Hija e Pandemisë - Dhuna në familje gjatë Covid-19

Hija e Pandemisë - Dhuna në familje gjatë Covid-19

Në botë  jetojnë rreth 7.89 miliard njerëz, ku afërisht gjysma janë gra (Statista 2021). Deri tani mund të themi që barazia midis dy gjinive nuk ekziston. “Gjinia” përshkruan rolet e ndërtuara shoqërore të cilat mund të ndryshojnë nga seksi biologjik i një personi, të cilat vijnë së bashku me disa pritshmëri ndaj sjelljeve të tyre dhe atribute të tjera. Pabarazia gjinore është ende një temë e diskutuar dhe shihet si e lidhur drejtpërdrejt me dhunën me bazë gjinore. Dhuna përkufizohet e bazuar në gjini, nëse kryhet për shkak të gjinisë së viktimës ose nëse gjinia e viktimës ndikon në mënyrë disproporcionale një krim specifik. Për shembull, gratë janë të prekura në mënyrë disproporcionale nga ngacmimi seksual, përdhunimi, ndjekja, vrasja për nder dhe dhuna në familje. Këto krime u drejtohen atyre veçanërisht se janë gra.  Para fillimit të pandemisë, rreth 1 në 3 gra në mbarë botën ishin prekur nga dhuna me bazë gjinore, që do të thotë që janë lënduar fizikisht, mendërisht ose seksualisht (OBSH 2021). Madje në Shqipëri dhuna më bazë gjinore kishte prekur  1 në 2 gra (UN Women 2019).

 

Dhuna me bazë gjinore shihet si: shkak dhe pasojë e marrëdhënieve të pabarabarta të pushtetit midis burrave dhe grave dhe si një kufizim strukturor për përparimin e plotë të grave (COE 2021b). Pandemia e COVID-19 e përkeqësoi shumë situatën ku sidomos dhuna në familje arriti nivele shumë më të larta gjatë periudhave të izolimit. Arsyet që çuan në këtë situatë janë të kuptueshme: njerëzve iu kërkua të qëndronin në shtëpi, të izoluar së bashku me partnerin ose familjen e tyre. Ata që jetonin me një dhunues nuk mundën të shpëtonin, as për periudha të shkurtra të ditës. Çështjet financiare, shëndetësore dhe të sigurisë shpesh tensiononin situatat në shtëpi  dhe e bënin edhe më të vështirë gjetjen e ndihmës ose largimin. Kështu, abuzuesit mund të fitonin më lehtë kontrollin e plotë mbi viktimat e tyre.

 

Ky artikull do t'i referohet kryesisht dhunës në familje që prek gratë, pasi rastet e raportuara janë në mënyrë disproporcionale të larta. Por është shumë e rëndësishme të theksohet se rolet e autorëve dhe viktimave nuk përcaktohen aq lehtë. Jo vetëm gratë janë të prekura nga një krim i tillë, djemtë dhe burrat janë gjithashtu viktima të mundshme, sikurse edhe gratë mund të jenë abuzuese. Shifra reale për meshkujt që abuzohen është ndoshta e lartë pasi ata kanë vështirësi për t'u pranuar si viktima. Abuzimi bie ndesh me rolin e gjinisë mashkullore për të qenë 'gjinia e fortë', 'mbrojtësi' dhe dhunuesi stereotip, por jo viktimë. Gjithashtu, njerëzit që e përkufizojnë veten si pjesë e komunitetit LGBTIQ+, për shembull persona transgjinorë ose interseksualë, janë viktima të dhunës në familje dhe kërkojnë një sistem të përshtatshëm  sigurie dhe më shumë ndërgjegjësim publik. Fëmijët, si vajzat ashtu edhe djemtë, preken nga dhuna në familje nëse ata vetë dhunohen, por efektet traumatike të vëzhgimit të dhunës në familje si fëmijë janë po aq të këqija dhe mund të kenë pasoja të rënda në zhvillimin e tyre personal.

Shpeshherë bëhet dallimi midis Dhunës nga Partneri Intim (IPV) dhe Dhunës në Familje (DV). Dhuna nga partneri intim në këtë kuptim përqendrohet vetëm në dhunën nga një partner intim ose ish-partner. Dhuna nuk ka nevojë të kryhet në shtëpi në mënyrë që të përkufizohet si e tillë. Dhuna në familje nga ana tjetër mund të përfshijë IPV, por mund të kryhet edhe nga anëtarë të tjerë të familjes, si prindërit, vëllezërit e motrat ose bashkëjetuesit. (krh. OBSH 2012, f. 1)

 

 

Në Konventën e Këshillit të Europës për Veprimin kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, e cila ka hyrë në fuqi në vitin 2014, përkufizimi është më i gjerë:

 

"Dhunë në familje" do të thotë të gjitha aktet e dhunës fizike, seksuale, psikologjike ose ekonomike që ndodhin brenda familjes ose njësisë familjare ose midis ish-bashkëshortëve ose partnerëve të mëparshëm ose aktualë, pavarësisht nëse dhunuesi ndan ose jo të njëjtën banesë me viktimën" (Këshilli i Europës 2011, f. 3)

 

 

Konventa njihet ndryshe si Konventa e Stambollit dhe u prezantua nga Këshilli i Europës, organizata kryesore në kontinent për të drejtat e njeriut. Ajo është instrumenti i parë ligjor ndërkombëtar që lufton dhunën ndaj grave - megjithëse thekson gjithashtu domosdoshmërinë për të luftuar për sigurinë e të gjitha gjinive (COE 2021a; Këshilli i Europës 2011, f.2). Konventa parashikon marrjen e masave konkrete kundër dhunës në familje të cilat duhet të zbatohen nga çdo shtet që e ka nënshkruar dhe ratifikuar me sukses. BE-ja në tërësi e ka nënshkruar Konventën në vitin 2017. Nga vendet e BE, Bullgaria, Çekia, Hungaria, Letonia, Lituania dhe Sllovakia e kanë nënshkruar por nuk e kanë ratifikuar ende. Përveç shteteve anëtare të BE-së, ka pasur edhe shtete të tjera europiane si Norvegjia, Turqia, Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina që e kanë ratifikuar atë - në tërësi 34 vende. Turqia është deri më tani i vetmi shtet që ka mbajtur një qëndrim kundër Konventës pas ratifikimit dhe nuk është më pjesë e saj që nga viti 2021 (COE 2021c).

 

Veprimtaria e Konventës përfshin masa të ndryshme siç është rritja e ndërgjegjësimit për këtë temë dhe edukimi i qytetarëve se si të parandalojnë, njohin dhe reagojnë ndaj rasteve të dhunës në familje ose dhunës me bazë gjinore në përgjithësi. Palët në Konventë duhet të promovojnë ndryshime në modelet e sjelljes sociale dhe kulturore dhe të informojnë publikun për këtë çështje duke përdorur të dhëna të mbledhura. Pavarësisht kësaj, korniza ligjore duhet të përshtatet, në mënyrë që viktimat të mbrohen siç duhet dhe autorët të ndëshkohen. Shumë shpesh ndodh që një viktimë e dhunës në familje të mos merret seriozisht në gjykatë ose komisariat ose që të viktimizohet përsëri (krh. Healthtalk 2019).

 

Në një nivel më praktik dhe të drejtpërdrejtë, duket që OJQ-të dhe OSHC-të luajnë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e viktimave duke ofruar strehim, linja ndihmëse, këshillim ligjor, këshillim mjekësor dhe psikologjik. Por gjithsesi këto organizata shpesh operojnë me pasiguri financiare dhe në zona të vogla gjeografike. Ata nuk janë në gjendje të ofrojnë kapacitetet e duhura për të përballuar kërkesat e larta. Puna e tyre nuk duhet parë si punë vullnetare, por si një domosdoshmëri për shoqërinë dhe të fuqizohen nga institucionet e larta me financimin e duhur dhe mbështetjen politike. Zbatimi i masave të ndryshme po monitorohet nga një delegacion ekspertësh i quajtur GREVIO (COE 2021b).

 

Është e qartë se duhet bërë më shumë për të parandaluar dhunën në familje. Konventa e Stambollit ishte një hap i parë drejt rritjes së ndërgjegjësimit dhe veprimit ndërkombëtar duke iu bashkuar masave të ndryshme në shtetet anëtare dhe në nivel të BE-së. Por pandemia ka treguar se sa i brishtë është ende sistemi i mbështetjes dhe se 'shtëpia' nuk është një vend i sigurt për shumë qytetarë. Kjo shihet qartë dhe në statistikat që tregojnë që edhe para pandemisë rreth 50 gra vdisnin çdo javë për shkak të dhunës në familje në BE. (Parlamenti Europian 2021a). Izolimi i parë në Francë për shkak të pandemisë në vitin 2020 ka rezultuar në një rritje prej 30% të thirrjeve të regjistruara që raportojnë dhunën në familje (Euronews 2020). Ndërkohë që numri i incidenteve dhe thirrjeve për ndihmë janë rritur gjatë krizës, infrastruktura e ndihmës ka pësuar rënie.

 

Strehat nuk ishin më në gjendje të pranonin raste të reja nga frika e infeksioneve, ashtu si dhe vendet e shërbimeve të shëndetit mendor apo fizik. I gjithë sektori i ndihmës për viktimat e dhunës në familje shpesh shihej si 'jo thelbësor' dhe për këtë arsye burimet e tij gjatë krizës janë neglizhuar dhe kufizuar. Për më tepër, gratë punojnë më shumë në sektorë informalë, në sektorë me të ardhura të ulëta, në punë me kohë të pjesshme ose në punë të kujdesit si në çerdhe dhe shkolla fillore. Prandaj, gratë u prekën në mënyrë disproporcionale nga rreziqet shëndetësore, por edhe nga pasiguritë financiare për shkak të pozicioneve të pasigurta të punës që u ndikuan nga masat e izolimit. Varësia financiare është një faktor kyç që i lidh viktimat me abuzuesit e tyre – krahas frikës për jetën e tyre ose për fëmijët. Ky komponent u rrit gjatë pandemisë dhe nuk u llogarit mirë nga politika – e cila në organet e saj vendimmarrëse është e mbipërfaqësuar gjerësisht nga burrat (Parlamenti Europian 2021b, f. 23 e pas.).

 

Dhuna në familje është një shkelje e të drejtave të njeriut dhe një çështje serioze në Bashkimin Europian. COVID-19 ka treguar se ka nevojë për vullnet politik dhe veprim për t'i bërë shtëpitë europiane përsëri më të sigurta: policia duhet të trajnohet më mirë, ndërgjegjësimi publik duhet të rritet, OJQ-të dhe OSHC-të kanë nevojë për mbështetjen e duhur - gjithashtu ose veçanërisht gjatë krizës - dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme, kuadri ligjor duhet të ndryshohet në favor të të gjitha viktimave të dhunës në familje.


*Artikulli është realizuar në gjuhën angleze, dhe është përkthyer në shqip nga Gladiola Lleshi, Stafi i EuroSpeak.

 

Jasna Becker, staf i Eurospeak, dhjetor 2021

Referencat:

COE (2021a): Historical Background. URL: https://www.coe.int/en/web/istanbul-convention/historical-background [last access: 11.11.2021].

COE (2021b): The Convention in Brief. URL: https://www.coe.int/en/web/istanbul-convention/the-convention-in-brief#{%2211642062%22:[4],%2211642301%22:[0]} [last access: 11.11.2021].

COE (2021c): Chart of signatures and ratifications of Treaty 210. URL: https://www.coe.int/en/web/conventions/full-list?module=signatures-by-treaty&treatynum=210 [last access: 11.11.2021].

Council of Europe (2011):Council of Europe Convention on preventing and combating violence against women and domestic violence.

Euro News (2020): Domestic violence cases jump 30% during lockdown in France. URL: https://www.euronews.com/2020/03/28/domestic-violence-cases-jump-30-during-lockdown-in-france [last access: 23.11.2021].

European Parliament (2021a): Understanding Covid-19's impact on women (infographics). URL: https://www.europarl.europa.eu/news/en/headlines/priorities/international-women-s-day-2021/20210225STO98702/understanding-the-impact-of-covid-19-on-women-infographics [last access: 22.11.2021].

European Parliament (2021b): Tackling violence against women and domestic violence in Europe. The added value of the Istanbul Convention and remaining challenges.

Healthtalk (2019): Women’s experiences of Domestic Violence and Abuse. Role of the police in domestic violence and abuse. URL: https://healthtalk.org/womens-experiences-domestic-violence-and-abuse/role-of-the-police-in-domestic-violence-and-abuse [last access: 23.11.2021].

Statista (2021): Weltbevölkerung nach Kontinenten Mitte des Jahres 2021. URL: https://de.statista.com/statistik/daten/studie/1723/umfrage/weltbevoelkerung-nach-kontinenten/ [last access: 18.11.2021].

UN Women (2019): New survey reveals violence against women occurs widely in Albania. URL: https://eca.unwomen.org/en/news/stories/2019/05/new-survey-reveals-violence-against-women-occurs-widely-in-albania [last access: 19.11.2021].

WHO (2012):Understanding and addressing violence against women. Intimate Partner Violence.

WHO (2021): Violence Against Women. URL: https://www.who.int/news-room/fact-sheets/detail/violence-against-women [last access 19.11.2021].

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk