Pesë sfida- Dështim apo sukses në marrëveshjen Turqi-BE mbi krizën e refugjatëve

Pesë sfida- Dështim apo sukses në marrëveshjen Turqi-BE mbi krizën e refugjatëve


Suksesi i marrëveshjes vihet në dyshim për shkak të disa situatave dhe konteksteve të caktuara. Sipas zyrtarëve të BE-së është vënë re që Turqia ka qenë e ngadaltë në zbatimin e disa nga termat e ripranimit dhe nuk ofron mbrojtjen e plotë të refugjatëve jo sirianë. Artikulli analizon pesë çështje të cilat do të ndikojnë në suksesin ose në dështimin e marrëveshjes BE-Turqi:

1. Siguria mbetet shqetësuese
Sulmet terroriste në Bruksel, ndikuan në vende të BE-së, si Polonia që të mbyllin menjëherë kufijtë për refugjatët. Ky veprim pritet të ndiqet dhe nga vende të tjera që do të përdorin si justifikim kërcënimin e terroristëve dhe pasigurinë që krijon pranimi i refugjatëve. Kjo do të ndikojë negativisht në procesin e rishpërndarjes së refugjatëve duke e ngadalësuar dhe duke e vënë në pikëpyetje realizimin e marrëveshjes së BE-së me Ankaranë.

2. Fluksi i emigrantëve
Nëse rrjedhja e emigrantëve vazhdon të mbetet kaq e lartë dhe në ditët në vazhdim atëherë marrëveshja mund të cilësohet e dështuar. Sipas deklaratës së përbashkët nëse numri i të kthyerve, pra sirianëve që kthehen në Turqi e kalon numrin e të pranuarve atëherë mekanizmi do të ndërpritet. Sipas marrëveshjes ky numër nuk duhet të jetë më shumë se 72 mijë sirianë. Që nga nënshkrimi nuk ka pasur ndonjë ndryshim edhe pse është herët të nxirren përfundime. E enjtja e kaluar (24 marsi) ishte dita e parë që nga kriza që asnjë emigrant nuk arriti në kufirin grek, por disa analistë shpjegojnë se ulja e valës së refugjatëve ndodhi për shkak të motit të keq. Kjo analizë dukej se ishte e saktë pasi u vu re që në ditët në vazhdim numri u rrit përsëri duke shkuar mbi 1100 refugjatë në kufirin grek në ditën e hënë (28 mars).

3. Liberalizimi i Vizave
Procesi i liberalizimit të vizave mbetet pika kryesore për shtetin turk dhe popullin e tij. Sipas marrëveshjes, liberalizimi i vizave për qytetarët turq fillon në qershor, por vetëm nëse të gjitha kushtet (72 gjithsej) janë realizuar. Deri më tani Ankaraja ka përmbushur 37 të tilla, dhe pjesa e mbetur nuk po zhvillohet më ritëm shumë të shpejtë duke e bërë pothuajse të pamundur që ato të realizohen brenda pak javëve. Nëse deri në maj Turqia nuk ka arritur ti plotësojë këto standarde atëherë marrëveshja do të jetë në rrezik.

4. Detyra ‘herkuliane’ e Greqisë
Rreth 4 mijë persona janë mobilizuar për të siguruar realizimin e marrëveshjes nga pikëpamja logjistike, ku 2 500 janë nga vendet anëtare të BE-së. Për të siguruar plotësisht marrëveshjen Greqia dhe Turqia duhet të miratojnë ndryshimet legjislative. Për Presidentin e Komisionit Europian Juncker, detyra që ka shteti grek është një ‘detyrë herkuliane’. Kthimi i sirianëve në Turqi pritet të fillojë më datë 4 prill. Është për tu parë nëse shteti grek do të arrijë ta përballojë këtë sfidë apo i gjithë procesi bashkë me marrëveshjen do të dështojë.

5. Sfidat ligjore
Shumë çështje ligjore mbeten për tu zgjidhur duke filluar me faktin që Greqia duhet ta njohë Turqinë si një vend të sigurt për të bërë të mundur kthimin mbrapsht të emigrantëve. Gjatë pritjes së miratimit të këtij ligji të ri, duke filluar që nga 20 marsi për të gjitha kërkesat e reja për azil nuk do të merret asnjë vendim pa miratimin e ligjit. Kjo ka shkaktuar që qendrat e regjistrimit të kthehen në qendra pranimi për emigrantët, dhe kjo nuk është pritur mirë nga shumë organizata humanitare të cilat kanë anulluar aktivitetin e tyre për këtë shkak. Marrëveshja është në rrezik nëse Greqia nuk e ndryshon ligjin për Turqinë.

Mbetet për tu vlerësuar si do të vazhdojë procesi i kësaj marrëveshjeje dhe se si do të ndikojë ajo në krizën e refugjatëve dhe zgjidhjen e saj në mënyrë efektive dhe të pranueshme për të gjitha palët.

                                                                                                                                 Politico, mars 2016

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk