Fenomeni i migrimit të të rinjve nën dinamikat e kontekstit socio-ekonomik

Fenomeni i migrimit të të rinjve nën dinamikat e kontekstit socio-ekonomik

Karakteristika të përgjithshme të migracionit në Shqipëri

Migracioni ka qenë dhe vazhdon të jetë një prej tipareve më dinamike të tranzicionit të vendit dhe një prej dukurive më të rëndësishme shoqërore dhe ekonomike që ka shënjuar shoqërinë shqiptare. Dukuria e emigrimit në Shqipëri e krijoi formën e vet të plotë në fillim vitet ’90, me rënien e regjimit socialist totalitar dhe instalimin e sistemit demokratik, çka solli hapjen e kufijve me botën e jashtme. Përgjatë kësaj periudhe, studiuesit argumentojnë se dinamikat e dukurisë së emigrimit ka kaluar nëpër tre flukse kryesore: (1) dekada e parë e fluksit migrator, e cila përfshin dhjetëvjeçarin e fundit të shek. XX dhe mbizotërohet, në masën më të madhe, nga emigrimi spontan, i parregullt, dhe përbëhej nga të rinj meshkuj që kërkonin të punonin dhe t’i largoheshin kaosit ekonomik e politik të periudhës së tranzicionit që po kalonte vendi gjatë atyre viteve; (2) dekada e dytë e fluksit migrator është ajo e viteve 2000. Në këtë periudhë fluksi i largimit të shqiptarëve vijoi, por me një intensitet më të ulët, për shkak se një numër i madh emigrantësh ishin larguar në vitet ‘90 dhe një arsye tjetër ishte fakti që në fillim-vitet 2000, ecuria ekonomike kishte një farë përmirësimi në krahasim me periudhën e valës së parë të emigrimit. Gjatë dekadës së dytë pjesa më e madhe e emigrimit vazhdoi të kishte për destinacion dy vendet fqinje anëtare të BE-së, Greqinë dhe Italinë; (3) dekada e tretë e emigrimit që fillon në vitet 2010. Në këtë periudhë si rezultat i faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm kanë ndodhur ndryshime të konsiderueshme cilësore dhe sasiore në lidhje me natyrën e migracionit shqiptar. Krahas faktorëve ekonomikë që gjithmonë kanë nxitur migrimin, në dekadën e tretë dolën në pah faktorë të rinj shtytës që u bënë më të rëndësishëm, si arsimimi dhe mungesa e perspektivës në Shqipëri [1].

Studiuesit që kanë trajtuar dukurinë e migracionit shqiptar e konsiderojnë atë si një laborator ideal për studimin e migrimit, për shkak të disa dinamikave që e kanë nxitur këtë fenomen në shoqërinë shqiptare për së paku katër arsye kryesore:

Së pari, niveli i flukseve dalëse në dekadat e fundit, që prej hapjes së vendit ndaj botës së jashtme në fillim të viteve ‘90-të, ka qenë, në terma relativë, masiv; Së dyti, natyra e papritur e këtij eksodi, që prej vitit 1990, i jep atij një karakter unik që zhvillohet nga tabula rasa, pasi emigrimi kishte qenë i ndaluar për katër dekada e gjysmë gjatë epokës së regjimit komunist. Së treti, emigrimi ka prekur të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare, që nga elitat e deri te grupet më të varfra e më të margjinalizuara dhe ka tërhequr njerëz nga të gjitha rajonet e vendit. Së katërti, edhe pas tri dekadash migrimi vijon të ndodhë ende, ndonëse natyra e tij ka ndryshuar – më pak një migrim për shkak të varfërisë, dëshpërimit dhe protestës, siç ishte ai gjatë viteve ‘90-të, dhe më shumë, në ditët e sotme, një veçori strukturore e shoqërisë dhe demografisë shqiptare, në veçanti tek të rinjtë, segmentet më të arsimuara të popullsisë.[2]

Ndër gjithë dinamikat e migrimit shqiptar, uljet dhe ngritjet që ka pësuar, në dekadën e fundit vihet re një rigjallërim i tij, shkaqet e të cilit do të shpjegohen në vazhdim të analizës së artikullit.

Konteksti socio-ekonomik apo diçka më shumë

Në këtë artikull fokusi do të jetë pikërisht kjo valë e re migracioni që nuk ka në thelb të vet vetëm faktorët ekonomikë, por shkon përtej kësaj. Referuar të dhënave të INSTAT, faktorët kryesorë që aktualisht ndikojnë në migracionin drejt BE-së janë: mundësia për të punuar jashtë vendit (84%), bashkimi familjar (4.6%), papunësia (4.2%) dhe mundësia për të studiuar jashtë vendit (3.5%). Faktorë të tjerë tërheqës janë gjithashtu, cilësia më e mirë e trajnimeve dhe mundësive për t’u arsimuar jashtë vendit.[3] Nga ana tjetër, mangësitë e shërbimeve publike kanë shërbyer si “faktorë shtytës”, duke ndikuar negativisht në përpjekjen dhe perspektivën e migrantëve për t’u kthyer dhe për t’u vendosur në Shqipëri.

Rritja e dëshirës për emigrim në popullatë, sidomos ndër të rinjtë zbulon dobësitë strukturore të ekonomisë dhe politikave, të cilat në perceptimin e përgjithshëm perceptohen që po shkojnë në përkeqësim dhe nuk po gjenerojnë mundësi reale për progres të përgjithshëm shoqëror. Të rinjtë, si kategoria më produktive e shoqërisë janë “migrantë të dëshirueshëm” që pasurojnë kapitalin njerëzor dhe kontribuojnë në tregun e punës apo zhvillimin ekonomik të vendit pritës. Bazuar në të dhënat e EUROSTAT, gjatë vitit 2014 dhe në fillim të vitit 2015 u shënua një fluks i madh imigrantësh dhe azilkërkuesish shqiptarë në Gjermani. Kështu, 53 805 shqiptarë kanë paraqitur kërkesë për azil në Gjermani në vitin 2015, prej të cilëve 24 390 apo rreth 45% i përkasin grupmoshës 18 - 34 vjeç, 3 130 ose 5.8% ishin 14 - 17 vjeç dhe 32 410 (60%) ishin meshkuj[4].

Faktorët shtytës që kanë çuar në këtë fluks të shtuar emigrimi kryesisht janë të lidhur me papunësinë, pagat e ulëta, mungesën e mundësive për avancim në karrierë, nivelet e larta të korrupsionit, cilësinë e ulët të kujdesit shëndetësor, cilësinë e ulët të arsimimit, ndotjen, pasigurinë fizike, mbrojtjen e kufizuar sociale, mungesën e besimit në sistemin e drejtësisë, pakënaqësinë me politikën etj.

Këto ndryshime në faktorët shtytës dhe gjeografinë e migrimit ndërkombëtar shqiptar pasqyrohen edhe në strukturën socio-demografike dhe cilësinë e flukseve të tij. Dëshirojnë më shumë të migrojnë të rinjtë në fund të të 20-ve, më të arsimuarit dhe të kualifikuarit, të punësuarit dhe ata me të ardhura të mesme e të larta. Ndërsa thuajse një dekadë më parë dëshironin të migronin më shumë të rinjtë në fillim të të 20-ve, me nivel më të ulët arsimor dhe profesional, të papunët dhe ata me të ardhura të ulëta. Rrjedhimisht Shqipëria do të preket edhe më shumë në të ardhmen nga fenomeni i migrimit të trurit dhe personave të kualifikuar, çka do të ketë pasoja negative.

Për këdo është e qartë se dëshira/qëllimi i thuajse gjysmës së popullsisë të grup-moshës 18 deri 40 vjeç për të migruar nga Shqipëria është një sindromë e padëshirueshme, por edhe një realitet që duhet pranuar. Në rast se migrimi vazhdon, duhen bërë përpjekje që ai të administrohet në mënyrë të tillë që të minimizohen pasojat negative të tij (largimi në mënyrë të parregullt, rrjedhja e trurit, shfrytëzimi), dhe të maksimizohen ndikimet pozitive të tij (përdorimi produktiv i dërgesave të migrantëve, ndikimi modernizues i remitancave sociale, lidhjet me vendlindjen, kthimi nga migracioni, etj.).

Çfarë mbetet për t’u bërë?

Është e qartë dhe faktike që Shqipëria karakterizohet nga një nivel shumë i lartë migrimi, duke e renditur atë ndër vendet e para në botë për pjesëmarrjen (si përqindje e popullsisë aktuale) dhe intensitetin e migrimit ndërkombëtar. Megjithëse nga Shqipëria janë larguar grupe nga të gjitha prejardhjet shoqërore-ekonomike dhe nivele të ndryshme arsimi, dekadën e fundit, rrjedhjet e ikjes së trurit kanë qenë në rritje. Të rinjtë tek të 20-at më të arsimuar dhe më të kualifikuar, emigrojnë drejt vendeve të përparuara të BE-së dhe Amerikës së Veriut. Ekziston një lidhje e ngushtë mes migracionit dhe arsimit në Shqipëri. Sipas të dhënave të UNESCO-s, në vitin 2018, rreth 18 200 studentë shqiptarë studionin jashtë vendit, kryesisht në vendet e BE-së[5].

Sistemi arsimor në Shqipëri ka kontribuar në dyfaktorë shtytës për migracionin. Cilësia e tij e ulët i nxit shumë persona të migrojnë me qëllim që të marrin një arsim më të mirë për vete ose për fëmijët e tyre. Kështu, numri i studentëve shqiptarë që studiojnë jashtë vendit është i lartë dhe e rendit Shqipërinë në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, shumë pak prej tyre dëshirojnë të kthehen në Shqipëri. Nga ana tjetër sistemi universitar në Shqipëri prodhon më shumë studentë sesa nevojat aktuale për punë të kualifikuar dhe të specializuar në vend. Si rezultat, një numër i konsiderueshëm i tyre, në kuadrin edhe të mungesës së vendeve të punës së kualifikuardhe kushteve të punës, emigrojnë jashtë vendit.

Vendet e Europës Perëndimore nuk shihen më si një realitet i largët dhe i pakapshëm sa i përket arsimimit. Programet dhe bursat e shumta të studimit janë duke nxitur gjithnjë e më shumë të rinjtë të orientohen drejt të studiuarit jashtë vendit. Në këto kushte të tendencave gjithnjë e në rritje migratore ndër të rinjtë, lipset marrja e masave ndërinstitucionale për frenimin e lëvizjeve migratore. Kështu, strukturat institucionale duhet të përqendrohen tek faktorët tërheqës të migrimit, veçanërisht tek politikat e punësimit që prekin punëtorët e mesëm dhe të kualifikuar, që siç e përmendëm më sipër, janë gjithmonë e më të prirur për të emigruar.

Natyrisht, fenomeni i migrimit ndër të rinjtë përfshin një kontekst shumë më të gjerë se realiteti shqiptar. Vendet e rajonit, aspirante për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian janë duke u përballuar me migrimin e të rinjve, nga ana tjetër, migracioni në vende anëtare të BE-së, si Kroacia dhe Sllovenia ka ardhur në rritje vitet e fundit. Studimet në këtë fushë tregojnë se faktorët tërheqës të migrimit janë pothuajse në të njëjtën linjë ndër vendet që e hasin dukurinë e migrimit masiv.

Rekomandimet që vijnë në mbështetje të menaxhimit të migrimit, si një proces që ka përfshirë dhe ka vënë në lëvizje, me intensitete të ndryshme, të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare, lidhen me politikat kombëtare të domosdoshme të tilla si:

-       Përforcimi i menaxhimit të migracionit, i cili nënkupton mbledhjen dhe analizën sistematike të të dhënave të migracionit për të mundësuar hartimin, zbatimin dhe monitorimin e politikave efektive në mbështetje të krijimit të një mjedisi konkurrues pune dhe përmirësimi i kushteve për të jetuar me dinjitet dhe integritet.

-       Përforcimi i luftës kundër korrupsionit është një ndërhyrje e domosdoshme për të kthyer besimin e qytetarëve tek qeverisja dhe institucionet politikëbërëse e politikëzbatuese.

-       Sigurimi i arsimit cilësor për të reduktuar mospërputhjet e aftësive në tregun e punës dhe për të lehtësuar tranzicionin shkollë-punë

-       Nevoja për rritje të investimeve në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në mënyrë që të rritet statusi i universiteteve shqiptare. Gjithashtu duhet rritur dhe forcuar bashkëpunimi me universitetet e vendeve të BE-së dhe të SHBA-së, sidomos me përfaqësuesit e diasporës shkencore.

Rinia e vendit tonë ka nevojë për një perspektivë të qartë për të ardhmen, në mënyrë që të minimizohet numri i atyre që e shohin emigracionin si zgjidhjen e vetme. Natyrisht, përgjigja ndaj këtyre sfidave duhet të vijë e gërshetuar midis sektorit publik dhe atij privat në mënyrë që politikat të kenë një ndikim të përgjithshëm shoqëror.

Besjana Lazja, tetor 2023

*Besjana Lazja ka mbaruar studimet Bachelor dhe Master shkencor për Sociologji në Universitetin e Tiranës. Mban pozicionin e specialistes në Sektorin e Kërkimit, Analizës dhe Programeve të Zhvillimit, në Drejtorinë e Politikave të Rendit dhe Sigurisë Publike, në Ministrinë e Brendshme. Gjithashtu, është e angazhuar në iniciativa të shoqërisë civile, ku aktualisht mban pozicionin e koordinatores në organizatën jo-qeveritare “Vish këpucët e mia”, e cila është e fokusuar në edukimin e fëmijëve të minoritetit Rom në Shqipëri. Gjatë këtyre viteve ka marrë pjesë në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare me punime kërkimore të karakterit social. Besjana ka interes  në fushën e kërkimit dhe zhvillimit të shoqërisë shqiptare. 



Bibliografia

EUROSTAT (2017) Key Figures on enlargement countries. 2017 Editions.

Gëdeshi. I (2021) Si ndërveprojnë migrimi, kapitali njerëzor dhe tregu i punës në Shqipëri

INSTAT., Shqipëria në shifra, 2018. Tiranë 2019.

King.R, Gëdeshi. I (2020) The actual and potential migration of students from Albania: a putative Brain Drain?

http://uis.unesco.org/en/uis-student-flow 

OECD (2022) Labour Migration in the Western Balkans: Mapping Patterns, Addressing Challenges and Reaping Benefits,

 


[1]Gëdeshi. I (2021) Si ndërveprojnë migrimi, kapitali njerëzor dhe tregu i punës në Shqipëri

[2]King.R, Gëdeshi. I (2020) The actual and potential migration of students from Albania: a putative Brain Drain?

[3] INSTAT (2019) Shqipëria në shifra, 2018.

[4] EUROSTAT (2017) Key Figures on enlargement countries.  

[5] http://uis.unesco.org/en/uis-student-flow  

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk