Ukraina- Ballkani Perëndimor: Në garë drejt BE-së

Ukraina- Ballkani Perëndimor: Në garë drejt BE-së

Më 26 maj 1999 marrëdhënia mes Bashkimit Europian (BE) dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor pësoi një kthesë historike. Ndodhur në kontekstin e luftës në Kosovë dhe marrëdhënieve të agravuara në rajon mes shteteve, Komisioni Europian deklaroi në një komunikatë për shtyp mundësinë për të filluar një proces stabilizimi dhe asociimi me vendet e rajonit.

23 vite më vonë Ballkani Perëndimor gjendet sërish i paintegruar në Bashkimin Europian. Shtetet janë në faza të ndryshme të procesit të integrimit: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi mbajnë statusin e shteteve kandidate, nga të cilat dy të parat ndodhen në fazën e hapjes së negociatave për anëtarësim, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi ndodhen në fazën e hapjes së kapitujve; në të njëjtën kohë Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina kanë akoma statusin e vendeve kandidateve potenciale.

Integrimi i Ballkanit Perëndimor si rajon nuk është homogjen; megjithatë përkushtimi politik në përparimindrejt rrugës së integrimit europian është një karakteristikë e përbashkët në secilin prej shteteve të lartpërmendura. Qasja, jo vetëm nga populli i cili identifikohet si pro-europian, por gjithashtu dhe nga liderët politikë, ka qenë e qëndrueshmeprej fillimit të këtij rrugëtimi. Gjithashtu dhe BE ka pasur një qasje pozitive dhe përkrahëse përkundrejt Ballkanit Perëndimor me nisma të shumta politike dhe financiare. duke qene se deri më tani fokusi i vetëm i BE në politikat e zgjerimit, ka qenë kryesisht Ballkani.

Në një analizë krahasimore me kohën që u është dashur shteteve tashmë anëtare të BE-së për t`u anëtarësuar, duket se shtetet e Ballkanit Perëndimor janë në një rrugëtim pa krye drejt BE-së. Nismat politike dhe financiare nuk kanë provuar të jenë efektive dhe as produktive, për të ndihmuar shtetet në plotësimin e kushteve të nevojshme për anëtarësimin në BE. Faktor ndikues kanë qenë dhe vetë krizat me të cilat BE është përballuar: kriza e refugjatëve, Brexit dhe së fundmi pandemia e COVID-19. Faktorët e lartpërmendur kanë ritheksuar dhe njëherë nevojën e mundshme të BE-së për të reformuar vetveten, për të qenë më e integruar mes shteteve anëtare dhe më pas për të patur një menaxhim më të mirë të politikave të zgjerimit dhe integrimit të rajoneve të tjera.

Ngjarjet e fundit në Ukrainë, ritheksuan dhe njëherë nevojën për të fuqizuar dhe forcuar BE-në si aktor kryesor në ruajtjen e paqes e stabilitetit në kontinent, dhe jo vetëm. Lufta në Ukrainë solli në vëmendje kontekstin historik të themelimit të Bashkimit Europian dhe nevojën për një stabilitet politik dhe ekonomik. Por cili do të jetë impakti i mundshëm i kësaj krize në rajon në lidhje me procesin integrues të Ballkanit Perëndimor në BE?

Qasja jonë praktike dhe rruga e qartë drejtuar integrimit europian janë pika kyçe për të mbajtur Ballkanin Perëndimor paqësor, të qëndrueshëm dhe të vendosur në udhën europiane”. Me këtë shprehje Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Politikat e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë, Josep Borrell, ka treguar dhe njëherë qëndrimin e BE ndaj Ballkanit Perëndimor, në një kohë krize si ajo e luftës së Rusisë me Ukrainën.

 Qasja e BE kundrejt konfliktit të armatosur Rusi-Ukrainë, nuk ndryshon nga ajo ndaj              konflikteve të vitit 1999 në Ballkanin Perëndimor. Me qëllim neutralizimin e shteteve pjesëmarrëse nëkonflikt, BE ka “aneksuar” këto vende, duke iu propozuar anëtarësimin në BE si zgjidhje të problemeve të mundshme. Kjo ka qenë dhe ideja e vetë Schuman që prej 1950: bashkimi ekonomik dhe politik i shteteve, për të sheshuar cdo konflikt të mundshëm mes shteteve anëtare.

Vetë përmasat e konfliktit Ukrainë-Rusi, kanë patur një ndikim proporcionalisht më të madh në politikëbërjen jo vetëm në BE, por botërisht. Që prej 23 shkurtit 2022, BE prezantoi një paketë me sanksione ekonomike ndaj Rusisë, si kundërpërgjigje ndaj agresionit ushtarak në Ukrainë.

Ukraina nga ana tjetër, diktuar nga nevojat e momentit por duke shfrytëzuar dhe vëmendjen që po i kushtohej, më 28 shkurt 2022 aplikoi zyrtarisht për t`u anëtarësuar në BE, duke kërkuar nga kjo e fundit një procedurë të përshpejtuar.

Çfarë nënkupton një procedurë e përshpejtuar? Vetë neni 49 i Traktatit të Bashkimit Europian (TBE), në lidhje me procesin e aplikimit për anëtarësim në BE të çdo shteti europian, nuk përmban një përkufizim të tillë. Pra, një procedurë e përshpejtuar në terma teknikë dhe ligjorë pa ndryshuar vetë TBE nuk mund të ekzistojë. Gjithsesi neni 49 i TBE duke qenë e vetmja bazë ligjore në traktat në lidhje me anëtarësimin në BE, jep vetëm kornizën e përgjithshme të këtij procesi, duke përcaktuar kështu vetëm natyrën politike të tij. Procesi në vetvete nuk ka ndryshuar asnjëherë, por është zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme, sidomos me futjen e “kritereve të Kopenhagenit”, kritere këto politike dhe ekonomike, si dhe me fokusin e gjerë që i është kushtuar kushteve në strategjinë e zgjerimit në BE.

Pra, vetë procesi i integrimit në BE njeh faza të ndryshme diktuar nga situata politike dhe ekonomike e shteteve aplikantë. Vetë BE në deklaratat në arenën ndërkombëtare ka premtuar të shqyrtojë kërkesën e Ukrainës për anëtarësim në një kohë sa më të shkurtër. Ky fakt do të ndikonte negativisht në integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, kjo për disa arsye.

Së pari, nëse procesi integrues i Ukrainës do të ndodhte në një kohëzgjatje më të shkurtër krahasuar me secilën nga etapat në të cilat kanë kaluar shtetet e Ballkanit Perëndimor, ky fakt do të dekurajonte këto të fundit në nismat e ndërmarra me qëllim përmbushjen e kushteve për t`u integruar në BE. Duke mos parë sukses kundrejt procesit integrues me rezultate të arrira, Ballkani Perëndimor mund të shohë një ftohje të marrëdhënieve me BE dhe mund të shikojë alternativa të tjera integrimi, jashtë kornizave të kësaj të fundit. Rast konkret është iniciativa “Open Balkan” e krijuar mes tre shteteve konkretisht Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, ku në këto kushte mund të zgjerohet edhe gjeografikisht, duke përfshirë dhe shtetet e tjera të rajonit. Kjo nismë krijon një treg të lirë, të ngjashëm në shumë aspekte me tregun e brendshëm të BE. Diktuar nga nevojat ekonomike të rajonit, ky lloj bashkëpunimi mund të rrisë integrimin e shteteve mes rajonit të tyre fillimisht dhe mund të fuqizojë shtetet në një nivel ku ndoshta nuk do të ketë më aspirim mes tyre për t`u anëtarësuar në BE.

Së dyti, zhgënjimi që mund të hasin nga BE, në kushtet kur Ukraina trajtohet në mënyrë preferenciale, mund ta bëjë Ballkanin Perëndimor vulnerabël ndaj ndikimit të fuqive të tjera ekonomike, aspiratat e të cilave janë shumë larg Bashkimit Europian. Diktuar dhe nga faktorët historikë, shtete të tilla si Turqia dhe Rusia gjithmonë kanë patur synime për të shtrirë ndikimin e tyre në këtë rajon. Liderët politikë të këtyre fuqive deri më tani kanë shprehur modele udhëheqjeje larg parimeve demokratike. Turqia, një shtet aplikant që prej prillit të 1987, duket se ka hequr dorë përfundimisht nga përpjekjet për t`u anëtarësuar në BE. Shumë afër gjeografikisht me rajonin, Turqia mban marrëdhënie shumë të mira me vendet e Ballkanit Perëndimor,kjodhe
për shkak të marrëdhënieve tregtare të krijuara mes tyre. Ndaj dhe ndikimi i saj politik, ne kushtet kur Ballkani Perëndimor do të shohë distancim nga BE, do të ishte tepër i fuqishëm.

Gjithsesi, siç u parashtrua dhe më lart këto mbeten vetëm skenare, deri në një vendimmarrje të mëtejshme të BE-së ndaj aplikimit të Ukrainës për anëtarësim. Edhe pse në kohë krize, BE ka pohuar dhe njëherë dëshirën e unionit për të integruar Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se është një ndër prioritetet strategjike të tij. Këtë qëndrim ka mbajtur dhe Josep Borrel në vizitën e fundit në Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu edhe kancelari gjerman Olaf Scholz u shpreh në media se negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duhet të hapen sa më shpejt.

Çfarë mbetet e sigurt është se kriza e konfliktit të armatosur Ukrainë-Rusi nuk do të ndikojë pozitivisht në integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Përmasat e këtij konflikti jo vetëm kanë ndikuar BE-në në aspektin ekonomik dhe politik, por kanë vënë theksin dhe njëherë në rëndësinë e shtetit të së drejtës dhe parimeve demokratike në çdo shtet europian aspirant për BE. Dhe dihet se përsa i përket këtyre të fundit, shtetet e Ballkanit Perëndimor lënë shumë për të dëshiruar.

 Ngjarjet e dy viteve të fundit duhet t`i shërbejnë vendeve të rajonit si motiv për t`u forcuar ekonomikisht dhe politikisht, pasi kjo mbetet e vetmja mënyrë për të bërë hapa galopant drejt BE-së aq shumë të dëshiruar.        


Klea Xhaferi, qershor 2022

*Klea Xhaferi ka mbaruar studimet Bachelor në Drejtësi dhe Master Shkencor në të Drejtën Penale në Universitetin e Tiranës. Ajo aktualisht ndjek studimet master në fushën e legjislacionit të BE-së në Universitetin e Lorenës. Në eksperiencën e deritanishme akademike ka shfaqur interes në fushën e të drejtës ndërkombëtare, europiane dhe atë të drejtave të njeriut duke marrë pjesë në aktivitete dhe projekte të ndryshme si brenda dhe jashtë vendit. Ndër to mund të përmendim pjesëmarrjen në një projekt të përbashkët mes Universitetit të Tiranës dhe Washington & Lee School of LaW lidhur me korrupsionin, gjetjet e të cilit u prezantuan në formën e rekomandimeve në Ministrinë e Drejtësisë në Shqipëri.


Bibliografia:

Report from the Commission date 24.11.1999 COM (1999) 599 Final “On feasibility on negotiating a Stabilization and Association Agreement with Albania”3539.pdf (pitt.edu)

Lecture on EU enlargement and neighborhood policies, Wolfgang Koeth, European Institute of Public Administration, 2022

EEAS | EEAS Website (europa.eu) 




1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk