Padyshim se të shkruash sot një artikull për Inteligjencën Artificiale (më tej IA), është një sfidë interesante dhe me shumë pikëpyetje. Diskursi shpesh karakterizohet nga një shkallë e lartë konfuzioni, kryesisht për shkak se ky koncept është përdorur për të përshkruar një gamë të gjerë fenomenesh të ndryshme, që variojnë nga një shaka e Siri-t deri te përfytyrime fiksionale, si Terminator-i që shtyp një kafkë (Mollick, 2024, f. 3). Ironikisht Popper ka pasur të drejtë kur thoshte se shkencat kanë për detyrë të zgjidhin pyetjet që i shtrojnë vetes (Gadamer, 2001, f. 26). Pyetja që në rastin konkret shtrihet është, sesi duhet përdorur brenda kornizave etike dhe profesionale IA?! Përgjigjet janë komplekse, rrjedhimisht si të tilla përfundimet s’mund të paraqiten si shteruese. Më poshtë do të analizojmë disa qasje rreth IA-së, duke u përpjekur të përfshijmë në spektrin e argumentave, një fibër objektiviteti dhe sa më shumë gjithëpërfshirëse.
Teknoshkenca e shekullit XX, e shoqëruar nga skepticizëm i vazhdueshëm, mbështetet mbi konceptin e Homo faber, i rrënjosur në nocionin grek techne (τέχνη), si dije krijuese dhe prodhuese. Kjo paradigmë, në vijim të vizionit të Auguste Comte, kulmon në projektin e inteligjencës artificiale dhe nënkupton riformulimin e nocioneve tradicionale mbi natyrën njerëzore (Larson, 2021, f. 64-65).
IA mund të konceptohet, në mënyrë metaforike, si një forcë transformuese e krahasueshme me zjarrin që, sipas mitologjisë greke, Prometheu (Ο Προμηθέας) ua dhuroi njerëzve. Ashtu si zjarri shënoi një pikë kthese në zhvillimin e njerëzimit, duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën e jetesës dhe duke riformësuar marrëdhënien e njeriut me të shenjtën, edhe IA pritet të prodhojë një transformim të thellë në strukturat shoqërore, ekonomike dhe njohëse. Në këtë kuptim, ajo përfaqëson jo vetëm një avancim teknologjik, por një moment paradigmik që mund të ripërcaktojë kufijtë e aftësisë njerëzore dhe raportin e saj me autoritetin, dijen dhe fuqinë.
Kjo metaforë gjen mbështetje edhe në literaturën bashkëkohore, ku IA konceptohet si një teknologji themelore me ndikim strukturor në zhvillimin e shoqërisë. Në këtë kuadër, studiuesja e Stanford University, Fei-Fei Li, argumenton se, në një perspektivë të gjerë, inteligjenca artificiale mund të krahasohet me inovacione themelore si elektriciteti apo interneti, për shkak të kapacitetit të saj për të transformuar jo vetëm kërkimin shkencor, por edhe strukturat ekonomike dhe shoqërore në tërësi (Li, 2025). Prirja njerëzore për të tejkaluar kufijtë e vetvetes, e artikuluar përmes figurës promethiane, mund të kuptohet si një përpjekje për të përvetësuar kapacitete që tradicionalisht i atribuohen sferës hyjnore, edhe kur kjo nismë shoqërohet me rreziqe të konsiderueshme dhe pasoja potencialisht të rënda, përfshirë forma të ndëshkimit të vazhdueshëm (Larson, 2021, f. 238).
Koncepti themelor i inteligjencës artificiale bashkëkohore është agjenti inteligjent, i cili përkufizohet si një entitet që merr informacion nga mjedisi përmes perceptimit dhe përgjigjet ndaj tij përmes veprimit. Ky proces zhvillohet në mënyrë të vazhdueshme në kohë, duke shndërruar një fluks të dhënash hyrëse në një sekuencë veprimesh të orientuara (Russell, 2019, f. 42).
Prizmi i IA-së afekton çdo sektor jetësor. IA sjell një alternativë robotike në jetën tonë reale. Një problem mjaft aktual dhe shqetësues është pikërisht realiteti që IA prodhon kur përdoret në mënyrë jo etike dhe profesionale. A mund të ketë një filtër për të bërë dallimin mes tyre? Ku duhet të jenë kufijtë e IA-së? Haec quaestio nodus difficilis est…
Nga aparatet e inteligjencës artificiale të asistuara nga njeriu deri tek IA parashikuese si aplikimi dominues, evidentohet një tipar i përbashkët: përfshirja e përgjithshme e individëve në funksionimin dhe efektet e kësaj teknologjie. Në këtë kontekst, përpjekjet për t’u mbrojtur nga rreziqet e saj nuk mund të mbështeten thjesht në refuzimin e teknologjisë apo në shmangien e shërbimeve digjitale, përveç nëse një veprim i tillë do të ishte kolektivisht i përgjithësuar. Megjithatë, edhe në një skenar të tillë, kjo qasje do të ishte problematike, pasi teknologjitë bashkëkohore digjitale dhe rrjetëzimet ofrojnë përfitime të konsiderueshme për jetën e përditshme, të cilat do të humbisnin në rast të një tërheqjeje të plotë prej tyre (Mühlhoff, 2025, f. 161).
Diskursi etik modern në traditën perëndimore përqendrohet kryesisht te agjencia morale e individit, duke supozuar një subjekt të vetëm përgjegjës për vendimmarrjen etike. Megjithatë, në kontekstin e inteligjencës artificiale, ky kuadër rezulton i pamjaftueshëm, pasi asnjë individ nuk mund të mbahet i vetëm përgjegjës për fuqinë e kompanive të platformave për të krijuar modele parashikuese mbi bazën e të dhënave të agreguara. Si rrjedhojë, etika e IA-së kërkon një zhvendosje përtej fokusit klasik mbi veprimin e drejtë individual drejt një kuadri më të gjerë analitik. Duke qenë se përdoruesit janë në mënyrë të pashmangshme të përfshirë në funksionimin dhe ndërveprimin me këto sisteme, një theksim i vetëm mbi përgjegjësinë individuale dhe fajësinë morale është i pamjaftueshëm si bazë për analizë etike tyre (Mühlhoff, 2025, f. 161).
Le të marrim për ilustrim edukimin. Sot janë të panumërta rastet e përdorimit të IA-së tek sektori i arsimit. Një studim i kohëve të fundit i zhvilluar në Massachusetts Institute of Technology (MIT), i udhëhequr nga Nataliya Kosmyna, sugjeron në gjetjet paraprake se përdorimi i ChatGPT mund të shoqërohet me një reduktim deri në 55% të nivelit të aktivitetit të studentëve (Kosmyna dhe të tjerë, 2025). Një rast tjetër studimi i botuar nga University of Cambridge, krahason feedback-un e përdorimit të inteligjencës artificiale me atë të pedagogëve në arsimin e lartë, duke treguar se IA është veçanërisht efikase në korrigjimin e gabimeve gjuhësore dhe në ofrimin e komenteve të shpejta dhe të qëndrueshme. Megjithatë, ajo mbetet më e kufizuar në vlerësimin e përmbajtjes dhe në interpretimin kritik, çka e bën më të përshtatshme si mjet plotësues sesa zëvendësues të rolit të mësuesit (Cengiz & Yigitoglu Aptoula, 2026). Zgjidhja provizore duket se në mungesë të një shterimi të kapaciteteve krijuese, bëhet e domosdoshme një angazhim i vetëdijshëm për rikultivimin e një kulture të inovacionit dhe lulëzimit njerëzor, duke u mbështetur në inteligjencën njerëzore si mjet themelor për orientimin drejt një të ardhmeje cilësisht më të avancuar se e kaluara (Larson, 2021, f. 281).
Duke sintetizuar dhe trajtuar në mënyrë kritike çështjet etike që lidhen me IA, Noam Chomsky i ristrukturoi argumentet e tij në një formë më koherente dhe sistematike, duke i mbështetur ato mbi një bazë teorike të konsoliduar dhe një analizë të thelluar konceptuale; kësisoj ai mban një qëndrim kritik ndaj konceptit të “Inteligjencës Artificiale”, duke sugjeruar se termi është i gabuar dhe madje mashtrues. Ai propozon që këto sisteme të quhen më saktë “software për plagjiaturë”, pasi ato nuk prodhojnë kuptim të ri, por riorganizojnë në mënyrë probabilistike materiale ekzistuese. Pajtohemi plotësisht me këtë tezë, pasi sikundër mund të evidentohet (të paktën deri tani), IA nuk mund të zhvillojë diçka të re, pra nuk mund të krijojë prej ἐκ τοῦ μηδενός (ex nihilion). Sipas Chomskyt, dallimi midis mendjes njerëzore dhe modeleve gjuhësore është thelbësor: ndërsa njeriu zotëron një kapacitet të lindur për të gjeneruar shpjegime dhe për të krijuar kuptim; një ide që qëndron në qendër të teorisë së gramatikës universal, ndërsa modelet si ChatGPT operojnë përmes parashikimit statistikor pa asnjë kuptim semantik (Chomsky, Roberts, & Watumull, 2023).
Në këtë kuptim, inteligjenca njerëzore (koncepti i inteligjencës, që nga filozofia e lashtë greke, lidhet me aftësinë për të perceptuar, arsyetuar dhe vepruar në mënyrë efektive; me kalimin e kohës, ky koncept është bërë më i gjerë dhe më i saktë; Aristoteli e thelloi këtë kuptim duke dalluar arsyetimin logjik, që çon në përfundime të vërteta, dhe arsyetimin praktik, i cili udhëzon zgjedhjen e veprimeve për të arritur qëllime të caktuara Russell, 2019, f. 20), është krijuese dhe interpretuese, ndërsa ajo artificiale është riprodhuese dhe llogaritëse. Chomsky thekson gjithashtu dimensionin etik të kësaj teknologjie, duke argumentuar se trajnimi i modeleve mbi sasi masive të prodhimit kulturor njerëzor, pa njohje të burimit, përbën një formë të avancuar të përvetësimit të pronës intelektuale. Ai e përshkruan këtë fenomen si një nga rastet më të mëdha të përvetësimit kulturor në histori, duke ngritur shqetësime mbi rolin e teknologjisë në raport me krijimtarinë dhe autorësinë njerëzore (Chomsky dhe të tjerë, 2023). Megjithatë, kritika e tij nuk synon refuzimin e teknologjisë, por shërben si një thirrje për reflektim kritik, me qëllim ruajtjen e rolit aktiv të mendjes njerëzore në prodhimin e dijes dhe kuptimit.
Sigurisht që kreativiteti i IA-së ka shumë përdorime. Në disa raste, ai mund të arrijë, madje edhe të tejkalojë, standardet njerëzore në fusha shumë specifike të shkencës ose artit. Por arritja e kreativitetit njerëzor në kuptimin e gjerë është një çështje krejt tjetër. Inteligjenca e përgjithshme artificiale mbetet po aq e largët sa më parë (Boden, 2016, f. 72). Nga ana tjetër, inteligjenca njerëzore përbën një fenomen kompleks dhe shumëdimensional, i rrënjosur thellësisht në përvojën e jetuar, në ndërveprimin trupor me mjedisin dhe në kontekstin situacional, duke e tejkaluar kështu çdo përpjekje për reduktim të saj në struktura formale apo në sisteme rregullash algoritmike (Hubert L. Dreyfus, 1972).
Historiani dhe ekonomisti Frey (cituar në Elliott, 2026) argumenton se IA ka potencial të konsiderueshëm për të nxitur progres ekonomik dhe për të përmirësuar mirëqenien njerëzore; megjithatë, realizimi i këtij potenciali kushtëzohet nga institucione dhe stimuj shoqërorë që formësojnë mënyrën e adoptimit dhe përdorimit të saj.
Ky qëndrim optimist përforcohet nga fakti se IA nuk përbën një kërcënim thelbësor për integritetin intelektual të shkencave humane, pasi ajo nuk mund të zëvendësojë analizën kritike dhe interpretimin e thellë që kërkojnë këto disiplina. Megjithëse mund të lehtësojë përmbledhjen e informacionit dhe, në disa raste, përdorimin e rrugëve të shkurtra nga studentë më pak të angazhuar, natyra e kërkimit humanistik mbetet e lidhur ngushtë me krijimtarinë dhe perspektivën individuale. Për rrjedhojë, ndikimi i IA-së është më tepër një reflektim i qëndrimeve dhe qëllimeve të përdoruesve sesa një rrezik real për vetë prodhimin e dijes (Chen, 2026).
Sipasojë e ndërveprimit dhe implikimit kaq i madh i njeriut me IA, në mënyrë të pashmangshme po zhvillohet një dimenson i ri: homo sapiens ad hominem roboticum evolvit. Kësisoj, në kontekstin e debatit mbi zhvillimet e avancuara të inteligjencës artificiale, koncepti i Trans-humanism paraqitet si një perspektivë që e mirëpret transformimin radikal të qenies njerëzore përmes teknologjisë. Ndryshe nga qëndrimet më skeptike, si ai i Vernor Vinge, disa autorë si Hans Moravec argumentojnë se njerëzimi duhet të mbështesë zhvillimin e “pasardhësve mendorë”, edhe nëse këta tejkalojnë inteligjencën njerëzore. Kjo qasje nënkupton një të ardhme ku kufijtë biologjikë tejkalohen përmes bashkimit me teknologjinë ose zëvendësimit nga sisteme më të avancuara, duke ngritur njëkohësisht sfida të thella etike për teoritë tradicionale morale, të cilat e konsiderojnë ruajtjen e jetës dhe të species njerëzore si një vlerë themelore (Russell & Norvig, 2010, f. 1038).
Këtë ndikim e paraqet sinteza dhe projeksioni i Max Tegmark; ai propozon një tipologji tripartite të jetës α) Jeta 1.0 (biologjike), β) Jeta 2.0 (kulturore) dhe γ) Jeta 3.0 (teknologjike), e ndërtuar mbi dallimin midis hardware dhe software si dimensione themelore të organizimit të inteligjencës. Në këtë kuadër, Jeta 1.0 karakterizohet nga një determinizëm biologjik, ku si struktura fizike (hardware) ashtu edhe programimi funksional (software) janë të fiksuara nga evolucioni gjenetik dhe nuk modifikohen gjatë jetës individuale. Në kontrast, Jeta 2.0 shënon një kapërcim epistemologjik dhe kulturor, duke mundësuar rikonfigurimin e software-it përmes të mësuarit, gjuhës dhe transmetimit kulturor, ndërkohë që hardware mbetet biologjikisht i kufizuar. Ndërsa Jeta 3.0 përfaqëson një fazë hipotetike të avancuar, në të cilën entitetet inteligjente fitojnë kapacitetin për të ndërhyrë drejtpërdrejt në të dyja dimensioned duke optimizuar jo vetëm software-in, por edhe hardware-in, duke çliruar kështu zhvillimin e inteligjencës nga kufizimet e evolucionit gradual dhe duke e zhvendosur atë drejt një dinamike të vetë-drejtuar (Tegmark, 2017, f. 26).
Por si mund të vihen limitet? Sipas Floridit (2019, f. 80), figura paraqet një model konceptual të ndërveprimit ndërmjet etikës digjitale, rregullimit juridik dhe qeverisjes në kontekstin e inteligjencës artificiale. Në këtë kuadër, etika e ndarë në forma të buta dhe të forta (ku etika e butë i referohet udhëzimeve jo-detyruese dhe parimeve normative, ndërsa etika e fortë përfshin norma të formalizuara që mbështeten nga mekanizma detyrues dhe shpesh institucionalizohen në rregullore ose ligj), përbën bazën normative që formëson perceptimet shoqërore mbi të pranueshmen, duke ndikuar kështu në zhvillimin e rregulloreve dhe praktikave të qeverisjes. Rregulloret, nga ana tjetër, institucionalizojnë këto parime përmes mekanizmave detyrues të pajtueshmërisë (compliance), duke kufizuar dhe strukturuar zbatimin e etikës, veçanërisht në dimensionin e saj jo-detyrues. Qeverisja funksionon si ndërmjetëse operative, duke siguruar implementimin efektiv të normave ligjore dhe standardeve etike përmes strukturave organizative dhe procedurave të kontrollit. Ndërthurja e këtyre tri sferave e ilustruar në zonat A, B, C dhe D, demonstron se një kornizë e qëndrueshme për menaxhimin e teknologjive digjitale kërkon integrimin e vlerave morale, detyrimeve ligjore dhe mekanizmave praktikë të zbatimit.
Crawford (2021, f. 225-226) argumenton një kritikë të zhvillimit teknologjik dhe të IA-së, duke theksuar se transformimet e dekadave të fundit janë realizuar shpesh pa një vlerësim të mjaftueshëm të pasojave afatgjata. Në këtë kuadër, Langdon Winner argumenton se shoqëritë moderne hyjnë në “kontrata” teknologjike pa i kuptuar plotësisht kushtet dhe implikimet e tyre, ndërsa pasojat bëhen të dukshme vetëm pasi këto transformime janë konsoliduar. Nga ana tjetër, Achille Mbembé mbron tezën se këto zhvillime nuk janë të paparashikueshme, por rrjedhojë e një logjike sistematike abstraksioni dhe racionalizimi korporativ që synon nxjerrjen, kapjen dhe komercializimin e të dhënave dhe kapaciteteve njerëzore, duke margjinalizuar arsyen kritike. Në këtë kontekst, theksohet se përgjigjet aktuale, si rregullimi ligjor apo ndërhyrjet teknike pas faktit, mbeten të pjesshme, pasi supozojnë teknologjinë si të pashmangshme. Për rrjedhojë, kërkohet një riformulim kritik i marrëdhënies midis teknologjisë dhe shoqërisë, ku zhvillimi i inteligjencës artificiale të orientohet nga parime të drejtësisë sociale, ekonomike dhe mjedisore, duke vënë në diskutim jo vetëm përdorimin e saj, por edhe kufijtë e pranueshëm të aplikimit të saj.
Për tju rikthyer metaforës që përdorën në krye, sikundër zjarri mund të ishte i dëmshëm për njerëzit pasi këta të fundit nuk mund të ishin të përgatitur, ashtu edhe IA, nëse nuk kornizohet brenda normave soico-kulturore të etikës shoqërore, mund të jetë arsyeja që njerëzimi t’i shoh disa prodhime kinematografike si “Matrix” dhe “Terminator” si paradigma të së ardhmes. Sepse në skenarin më kataliktk, një strukturë superinteligjence, në mungesë kontrolli, ka gjasa të riorganizojë burimet për të maksimizuar (për mirë apo për keq), qëllimet e saj (Bostrom, 2014, f. 99).
Vasiljano Buba, qershor 2026
*Historian dhe studiues i ri i shkencave humane, me specializim në historinë moderne, teologjinë, historinë kishtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Ka studiuar fillimisht teologji dhe më pas ka përfunduar studimet Bachelor dhe Master i Shkencave në Histori pranë Universitetit të Tiranës, me rezultate të shkëlqyera dhe me punime kërkimore të vlerësuara maksimalisht. Ka qenë asistent lektor në universitet në Shqipëri dhe aktualisht është kandidat për doktoraturë, në vitin e parë, pranë Universitetit Aristoteli i Selanikut, ku fokusohem në analizën e ndërveprimit ndërmjet nacionalizmit dhe proceseve bashkëkohore. Veprimtaria e tij akademike karakterizohet nga angazhim i vazhdueshëm në kërkimin shkencor, pjesëmarrje në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe kontribute në studime historiko-teologjike. Interesat e tij kërkimore përqendrohen në historinë e nacionalizmit dhe shtetformimit, në historinë e institucioneve fetare, si dhe në filozofinë politike dhe rolin e ideve në zhvillimin e shoqërive moderne. Krahas këtyre, ka ndjekur dhe përfunduar një sërë kursesh dhe module akademike në lidhje me Bashkimin Europian, përfshirë integrimin europian, institucionet dhe politikat e BE-së, si dhe promovimin e të drejtave të njeriut në kuadër të proceseve integruese.
Bibliografi:
Boden, M. A. (2016). AI: Its nature and future. Oxford University Press.
Bostrom, N. (2014). Superintelligence: Paths, dangers, strategies. Oxford University Press.
Chen, A. (2026, April 22). The humanities don’t need to be afraid of AI. The Daily Princetonian. https://www.dailyprincetonian.com/article/2026/04/princeton-opinion-column-ai-humanities-scholarship-intellectual-integrity
Chomsky, N., Roberts, I., & Watumull, J. (2023, March 8). The false promise of ChatGPT. The New York Times. https://www.nytimes.com/2023/03/08/opinion/noam-chomsky-chatgpt-ai.html
Cengiz, Y., & Yigitoglu Aptoula, N. (2026). Comparing AI and human feedback at higher education: Level appropriateness, quality and coverage. Language Teaching, 59(1), 122–127. https://doi.org/10.1017/S0261444825000199
Crawford, K. (2021). Atlas of AI: Power, politics, and the planetary costs of artificial intelligence. Yale University Press.
Dreyfus, H. L. (1972). What computers can’t do: A critique of artificial reason. Harper & Row.
Elliott, D. (2026, April 24). An Oxford professor on AI’s potential for humanity – and what might block it. World Economic Forum. https://www.weforum.org/stories/2026/04/an-oxford-professor-on-ai-s-potential-for-humanity-and-what-might-block-it/
Floridi, L. (2019). The ethics of artificial intelligence: Principles, challenges, and opportunities. Oxford University Press.
Gadamer, H.-G. (2001). The beginning of philosophy (R. Coltman, Trans.). Continuum.
Kosmyna, N., Hauptmann, E., Yuan, Y. T., Situ, J., Liao, X.-H., Beresnitzky, A. V., Braunstein, I., & Maes, P. (2025). Your brain on ChatGPT: Accumulation of cognitive debt when using an AI assistant for essay writing task (Version 2). arXiv. https://doi.org/10.48550/arXiv.2506.08872
Larson, E. J. (2021). The myth of artificial intelligence: Why computers can’t think the way we do. Harvard University Press.
Li, F.-F. (2025, March 24). Artificial intelligence: Supercharging science. Stanford Emerging Technology Review. https://setr.stanford.edu/news/artificial-intelligence-supercharging-science
Mollick, E. (2024). Co-intelligence: Living and working with AI. WH Allen.
Mühlhoff, R. (2025). The ethics of AI: Power, critique, responsibility. Bristol University Press.
Russell, S. J. (2019). Human compatible: Artificial intelligence and the problem of control. Penguin Random House.
Russell, S. J., & Norvig, P. (2010). Artificial intelligence: A modern approach (3rd ed.). Prentice Hall.
Tegmark, M. (2017). Life 3.0: Being human in the age of artificial intelligence. Alfred A. Knopf.
 (1) (1) (1).png)
 (1) (1) (1).png)







.jpg)



























