Inteligjenca artificiale dhe të Drejtat e Njeriut

Inteligjenca artificiale dhe të Drejtat e Njeriut

***

Çfarë është inteligjenca artificiale?

Komiteti i Parlamentit Europian për Çështjet Ligjore e përcakton Inteligjencën artificiale si një robot të zgjuar që fiton autonomi përmes sensorëve ose duke shkëmbyer të dhëna me mjedisin e tij. Ai shkëmben dhe analizon të dhëna, ka një mbështetje fizike dhe përshtat sjelljet dhe veprimet e tij me mjedisin. (Parlamenti Europian, 2020) Sipas përkufizimit standard inteligjenca artificiale nënkupton një makinë, kompjuter dhe softuer, që përmban një shkallë inteligjence të atillë me inteligjencën njerëzore dhe që e lejon atë të funksionojë dhe të reagojë si njerëzit. Sistemet e inteligjencës artificiale shfaqin sjellje të ngjashme me inteligjencën njerëzore, të tilla si: planifikimi, të mësuarit, arsyetimi, zgjidhja e problemeve, përpunimi i njohurive, perceptimi, lëvizja, inteligjenca sociale dhe krijimtaria. (ZDNET 2018)

Inteligjenca artificiale dhe të drejtat e njeriut

Megjithëse teknologjia po përparon me një ritëm kaq të shpejtë, çështja e inteligjencës artificiale konsiderohet si një problem për të ardhmen e largët. Yueh Hsuan Weng i Universitetit të Pekinit shkruan se Japonia dhe Koreja e Jugut presin që ne të jetojmë në një bashkëjetesë robot - njeri duke filluar nga 2030. Për më tepër, ekspertët e inteligjencës artificiale gjithashtu parashikojnë që martesa midis njerëzve dhe robotëve do të jetë e ligjshme që prej 2050 (Business Insider 2015). Parashikimet që shohim në dokumentarë me një botë të mbushur me njerëz dhe robotë nuk janë më të largëta, prandaj inteligjenca artificiale dhe të drejtat e njeriut është një temë thelbësore për t’u trajtuar tani, me qëllim që të ardhmen të mund të bëjmë përmirësimet përkatëse të veprimeve tona, nëse është e nevojshme.

Megjithatë, çfarë ndodh kur robotët fillojnë të arsyetojnë vetë? Një shembull i kësaj çështje janë dy programe të Facebook-ut të cilat filluan të negociojnë dhe të tregtojnë disa produkte. Eksperimenti u prish kur programet filluan të flisnin një gjuhë që ishte e kuptueshme për to, por jo për njerëzit ( CNBC 2017). Në fund, Facebook-ut iu desh të mbyllte programet sepse ato po flisnin jashtë kontrollit të krijuesve të tyre origjinal. Eksperimenti në vetvete ishte në gjendje të mbyllej sepse në ditët tona inteligjenca artificiale nuk ka të drejta, por nëse ajo do të kishte , programet do të kishin dalë jashtë kontrollit dhe komunikimi do të realizohej brenda vetes pa pasur mundësi që ne ta deshifrojmë atë.

A jemi ne përgjegjës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut nga inteligjenca artificiale?

Raporti i Institutit të Inxhinierëve Elektrik dhe Elektronik, organizata më e madhe e profesionistëve teknikë, rendit si parimin e tij të parë mosshkeljen e të drejtave ndërkombëtare të njeriut nga inteligjenca artificiale. Megjithatë, disa sisteme tashmë po shkelin të drejta të tilla. Për shembull, në mars 2018, studiuesit e të drejtave të njeriut nga Kombet e Bashkuara zbuluan se Facebook dhe lajmet e tij të postuara në mënyrë algoritmike sollën si pasojë qarkullimin e gjuhës së urrejtjes dhe nxitjen e dhunës në Mianmar. (REUTERS 2018). Gjatë një seance dëgjimore të Kongresit Amerikan në prill 2018,në lidhje me këtë çështje, Zuckenberg fillimisht tha se nevojitet inteligjencë artificiale më e përparuar për të zgjidhur problemin.

Përsa i përket cenimit të të drejtave të njeriut, ajo që vihet më shumë në rrezik është dinjiteti njerëzor. Si një kornizë ndërkombëtare, Konventa Europiane e te Drejtave të Njeriut, ka për qëllim të krijojë parimet, normat dhe mekanizmat përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ajo siguron mbështetje kundrejt çdo individi, pavarësisht nga vendi ku individi ndodhet. Zbatimi i të drejtave të njeriut mund të ndihmojë në identifikimin dhe parashikimin e disa prej cenimeve më të rënda shoqërore të inteligjencës artificiale duke krijuar dhe udhëzim për krijimin e mjeteve mbrojtëse teknike dhe politike për të promovuar përdorimin sa më pozitiv të kësaj inteligjence.

Kjo mund të arrihet nëpërmjet aktivizimit të sistemeve ndërkombëtare të praktikave të të drejtave të njeriut, duke përfshirë traktatet e BE, raportet e Kombeve të Bashkuara dhe iniciativat e avokimit për të monitoruar ndikimet sociale dhe për të vendosur dëmshpërblimin në rast cenimi të këtyre të drejtave. Më e rëndësishmja, evidentimi i cenimit të të drejtave të njeriut përqendron vëmendjen tek marrëdhëniet e pushtetit dhe pabarazitë midis grupeve të cenueshme ose të margjinalizuara në të gjithë globin.

Ata që punojnë drejtpërdrejt në sektorin e inteligjencës artificiale, kanë nevojë për rregullim, ose ligje "të rrepta", së bashku me standardet teknike, normat shoqërore dhe situatën e tregut, për të përfshirë në mënyrë efektive respektimin e të drejtave të njeriut .

Në vitin 2011, Kombet e Bashkuara paraqitën Parimet Udhëzuese për Biznesin dhe të Drejtat e Njeriut, të cilat i bëjnë thirrje industrisë të respektojë, të mbrojë dhe të sigurojë instrumente mbrojtëse për të drejtat e njeriut. Ato reflektojnë një pikë fillestare për zbatimin e të drejtave të njeriut në sektorin e teknologjisë. Këto parime u sigurojnë krijuesve dhe ekzekutivëve të inteligjencës artificiale një model mbi ndikimet e të drejtave të njeriut dhe u ofrojnë udhëzime se si bizneset duhet të paraqesin produktet e tyre .

Cenimi i të drejtave të njeriut në sferën e inteligjencës artificiale

Paragjykimi dhe diskriminimi janë dy nga problemet kryesore të sistemeve të inteligjencës artificiale. Një numër studimesh kanë treguar se përdorimi i aplikacioneve si në rastin e zbulimit të origjinës, janë në vetvete diskriminuese.

Disa shtete tashmë janë duke përdorur sisteme algoritmike për të klasifikuar njerëzit bazuar në kategoritë më problematike të tyre. Për shembull, Kina po krijon sisteme për të kategorizuar njerëzit sipas karakteristikave të tyre shoqërore. Ky sistem i “Kredisë Sociale” është duke u krijuar për të mbledhur të dhëna nga qytetarët kinezë dhe për t'i vlerësuar ato sipas besueshmërisë së tyre sociale, siç përcaktohet nga qeveria. Sistemi ka funksione ndëshkuese, të tilla si “ndëshkimi” i debitorëve, nëpërmjet shfaqjes së fytyrave të tyre në ekrane të mëdha në hapësirat publike ose duke i vendosur këta individë në “listën e zezë” në udhëtimet me tren ose avion. (The Conversation, 2019­)

Privatësia gjithashtu ka qenë prej kohësh një shqetësim i madh në fusha që përfshijnë qeverinë, biznesin, akademinë dhe organizatat e shoqërisë civile. E drejta për privatësi gjendet e parashikuar në nenin 12 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, në nenin 17 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike (ICCPR), në kushtetutat kombëtare dhe ligjet kombëtare.

Studiuesit e Universitetit të Stanford krijuan një rrjet i cili mund të përcaktonte orientimin seksual të individëve,duke përdorur imazhe të mbledhura nga faqet e takimeve për njohje ”dating-sites” në internet. Kjo bëhej pa pëlqimin e këtyre përdoruesve. Përtej mangësive të ndryshme metodologjike, hulumtimi demonstroi se si mosrespektimi i të drejtave të privatësisë rrit rreziqet e mbikëqyrjes algoritmike, ku të dhënat që mblidhen dhe analizohen mund të zbulojnë informacione personale në lidhje me përdoruesit. Kjo mund të vërë në rrezik individët dhe grupet, veçanërisht ata që jetojnë në vende të cilat janë kundër orientimit seksual të njëjtë dhe mund të përdorin informacione të tilla për t’i diskriminuar këta individë. (The Guardian, 2017)

Nëse krijuesit e inteligjencës artificiale do ta trajtonin privatësinë si një të drejtë themelore të njeriut, me shumë sesa thjesht një preferencë etike, kushtet dhe standardet teknike të privatësisë që ekzistojnë tashmë në industri do të ishin më të forta. Studimi i Stanfordit jep një vështrim të shkurtër se si inteligjenca artificiale mund të kërcënojë privatësinë nëpërmjet mbledhjes së shfrenuar të të dhënave dhe përmes aftësisë për t’i publikuar përdoruesit pavarësisht anonimatit të tyre. Mbrojtja e së drejtës për privatësi është thelbësore për gëzimin e një numri të drejtash të lidhura me të, të tilla si liria e shprehjes, e një jete shoqërore, pjesëmarrja në grupime politike dhe e drejta e informacionit.

Një e drejtë tjetër e cila cenohet gjithashtu nga inteligjenca artificiale është dhe e drejta për lirinë e shprehjes, e cila është veçanërisht e rëndësishme në një mjedis ku platformat e mediave sociale nëpërmjet algoritmeve, vendosin “zërat e kujt të dëgjojmë”. Liria e shprehjes është pjesë e të drejtave themelore të njeriut e cila gjendet e parashikuar në Nenin 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Platformat e mediave sociale janë bërë tashmë vendi qendror ku ndodh diskutimi publik, por ka një debat të fortë në lidhje me rolin e platformave në moderimin e përmbajtjes së tyre. Me gjuhën e urrejtjes, lajmet e rreme dhe manipulimin e medias që qarkullojnë në platforma si Facebook dhe Twitter, ligjvënësit dhe publiku po bëjnë thirrje që kompanitë të adresojnë problemin.

Gjithashtu, një studim i Këshillit të Europës vëren se ka një shqetësim në rritje në nivelin politik dhe publik global në lidhje me përdorimin në rritje të algoritmeve dhe teknikave të automatizuara dhe ndikimin e tyre në ushtrimin e të drejtave të njeriut. Komisioneri i Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut argumentoi se në epokën e inteligjencës artificiale e drejta e privatësisë, mosdiskriminimit dhe liria e shprehjes duhet të mbrohen në mënyrë të veçantë.

Strategjia e re e BE për Inteligjencën Artificiale

BE-ja kërkon të zhvillojë një kornizë për një inteligjencë artificiale të besueshme dhe të fokusuar në tre objektiva kryesorë:

  • Teknologji që punon për qytetarët;
  • Një ekonomi e hapur dhe konkurruese; dhe
  • Një shoqëri e hapur, demokratike dhe e qëndrueshme.

Autoritetet duhet të jenë të afta të testojnë dhe të certifikojnë të dhënat e përdorura nga algoritmet që vejnë në punë inteligjencën artificiale. “Fokusi është më tepër mbi sistemet me risk të lartë për të shmangur barrën e panevojshme për risitë që sjellin kompanitë”, shkruhet në strategjinë e publikuar. Shembuj të sektorëve me risk të lartë përfshijnë pajisjet mjekësore, automjetet e automatizuara, apo vendimet për pagesat e sigurisë sociale (Euronews, 2020).

Strategjia përfshin gjithashtu dhe një plan investimi ambicioz prej 20 miliardë eurosh në vit duke nisur nga dekada e ardhshme.

Çfarë masash po merren për rregullimin e situatës?

Disa shtete kanë filluar të mbajnë më shumë qëndrim në lidhje me ndikimin e inteligjencës artificiale tek të drejtat e njeriut. Bashkimi Europian gjithashtu ka shfaqur interes në mbrojtjen e parimeve dhe të drejtave të individit duke hartuar rregullore për kompanitë teknologjike. Rregullorja e Përgjithshme e BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) përcakton masa të reja për mbrojtjen e të drejtave të shtetasve europianë si mbrojta e të dhënave dhe privatësisë, e cila ka fuqi në çdo organizatë që mbledh të dhëna nga këta shtetas.

Parlamenti Europian nga ana tjetër ka miratuar së fundmi propozimet për të rregulluar inteligjencën artificiale me qëllim për të rritur inovacionin, besimin në teknologji dhe për të forcuar standardet etike. Parlamenti ishte një nga institucionet e para që paraqiti propozime për të rregulluar inteligjencën artificiale në drejtim të standardeve etike, përgjegjësive dhe të drejtave të pronësisë intelektuale. Sipas deklaratës së tij këto propozime mund ta bëjnë Bashkimin Europian një udhëheqës global në zhvillimin e inteligjencës artificiale. Ndërkohë pritet që Komisioni të paraqesë një propozim legjislativ mbi këtë çështje në fillim të vitit të ardhshëm. Një nga reformat aktuale në lidhje me menaxhimin e përmbajtjes së paligjshme në internet është dhe Akti i Shërbimeve Dixhitale, nga Komisioni Europian, i cili parashikon gjoba në rast mosveprimi për eliminimin e këtyre përmbajtjeve (Faqja zyrtare e BE, 2020).

Përfundim

Si përfundim, në mënyrë që njerëzit të përfitojnë nga kjo inteligjencë artificiale, duhet që së paku hartimi dhe krijimi i kësaj inteligjence të shmangë cenimin e vlerave themelore njerëzore. Të drejtat ndërkombëtare të njeriut ofrojnë një formulim të fuqishëm dhe global të këtyre vlerave. Megjithëse, inteligjencës artificiale nuk duhet t'i jepen të drejta të plota njerëzore, ne mund t'u japim të drejta vetëm në kontekstin e kompanive, nëpërmjet krijimit të një kuadri specifik ligjor, në mënyrë që krijuesit e inteligjencës artificiale të jenë përgjegjës për të dhe për çdo dëm që shkakton kjo inteligjencë. Bashkimi Europian tashmë ka filluar hartimin e rezolutave për disa grupe specifike të inteligjencës artificiale në mënyrë që të sigurojë përgjegjësinë etike që kemi ne ndaj kësaj inteligjence.

Marina Pilinçi, Staf i EuroSpeak, dhjetor 2020

Referencat:

  • https://dig.watch/updates/ai-features-european-parliaments-legal-affairs-committee-discussions
  • https://www.zdnet.com/article/what-is-ai-everything-you-need-to-know-about-artificial-intelligence/
  • https://www.businessinsider.com/yueh-hsuan-weng-explains-why-robots-need-legal-rights-2015-11
  • https://www.cnbc.com/2017/08/01/facebook-ai-experiment-did-not-end-because-bots-invented-own-language.html
  • https://www.reuters.com/investigates/special-report/myanmar-facebook-hate
  • https://theconversation.com/chinas-social-credit-system-puts-its-people-under-pressure-to-be-model-citizens-89963
  • https://www.theguardian.com/technology/2017/sep/07/new-artificial-intelligence-can-tell-whether-youre-gay-or-straight-from-a-photograph
  • https://euronews.al/al/risi/2020/02/19/cfare-duhet-te-dini-per-strategjine-e-re-te-be-per-inteligjencen-e-artificiale
1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk