Iohannis, mësues fizike me profesion dhe kryetar i komunës së Sibiu që nga viti 2000, i përket një pakice të vogël etnike gjermane në Transilvani, e cila u vendos aty në shekullin e 12-të dhe numëronte më shumë se 700.000 persona para Luftës së Dytë Botërore. Klaus Iohannis iu bashkua festës në sheshin e Universitetit të Bukureshtit ku u shpreh se ishte i lumtur për rezultatin shumë të mirë dhe falenderoi popullin për votimet në numër aq të madh, veçanërisht rumunët jashtë vendit të cilëve iu është dashur të rrinë në radhë për orë të tëra para ambasadave në mënyrë që të hedhnin votat e tyre. Gjithashtu ai iu bëri thirrje për "vigjilencë maksimale" vëzhguesve zgjedhorë që mbikqyrin numërimin përfundimtar dhe tha se do të jetë nën tension derisa rezultati të vërtetohet në fund nga Gjykata Kushtetuese.
Rumania është një nga shtetet më të korruptuara të BE-së, diçka që Z. Iohannis i qendrës së djathtë ka premtuar se do ta trajtojë si prioritare. Përveç trajtimit të korrupsionit, në fushatën e tij zgjedhore ai ka premtuar të forcojë pavarësinë e sistemit gjyqësor. Në prag të zgjedhjeve presidenciale, Iohannis bëri fushatë si një pro-europian i cili do të bënte Rumaninë "një vend normal," në sajë të ruajtjes së sundimit të ligjit si dhe të një kursi pro-perëndimor në politikën e jashtme. Si një politikan i qendrës së djathtë të përkatësisë etnike gjermane, Iohannis ka gjithashtu gjasa të bëhet një aleat i kancelares gjermane Angela Merkel.
Pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, zoti Ponta, kryeministri ruman u shpreh se nuk ka asnjë arsye që ai të japë dorëheqjen. Ai kishte shpresuar të bëhej presidenti më i ri i vendit, duke zëvendësuar presidentin në detyrë Traian Bashesku, i cili nuk mund të rizgjidhet pasi ka shërbyer në dy mandate. Në moshën 42-vjeçare, Ponta ka pasur një rritje të madhe të karrierës si prokuror dhe si një përkrahës i ish-Kryeministrit Adrian Nastase, i dënuar për korrupsion. Është provuar gjithashtu se ka bërë plagjiaturë tezën e doktoraturës. Në televizionin Antena3, Ponta është shprehur se: "Unë nuk u bëra kryeministër vetë, u zgjodha nga njerëzit, nga forcat politike kështu që në qoftë se në një pikë, jo tani - në një apo dy vite- këto forca do të kërkojnë dorëheqjen time, nuk do të hezitoj të heq dorë. Por kjo nuk ka ndodhur dhe unë nuk mendoj se kemi nevojë për këtë gjë tani. Jemi një vend demokratik. Njerëzit kanë gjithmonë të drejtë.” Z. Ponta kishte premtuar se do të reduktonte deficitin buxhetor, rriste pensionet dhe pagën minimale. Si kryeministër, ai mbikqyri rritjen ekonomike dhe stabilitetin politik në Rumani, shteti i dytë më i varfër i BE-së pas Bullgarisë.
Korrespondentët thonë se rezultati i zgjedhjeve mund të jetë vendosur nga diaspora e mëdha e Rumanisë. Shumë nga katër milionë rumunë që jetojnë jashtë vendit janë shprehur se janë të zhgënjyer nga Z.Ponta. Pas raundit të parë të votimit, ka pasur protesta në qendrat e votimit në Paris, Londër, dhe qytete të tjera kur votuesve iu është dashur të presin në radhë për orë të tëra, me disa jo në gjendje për të votuar, gjë që çoi në dorëheqjen e ministrit të jashtëm. Ponta, i cili bëri një fushatë agresive, nacionaliste, i sugjeroi Rumunët të mos votojnë për dikë që nuk është i llojit të tyre, nuk është ortodoks dhe nuk ka fëmijë. Ai ka të ngjarë të qëndrojë si kryeministër, pavarësisht thirrjeve të bëra në rrugët e Bukureshtit, Cluj dhe Sibiu, ku mijëra njerëz dolën në rrugë për të festuar humbjen e tij dhe bënë thirrje për dorëheqjen e tij. Ndërkohë, presioni brenda Partisë Social-Demokrate ka të ngjarë të rritet që Ponta të japë dorëheqjen. Megjithatë ka edhe mundësi që deputetët të cilët përbëjnë shumicën në parlament t’i bashkohen aleancës së qendrës së djathtë të Iohannis.
BBC, nëntor 2014