Rajonale në Fakultetin e Shkencave Sociale. Gjatë viteve të studimit ajo është angazhuar në aktivitete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit (trajnime, konferenca, workshops) me fokus të rinjtë, të drejtat e tyre, demokracinë, komunikimin dhe aspekte psikologjike si inteligjenca emocionale dhe lidershipi. Prej 5 vitesh ka qenë e punësuar në administratë në sektorin e shërbimeve, komunikimit dhe së fundi të sigurisë. Në kohën e lirë Ilenia angazhohet në zhvillimin e sportit në vend dhe ndikimin e tij për një stil të shëndetshëm jetese kryesisht për të rinjtë.

 

Referenca:

·      https://www.britannica.com/sports/sports/Sociology-of-sports

·      https://www.euoffice.eurolympic.org/neë-study-economic-impact-sport-released-europea n-commission/

·      Vjetari statistikor për Arsimin dhe Sportin 2020-2021, Ministria e Arsimit dhe Sportit

·      https://fshf.org/wp-content/uploads/2020/12/Statuti_FSHF_.pdf EURO2024 club benefits programme approved (uefa.com)

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk