Një Portofol Dixhital si katalizator i transformimit dixhital në Bashkimin Europian dhe vendet kandidate

Një Portofol Dixhital si katalizator i transformimit dixhital në Bashkimin Europian dhe vendet kandidate

Gjatë pandemisë Covid19, shumë shtete dhe kompani private u detyruan të transformonin proceset e tyre dhe te ofronin shërbime dixhitale për t'u ardhur në ndihmë qytetarëve në një kohë të vështirë. Siç ndodh shpesh, çdo krizë është gjithashtu një mundësi për ndryshim. Qeveritë mësuan nga përvoja e pandemisë dhe identifikuan atë që u nevojitet qytetarëve në nivel të shërbimeve dixhitale. Nisur nga kjo nevojë për transformimin dixhital, në  vitin 2021, Komisioni Europian prezantoi Portofolin e Identitetit Dixhital të BE-së (EUDI) (Commission, 2026).[1]Më tej, EUDI u mbështet dhe u kornizua brenda një vizioni më të qëndrueshëm të transformimit dixhital të BE-së si Programi i Politikave të Dekadës Dixhitale 2030. (Parliament, 2022)Portofoli Dixhital u pa gjithashtu si një mjet zbatues i Deklaratës Europiane të Parimeve dhe të të Drejtave Dixhitale për qytetarët europianë. Parimet e kësaj Deklarate parashikojnë: “i. Vendosjen e njerëzve dhe e të drejtave të tyre në qendër të transformimit dixhital; ii. Nxitjen e pjesëmarrjes në hapësirën publike dixhitale; iii. Rritjen e sigurisë, mbrojtjes dhe fuqizimit të individëve (veçanërisht të të rinjve); iv. Promovimin e qëndrueshmërisë të së ardhmes dixhitale.” (Commision, 2023)

Kështu EDUI është transformuar në një mundësi për harmonizimin e transformimit dixhital ndërmjet vendeve anëtare, si edhe në një katalizator për të rritur mundësitë e ofruara nga tregu i vetëm i BE-së. Ai i përgjigjet kërkesës së lartë të qytetarëve dhe programit të politikave në BE dhe synon lehtësimin dhe sigurimin e identifikimit dixhital në shërbime të ndryshme. EUDI shërben si një portofol i identifikimit personal dixhital për t'i bërë transaksionet midis qytetarëve të BE-së, administratës publike dhe bizneseve private më të lehta, më të sigurta dhe më të shpejta. Ai nuk është i detyrueshëm për qytetarët, por nëse ata vendosin të kenë një, ai mund të ruhet në internet dhe jashtë internetit, dhe mund të shërbejë si burim konfirmimi për disa shërbime (rezidencë, e drejta për punë etj.) (Commission, 2026). EUDI lehtëson aksesin në shërbime të qytetarëve dhe sektorit privat nëpërmjet katër funksioneve kryesore: i. identifikimi dhe aksesi në shërbime online në mënyrë të sigurt; ii. ruajtjen në formë dixhitale të dokumentave; iii. shpërndarjen e dokumentave dixhitalë sipas nevojës nga Portofoli Dixhital; iv. firmosjen formale/ligjore të dokumentave. Aktualisht, Komisioni i BE-së ka përfunduar kornizën ligjore dhe testet pilotuese në vende të ndryshme të BE-së, me bashkëpunime mes sektorit publik dhe privat. Ajo që mbetet është vënia në jetë nga ana legjislative  dhe teknike e applikacioneve të EUDI-t në vendet anëtare, me afat deri në vitin 2026.

Ky transformim dixhital gjen mbështetje të gjerë nga qytetarët e vendeve anëtare të BE-së, ku 73% e tyre vlerësojnë se dixhitalizimi i shërbimeve publike dhe private e bën jetën e tyre më të lehtë. (Commission, The Digital Decade 2025 Survey, 2025) Transformimi dixhital dhe EDUI janë një mundësi shumë e mirë për lehtësimin e transaksioneve/shërbimeve, por ndryshe nga qytetarët e BE-së, qytetarët në Ballkanin Perëndimor(BP) përdorin shërbimet dxhjitale publike vetëm në masën 19 % dhe thuajse 10% më shumë shërbimet dixhitale të ofruara nga sektori privat. (Council R. C., 2025) Edhe pse përdorimi i shërbimeve dixhitale nga qytetarët e BP ka shënuar rritje në 2025 nga viti 2024, ajo është dukshëm më e ulët se sa në Bashkimin Europian.

Ndërkohë që BE ka një set programesh dhe politikash që udhëzojnë hapat në transformimin dixhital, në BP, transformimi dixhital është përqafuar shpejt pa kaluar më parë në hapat e politikave udhëzuese që garantojnë një transformim sipas Parimeve të të Drejtave Dixhitale të BE-së. Megjithatë, në përspektivën e integrimit europian, EUDI mund të shihet si një mundësi për vendet kandidate si Shqipëria, për të rritur dhe harmonizuar aksesin dixhital, si edhe për heqjen e barrierave eksiztuese infrastrukturore, përmirësimin e legjislacionit dhe kapaciteteve institucionale për marrjen pjesë në tregun e përbashkët nëpërmjet dixhitalizimit. (Tarmo Kalvet, 2018)

 

Përfitimet dhe sfidat e një Portofoli Dixhital

Ndërsa BE-ja synon të zbatojë dhe të zvogëlojë kostot e transaksioneve për katër lëvizjet e saj (liria e mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve) që janë themeli i tregut të vetëm të BE-së, realiteti duket larg rezultatit të aspiruar për qytetarët ose bizneset. Me 27 administrata të ndryshme publike dhe 27 nivele të ndryshme të përgatitjes së infrastrukturës për të ofruar shërbime dixhitale, qytetarët dhe bizneset përballen me një listë të gjatë procedurash që kërkojnë shumë kohë për të marrë një shërbim të thjeshtë për aktivitetet e tyre ndërkufitare në zonën e tregut të lirë. Imagjinoni se jeni një student i programit Erasmus që lëviz nga Estonia për një vit jashtë vendit në Austri. Ndërsa Estonia ka një infrastrukturë dixhitale ku me një hyrje dhe një identifikim dixhital të vetëm mund të regjistroheni si student, si banor dhe madje të regjistroni automatikisht çdo shërbim, në Austri do të duhet të ndiqni agjencitë publike për t'u regjistruar si student në universitet, për t'u regjistruar si banor në komunë, për t'u regjistruar veçmas te mjeku juaj etj. EUDI garanton akses më të shpejtë dhe ndërkufitar në shërbime pasi çdo vend anëtar i BE-së do duhet të garantojë një Portofol Dixhital i njohur në të gjitha vendet anëtare.

Për të vënë në zbatim Portofolin Dixhital, Komisioni Europian u kërkon shteteve anëtare të vënë në dispozicion të qytetarëve dhe bizneseve, të paktën një Portofol Dixhital, i cili mund të jetë i ndryshëm nga shteti në shtet, por ama përmbush të gjitha kërkesat teknike të EUDI-t. Në vitin 2014, BE miratoi rregulloren eIDAS 910/2014 që lejoi që skemat kombëtare të identifikimit elektronik (eID) të përdoren për të aksesuar shërbimet publike dixhitale përtej kufijve. Aktualisht Rregullorja 2024/1183 për Kornizën Europiane të Identitetit Dixhital (eIDAS) e amenduar në Maj 2024, është baza kryesore ligjore e EUDI. (Council, 2024) Në zbatim të saj janë hartuar tre sete me akte nënligjore prej nëntor 2024 deri në Maj 2025. (Commission, The European Digital Identity Regulation, 2026) Ndërsa vendet anëtare kanë afat deri më dhjetor 2026 për të vënë në dispozicion një Portofol Dixhital operacional. Ndryshe nga qytaterët të cilët mund të zgjedhin nëse duan të kenë një portofol dxhjital, rregullorja parashikon që industritë e rregulluara në BE duhet të pranojnë të kenë një Portofol Dixhital. (Papadopoulos)

EDUI redukton ndjeshëm burokracinë, kohën e procesimit të kërkesave, si edhe thjeshton hapat për t’u ndërmarrë për shërbimet. (Tarmo Kalvet, 2018) Nga ana tjetër, Portofoli Dixhital përmirëson cilësinë e shërbimeve, duke ofruar më shumë transparencë, llogaridhënie dhe akses në shërbime kudo dhe kurdo. Kështu qytetarët dhe bizneset mund të kuptojnë më qartë si merren vendimet për shërbimet e kërkuara (leje, certifikim etj.). 

Një çështje tjetër që EUDI synon të adresojë është identifikimi i vetëm për entitetet publike dhe private. Përveç Estonisë, shumica e agjensive publike në të gjithë BE-në ofrojnë identifikim dixhital vetëm për shërbimet publike. Megjithatë, me natyrën e ndërthurur të shërbimeve dhe veprimeve në një botë të globalizuar, qytetarët përballen me nevojën për identifikim dixhital për një gamë shërbimesh në sektorin publik dhe privat.

Të kesh një herë dhe një pikë të vetme identifikimi[2] (OOP) rrit po ashtu sigurinë lidhur me marrjen, menaxhimin dhe shpërndarjen e të dhënave personale të identitetit tënd online. Nëpërmjet Portofolit Dixhital, të dhënat do të merren dhe procesohen nga institutcionet publike, të cilat më pas nëpërmjet EUDI-t, do të garantojnë akses edhe për sektorin privat. Kështu, EUDI do t’u bëjë të mundur qytetarëve të mbajnë kontrollin dhe të gjurmojnë përpunimin e të dhënave të tyre personale dhe qasjen nga agjensitë publike ose private.

Sektori privat pritet të jetë mjaft i kënaqur me harmonizimin e ri dhe lehtësisht të mbështesë e Komisionit Europian për të ndihmuar në zbatimin e EUDI-t në praktikë. Po kështu, qytetarët dhe banorët e BE-së pritet të jenë mbështetës duke pasur parasysh pengesat aktuale me të cilat përballen në marrjen e shërbimeve pasi lëvizin nga një vend i BE-së në tjetrin. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për brezat e rinj që janë më shumë në lëvizje për arsim dhe punë.

Përtej përfitimeve, vënia në jetë e Portofolit Dixhital ka edhe sfida. Së pari, do të duhet që legjislacioni në nivel BE-je të përkthehet në legjislacion kombëtar për t’u zbatuar dhe për t’iu përshtatur kontekstit ligjvënës dhe politik. Kjo sigurisht nuk është e lehtë dhe do të marrë kohë duke qënë se aplikimi do të bëhet në 27 vënde të ndryshme.

Ndër sfidat kryesore janë edhe ato teknike, duke qënë se vende të ndryshme të BE-së kanë nivele të ndryshme përgatitjeje të infrastrukturës teknologjike, siç kanë edhe tipologji të ndryshme infrastrukturore dhe zgjidhje të ndryshme të cilat jo gjithmonë mund të adresojnë nevojat që lindin nga EUDI dhe OOP. (Tarmo Kalvet, 2018) (Piper, 2021)

Vështirësia e dytë e zbatimit të Portofolit Dixhtial lidhet me strukturën dhe kulturën e institucioneve publike, të cilat janë të ndryshme brenda një shteti, e jo më në 27 vende të ndryshme. Shpeshherë tranfsormimi dixhital brenda dhe mes institutcioneve has në pengesa, duke krijuar mungesa komunikimi dhe përkthimi të vlerës së shtuar që transformimi dixhital sjell për institucionin apo qeverinë. (Tarmo Kalvet, 2018)

 

A është Shqipëria gati për një Portofol Dixhital?

Si pjesë e procesit të integrimit dhe një premtimi për një anëtarësim të afërt, vëndet kandidate, përfshirë Shqipërinë, do duhet të punojë me prioritet për adresimin e hapësirave në politikat dhe legjislacionin që prek teknologjinë dhe dixhitalizimin. Duke qënë se Portofoli Dixhital prek së pari sigurinë kibernetike dhe infrastruktuën teknike që vendet disponojnë në mënyrë që të ofrojnë një portofol të sigurt, vëndet kandidate duhet të kenë së pari strategji për sigurinë kibernetike që e adresojnë këtë, si edhe të kenë kapacitete dhe infrastrukturë teknike. (Anna Desmarais, 2025) Po ashtu, për zhvillimin e EUDI -t sipas udhëzimeve të Komisionit, vëndet duhet të kenë ligje të harmonizuara me  Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) për mbrojtjen e të dhënave personale, të miratojnë apo harmonizojnë ligjet kombëtare me Rregulloren e eIDAS, të kenë ligje dhe politika që rregullojnë Shërbimet Dixhitale (DSA) për ofruesit e shërbimeve nga sektori privat (Commission, EUR-LEX, 2022), si edhe të kenë kapacitete dhe institucione të afta të zbatojnë ligjet dhe politikat sipas Kapitullit 10 Shoqëria e Informacionit dhe Medias.

Me rritjen e ndërveprimeve dhe shkëmbimeve me tregun e përbashkët të BE-së, qoftë të njerëzve, mallrave apo shërbimeve, përafrimi i legjislacionit dhe përgatitja teknike për pasjen e një Portofoli Dixhital në Shqipëri, do të ishin hapa konkretë të facilitimit të ndërveprimeve të qytetarëve dhe bizneseve mes Shqipërisë dhe BE-së, në momentin që vendi bëhet një shtet anëtar. Por edhe ne procesin e integrimit, hapat drejt një Portofoli Dixhital i shërbejnë lehtësimit të aksesit të shërbimeve publike dhe private me një mjet te vetëm, duke rritur transparencën dhe eficencën.

Nga ana tjetër, me funksionin e ruajtjes dhe shpërndarjes së dokumentave dixhitale, qytetarët e kanë më të lehtë aksesin në shërbimeve dixhitale, në krahasim me procedurën aktuale të logimit, aplikimit dhe marrjes së dokumentave në mënyrë të vazhdueshme në portalin e-albania që jo gjithmonë është i aksesueshëm për qytetarët.

Edhe pse vendi ynë është parë si një pioner i integrimit të teknologjisë në sferën e politikave publike (DigWatch, 2023) (p.sh përkthimi  dhe transferimi i acquis të BE-së me Inteligjencë Artificiale (IA) (YEUNG), apo ministrja e parë IA Diella (Alice Taylor, 2025)), këto politika publike janë ndërmarrë para se Shqipëria të prezantonte Strategjinë Kombëtare për Inteligjencën Artificiale (Blerina Gjoka, 2025), apo para se të miratohen rregulla për përdorimin etik të IA në administratën publike. Pra duket qartazi që ekziston vullneti politik për transformimin dixhital, ndërkohë që ka ende punë në kornizën ligjore dhe politikave institutcionale.

Si parakusht i zhvillimit të e-albanias dhe lehtësimit të transaksioneve elektornike mes institucioneve publike, qytetarëve dhe sektorit privat, Shqipëria ka miratuar më herët një sërë ligjesh[3] që krijojnë një bazë, e cila mund të shërbejë për një zbatim më të lehtë të rregullores eIDAS për Portofolin Dixhital. Shqipëria ka një ligj “Për Mbrotjen e të Dhënave Personale” i cili është i harmonizuar me GDPR (Brojka, 2025); ka një Strategji Kombëtare për Sigurinë Kibernetike 2025 – 2030, dhe një Plan Veprimi 2025-2027, i cili është konform me direktivën europiane NIS2, rregulloren e eIDAS, dhe kuadrin e certifikimit të sigurisë kibernetike EUCC. Megjithatë vendi ka ende nevojë të adresojë hapësirën ligjore për rregullimin e platformave online sipas modelit të Rregullores për Shërbimet Dixhitale (DSA), dhe Rregullores për Tregjet Dixhitale (DMA).

Ndërkohë që vendi ka ende nevojë të adresojë hapësirat në kuadrin ligjor në fushën e tëknologjisë, në 7 Maj 2026, Parlamenti shqyrtoi dhe aprovoi ligjin Për Identifikimin Elektronik, Shërbimet e Besuara dhe Portofolin e Identitetit Dixhital[4], të harmonizuar me Direktivat e BE-së[5]. Ligji parashikon funksionet e EUDI edhe për portofolin dixhital shqiptar, i cili duhet të jetë operacional edhe në vendet e BE-së në momentin e aderimit të Shqipërisë.

Për një përgatitje thelbësore për ndërtimin e një Portofoli Dixhital në Shqipëri, përtej kornizës ligjore, vendi ynë ka ende nevojë të adresojë zbatimin e pjesshëm të ligjeve, mungesën e politikave lehtësuese në zbatim, si edhe mungesat e kapaciteteve dhe konpetencat institutcionale.

Si një parakusht i ofrimit të një Portofoli Dixhital, BE-ja kërkon garanci të sigurisë kibernetike. Në vitin 2022 Shqipëria u bë viktimë e tre sulmeve kibernetike që prekën infrastrukturën e saj kritike si sistemin e administrate.al, sistemin e shërbimeve e-albania dhe sistemin TIMS (Gholami, 2022). Shembuj të tillë tregojnë se përtej rritjes së kapaciteteve, sipas ekspertëve, Shqipëria ka ende nevojë të përmirësojë dhe zgjerojë infrastrastrukturën teknike. (Blerina Gjoka, 2025). Po ashtu, shërbimet në e-albania janë shpëshherë të paaksesueshme për shkak të mbingarkesës apo problemeve të sistemit. Në kushte të tilla, edhe pse legjislacioni mund të jetë tërësisht në përputhje me BE-në, është e nevojshme që të analizohet infrastruktura teknike, të përmirësohet bazuar në mësimet e nxjerra nga e-albania, si edhe të sigurohet mbrojtje më e lartë kibernetike.

Ndërkohë institucione kyç në zbatimin e legjislacionit për facilitimin e zhvillimit dhe zbatimit të EUDI-t në Shqipëri hasen me mungesa të larta kapacitetesh. Një shembull i tillë është Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, institucion i cili ka mungesë kapacitetesh në monitorimin e vazhdueshëm të menaxhimit të të dhënave personale për të gjitha subjektet (publike apo private) (Brojka, 2025)

Ndër sfidat e tjera për t’ u adresuar në Shqipëri mbetet kultura institutcionale e ndarjes dhe menaxhimit të të dhënave, si edhe harmonizimi i mëtejshëm i transforimimit dixhital ndër-institucional. Edhe pse prezantimi i platformës së shërbimeve dixhitale e-albania solli një revolucion dixhital institucional, ajo përveçse preku vetëm sektorin publik, është ende e pastudiuar në nivel të transformimit real që ka sjellë brenda institutcioneve, apo në nivel të aksesuershmërisë dhe gjithëpërfshirjes së shërbimeve dixhitale nga qytetarët dhe sektori privat.

Detyrimi për të marrë shërbimet vetëm në mënyrë dixhitale dhe duke hequr sportelet fizike, dëshmoi se qytetarët që nuk kanë aftësi dixhitale ndihen të përjashtuar nga aksesi në shërbime publike. BE-ja nga ana tjetër e promovon EUDI-n si një mjet lehtësues, jo të detyrueshëm dhe jo përjashtues për qytetarët e saj. Ndaj për një Portofol Dixhital të suksesshëm në Shqipëri, do të duhet që besimi, aftësitë dhe përdorimi i shërbimeve dhe dokumentave dixhitale nga qytetarët dhe sektori privat të rriten.

 

Një mundësi transformimi

EUDI përfaqëson vërtet një revolucion dixhital si për vendet anëtare dhe tregut të përbashkët të BE-së, ashtu edhe për vendet kandidate. Me synimin për të përshpejtuar transformimin dixhital ndërinstitutcional dhe ofrimin e shërbimeve ndërkufitare, ai ka potencialin të lehtësojë në përditshmëri jetën e qytetarëve, punonjësve, studentëve dhe bizneseve. Programi i politikave dixhitale të udhëhequra nga Komisioni shërben si një bazë për vendet anëtare që të ngushtojnë diferencat në transformimin dixhital, si edhe të zhvillojnë Portofolet Dixhitale kombëtare deri më 2026, duke ofruar kështu një akses të barabartë dhe të harmonizuar në shërbime në 27 vende.

Për vendet kandidate si Shqipëria, EUDI është një mjet i shumëfishtë. Ai mund të shërbejë si një incentivë për të përafruar më tej legjislacionin shqiptar me acquis-në e BE-së, të nxisë një proces analitik për kapacitetet dhe nevojat institutcionale në tranzicionin dixhital, si edhe të zgjerojë funksionet e IdentiTek për të funskionuar mirëfilli si një Portofol Dixhital. EUDI është edhe një mjet strategjik në lehtësimin e transaksioneve dhe shërbimeve mes Shqipërisë si një vend i ardhshëm anëtar dhe vendeve të tjera të BE-së; për të gjithë qytetarët/bizenset shqiptare që do të kenë mundësi të  përfitojnë nga katër liritë e tregut të përbashkët; apo qytetarët e huaj që do të jetojnë apo punojnë në Shqipëri.



[1]Portofoli i Identitetit Dixhital të BE-së, është një formë e prezantimit dixhital të identitetit të një individi.

[2]Once Only Principle - OOP

[3]Ligji “Për Qeverisjen Elektronike”, nr. 43, 05/07/2023;

Ligji “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, nr. 54, 20/06/2024;

Ligji “Për Nënshkrimin Elektronik”, nr. 9880, 19/03/2008;

Ligji “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara”, nr. 107, 21/1/2015

[4]Ligj Nr. 51/2026, Për Identifikimin Elektronik, Shërbimet e Besuara dhe Portofolin e Identitetit Digjital, Kuvendi i Shqipërisë.

[5]  Ligji nr.107/2015 “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara”, i ndryshuar, dhe ligji

nr.9880, datë 25.2.2008, “Për nënshkrimin elektronik”, i ndryshuar, shfuqizohen.


Alba Brojka, maj 2026
*Alba Brojka është një analiste e politikave dixhitale e fokusuar në tranzicionin digjital dhe politikat publike. Alba ka pothuajse një dekadë eksperiencë pune në analizën e politikave publike, mbështetjen e demokracisë (OJQ-të dhe media), menaxhimin e projekteve, lidershipin dhe ndryshimin institucional. Ajo ka mbajtur shumë pozicione në institucione kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, duke përfshirë OSBE-në, Fondin Europian për Demokraci, RYCO-n dhe Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri. Alba ka një diplomë Master në Teknologjitë Digjitale dhe Politikat Publike nga “University College London”, dhe një diplomë Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci të BE-së nga “College of Europe”. Ajo ka ndjekur programe ekzekutive nga “Harvard Kennedy School” dhe “Stanford University”. Alba është e përkushtuar në punën për një qeverisje të teknologjive digjitale gjithëpërfshirëse dhe të përqendruar te njerëzit.

Referencat

Commission, E. (2026, Jan 14). European Digital Identity Wallet. Retrieved from European Commission: European Digital Identity Wallet

Tarmo Kalvet, M. T. (2018). ross-border e-Government Services in Europe: Expected Benefits, Barriers and Drivers of the Once-Only Principle. roceedings of the 11th International Conference on Theory and Practice of Electronic Governance (ICEGOV '18) (pp. 69-71). New York: Association for Computing Machinery.

Council, E. P. (2024, April 11). EUR-Lex. Retrieved from European Union: https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=CELEX%3A32024R1183&qid=1716986198888

Papadopoulos, T. (n.d.). EU Wallet and Cross-Border Identities. Retrieved from Greek Research & Technology Network : https://grnet.gr

Parliament, E. (2022, December 14). European Union. Retrieved from EUR-LEX: https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=CELEX:32022D2481

Commission, E. (2026, January 10). The European Digital Identity Regulation. Retrieved from European Commission: https://ec.europa.eu/digital-building-blocks/sites/spaces/EUDIGITALIDENTITYWALLET/pages/915931811/The+European+Digital+Identity+Regulation

Commision, E. (2023, 01 23). European Commission. Retrieved from EUR-LEX: https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=OJ:JOC_2023_023_R_0001

Piper, P. D. (2021). Study to support the impact assessment for the revision of the eIDAS regulation. Brussels: European Commission.

Anna Desmarais, E. (2025, 11 4). Here are the digital changes EU candidate countries are making to align with the bloc. Brussels, Belgium.

Commission, E. (2022, Oct 19). EUR-LEX. Retrieved from European Union: https://eur-lex.europa.eu/eli/reg/2022/2065/oj/eng

Yeung, A. K. (n.d.). The Unexpected AI Unicorn in Europe: Albania. Tirana.

DigWatch. (2023, Dec 14). Albania pioneers AI integration with ChatGPT to accelerate EU accession.

Alice Taylor, P. (2025, Sept 11). Albania appoints world’s first AI-made minister. Brussels.

Blerina Gjoka, B. (2025, Aug 27). Strategjia për Inteligjencën Artificiale: E mirë në letër, sfiduese në zbatim. Tirana, Albania.

Brojka, A. (2025, Dec). AI-Facilitated Data and Pivacy Rights Violantions in the Western Balkans. Pristina, Kosovo.

Gholami, E. E. (2022, Sept 16). Albania blames Iran for cyberattacks. Tirana, Albania.

Ministrave, K. i. (2023, Feb 14). Për krijimin e shoqërisë aksionare për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike. Tirana, Albania.

Commission, E. (2025, 06). The Digital Decade 2025 Survey. Brussels, Belgium.

Council, R. C. (2025). Balkan Barometer 2025 Public Opinion. Sarajevo, Bosnia and Herzegovina.


 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
24Abonues
European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk