Europa po shkon drejt ekstremit të djathtë

Europa po shkon drejt ekstremit të djathtë

Austria

Norbert Hofer i Partisë nacionale dhe anti-emigrim Liria, doli si garues kryesor në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Austri, në fund të muajit prill 2016, duke fituar 35,1% të votave. Në raundin e dytë të majit, ai mori 49,7% të votave, duke humbur kështu me një rezultat shumë të afërt me profesorin 72 vjeçar të ekonomisë dhe ish-lider të Partisë së Gjelbër, Alexander Van der Bellen.
Megjithatë, Gjykata e Lartë e Austrisë vendosi për përsëritjen e zgjedhjeve, kështu që zoti Hofer ka një tjetër shans për t’u bërë politikani i parë i ekstremit të djathtë në Europë që zgjidhet kryetar shteti që pas Luftës së Dytë Botërore. Zoti Hofer bëri fushatë për përforcimin e kufijve dhe ushtrisë së vendit, limitimin e përfitimeve për emigrantët dhe favorizimin e austriakëve në tregun e punës. Partia e ekstremit të djathtë, motoja e të cilës është “Austria e para”, mban 40 vende nga 183 në Këshillin Kombëtar.

Polonia

Partia e krahut të djathtë e Polonisë, Ligj dhe Drejtësi, u kthye në qeverisje, pasi fitoi 39% të votave kombëtare në zgjedhjet parlamentare të vitit 2015. Partia është themeluar në vitin 2001 nga Lech Kaczynski dhe binjaku i tij identik Jaroslaw. Partia Ligj dhe Drejtësi u fuqizua fillimisht në vitin 2005. Lech u bë president dhe eventualisht Jaroslaw, kryeministër. Në vitin 2010, Lech Kaczynski dhe shumica e lidershipit më të lartë të Polonisë ndërruan jetë në një aksident ajror, teksa avioni po ulej në një aeroport në afërsi të Smolensk, në Rusi. Jaroslaw Kaczynski, i cili nuk ndodhej në avion, tashmë udhëheq partinë.

Hungaria

Viktor Orban dhe partia e tij e djathtë Fidesz, të cilët garojnë në një listë të përbashkët me K.D.N.P., një parti Kristian-Demokrate, kanë fituar dy zgjedhjet e fundit parlamentare në Hungari, duke shqetësuar shumë liderë perëndimorë me sundimin e tij gjithnjë e më autoritar. Partia po ashtu fitoi bindshëm në votimin për Parlamentin Europian në maj 2014. Jobbik, një parti e ekstremit të djathtë, kundra emigrimit, populiste dhe proteksioniste e ekonomisë, fitoi 20% të votave në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, duke e bërë partinë e tretë më të madhe në Hungari. Platforma e saj politike përfshin mbajtjen e një referendumi për anëtarësinë në Bashkimin Europian dhe një thirrje për “të ndaluar heshtjen në çështje të tilla tabu”. Jobbik do të rrisë shpenzimet e qeverisë për etninë hungareze që jeton jashtë vendit dhe të krijojë një ministri të re dedikuar mbështetjes së tyre. Në një projekt-ligj drejtuar homoseksualëve, partia propozoi kriminalizimin e promovimit të “devijimit seksual” me burgim deri në tetë vjet. Në fund të prillit, lideri i partisë Gabor Vona tha se Jobbik do të heqë gjysmën e bordit të saj udhëheqës; disa analistë e panë këtë lëvizje si një përpjekje për të spastruar elementet më ekstremiste të partisë përpara se të ofrojë të bëhet partia qeverisëse e Hungarisë në vitin 2018.

Suedia

Partia e ekstremit të djathtë Demokratët Suedezë, e cila ka mohuar rrënjët e saj në lëvizjen e supremacisë së të bardhëve, fitoi rreth 13% të votave në zgjedhjet e shtatorit 2014, gjë që i dha 49 nga 349 vende në Parlament. Pasi asnjë nga partitë kryesore nuk donte të formonte koalicion me Demokratët Suedezë, që drejtohet nga Jimmie Akesson, vendi qeveriset nga një koalicion i dobët i pakicave i Social-Demokratëve dhe Partisë së Gjelbër. Platforma e Demokratëve Suedezë bën thirrje për kufizimin e thellë të emigracionit, kundërshton lejimin e Turqisë për t'iu bashkuar Bashkimit Europian dhe kërkon një referendum për anëtarësinë në Bashkimin Europian.

Greqia

Themeluar në vitin 1980, partia neo-fashiste Agimi i Artë, u vendos në vëmendjen ndërkombëtare në vitin 2012, kur hyri në Parlamentin grek për herë të parë, me 18 vende. Rezultatet e zgjedhjeve erdhën prej efekteve të mëdha negative të krizës së borxheve dhe masave shtrënguese të vendit. Partia, të cilën komisioneri i Këshillit Europian për të drejtat e njeriut e përshkroi në vitin 2013 si “neo-fashiste dhe të dhunshme”, ka pikëpamje ekestreme ndaj emigrantëve, favorizon një marrëveshje për mbrojtjen me Rusinë dhe ka thënë se euro “rezultoi të ishte shkatërrimi ynë”. Në shtator 2013, autoritetet greke arrestuan me dhjetëra zyrtarë të lartë të Agmit të Artë, përfshirë anëtarë të Parlamentit si dhe liderin e partisë, Nikos Michaloliakos, i cili u akuzua për formimin e një organizate kriminale. Agimi i Artë, që fitoi përsëri 18 vende në zgjedhjet parlamentare të shtatorit, mbajti kryesisht një qëndrim të heshtur kur filloi kriza e migrimit në Greqi, por në javët e fundit anëtarët e saj kanë marshuar në disa zona ku ndodhen kampet e emigrantëve. Liderët e partive, pasi u liruan nga paraburgimi teksa gjykimi i tyre vazhdon, janë shprehur se Agimi i Artë po planifikon protesta të shumta në vend, kundër “islamizimit të Greqisë”.

Franca

Fronti Nacional është një parti nacionaliste që përdor retorikën populiste për të promovuar pozicionet e veta anti-emigrim dhe anti-BE. Partia favorizon politkat proteksioniste të ekonomisë dhe do të marrë masa të ashpra ndaj përfitimeve qeveritare për emigrantët, përfshirë kujdesin shëndetësor dhe do të reduktojë në mënyrë drastike numrin e emigrantëve të lejuar në Francë. Partia është themeluar në vitin 1972; themeluesit dhe simpatizuesit e saj përfshinin ish-bashkëpunëtorë nazistë dhe anëtarë të regjimit kolaboracionist Vichy të kohës së luftës. Fronti Nacional tashmë udhëhiqet nga Marine Le Pen, e cila pasoi të atin, Jean-Marie Le Pen, në vitin 2011. Ajo është përpjekur të zbusë imazhin e partisë, pasi Zoti Le Pen ka përdorur haptazi një gjuhë anti-semitike dhe raciste dhe është përballur me ndjekje të përsëritur mbi akuza për mohimin e Holokaustit dhe nxitje të urrejtjes racore. Në raundin e parë të votimeve për zgjedhjet lokale në Dhjetor, Fronti Nacional fitoi pluralitetin e votave kombëtare (27%), por në raundin e dytë partisë iu mohua fitorja në të 13 rajonet. Znjsh. Le Pen pritet të jetë kandidatja e partisë së saj në zgjedhjet presidenciale të vitit 2017 dhe t’ia dalë deri tek raundi i dytë i votimeve.

Gjermania

Partia e ekstremit të djathtë Alternativë për Gjermaninë, e cila nisi tre vjet më parë si lëvizje protestuese ndaj monedhës euro, fitoi në mars 25% të votave në zgjedhjet për shtetin, duke sfiduar kështu politikat gjermane të shtyra nga konsensusi. Partia nuk mori dot asnjë vend në Parlament në vitin 2013, ku për pak e humbi pragun prej 5%, por tani po votohet në 10% deri në 12% dhe pritet të jetë partia e parë e djathtë që hyn në Parlament që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore. Mbështetja për këtë parti u rrit ndjeshëm pas sulmeve seksuale të mbrëmjes së Vitit të Ri në Kolonje. Partia “tërhoqi votues të cilët ishin anti-krijim, amti-liberalizim, anti-europian, anti-gjithçkaje që konsiderohet normë,” shprehet Sylke Tempel i Këshillit Gjerman mbi Marrëdhëniet me Jashtë. Frauke Petry, liderja e partisë së ekstremit të djathtë Alternativë për Gjermaninë, ka thënë se rojeve kufitare mund t’u duhet t’u drejtojnë armët kujtdo që kalon ilegalisht kufirin. Platforma poltike e partisë e miratuar rishtazi thotë se “islami nuk e ka vendin në Gjermani” dhe bën thirrje për të ndaluar ndërtimin e xhamive.
                                                                                                                   New York Times, nëntor 2016

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk