Dritëhijet e përdorimit të Inteligjencës Artificiale- çfarë synon Akti Europian i IA?

Dritëhijet e përdorimit të Inteligjencës Artificiale- çfarë synon Akti Europian i IA?

Ndërsa teknologjia dixhitale bëhet një pjesë gjithnjë e më qendrore e çdo aspekti të jetës njerëzore, njerëzve u duhet gjithnjë e më shumë të jenë të kujdesshëm në lidhje me besueshmërinë e teknologjisë që prezantohet. Besueshmëria është gjithashtu një parakusht për përvetësimin në mënyrë sa me etike të saj në aspekte të ndryshme të jetës. Bashkimi Europian (BE) ka një ambicie për t'u bërë "shtëpia e botës" në kuadër të Inteligjencës së besueshme artificiale.


Bashkimi Europian ka hyrë vonë në tregun konkurrues të IA kundrejt shteteve të tjera. Aktualisht asnjë firmë europiane nuk është ndër liderët në fushën e Inteligjencës Artificiale gjeneruese - e cila ka pioniere kryesisht kompanitë amerikane (duke përfshirë OpenAI dhe Alphabet- GOOGL.O, Microsoft-MSFT.O), si dhe gjigandin kinez të teknologjisë Alibaba. Sipas ekspertëve, këta të fundit mund të ndryshojnë mënyrën se si operojnë shoqëritë dhe bizneset në mjedisin aktual. Përgjatë periudhës 2014-2020, BE investoi 10 miliardë euro në IA përmes Programeve të saj Kuadër, shumë kjo që përfaqëson 13.4% të të gjithë financimit në dispozicion. Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe[1] janë shtetet kryesore që marrin financimin më të madh për projektet e lidhura me IA. Bashkimi Europian ka  ambicien për të qenë një lider global në "Inteligjencën Artificiale të besueshme" dhe ka një angazhim të veçantë ndaj "Inteligjencës Artificiale me në qendër njeriun, qëndrueshmërinë, sigurinë, gjithëpërfshirjen dhe besueshmërinë".

Por cilat janë zhvillimet e fundit në lidhje me Inteligjencën Artificiale në Bashkimin Europian?

Në mars 2023, Europol, agjencia anti-kriminale e Bashkimit Europian, përmes një raporti ka shprehur shqetësimin në lidhje me shfrytëzimin e mundshëm kriminal të aftësive të ChatGPT. Më pas, platforma më e njohur e Inteligjencës Artificiale u pezullua përkohësisht në Itali, derisa të gjendej një zgjidhje për të mbrojtur privatësinë e përdoruesve. Ndërkohë që mbrojtësit e Inteligjencës Artificiale (IA) pretendojnë se teknologjia do të përmirësojë jetën duke kryer detyra të zakonshme me më shumë eficiencë dhe do të revolucionarizojë marrëdhënien njeri-makinë, njëkohësisht po ngrihen shqetësimet se IA mund të bëhet shumë i fuqishëm, duke rezultuar në qindra miliona humbje pune dhe potencialisht duke u përdorur për objektiva keqdashëse. Kritikët e IA pohojnë se shkalla e lartë e ndërveprimit të Inteligjencës Artificiale do të shkatërrojë industri të tëra, duke rezultuar në një volum të madh të informacionit të rremë, shkelje të të drejtave të autorit, si dhe në përforcimin e paragjykimeve racore, gjinore dhe politike. Këto zhvillime po kontribuojnë në një mosmarrëveshje transatlantike në rritje mbi qeverisjen e teknologjisë.

Cilat ishin hapat qëshoqëruan nxjerrjen e Aktit të Inteligjencës Artificiale nga Bashkimi Europian?

Akti i IA është një pjesë e rëndësishme e legjislacionit ende në negociata në Bashkimin Europian, por ky do të ishte i pari i këtij lloji në një rregullore horizontale të IA në botë. Puna e Bashkimit Europian kundrejt rritjes se investimeve dhe rregullimeve ligjore ndaj Inteligjencës Artificiale nisi që më 10 prill 2018[2], ku 24 Shtete Anëtare dhe Norvegjia u zotuan të punojnë së bashku për IA, për të nxitur bashkëpunimin ndërkufitar dhe për të mobilizuar të gjithë aktorët për të rritur investimet publike dhe private në të paktën 20 miliardë euro në vit gjatë dekadës së ardhshme.

Në vitin 2019[3], strategjia europiane e IA me një plan të koordinuar bëri të qartë se besimi në sigurinë e IA është një parakusht për të siguruar një qasje njerëzore në qendër të IA (njohur me termin anglisht: Human-Centric approach). Komisioni Europian ngriti një grup ekspertësh të nivelit të lartë për IA, që të hartonin udhëzime të etikës së IA si dhe përgatitjen e rekomandimeve për një politikë më gjithëpërfshirëse. Më 8 Prill 2019[4], Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë për IA prezantoi Udhëzimet e Etikës për Inteligjencën Artificiale të Besueshme, ku IA e besueshme duhet të jetë: e ligjshme, etike dhe e fortë. Ky udhëzim pas një procesi pilot u rishikua dhe u përkthye në një mjet për të mbështetur zhvilluesit e IA në krijimin e IA të besueshme, ku më 17 korrik 2020[5], u prezantua dhe lista e tyre përfundimtare e vlerësimit për inteligjencën artificiale të besueshme nga grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë për Inteligjencën Artificiale (IA HLEG).

Duke u mbështetur në këto zhvillime, duke synuar promovimin e përdorimit të Inteligjencës artificiale (IA) dhe në të njëjtën kohë, duke adresuar edhe rreziqet që lidhen me përdorimin e saj, Komisioni Europian ka propozuar, më 19 shkurt 2020[6], një dokument të titulluar "Letra e Bardhë për Inteligjencën Artificiale: një qasje europiane ndaj përsosmërisë dhe besimit", me politika dhe opsione rregullatore kundrejt përdorimeve të caktuara të teknologjisë. 

Hapi tjetër do të ishte publikimi i një draft- propozimi për një rregullore për inteligjencën artificiale, i cili u shpall nga Komisioni Europian në prill 2021[7]. Ky propozim synon të adresojë rreziqet e përdorimeve specifike të IA, duke i kategorizuar ato në 4 nivele të ndryshme: rrezik i papranueshëm, rrezik i lartë, rrezik i kufizuar dhe rrezik minimal. Propozimi ndjek një qasje të bazuar në rrezik dhe përcakton një kornizë ligjore uniforme, horizontale për IA që synon të arrijë sigurinë ligjore. Akti i IA promovon investimet dhe inovacionin në IA, rrit qeverisjen dhe zbatimin efektiv të ligjit ekzistues për të drejtat themelore, sigurinë, dhe lehtëson zhvillimin e një tregu të vetëm për aplikimet e inteligjencës artificiale. Ky propozim mbështet edhe angazhimin politik të Presidentes se Komisionit Europian Ursula von der Leyen, e cila shpalli në udhëzimet e saj politike për Komisionin 2019-2024 "Një Union që përpiqet për më shumë", se Komisioni do të parashtronte legjislacionin për një qasje të koordinuar europiane për çështjet njerëzore dhe implikimet etike të IA.

Më 14 qershor 2023, Parlamenti Europian miratoi pozicionin e tij negociues për projektligjin e Inteligjencës Artificiale, duke forcuar disa dispozita për të mbrojtur më mirë njerëzit nga shkeljet e mundshme të të drejtave të tyre themelore. Pas këtij votimi, Parlamenti do të nisë negociatat me qeveritë kombëtare dhe Komisionin Europian për formën përfundimtare të legjislacionit, i cili pritet të jetë një ligj thelbësor historik në vitin 2025, që bën Bashkimin Europian rajonin e parë në botë që rregullon inteligjencën artificiale.

Ku konsiston Akti i Inteligjencës Artificiale?

Legjislacioni merr një "qasje të bazuar në rrezik" (Risk-Based Approach), duke futur kufizime bazuar në atë se sa i rrezikshëm parashikojnë ligjvënësit që një aplikim i IA mund të jetë. Instrumenti legjislativ horizontal që ndjek Bashkimi Europian është një qasje proporcionale të bazuar në rrezik, shtuar dhe kodet e sjelljes për sistemet e IA jo me rrezik të lartë.

Rregulla të ndryshme për nivele të ndryshme rreziku përfshijnë:

1.Rreziku i papranueshëm: Rreziku i papranueshëm përfshin sistemet e IA që konsiderohen si kërcënim për njerëzit dhe përfshijnë: manipulimin konjitiv të sjelljes së njerëzve ose grupeve specifike të cenueshme, vlerësimi social (Social Scoring), sistemet e identifikimit biometrik në kohë reale dhe në distancë, të tilla si njohja e fytyrës.

2. Rreziku i lartë: përfshin sistemet e IA që ndikojnë negativisht në sigurinë ose të drejtat themelore si: sistemet e IA që përdoren në produktet që janë nën legjislacionin e BE-së për sigurinë e produkteve dhe ato që veprojnë në fusha specifike që do të duhet të regjistrohen në një bazë të dhënash të BE-së.

3. Rrezik i kufizuar: IA gjeneruese si ChatGPT, do të duhet të përputhen me kërkesat e transparencës.

4. Rrezik minimal: këto sisteme duhet të përputhen me kërkesat minimale të transparencës që do t'i lejojnë përdoruesit të marrin vendime të informuara. Pas ndërveprimit me aplikacionet, përdoruesi mund të vendosë nëse dëshiron të vazhdojë ta përdorë atë

Në situata kur do të konstatohen shkelje, të tilla ku kompanitë nuk do të japin informacionin e nevojshëm ose thjesht me zhvillimin e aplikacioneve që shkelin rregullat sipas aktit, do mund të zbatohen sanksione/masa shtrënguese, të cilat variojnë nga heqja e produktit nga tregu, ndalimi i aplikacioneve të caktuara e deri të gjobat që variojnë nga 2 deri në 7% të të ardhurave të kompanisë përkatëse. Për shkak se IA po zhvillohet kaq shpejt, është sfiduese për politikëbërësit e BE-së teksa përpiqen të gjejnë një ekuilibër midis mbrojtjes së të drejtave dhe vazhdimit të mbështetjes së inovacionit teknologjik. Implementimi i Aktit të IA, vendos Brukselin në një kurs përplasjeje me gjigantët amerikanë të teknologjisë që derdhin miliarda dollarë në teknologjinë në zhvillim.

Në lidhje me vazhdimin e zhvillimit të inovacionit, të ardhmes së Inteligjencës artificiale, Sam Altman, CEO i OpenAI vizitoi Europën në kuadër të takimeve me politikanë për rregulloren e IA, i cili u shpreh se do të tërhiqej nga Bashkimi Europian nëse masat legjislative ndaj IA do të ishin të rrepta. Altman u thirr edhe para Kongresit në SHBA për të njëjtën çështje, ku bëri tre propozime: Agjencia Federale për të kontrolluar licencat, standardet e sigurisë për modelet e IA me aftësi të lartë dhe auditime të pavarura për krijuesit e IA. Sipas Reuters, takime të tilla theksojnë hendekun midis ligjvënësve të cilëve u mungon kuptimi i IA dhe ekspertëve të IA që nuk kanë përvojë në legjislacion. Sipërmarrësit e teknologjisë kanë pohuar se rregullime shume të forta mbi IA mund të çojnë në një rrezik të lojtarëve kryesorë në këtë fushë, për t’u zhvendosur nga Bashkimi Europian në tregje të tjera (p.sh. SHBA). Sipas një raporti të publikuar nga Center for Data Innovation në vitin 2021, Akti i Inteligjencës Artificiale do t'i kushtojë ekonomisë europiane 31 miliardë euro gjatë pesë viteve të ardhshme dhe do të zvogëlojë investimet e IA me pothuajse 20%, duke nxjerrë një çmim të rëndë për një ekonomi europiane gjithnjë e më jokonkurruese. Megjithatë, politikëbërësve të BE-së u duhen vite që të përllogarisin faturën e IA, dhe me teknologjinë që përparon kaq shpejt, askush nuk mund të parashikojë vërtet nëse ajo do të jetë ende relevante deri në kohën që pritet të hyjë në fuqi.

Përfundime

Zhvillimet e fundit në fushën e inteligjencës artificiale po tregojnë se bota po shkon drejt një të ardhmeje në të cilën sisteme të ndryshme të IA që mbështesin sisteme të ndryshme vlerash do të bëhen dominuese në pjesë të ndryshme të botës – me sulme të pashmangshme mes tyre. Një qasje e përbashkët europiane ndaj IA është e nevojshme për të arritur një shkallë të mjaftueshme sigurie dhe për të shmangur fragmentimin e një tregu të vetëm. Duke vënë vlerat dhe të drejtat në qendër të diskursit të IA, njëkohësisht duke mobilizuar fondet publike për të gjeneruar stimuj drejt arritjes së qëllimit të Inteligjencës Artificiale të besueshme, BE ka krijuar një hapësirë për të menduar teknologjinë në mënyra që i shmangen asaj që disa e kanë quajtur “kapitalizëm mbikëqyrës[8]”.

Erisa Shehi, gusht 2023

*Erisa Shehi është aktualisht duke përfunduar studimet e nivelit Master në Universitetin e Trakya, Turqi, Instituti i Shkencave Sociale të Aplikuara, Financë- Bankë. E dhënë pas gjuhëve të huaja, ajo ka aktualisht në zotërim: anglisht, turqisht dhe italisht. Erisa ka qenë pjesëmarrëse e workshop-eve dhe trajnimeve në lidhje me  lidershipin, sipërmarrjen sociale dhe barazinë në vendimmarrje. Së fundi ka përfunduar një Program të Bashkimit Europian të realizuar nga Fondacioni Konrad-Adenauer (KAS) Turqi, me tema interesi si Direktiva e BE për Energjinë e Rinovueshme dhe Marrëveshjen e Gjelbër. Ajo aktualisht po punon mbi shkrime të artikujve shkencor në bashkëpunim me profesorë si dhe hartimin/ shkrimin e tezës.



Referencat:

 

[1]Përpara se të ndodhte Brexit

[2]Brussels, 25.4.2018, COM(2018) 237 final, Artificial Intelligence for Europe.

[3]Brussels, 8.4.2019 COM(2019) 168 final, Building Trust in Human-Centric Artificial Intelligence.

[4]EC,  B-1049 Brussels, HLE-G on Artificial Intelligence, Ethics Guidelines for Trustworthy IA, (2019).

[5]EC,  B-1049 Brussels, HLE-G on Artificial Intelligence, The Assessment List for Trustworthy Artificial Intelligence (ALTIA) for self-assessment (2020).`

[6]Brussels, 19.2.2020 COM(2020) 65 final, WHITE PAPER, On Artificial Intelligence - A European approach to excellence and trust

[7]Brussels, 21.4.2021 COM(2021) 206 final, Proposal for a REGULATION OF THE EUROPEAN PARLIAMENT AND OF THE COUNCIL LAYING DOWN HARMONISED RULES ON ARTIFICIAL INTELLIGENCE (ARTIFICIAL INTELLIGENCE ACT) AND AMENDING CERTIAN UNION LEGISLATIVE ACTS, Explanatory Memorandum

[8]Kapitalizmi i Mbikëqyrjes është një koncept në Ekonominë Politike që tregon mbledhjen dhe modifikimin e gjerë të të dhënave personale nga korporatat, një fenomen i ndryshëm nga ai i qeverisë.

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk