Një Union pa Mbretërinë e Bashkuar

Një Union pa Mbretërinë e Bashkuar


Normalisht shumë pyetje shtrohen për diskutim, të tilla si nëse Bashkimi Europian do të jetë më i dobët pa Britaninë e Madhe? A do të hyjë Bashkimi Europian në një krizë institucionale mes Këshillit, Komisionit dhe Parlamentit Europian? A do të rritet rryma euroskeptike mes vendeve të unionit? A do të ndiqet rasti i Britanisë edhe nga vende të tjera si Greqia, Holanda apo Hungaria? Apo po shkon drejt shpërbërjes graduale Bashkimi Europian? Pyetja më e rëndësishme që shtrohet është se cilat janë mekanizmat apo veprimet konkrete që do të forconin Bashkimin Europian?

Normalisht këto nuk janë pyetje të lehta për t’u përgjigjur. Të flasësh për 9 vitet e ardhshme të Bashkimit Europian duhen marrë në konsideratë shumë faktorë, aktorë dhe mbi të gjitha konjuktura ndërkombëtare.
Por të ndalemi në perspektivën e ecurisë së Bashkimit Europian pa Mbretërinë e Bashkuar. Për një sërë arsyesh elita politike e Bashkimit Europian ka për ta kaluar “butë” largimin britanik. Së pari, Mbretëria e Bashkuar nuk ishte pjesë e Eurozonës dhe kishte refuzuar për një kohë të gjatë të adaptonte monedhën e përbashkët Euro të vënë në përdorim në 2002, ku përgjatë kësaj kohe Britania ka ruajtur në mënyrë doktrinore monedhën e saj Sterlinën. Së dyti, Mbretëria e Bashkuar në asnjë moment nuk u bë pjesë e zonës Shengen prej 1985 kur kjo marrëveshje hyri në fuqi, ndërkohë që gjatë gjithë kësaj periudhe Mbretëria e Bashkuar u kujdes për të ruajtur në mënyrë të pacenuar këtë pjesë të sovranitetit të saj. Së treti, Mbretëria e Bashkuar ishte kategorike ndaj nismave kryesore që unioni ka ndërmarrë në vite, të tilla si: politika e përbashkët bujqësore, politika e jashtme dhe e sigurisë së përbashkët, Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, politikat e zgjerimit etj. Parë në këtë këndvështrim të këtyre zhvillimeve prej dekadash dalja e Britanisë nga unioni nuk ishte edhe aq e papritur. Së fundi, jo vetëm nga pikëpamja simbolike Britania është “ishull” dhe prej vitesh parësore në politikën e jashtme ishin marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e Komonuelthit, ndërsa marrëdhëniet me vendet e unionit ishin të dorës së dytë.

Në ndryshim prej shumëkujt, Bashkimin Europian të 2025 e shoh me optimizëm. Nëse do pyetesha për arsyet e optimizmit tim ato do të gjendeshin në të shkuarën e Bashkimit Europian. Jam i bindur se ndërtesa gati 60 vjeçare e familjes së vlerave Europiane i ka themelet shumë të forta për t’u dobësuar apo shpërbërë përballë largimit të një shteti anëtar kushdo qoftë ai, krizës së emigrantëve, rritjes së populizmit dhe ekstremizmit etj.
Më konkretisht, besoj se e ardhmja e Bashkimit Europian duhet të bazohet në një ndërthurje mes metodës “komunitare” frymëzues i së cilës është Zhan Monet, Robert Shuman dhe shumë personalitete të tjera Europianiste dhe frymës “funksionaliste”, ku nëpërmjet tyre propozohet që zgjidhja e krizave të realizohet brenda kuadrit institucional të unionit nëpërmjet traktateve reformuese. Largimi i Britanisë së Madhe duhet të shërbejë si moment reflektimi për elitën politike të Brukselit. Zgjidhja duhet parë te një prej elementëve më origjinalë të funksionimit të Bashkimit Europian përgjatë 60 viteve,që është ripërtëritja gati çdo dekadë e mënyrës së funksionimit të BE-së nëpërmjet traktateve reformuese.

Nevojitet që Këshilli Europian të thërrasë një takim me 27 shtetet anëtare për të rregulluar vakumin institucional që është krijuar pas largimit të Britanisë si dhe të zgjidhen problematikat e mbetura pezull ose thënë ndryshe “patate të nxehta” që prej Traktatit të Lisbonës të vitit 2007. Është e domosdoshme të ndërmerren hapa energjikë pa u stepur për asnjë moment për të çuar para procesin e zgjerimit drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ç’ është më e rëndësishmja të hidhen hapa vendimtare drejt një Kushtetute Europiane. Përcaktimi i një kuadri kushtetues do të shërbejë si një element unifikimi për të gjitha shtetet e Bashkimit Europian dhe do të jetë një sinjal i fortë për të ardhmen federative të unionit.

Diskutimi i stërgjatë mbi mënyrën e funksionimit të Bashkimit Europian, nëse do jetë në të ardhmen Federatë apo Konfederatë, institucion ndërshtetëror apo mbishtetëror duhet ti jepet fund. Gjykoj së deri në 2025 këto diskutime do të kenë gjetur rrugën e zgjidhjes dhe në optikën time duhet përcaktuar qartë se Bashkimi Europian duhet të jetë një institucion mbishtetëror me parime federative. Normalisht sovraniteti shtetëror do të ekzistojë por një pjesë e përgjegjësive shtetërore do të kalojnë në favor të unionit. Jam i bindur se momentet e vështira kërkojnë vendime energjike dhe elita politike e Brukselit i gëzon këto cilësi fal intelektit dhe përvojës së gjatë.

Një pikë tjetër që do doja të ndalesha lidhet me funksionimin e boshtit të Bashkimit Europian për rreth 60 vite, konkretisht në dualizmin franko-gjerman. Gjykoj se dualizmi franko-gjerman e ka kryer misionin e tij dhe aktualisht nevojitet që vendimmarrja për çështje esenciale të zgjerohet në disa shtete. Rrjedhimisht kjo praktikë do të sjellë rritjen e kolegjialitetit në vendimmarrje dhe zbehjen e pakënaqësive të shteteve të Europës Lindore, të shteteve të vogla apo të shteteve në vështirësi ekonomike.

Kam bindjen se në një Bashkim Europian pa Mbretërinë e Bashkuar, roli i statistikave apo anketave mbi perceptimin e qytetarëve Europianë për çështje të ndryshme do të rritet. Në këtë mënyrë zgjidhja e krizave nuk do i lihet rastësisë apo të shkohet në referendum, por do të arrijnë të menaxhohen në kohë. Njëkohësisht unioni i një dekade më vonë do të jetë si Europë me disa shpejtësi, por me ndryshimin që të investohet më tepër në vendet e Europës Lindore dhe Mesdhetare për të zbutur pabarazitë mes vendeve.

Në përfundim, duhet të shtoj se dalja e Britanisë nga unioni, do të krijojë mundësitë për konsolidimin e politikës së jashtme dhe sigurisë së përbashkët të krejt vendeve të Bashkimit Europian. Britania kishte qenë prej vitesh një pengesë dhe kishte refuzuar disa herë për të lëshuar këtë pjesë të sovranitetit në favor të një qëllimi më të lartë, për një axhendë të përbashkët në politikën e jashtme për të gjitha vendet e Unionit.

Shumë prej këtyre çështjeve të trajtuara më sipër në këtë realitet të ri pa Mbretërinë e Bashkuar, një mënyrë ose tjetër prekin edhe vendin tonë Shqipërinë, që aspiron prej vitesh të bëhet pjesë e familjes së vlerave europiane. Në mbyllje, ritheksoj edhe njëherë optimizmin për në optikën time të familjes Europiane të vitit 2025, si një Bashkim Europian solidar, me anëtarë të rinj dhe më i fortë ekonomikisht.

Punoi: Resul Resulaj
Artikulli Fitues
Konkursi i Artikullit: Si do të jetë BE në 2025?
EU Day 2017

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk