Dialogu Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian dhe i vëzhguar nga ndërkombëtarët vazhdon të hasë pengesa në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani dhe po ashtu në marrjen e nismave për progres të mëtejshëm. Ardhja në fuqi e Lëvizjes Vetëvendosje dhe e Albin Kurtit si kryeministër u desh të afirmohej me zgjedhje të reja, të mbajtura më 14 shkurt 2021. Në procesin zgjedhor të tetorit 2020 ku ai doli fitues, formimi i qeverisë krijoi një krizë të thellë politike që u pasua me mocion të mosbesimit nga Kuvendi i Kosovës.
Aspiratat për një menaxhim të frytshëm të pandemisë dhe situata e brendshme politike në Kosovë e lanë në hije dialogun me Serbinë si në nivelin politik, ashtu edhe në atë teknik. Forcimi i shtetit ligjor demokratik dhe zhvillimi ekonomik i vendit janë pistat kryesore ku Kurti pritet të fokusohet për një qeverisje të mirë. Në deklaratat e tij, kryeministri i ri ka bërë me dije se dialogu me Serbinë nuk është në prioritetet e qeverisë
Qasja serbe ndaj kërkesave të qeverisë Kurti
Ardhja e Kurtit në pushtet është parë me skepticizëm nga pala serbe e cila e konsideron politikëbërjen e tij si radikale dhe parashtrimin e këtyre kërkesave si provokim. Qeveria serbe është përballur gjithashtu me kërkesën e Kurtit për të hapur arkivat dhe për të siguruar të dhëna për personat e humbur gjatë luftës
Qeveria Kurti në deklaratat e saj ka thënë se për sa kohë idetë për shkëmbim territoresh dhe të tjera të ngjashme nuk vihen mbi tavolinë ata janë të gatshëm të bëjnë përpjekje për të arritur një zgjidhje ligjore për një të ardhme më të mirë duke mos harruar të shkuarën.
Përfundimet e nxjerra nga vizita e presidentit Vučić në Bruksel
Presidenti i Serbisë, Vučić më 26 prill 2021 bëri një vizitë dyditore në Bruksel ku u takua me përfaqësuesit më të lartë të BE-së
Duke marrë parasysh që objektivat afatgjata për anëtarësim në BE janë incentiva më e madhe për përfshirjen e Serbisë në dialog u kërkua shtimi i përpjekjeve dhe kontributit për arritjen e rezultateve konkrete. Një nga pikat kyçe të këtij takimi ishte dhe premtimi se BE do të investojë në ndërtimin e hekurudhës që lidh Beogradin me Maqedoninë e Veriut. Kjo hekurudhë pritet të luajë një rol të rëndësishëm në tregtinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Europës e njëkohësisht të baraspeshojë ndikimin e rritur të Kinës me projekte infrastrukturore në Serbi.
Përfundimet e nxjerra nga vizita e kryeministrit Kurti në Bruksel
Kosova vazhdon të lobojë për njohjen e saj nga shtetet e tjera dhe përfshirjen në organizata të rëndësishme ndërkombëtare. Një ditë më vonë, ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që nisi takimet e tij me përfaqësuesit e BE-së në Bruksel, më 27 prill 2021, ku fokusi kryesor ishte te rifillimi i dialogut para fundit të qershorit. Përfaqësuesi i Lartë Borrell bëri me dije se ndërmjetësuesi Lajčák ka bërë një punë të paqshme dhe se Kosova duhet të tregohet e gatshme të bashkëpunojë në mënyrë që ta ketë të hapur rrugën drejt BE-së. Më tej, ai pasqyroi shkurtimisht kontributin financiar që BE i ka dhënë Kosovës për përballimin e emergjencave dhe rimëkëmbjen ekonomike. Sipas Borrell kjo dëshmon seriozitetin dhe përkushtimin që ka BE për ruajtjen e paqes në rajon dhe përkatësisht asistencën e vendeve para anëtarësimit
Një tjetër temë sensitive është përfaqësimi politik i komunave serbe në qeveri. Kryeministri i Kosovës, Kurti para zgjedhjeve pati deklaruar se duke u bazuar në Kushtetutë ministri që do të përfaqësojë serbët do të jetë nga partitë që nuk janë pjesë e Listës Serbe duke e cilësuar atë si të komanduar nga Serbia. Pas zgjedhjeve, ai u shpreh se pakicat do të gëzojnë të drejtat që u takojnë brenda shtetit të Kosovës dhe se 1 ministër i kësaj liste arriti të kryesonte Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.
Brukseli dhe ShBA vazhdojnë të bëjnë thirrje për të gjetur të mesmen e artë dhe për t’i anashkaluar ngërçet e brendshme politike që nuk lejojnë koordinimin dhe arritjen e një marrëveshjeje. Një shtet që akoma lobon për njohje si Kosova, e ka të vështirë t i shpëtojë presionit për të rishikuar prioritetet. Orientimi drejt një politike të jashtme më aktive mund të çojë në kompromise të nxituara ku përfitimet do të jenë për qeveritë e përkohshme dhe në dëm të interesave afatgjata të popullsisë.
Stafi i EuroSpeak, Endrita Shehu, prill 2021
Referencat:
Referencat:
https://www.danas.rs/politika/kurti-dijalog-sa-srbijom-nije-prioritet/
https://www.eyes-on-europe.eu/relations-between-kosovo-and-serbia/