Dita e Europës 2020: Respektimi i shtetit të së drejtës, i të drejtave dhe lirive të njeriut gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga Covid-19

Dita e Europës 2020: Respektimi i shtetit të së drejtës, i të drejtave dhe lirive të njeriut gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga Covid-19

Gjithashtu u ndërmorën nisma legjislative për ndryshimin e disa ligjeve të rëndësishme, siç është Kodi Penal. Po deri në ç'masë mund të kufizohen të drejtat dhe liritë e njeriut? A mund të cënohet vetë thelbi i së drejtës? A mund të shkelen në mënyrë abuzive parimet dhe rregullat bazë të funksionimit të shtetit të së drejtës? Këtyre pyetjeve do mundohohemi ti japim përgjigje në këtë punim, me anë të një analize juridike të kuadrit ligjor dhe veprimeve të ndërmarra gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga COVID- 19, duke e ndërthurur me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, tashmë të ratifikuara nga shteti Shqiptar, praktikën e konsoliduar të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

I.Hyrje

Më datë 11.03.2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë, shpalli vendimin se situata e shkaktuar nga Covid-19 mund të cilësohej si pandemike (OBSH, 2020), si rrjedhojë kërkoi nga të gjitha shtetet ndërmarrjen e masave urgjente për të parandaluar përhapjen e virusit, me qëllim minimizimin e pasojave që mund të shkaktonte pandemia.

Në datë 09.03.2020, u identifikuan dy rastet e para në Shqipëri, të infektuar nga virusi Covid-19. Në datën 24.03.2020, u shpall gjendja e fatkeqësisë natyrore me Aktin Normativ të Këshillit të Ministrave nr. 243, datë 24.03.2020 “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”. Gjendja e fatkeqësisë natyrore u zgjat deri më datë 23.06.2020, me Vendimin nr. 18/2020 “Për dhënien e pëlqimit për zgjatjen e fatkeqësisë nayrore”.

Me “fatkeqësi natyrore” do të kuptojmë ndërprerjen serioze e çfarëdolloj shkalle e funksionimit të një komuniteti ose shoqërie për shkak të ngjarjeve të rrezikshme, që shkaktohen nga dukuri natyrore ekstreme, që lidhen me tërmetet, përmbytjet dhe vërshimet e ujit, temperaturat ekstreme dhe të tejzgjatura, rrëshqitjet arkitektonike, ortekët, erërat e forta në tokë dhe në det, zjarret masive në pyje, sëmundjet infektive masive dhe dukuri të tjera që ndërveprojnë me kushtet e ekspozimit, cenueshmërisë dhe kapacitetit përballues, duke çuar në humbje të mundshme njerëzore, materiale, ekonomike dhe mjedisore (ligji nr. 45, 2019).

Në një situatë pandemie botërore, ku jeta dhe shëndeti i qytetarëve është në rrezik për shkak të virusit Covid-19, kufizimi i disa të drejtave dhe lirive është i domosdoshëm për parandalimin dhe minimizimin e pasojave negative, por këto kufizime nuk duhet të cënojnë thelbin e së drejtës dhe parimet bazë të funksionimit të shtetit të së drejtës.

II.Kufizimi i të drejtave dhe lirive të njeriut gjatë gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga Covid-19

Pas identifikimit të rasteve të para të infektuar me Covid-19, më datë 09.03.2020, qeveria Shqiptare ndërmori një tërësi aktesh ligjore dhe nënligjore, duke kufizuar një sërë të drejtash dhe lirish të individit, si e drejta e lëvizjes, e dreja e punës, liria e tubimeve etj.

Pavarësisht se ishin kufizuar një tërësi të drejtash dhe lirish me aktet nënligjore dhe aktet normative, gjendja e fatkeqësisë natyrore u shpall dy javë në pas, në datë 24.03.2020.

A janë cënuar të drejtat dhe liritë e individit me aktet ligjore të ndërmara përpara shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore?

Në nenin 174 të Kushtetutës parashikohet se: “Për parandalimin ose mënjanimin e pasojave të një fatkeqësie natyrore ose aksidenti teknologjik, Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë  natyrore  në  një  pjesë  ose  në  të  gjithë territorin e shtetit”. Ky afat mund të zgjatet me pëlqimin e Kuvendit.

Në nenin 175 pika 2 e Kushtetutës, parashikohen të drejtat që mund të kufizohen gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore, konkretisht:

“Paprekshmëria e banesës”, parashikuar në nenin 37: “1.Paprekshmëria e banesës është e garantuar. 2.  Kontrollet e banesës, si dhe të mjediseve që njësohen me të, mund të bëhen vetëm në rastet dhe në mënyrat e parashikuara me ligj. 3. Askujt nuk mund t’i bëhet kontroll vetjak jashtë procesit penal, me përjashtim të rasteve të hyrjes në territorin e shtetit dhe të daljes prej tij ose për të mënjanuar një rrezik që i kanoset sigurimit publik”.

“E drejta për të lëvizur”, parashikuar në nenin 38: “1. Kushdo ka të drejtë të zgjedhë vendbanimin si dhe të lëvizë lirisht në çdo pjesë të territorit të shtetit. 2. Askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shtetit.

“Shpronësimi i pronës”, parashikuar në nenin 41 paragrafi 4: “Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë

“E drejta për të punuar”, parashikuar në nenin 49: “1. Secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme, që e ka zgjedhur ose pranuar vetë. Ai është i lirë të zgjedhë profesionin, vendin e punës, si dhe sistemin e kualifikimit të vet profesional. 2. Të punësuarit kanë të drejtën e mbrojtjes shoqërore të punës”.

E drejta për grevë, parashikuar në nenin 51: “1. E drejta e të punësuarit për grevë që ka të bëjë me marrëdhëniet e punës, është e garantuar. 2. Kufizime për kategori  të  veçanta të  punësuarish  mund  të  vendosen  me  ligj për t’i siguruar shoqërisë shërbimet e domosdoshme”.

Mbyllja e shkollave, aktiviteteve publike dhe jo publike, kufizimi i të drejtës për të punuar, për të lëvizur, vendosja e gjithë shtetasve në karantinë/vet-izolim në të gjithë Republikën e Shqipërisë, pa u shpallur gjendja e fakeqësisë natyrore, ka krijuar debate juridike nëse këto kufizime janë në përputhje me Kushtetutën.  

Nëse do ti referohemi nenit 7, pika 3 dhe 4 të ligjit nr. 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, parashikohet se: Ministri i Shëndetësisë, merr masa të veçanta për mbrojtjen nga sëmundjet infektive, konkretisht

  1. kufizimin ose ndalimin e udhëtimeve në vendin ku është përhapur epidemia nga këto sëmundje;
  2. kufizimin ose ndalimin e qarkullimit në rajonet e infektuara ose të rrezikuara;
  3. kufizimin ose ndalimin e qarkullimit të llojeve të ndryshme të mallrave dhe produkteve;
  4. mbyllja e shkollave;
  5. mbyllja e aktiviteteve jopublike apo publike;
  6. anulimi i grumbullimeve masive në vende të mbyllura apo të hapura;
  7. kufizimi apo ndalimi i lëvizjeve me mjetet e transportit publik;
  8. kufizimi i lëvizjeve brenda vendit.

Sipas këtij ligji të posaçëm, kufizimi i të drejtave dhe lirive të individit mund të bëhet me urdhër të Ministrit përgjegjës. Masa ligjore mund të ndërmerren me urgjencë, pavarësisht nëse është shpallur ose jo “gjendja e fatkeqësisë natyrore”. Ato i shërbejnë parandalimit dhe mënjanimit të pasojave të epidemisë. P.sh., disa masa kufizuese në rastin e Pandemisë së Covid-19 u morën nga Qeveria shqiptare dhe nga Ministri përgjegjës i fushës (Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale) përpara shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore (Anastasi, 2020).

Shpreh mendimin se pavarësisht parashikimeve të posaçme në ligje të ndryshme, të cilat parashikojnë rregulla për situata të ndryshme, siç është gjendja e jashtëzakonshme apo fatkeqësia natyrore, kufizimi i të drejtave dhe lirive nuk mund të bëhet a priori me urdhra dhe akte normative, pa u shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore dhe përcaktimit të saktë të të drejtave dhe lirive që kufizohen dhe masës së këtyre kufizimeve.

Miratimi i akteve ligjore të ndryshme, të cilat parashikojnë kufizime të të drejtave dhe lirive të individit, pa u shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore dhe pa u specifikuar të drejtat që kufizohen, sipas parashikimeve të nenit 175 të Kushtetutës, krijon një precedent të rrezikshëm për garantimin dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Kufizimi i të drejtave dhe lirive të njeriut, gjatë situatës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore mund të kufizohet, por jo të cënohet thelbi i vetë të drejtës dhe ky kufizim të jetë në kundërshtim me parashikimet Kushtetuese.

Kufizimi i të drejtave dhe lirive gjatë periudhës së pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, në disa shtete është konstatuar si antikushtetuese (Gjykata Kushtetuese e Kosovës, 2020).

Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, shprehet se liritë dhe të drejtat e njeriut mund të kufizohen në rast se:

  • Përhapja e sëmundjes infektive është e rrezikshme për sigurinë dhe shëndetin publik;
  • Kufizimi i lirisë së një personi është një masë ekstreme ndaj përhapjes së sëmundjes, pasi masat e tjera më pak kufizuese nuk kanë rezultuar efektive për mbrojtjen e interesit publik;

Nga ana tjetër, Gjykata Europiane e të Drejtave të njeriut ka konsoliduar praktikën, në lidhje me kushtet që duhet të plotësohen për kufizimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Vetëm plotësimi i këtyre kushteve në mënyrë përmbledhëse legjitimon kufizimin e të drejtave, konkretisht:  kufizimi bëhet me ligj, në proporcion me gjendjen e diktuar, për një interes publik dhe pa cënuar thelbin e vetë së drejtës.

Shteti Shqiptar për të shmangur detyrimet që rrjedhin nga KEDNJ-ja, ka kërkuar tërheqjen e përkohshme nga zbatimi i disa neneve të Konventës, konkretisht nga neni 8, neni 11, neni 2, Protokolli 4, neni 1 dhe 2 i Protokollit 1 (Avokati i Popullit, 2020).

III. Cedimi nga respektimi i parimeve bazë të funksionimit të shtetit të së drejtës, për shkak të ekzistencës së gjendjes së fatkeqësisë natyro

Shteti i së drejtës, kërkon jo vetëm miratimin dhe respektimin e ligjeve, por duhet ti përmbahet normave, parimeve të njohura dhe të drejtave themelore të njeriut. Në rast se në një shtet miratohen ligje, të pranuara formalisht sipas një procedure të rregullt ligjore dhe pra juridikisht të vlefshme, por që bien ndesh me parimet dhe normat juridike universale, ky shtet nuk mund të konsiderohet shtet i së drejtës (Omari, 2007)

Siç analizuam dhe më lart, për shkak situatës së krijuar nga Covid-19, janë ndërmarrë një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore, për disa prej të cilave ka diskutime dhe debate juridike përsa i përket kushtetuetshmërisë dhe masës së kufizimit të të drejtave dhe lirive të individit.

Një nga inciativat e qeverisë gjatë situatës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore ishte edhe ndryshimi i Kodit Penal, me procedurë të përshpejtuar, duke parashikuar dy vepra penale, me objekt mbrojtjen dhe garantimin e jetës dhe shëndetit të qytetarëve gjatë epidemisë. Çdo shkelje e urdhërave dhe rregullave të organeve kompetente gjatë gjendjes së epidemisë i ngarkon personat me përgjegjësi penale (ligji nr. 7895, 1995).

Ndërmarrja e kësaj iniciative gjatë kohës së epidemisë, sipas qeverisë justifikohej me faktin që Kodi Penal kishte vakume ligjore në lidhje me ngarkimin me përgjegjësi penale të personave gjatë gjendjes së epidemisë.

Ndryshimi i Kodit Penal gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore është në kundërshtim me Kushtetutën dhe praktikën e Gjykatës Kushtetuese.

Në nenin 81 pika 2/d e Kushtetutës parashikohet se:Miratohen me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit: d) Kodet”.

Në nenin 83 pika 2 dhe 3 parashikohet se:  “2. Kuvendi, me kërkesë të Këshillit të Ministrave ose të një së pestës së të gjithë deputetëve, mund të shqyrtojë e të   miratojë   një   projektligj   me   procedurë të përshpejtuar, por jo më parë se një javë nga fillimi i procedurës së shqyrtimit. 3.  Procedura e përshpejtuar nuk lejohet për shqyrtimin e projektligjeve të parashikuara në nenin 81 paragrafi 2, me përjashtim të nënparagrafit dh”.

Gjykata Kushtetuese në vendimin nr. 1, datë 12.01.2011 ëstë shprehur se: “Kodi Penal përbën ligjin më të rëndësishëm, ku përfshihen në mënyrë të sistemuar dispozitat penalo-juridike. Një nga parimet kryesore që përshkon këtë Kod është edhe parimi i ligjshmërisë që nënkupton parashikimin me ligj të veprave penale dhe mosdënimin për një vepër penale që nuk është parashikuar shprehimisht si krim ose kundërvajtje penale.

Gjykata çmon se rregullat që zbatohen gjatë procedurave normale legjislative janë thelbësisht të ndryshme nga ato të procedurave të përshpejtuara dhe, akoma më të dallueshme, nga ato që gjejnë zbatim për miratimin e akteve normative me fuqinë e ligjit. Gjykata vlerëson se dallimet konceptuale midis këtyre procedurave, apo edhe ndalimet përkatëse për zbatimin e tyre mbi një numër të caktuar ligjesh, kushtëzohet, veçanërisht, nga natyra e ligjeve, objekt miratimi, e përcaktuar në qëllimin dhe objektin e tyre.  Gjykata rithekson se respektimi i kritereve formale dhe materiale që vendos Kushtetuta gjatë procedurës ligjvënëse përbën një domosdoshmëri në shtetin e së drejtës.

Ndryshimi i Kodit Penal me procedurë të përshpejtuar është në kundërshtim me Kushtetutën, shtetin e së drejtës dhe këto ndryshime nuk ishin të diktuara nga ndonjë situatë emergjente, pasi sipas statistikave të publikuara nga Minsitria e Shëndetësisë, shumica e qyteteve nuk kishin asnjë rast të infektuar dhe numri i të infektuarve në gjithë territorin ishte nën kontroll dhe në një situatë të normalizuar.

IV.KONKLUZION

Gjendja e fatkeqësisë natyrore, nuk mund të përbëjë shkak për cedimin nga parimet dhe rregullat mbi të cilat ngrihet shteti i së drejtës, parim i cili është parashikuar në mënyrë eksplicite në preambulën e Kushtetutës dhe mishërohet në të gjithë Kushtetutën dhe në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi. Gjithashtu gjendja e fatkeqësisë natyrore nuk mund të përbëjë pretekst për cënimin e thelbit të të drejtave, në mënyrë jo proporcionale dhe jo në përputhje me gjendjen e diktuar.

Ndërmarrja e një sërë aktesh nënligjore dhe aktesh normative, duke kufizuar të drejtat dhe liritë e qytetarëve në të gjithë territorin, duke përfshirë edhe territoret, të cilat nuk kanë pasur asnjë rast të identifikuar me Covid-19, mos shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në momentin e kufizimit të të drejtave dhe lirive të individit, sjell antikushtuetshmërinë dhe jo proporcionalitetin e akteve ligjore të miratuara.

Arbesa Kurti, Autore e artikullit fitues për konkursin "Together for Democracy", qershor 2020

*Arbesa Kurti është diplomuar në vitin 2014 në Shkollën Kombëtare të Avokatisë. Prej vitesh ajo punon në këtë fushë, dhe po ashtu është angazhuar ndër vite pranë disa OJF-ve duke mbajtur pozicione të ndryshme. Angazhimet e saj përfshijnë po ashtu konferenca të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, si edhe është bashkëautore e shumë punimeve në lëmin e drejtësisë.

V. LITERATURA

  1. https://www.gazeta-shqip.com/2020/04/29/covid-19-respektimi-i-shtetit-i-te-se-drejtes-dhe-kompensimi-per-humbjet-e-pesuara/ aksesuar më datë 18.05.2020
  2. Notën Verbale në linkun http://rm.coe.int/09000016809e0fe5 , aksesuar më datë 18.05.2020.
  3. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë
  4. Kodi Penal
  5. Ligji nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile
  6. Ligji nr. 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infective
  7. Ligji nr.35/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar
  8. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nr. Akt 61/20, aksesuar më datë 18.01.2020 në linkun https://gjk-ks.org/decision/vleresim-i-kushtetutshmerise-se-vendimit-nr-214-iv-2020-te-12-prillit-2020-te-ministrise-se-shendetesise-per-shpalljen-e-komunes-se-prizrenit-zone-karantine-dhe-vendimeve-nr-2/,
  9. Linku https://www.avokatipopullit.gov.al/sq/articles-layout-1/media/news/this-article-is-available-only-in-albanian-406/
  10. Linku http://www.euro.who.int/en/health-topics/health-emergencies/coronavirus-covid-19/news/news/2020/3/ëho-announces-covid-19-outbreak-a-pandemic, aksesuar më 18.05.2020
  11. Linku https://new.shendetesia.gov.al/category/lajme/ aksesuar më datë 18.05.2020
1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk