Drama Greke që tronditi Europën

Drama Greke që tronditi Europën

“Betohem se do të mbështes Kushtetutën dhe ligjet dhe do t’u shërbejnë interesave të popullit grek”. Ky ishte në thelb betimi politik i kryeministrit më të ri në moshë në historinë e Greqisë. Ai vizitoi në shenjë respekti kryepeshkopin Jeronimos ku e njoftoi se nuk do të ishte i pranishëm në betimin e qeverisë së re, pasi sipas deklaratave të tij këkon të jetë një kryeministër politik dhe jo fetar. Kreu i SYRIZA-s theu kështu një zakon të vjetër në shtetin helen, ku Kisha Ortodokse ka një rol shumë më të madh.

Qeveria e re Tsipras duket se nuk po gjen miratimin e tregut grek të kapitaleve. Ditën e martë Bursa e Athinës humbi 6% të vlerës, ndërkohë që edhe një ditë më parë humbja u llogarit në masën 5%. Aksionet e bankave më të mëdha janë ato, që kanë pësuar goditjen më të rëndë, me humbje deri në 20 përqind të vlerave të titujve të tyre përkatës. Ndërkohë, edhe letrat me vlerë të qeverisë kanë përjetuar presion, me rritjen e kostos së borxhit të brendshëm. Kështu, norma e interesit për obligacionet me afat 10-vjeçar maturimi ka arritur në 9.21 për qind në vit. Thelbi i këtij reagimi mbetet vështirësia e qeverisë greke për të dalë nga kriza, ndërkohë që Eurogrupi ka theksuar qendrimin e vet të prerë se Athina duhet të përmbushë detyrimet e veta ndaj borxhit publik. Trojka duhet të jepte 7 miliardë euro ndihma në fund të shkurtit, por mund ta refuzojë, në rast se qeveria Tsipras do të mbajë qendrimin e premtuar në elektorat për të mos paguar një pjesë të detyrimeve e për të mos zbatuar shkurtimet buxhetore e sociale të kërkuara nga ndërkombëtarët.


Si u arrit marrëveshja e koalicionit ndërmjet dy partive të spektrave të ndryshme?

Pas zgjedhjeve të treta në më pak se tre vjet, grekët vendosën të ndryshonin peizashin politik, ekonomik dhe social që ka ndryshuar aq shumë sa është pothuajse shpërfytyruar që nga koha e krizës së borxheve e cila e çoi vendin meshetar drejt kreditorëve të huaj në vitin 2010. Rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Greqi, ashtu siç pritej bazuar edhe prej sondazheve të ditëve të fundit, sollën fitoren historike të koalicionit të së majtës radikale SYRIZA. Por pavarësisht triumfit të thellë të kësaj force politike, nuk arriti të siguronte shumicën absolute prej të paktën 151 deputetë nga 300 që ka gjithsej parlamenti grek. Në këto kushte Tsipras u detyrua të hyjë në bisedime me forca të tjera politike për formimin e një koalicioni qeverisës që do ta qeverisë vendin në 4 vitet e ardhshme. Si rezultat i këtyre bisedimeve u arrit marrëveshja ndërmjet SYRIZA-s dhe partisë ANEL (Grekët e Pavarur), për formimin e qeverisë së re greke, e cila do të ketë një shumicë prej 162 votash (149 deputetë SYRIZA dhe ANEL 13 deputetë), me kryeministër Aleksis Tsipras, qëllimi i të cilit ishte përfundimi sa më shpejt i kriijimit të qeverisë së re në mënyrë që puna e qeverisë të marrë rrugë sa më shpejt. Në këto zgjedhje qytetarët grekë, jo vetëm që shprehën vullnetin e tyre nëpërmjet ushtrimit të së drejtës së votës, por nga ana tjetër duket se i dërguan edhe një mesazh të qartë Europës lidhur me planin e masave shtrënguese të vendosura nga Brukseli dhe Berlini që vendi i tyre u detyrua të pranojë gjatë këtyre pesë viteve. Pra rezultatet e zgjedhjeve greke mund të cilësohen edhe si një lloj referendumi ndaj këtyre masave shtrënguese, të cilat shkaktuan mjaft vuajtje dhe tensione sociale në vend, të cilat Tsipras i cilësoi si një poshtërim kombëtar që me fitoren e tij i ka ardhur fundi tashmë.

Ndikimi i rezultateve elektorale greke në tregjet ndërkombëtare

Fitorja e SYRIZA-s ka shkaktuar një tërmet të vërtetë, jo vetëm përsa i përket zhvillimeve të brendshme në skenën politike greke, por edhe jashtë saj kryesisht në Europë dhe gjithashtu në tregjet financiare botërore, duke rritur frikën mbi të ardhmen e Greqisë në Eurozonë. Investitorët po i ndjekin me mjaft vëmendje zhvillimet e brendshme politike në Greqi, pasi partia fituese e këtyre zgjedhjeve është një koalicion i gjerë ku përfshihen fraksione të cilat besojnë se Greqia duhet të largohet nga eurozona. Nëse realizohet ky skenar do të përbënte një precedent për vende të tjera dhe sidomos do të inkurajonte edhe partitë e tjera radikale në rajon. Sipas analistëve, fitorja e radikalëve të majtë ka shkaktuar një pasiguri të tillë sa të vihet në pikëpyetje vullneti i Greqisë për të negociuar një marrëveshje për zgjatjen e afateve të plotësimit të kushteve të pagimit të borxhit ndaj kreditorëve të saj (BQE, FMN dhe BE), e ashtuquajtura Trojka, të cilët vendosën masa të ashpra në shkurtimet buxhetore dhe ristrukturime për kthimin e borxhit masiv, dhe presin sinjalet që do të marrin nga qeveria e re. Megjithatë fitorja e Tsipras nuk pati atë efekt aq katastrofik siç parashikohej dhe se rreziku i një largimi të mundshëm të Greqisë nga eurozona tashmë i përket së kaluarës.
Kështu menjëherë sapo dolën rezultatet e para monedha e përbashkët europiane euro shënoi nivelin më të ulët në 11 vitet e fundit kundrejt dollarit dhe Yenit por që një ditë më pas për habinë e të gjithëve shënoi një rritje prej 0.4%. Por euro pësoi edhe një tjetër goditje pas vendimit të Bankës Qëndrore Europiane për injektimin e një trillion eurosh si stimul për rritjen ekonomike si edhe për të shmangur deflacionin. Nga ana tjetër kjo mund ta ndihmojë Greqinë duke rritur investimet publike dhe ekziston mundësia që BQE mund të blejë bonet greke por vetë nëse do të respektojë angazhimet e marra. Jehona e fitores së SYRIZA-s pati ndikimin e saj edhe në tregjet përtej oqeanit si ato aziatike ku monedhat aziatike pësuan rënie (Nikkei pësoi një rënie prej 0.6% ndërsa Hang Sengu i Hong Kongut me 0.3%, Shangai me me 0.1%, kurse Filipinet dhe Indonezia me një fraksion poshtë 1%) kurse ato amerikane ranë me 0.6%, kurse tregjet në Australi ishin të mbyllura për shkak të një feste kombëtare. Pra trauma e fitores së SYRIZA-s ishte më tepër një zhurmë mediatike sesa një frikë te investitorët.

Europa përshëndet qeverinë e re greke

Ministrat e Ekonomisë dhe të Financave të vendeve të eurozonës, të cilët u mblodhën në Bruksel, diskutuan për dosjen greke në një tryezë të Eurogrupit, të drejtuar nga presidenti i saj, Jeroen Dijsselbloem, presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi si dhe kreu i Bashkimin Europian Jean Claude Juncker. Gjatë këtij samiti u diskutua rreth efekteve të mundshme që mund të kenë ngjarjet politike në Greqi për fatin e eurozonës dhe u vendos shtyrja e ndihmës për Greqinë deri në shtator, duke respektuar në këtë mënyrë votimet dhe fitoren e SYRIZA-s në Greqi. Por Dijsselbloem u shpreh se vështirë se borxhi mund të reduktohet deri në anullimin e tij pasi Greqia, duke qenë se është pjesë e eurozonës, ka marrë tashmë angazhimet e saj para kreditorëve ndërkombëtarë. Megjithatë çdo paqartësi pritet të marrë fund nga takimi që do të ketë qeveria e re greke me përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare.

Presidenti i Komisionit Europian Jean Claude Juncker i ka dërguar një letër kryeministrit të ri të Greqisë, Aleksis Tsipras duke e uruar për fitoren e tij, ndërsa ka shprehur vullnetin për ta mbështetur në realizimin e objektivave.“Dua t’ju uroj në emrin tim personal dhe të BE-së për fitoren. Rritja ekonomike dhe vendet e punës janë një sfidë e Bashkimit Europian. Ne jemi të gatshëm të mbështesim Greqinë për këto objektiva. Mezi po pres të punoj me ju.” thuhet ndër të tjera në letër. Kreu i Parlamentit Europian Martin Schulz pritet të takohet me kryeministrin e ri grek në Athinë për të vijuar me negociatat dhe për të kuptuar se çfarë kërkon ai konkretisht.

Ndërkohë nga ana tjetër kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde ka deklaruar se rregullat e Eurozonës duhen respektuar dhe se reformat strukturore do të bëhen. Kuse nga ana tjetër gjatë një bisede telefonike ku u shpreh se Franca do të jetë pranë Greqisë në këtë periudhë të rëndësishme për të ardhmen e saj që ajo t’i kthehet stabilitetit dhe rritjes ekonomike, Presidenti Francois Hollande e ftoi Tsipras për një vizitë në Paris.

Edhe Berlini ka reaguar nëpërmjet zëdhënësit të kancelares Angela Merkel, i cili ndër të tjera u shpreh se qeveria gjermane do të ofrojë për qeverinë e re greke gjithë bashkëpunimin e nevojshëm, por duke theksuar sërish se marrëveshjet duhen të respektohen. Gjithashtu sipas zëdhënësit të Ministrisë së Financave të Gjermanisë, ekziston mundësia që të zgjatet afati i skadencave lidhur me programet e shpëtimit.

Kryeministri i Britanisë së Madhe David Cameron u shpreh se zgjedhjet në Greqi do të rrisin pasigurinë ekonomike në Europë dhe është kjo arsyeja se përse Britania duhet të qëndrojë me planin e saj, duke rritur sigurinë në shtëpinë e britanikëve. Kurse Marine Le Pen, liderja e partisë eskstremiste franceze Fronti Nacional, e quajti fitoren e SYRIZA-s si një shuplakë për BE-në.
Në vijim të urimeve për fitoren e zgjedhjeve të përgjithshme, Tsipras ka marrë së fundmi edhe përshëndetjet e kryeministrit itlian Matteo Renzi, ku ky i fundit ka përgëzuar Tsipras për fitoren por ka shtuar se një kontinet i tërë po ndjek nga afër zhvillimet në Greqi.

Kurse konservatorët në Parlamentin Europian kërkuan respektimin e masave të kursimit dhe zbatimin e reformave për të cilat është angazhuar Greqia. "Europa është në solidaritet me Greqinë në qoftë se respektohen marrëveshjet e nënshkruara", tha kryetari i grupit parlamentar të Partive Popullore Europiane (EPP), Manfred Weber (CSU), të dielën në mbrëmje në Bruksel. EPP është grupi më i madh politik në Parlamentin Europian. Taksapaguesit europianë, nuk janë sipas mendimit të Manfred Weber-it të gatshëm për të paguar për premtimet zgjedhore të shefit të Syrizas Aleksis Tsipras.

Përplasja SYRIZA – BE

Prej shumë muajsh Athina është kthyer në Mekën e antiglobalistëve kundër gjithçkaje mbi të cilën është ndërtuar jo vetëm Bashkimi Europian por krejt vlerat e tregut të lira. Fakti që fitorja e SYRIZA-s përveç grekëve të zhgënjyer nga kriza u festua edhe prej qindra vetëve të tjerë prej vendeve të tjera europiane dhe të botës, tregon qartë se sfida e Aleksis Tsipras kundër Brukselit është basti i përbashkët i të majtës ekstreme kudo në botë. 

Që nga viti 2010 dhe deri tani sipas llogarive Greqia ka një borxh prej 240 bilionë eurosh për të shlyer. Pamundësia për t’i shlyer e kanë detyruar vendin ballkanik të ndëmarrë një sërë masash shkurtimesh dhe rritje taksash, por që edhe pas këtyre masave vendi nuk mundi t’i shpëtojë dot prej një reçesioni të thellë pavarësisht përmirësimeve të vitit të kaluar. SYRIZA e ka bërë të qartë gjatë deklarimeve publike se nuk do që Greqia të dale as nga BE dhe as nga eurozona por vetëm të negociojë kushte të reja për borxhin ekzistues, por një gjë e tillë kundërshtohet prej institucioneve europiane, të cilat kanë deklaruar se cilado qeveri që do të dalë prej zgjedhjeve duhet t’i përmbahet angazhimeve të marra prej saj. Në fakt duket se tani pas zgjedhjeve dhe menjëherë pas formimit të qeverisë së re ndërmjet të dyja palëve do të ketë një lojë nervash ku secila do të presë të përfitojë sapo të shohë një moment dobësie, aq më tepër për të evituar një përplasje të mundshme. Qeveria e re do të duhet të përballet me një situatë të vështirë, kjo nisur edhe prej faktit që vendet kreditore kanë ngrirë 8.8 bilionë dollarë (5.9 bilionë euro) hua disbursimesh ndërsa qeveria e kaluar ka arritur një shumë prej 17.4 bilionë dollarë për shitjen e bonove sipas programit të BE-së. Nisur nga kjo, qeveria e re e SYRIZA-s do t’i duhet të mbështetet prej taksave por të ardhurat prej taksave kapin shifra të ulëta në një kohë kur qytetarët po presin tëshohin nëse do të ketë një reduktim të taksave. Kjo do të thotë që Greqia mund të ketë para deri në fund të shkurtit për të paguar nënpunësit e shtetit e pensionet dhe të paguajnë një pjesë të borxhit.

Teorikisht një parti radikale si SYRIZA është në një pozitë shumë më të mirë për të ndëmarrë reformat strukturore, duke qenë se nuk përfaqësojnë establishmentin politik dhe ekonomik. Nga ana tjetër edhe pritshmëritë për qeverisjen e re nuk janë dhe aq të mëdha duke qenë se vota e popullit grek ishte më shumë një rebelim ndaj politikave shtrënguese të imponuar prej Brukselit dhe Berlinit. Nuk përjashtohet mundësia e arritjes së një kompromisi mdis Greqisë dhe BE-së, por nga ana tjetër krerët e BE-së mbajnë të gjitha kartat nën mëngë duke ia imponuar vullnetin e tyre qeverisë së re, në rast se do të ketë një mungesë parash në bankat greke, pa marrë parasysh se për cilin kanë votuar grekët.

Duhet thënë se një përplasje e mundshme me BE-në, i frikëson grekët, për vuajtjet e pësuara prej tyre për pesë vjet, i shtynë të votonin në këtë mënyrë. Por gjithashtu grekët i frikëson edhe fakti se prioriteti për Gjermaninë dhe vendet e Europës Veriore është vazhdimësia e politikës së ashpër me Greqinë, për t’i dërguar një mesazh të qartë qeverive të Spanjës, Francës dhe të Italisë, që të vazhdojnë t’i qëndrojnë kësaj linje të ashpërsisë së masave shtrënguese. Lideri i Syrizas Alexis Tsipras deklaroi se dëshiron të negociojë dhe jo të konfrontohet, me liderët ndërkombëtare të Greqisë. Tsipras tha se “Qeveria e re e Greqisë do të jetë e gatshme të bashkëpunojë dhe negociojë për herë të parë me kolegët, për përfitime të dyanshme dhe zgjidhje praktike.”

                                                                                                                               Stafi i ES, janar 2015

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk