Analizë e mediave në fushatë dhe zgjedhjet elektorale

Analizë e mediave në fushatë dhe zgjedhjet elektorale

Mediat luajnë rol kryesor në zgjedhjet dhe fushatën elektorale. Ato janë një nga urat lidhëse mes partive politike dhe elektoratit. Kjo vijë komunikimi bëhet intensive në muajin e fushatës elektorale. Media duhet të ruajë integritetin, pastërtinë dhe paanshmërinë e informacionit, por shpeshherë vëmë re se diçka e tillë nuk ndodh. Trasformimi i tyre në mjete propagandistike bart me vete të gjitha problematikat e strukturimit dhe raportimit.

Periudha para elektorale është një bankë prove e rëndësishme për testimin e funksionimit të demokracisë dhe institucioneve përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve sidomos në një vend si Shqipëria. Akoma sot, ku monitorimi nga ndërkombëtarët përbën një faktor të rëndësishëm, dhe më kryesorja, jemi nën vëmendje gjithashtu dhe për shkak të hapjes së negociatave për aderimin në BE, zgjedhjet e përgjithshme në vend përbëjnë një rol thelbësor. Por cilat janë platformat kryesore të shpalosjes së programeve nga partitë politike? Si komunikojnë ata në mënyrë direkte dhe indirekte me elektoratin? Cila është rruga që ndjekin për të ndikuar në sjelljen e zgjedhësve? Padyshim që rol të rëndësishëm luajnë mediat tradicionale lokale dhe kombëtare, në mënyrë të barasvlefshme me rrjetet sociale, që kanë sjellë risi dhe evolucion në strategjitë zgjedhore, shpalosjes së programit dhe kontaktit me elektoratin.

Është detyrë kryesore e shtabeve zgjedhore të partive politike që të merren me takime me votuesit potencialë apo jo të tyre të cilët duan t’i kthejnë kah vetes duke iu paraqitur ofertat përkatëse, dhe pjesa tjetër është i takon mediave, sepse llogaritet që përmes medias depërtohet në mënyrë më të lehtë, duke qenë se ajo ka aftësine të depërtojë në hapësira në të cilat ata nuk arrijnë, duke kursyer në këtë mënyrë kohë dhe energji.

Prandaj duhen analizuar tre çështje kryesore: roli edukues, raportimi i së vërtetës dhe ndikimi në votën e zgjedhësit. Roli i mediave, duke qenë dhe edukativ, bëhet i rëndësishëm për pjesëmarrjen dhe për të shpërfaqur zërin dhe vullnetin demokratik të votuesve në ditën e zgjedhjeve. Demokracia sot nuk varet vetëm nga sistemi politik, por në masë të theksuar dhe nga edukimi dhe sensibilizimi i qytetarëve për të qenë aktiv në vendimmarrje në shtetet e tyre. Mediat po bëjnë garë të jashtëzakonshme për të qenë faktorë kryesorë në krijimin e opinionit publik, sidomos atij politik.

Por këtu hasen problematikat e para, duke patur parasysh ndikimin që partitë politike kanë mbi mediat, e cila sjell vështirësitë në lirinë e raportimit të së vërtetës nga ata vetë. Liria mediatike, ku sipas indeksit botëror Shqipëria renditet e 83-ta (World Press Freedom Index, 2021), nuk është në nivelet më të larta dhe kontrolli dhe presioni politik i cili intensifikohet gjatë muajit të fushatës elektorale sjell rritjen e keqinformimit dhe propagandimit në favor të një partie të caktuar politike, në bazë dhe të lidhjeve e interesave të ngushta me media të ndryshme. Në analizën e MOM prekja e audiencës nga media, pronarë të të cilave kanë lidhje politike, varion mes 65.18% deri në 75.86%, respektivisht sipas Abacus dhe Telemetrix data (Media Ownership Monitor, 2021). Kontrolli politik mbi mediat, ndikon në këtë formë negativisht mbi lirinë e raportimit dhe hapësirës televizive dhe informuese, kushtuar subjekteve partiake dhe shpalosjes së platformave politike, në favor të vetëm disa prej figurave dhe partive politike.

Përveç keqinformimit kemi mungesën e raportimit, ku shohim më të penalizuara subjektet e vogla partiake ose kandidatët e pavarur. Për të marrë një argument dhe shembull konkret, është gjoba e vendosur për dy kandidatë të pavarur në zgjedhjet e 25 prillit, lajm të cilin mediat më të mëdha nuk e kanë raportuar, ndërsa ndër ato online e kanë prekur si çështje vetëm portalet e vogla dhe nuk ka patur një debat e analizë mbi përse gjobitja për tubime elektorale në bazë të ligjit mbi parandalimin e Covid-19, është zbatuar më konkretisht në këtë rast vetëm për këto dy kandidatë të pavarur dhe jo për partitë e mëdha politike. Media, duke patur parasysh faktin që duhet të funksionojë si platformë e edukimit të elektoratit nga pikëpamja politike dhe zgjedhore, vëmë re se në fakt është reduktuar në një hapësirë të gjerë që i jep më shumë vëmendje shfaqjes së politikanëve, partive politike të mëdha për prezantimin dhe propagandimin e tyre e sidomos dhe analistëve me preferenca të qarta politike.

Tendenca për të favorizuar sidomos partitë e mëdha politike, ata që pas zgjedhjeve ribëhen faktor determinant i politikave të mëpasshme të shtetit, vihet re gjithashtu edhe nga koha televizive e limituar që i jepet kandidatëve dhe subjekteve të vogla partiake, e cila nuk ka qenë në proporcion të drejtë, në bazë edhe të kodit zgjedhor, të shprehur në Nenet 81 dhe 84. Kjo është e dukshme në raportet e AMA, sidomos atë javor datuar 13 prill (AMA, 2021) dhe në raportin më të fundit para mbarimit të fushatës elektorale me 23 prill, në bazë të së cilës dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrtoi dhe i tërhoqi vëmendjen disa Oshma-ve (Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 2021), përsa i përket kohes së transmetimit të disa subjekteve zgjedhore. Sipas këtyre të dhënave, të analizuara nga BIRN, përveç mungesës së minutazhit të barabartë mes partive që kanë marrë më pak se 20%  dhe mes atyre që kanë marrë më shumë se 20% të votave në zgjedhjet e kaluara (BIRN, 2021), thyerje dhe shkelje ka patur edhe në shfaqjen e kandidateve të gjinisë femërore.

Si rrjedhojë e analizës së mësipërme, arrijmë të kuptojmë dhe ndikimin e madh që kanë mediat në votën e zgjedhësit. Duke qenë të bombarduar në masë mediatikisht, ato influencojnë me lehtësi sjelljen e votuesit dhe luajnë rol të rëndësishëm sidomos dhe për elektoratin gri. Por me avancimin e teknologjisë dhe strategjive moderne zgjedhore, rol të rëndësishëm në këtë aspekt padyshim që luajnë dhe rrjetet sociale. Këtu problemi bëhet më kompleks, duke patur parasysh se kemi të bëjmë me një gamë më të gjerë, më të lirë, më lehtësisht të depërtueshme dhe më të rrezikuar nga fake news, siç paraqitet dhe në raportin e Parlamentit Europian, ku shpjegohet se si keqinformimi ndodh edhe si shkak i qëllimeve politike(European Parliament, 2021).

Lajmet për klikime, profilet fallco, faqet e paautorizuara për përhapjen e lajmeve politike, kontribuojnë në rritjen e keqinformimit dhe ndikimit në votën e zgjedhësve, me strategji që shpeshherë përfshijnë dhe video propagandistike e reklama politike me tone negative kundrejt qeverisë aktuale apo opozitës, në varësi të anshmërisë së faqes anonime dhe të paautorizuar në fjalë. Prandaj marrja e informacionit nëpërmjet rrjeteve sociale nuk është burimi më i besueshëm i mundshëm pasi kemi të bëjmë me një terren të gjerë që krijohet nga to e përdoret politikisht për influencë dhe interesa personale të partive që kanë dhe kapital ekonomik në dispozicion për të investuar në fushata reklamimi.

Në fakt rrjeti social Facebook, që në fillim të marsit kishte bërë thirrje për partitë politike në vend që të tregohen transparent në lidhje me shpenzimet e tyre në reklamime. Duke marrë parasysh numrat e njerëzve të targetuar dhe shifrat e bëra publike nga Facebook mbi shpenzimet, vihet re se nuk ka patur investim me kosto marramendëse në fushatat e reklamimit nga partitë politike. Por po të shikojmë më thellësisht, faqe të tjera anonime, që shfaqen si simpatizante të cfarëdolloj partie politike, nuk tregojnë burimet e të ardhurave dhe shpenzimeve të tyre. Kjo ngjall hije dyshimi se rrjetet sociale përdoren për interesa politike nga aktorët politikë, nëpërmjet ketyre llogarive fallco, në mënyrë indirekte dhe nuk specifikojnë financimet e tyre, kur vetë Facebook kishte bërë me dije se çdo reklamim politik gjatë fushatës elektorale duhej të përfshinte togfjalëshin “paguar për .. nga…” në postimet e sponsorizuara (Wong, 2021).

Duke patur parasysh se gjendja aktuale nëpër botë dhe në Shqipëri ka ndryshuar për shkak të pandemisë së Covid-19, avancimi teknologjik dhe rënia e kontaktit fizik mes njerëzve, bën që loja më e madhe në këto zgjedhje të mos jetë luajtur në terren, por brenda kornizave të programeve televizive dhe më së shumti, rrjeteve sociale. Ndikimi psikologjik që ata kanë në jetën e përditshme të njerëzve, sjell si efekt domino edhe ndikimin në votën e zgjedhësve, duke qenë se lajmet dhe të gjitha burimet e informacionit e arrijnë shumë herë më shpejt çdo njeri, në çdo cep të vendit, vetëm nëpërmjet një klikimi. Targetimi dhe mbushja e faqeve personale të çdo votuesi me çfarëdolloj lajmi të pakontrolluar e propagandistik, sjell edukim negativ dhe vështirësi në krijimin e një shoqërie të mirëkulturuar politikisht. Mbart me vete dhe ndikimin në përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe të fyerjes, siç shohim rëndom edhe në debate televizive. Më e rëndësishme është cilësia e informacionit sesa sasia e tij. Bombardimi me informacion të tepërt dhe të panevojshëm, sjell uljen e kualitetit të kulturës politike të votuesve.

Interesi i përgjithshëm i publikut është të dinë saktë dhe të njohin platformat politike që partitë iu ofrojnë. Cilat janë ndryshimet dhe dallimet midis tyre, dhe për të arritur këtë, ata duhet që të kenë media të pavarura dhe prezantime sa më neutrale të partive dhe vetë kandidatëve. Roli i rëndësishëm si katalizator i lajmit, duhet të jetë një nga misionet e vetë medias dhe është e rëndësishme që ata të lidhen ngushtë me interesin e publikut, duke qenë kategorik dhe të paanshëm në të gjitha format krahas subjekteve politike. Ajo që vëmë re është se lidhjet e politikës me mediat janë shumë të forta dhe kjo sjell ndikim negativ në larmishmërinë e raportimit të lajmeve për gazetarët dhe e kemi parë të reflektuar edhe në zgjedhjet e fundit elektorale. Pozicionimi strategjik i mediave ndërmjet partive dhe elektoratit nuk duhet nënvlerësuar, sidomos duke patur parasysh momentin e rëndësishëm që po përjeton Shqipëria, nga procesi i rëndësishëm i hapjes së negociatave për integrimin në Bashkimin Europian, e deri tek ana tjetër e medaljes, ndjenja e sfilitjes së demokracisë në vend dhe venitjes së zërave opozitar ndaj pushtetit.


Klisman Kadiu, qershor 2021

Klisman Kadiu ka mbaruar studimet Bachelor për “Shkenca Politike” në “Universitetin e Tiranës”.  Ai po mbaron studimet master në “Universita’ Degli Studi di Perugia” në Itali për “Marrëdhënie Ndërkombëtare”, me një semestër shkolle të trasferuar gjithashtu në “Uniwersytet Kazimierza Wielkigo”, në Bydgoszcz, Poloni.  Aktualisht po ndjek internship-in pranë AIIS (Albanian Institute for International Studies).

 

Referenca:

https://rsf.org/en/albania

http://www.mom-rsf.org/en/countries/albania/

http://ama.gov.al/raportet-e-monitorimit-te-medias-2021/

http://kqz.gov.al/2021/04/13/shqyrtohet-raporti-javor-i-monitorimit-te-medias-per-pasqyrimin-e-fushates-zgjedhore/

https://www.reporter.al/majtas-jo-djathas-televizionet-favorizuan-ps-ne-dhe-shkelen-kodin-zgjehor/

https://www.europarl.europa.eu/RegData/etudes/STUD/2020/653621/EXPO_STU(2020)653621_EN.pdf

https://www.theguardian.com/technology/2021/apr/12/facebook-loophole-state-backed-manipulation

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk