Mbrojtja e medias dhe gazetarëve nga paditë SLAPP – Analizë e Direktivës (BE) 2024/1069 dhe implikimet për Shqipërinë

Mbrojtja e medias dhe gazetarëve nga paditë SLAPP – Analizë e Direktivës (BE) 2024/1069 dhe implikimet për Shqipërinë

Paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP) përbëjnë një formë abuzimi me procedurën gjyqësore, që synon të frikësojë dhe të rraskapitë median dhe gazetarët përmes kostove financiare, zvarritjes dhe pasigurisë juridike, më shumë sesa të fitojë çështjen në themel. Edhe kur këto padi rrëzohen, ato prodhojnë një “chilling effect” ose efekti frenues mbi raportimin për çështje me interes publik, duke nxitur autocensurën dhe duke cenuar rolin e medias si “roje publike”  dhe monitorues i tre pushteteve në një shoqëri demokratike.

Në përgjigje të këtij fenomeni, Bashkimi Europian miratoi Direktivën (BE) 2024/1069, e cila synon të vendosë mekanizma procedurale mbrojtëse kundër padive dukshëm të pabazuara ose abuzive, përmes filtrimit të hershëm, rregullimit të kostove dhe masave kundër paditësve abuzivë (European Union, 2024). Për Shqipërinë, ku mungojnë instrumente të tilla specifike, peshat financiare dhe kohëzgjatja e proceseve civile rrisin ekspozimin e medias dhe gazetarëve ndaj presionit gjyqësor.

Ky punim analizon Direktivën (BE) 2024/1069 dhe implikimet e saj për Shqipërinë, duke u fokusuar në mbrojtjen procedurale të medias dhe gazetarëve dhe në nevojën për përafrim me acquis dhe standardet europiane të lirisë së shprehjes.

1.Kuadri i Bashkimit Europian për mbrojtjen kundër SLAPP-ve

Direktiva (BE) 2024/1069 u miratua si përgjigje ndaj rritjes së padive SLAPP në shtetet anëtare të BE-së, të identifikuara nga institucionet europiane si kërcënim serioz për lirinë e shprehjes dhe funksionimin e medias. Qëllimi i saj kryesor është vendosja e një minimumi të përbashkët mbrojtjeje procedurale, duke parandaluar përdorimin e gjykatave si mjet frikësimi ndaj medias dhe gazetarëve në çështje me interes publik (European Commission, 2022). Direktiva nuk ndërhyn në përmbajtjen e shprehjes, por synon të korrigjojë abuzimin procedural përmes mekanizmave të hershëm dhe efektivë (European Union, 2024).

Mekanizmi i filtrimit të shpejtë (early dismissal) përbën risinë qendrore të Direktivës (BE) 2024/1069. Ai u mundëson gjykatave të rrëzojnë në fazë të hershme paditë dukshëm të pabazuara ose abuzive, duke reduktuar kostot, kohëzgjatjen dhe pasigurinë juridike për median dhe gazetarët. Ky instrument synon të neutralizojë efektin frikësues të procesit gjyqësor, i cili në rastet SLAPP prodhohet gjatë vetë zhvillimit të procedurës, pavarësisht rezultatit final (European Commission, 2022).

Përveç filtrimit të hershëm, Direktiva parashikon masa të tjera procedurale mbrojtëse, përfshirë alokimin e kostove në dëm të paditësit abuziv dhe mundësinë e vendosjes së sigurimit për shpenzimet (security for costs). Këto masa synojnë të dekurajojnë ngritjen e padive frikësuese dhe të korrigjojnë pabarazinë financiare mes palëve. Po ashtu, parashikohen sanksione procedurale kundër paditësve që abuzojnë me të drejtën për të ngritur padi, duke e kthyer procesin nga mjet presioni në rrezik për vetë abuzuesin (European Union, 2024).

Direktiva (BE) 2024/1069 ruan ekuilibrin mes mbrojtjes nga abuzimi dhe respektimit të së drejtës për akses në drejtësi, duke parashikuar garanci procedurale për një zbatim proporcional. Ajo zbatohet kryesisht për çështje civile me element ndërkufitar, duke u lënë shteteve anëtare dhe vendeve kandidate hapësirë për të zgjeruar mbrojtjen edhe në kontekstin e brendshëm. Ky kufizim nënvizon rëndësinë e transpozimit të saj përtej minimumit formal, në mënyrë që mbrojtja e medias dhe gazetarëve të jetë reale dhe efektive (European Commission, 2022).

2. SLAPP, media dhe standardet e Nenit 10 të KEDNJ-së

Neni 10 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut garanton lirinë e shprehjes si një nga themelet e shoqërisë demokratike, duke i dhënë medias një rol të posaçëm si “roje publike” (public ëatchdog). Sipas praktikës së konsoliduar të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), media gëzon një nivel të lartë mbrojtjeje kur raportimi lidhet me çështje me interes publik, përfshirë veprimtarinë e autoriteteve publike dhe figurave me ndikim (Council of Europe, 2022). Kjo mbrojtje nuk është absolute, por çdo ndërhyrje duhet të jetë e parashikuar me ligj, të ndjekë një qëllim legjitim dhe të jetë proporcionale.

Në këtë kuadër, paditë SLAPP përbëjnë një kërcënim indirekt ndaj Nenit 10, pasi ato synojnë të kufizojnë funksionin kritik të medias jo përmes ndalimeve të drejtpërdrejta, por përmes presionit procedural dhe financiar.

2.1. “Chilling effect” dhe padia si instrument frikësimi

Një element qendror në analizën e SLAPP-ve është “chilling effect”, i njohur gjerësisht nga jurisprudenca e GJEDNJ-së si pasojë e masave ose procedurave që edhe pa ndaluar shprehimisht fjalën, e dekurajojnë ushtrimin e saj. Paditë frikësuese prodhojnë këtë efekt duke e kthyer procesin gjyqësor në një barrë të vazhdueshme për median dhe gazetarët, pavarësisht rezultatit final të çështjes (Council of Europe, 2017).

Në këtë kuptim, rreziku kryesor i SLAPP-ve nuk qëndron te dënimi eventual, por te vetë zhvillimi i procedurës, i cili krijon pasiguri, kosto dhe presion psikologjik. Ky dimension e bën të domosdoshme ndërhyrjen procedurale të hershme, siç parashikohet edhe nga kuadri i BE-së.

2.2. Relevanca e praktikës së Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut për çështjet SLAPP

Edhe pse GJEDNJ nuk ka trajtuar SLAPP-të si kategori të veçantë, jurisprudenca e saj ofron standarde të qarta që janë drejtpërdrejt të aplikueshme. Gjykata ka theksuar se dënimet civile të tepruara, kostot e larta procedurale dhe zvarritja e proceseve mund të përbëjnë shkelje të Nenit 10, nëse krijojnë efekt frikësues mbi median (Council of Europe, 2022).

Këto standarde janë reflektuar në Direktivën (BE) 2024/1069, e cila operacionalizon në nivel procedural parimet e zhvilluara nga GJEDNJ. Për vende si Shqipëria, praktika e Gjykatës shërben si udhërrëfyes interpretues, duke e bërë të qartë se mbrojtja e lirisë së shprehjes kërkon jo vetëm garanci materiale, por edhe mekanizma proceduralë efektivë kundër padive abuzive. Gjithsesi në këto momente Shqipëria nuk ka krijuar ende mekanizma anti-SLAPP, konform kësaj direktive, megjithëse në disa raste të dhënat tregojnë se gjykatat në momentet kur bien në kontakt me këto padi, krijojnë kushte të përshtatshme që në fazat paraprake, për rrëzimin e tyre. Ndërkaq kjo është praktikë e cila detyrimisht nuk ndiqet nga të gjitha trupat gjyqësore, por vetëm nga gyqtarë të trajnuar në këtë lëmi. Shumë çështje SLAPP janë prezente dhe në aktualisht në gjykatat shqiptare, në proces gjykimi. 

3. Shqipëria përballë fenomenit SLAPP, boshllëqe procedurale dhe rreziqe praktike

Në Shqipëri, mbrojtja ndaj padive abuzive nuk është e strukturuar si mekanizëm i posaçëm anti-SLAPP. Në praktikë, kjo do të thotë se padi të dobëta në themel (sidomos për reputacion/“dëm moral”) mund të kalojnë fazat e para dhe të “jetojnë” gjatë në sistem, duke e bërë vetë procesin një mjet presioni. Raporte monitorimi theksojnë se presioni po zhvendoset nga format e hapura (dhunë) drejt presionit ligjor, përfshirë padi të tipit SLAPP nga zyrtarë publikë (Albanian Helsinki Committee, 2025). Në mungesë të “early dismissal” të ngjashëm me atë të Direktivës (BE) 2024/1069, filtri praktik bëhet i vonshëm dhe kostoja i bie kryesisht të paditurit (gazetarit/medias).

Të dhënat ekzistuese tregojnë se presioni gjyqësor ndaj medias ka volum dhe prirje rritjeje. Sipas një vlerësimi të SCiDEV, në vitin 2023 janë evidentuar 73 padi ndaj gazetarëve, të ndara në 65 civile dhe 8 penale (SCiDEV, 2024). Për krahasim, raportime të rrjetit SafeJournalists flasin për 12 padi civile në vitin 2022 (SafeJournalists Netëork, 2023). Kjo rritje e volumit është praktikisht alarm edhe kur çështjet përfundojnë në favor të gazetarëve, kostoja e avokatisë, koha e humbur dhe pasiguria funksionojnë si dënim paralel.

Edhe treguesit e sigurisë/klimës së punës e lidhin presionin me efektin praktik mbi raportimin. Në vitin 2024 u raportuan 45 incidente kërcënimesh, presionesh dhe sulmesh ndaj gazetarëve/organizatave mediatike, kryesisht sulme verbale, diskurs anti-media dhe ngacmime online (SCiDEV & BIRN Albania, 2025). Ndërkohë, Barometri Kombëtar i Lirisë së Medias (2024–2025) evidenton rritje të censurës në redaksi: 38.1% e gazetarëve thonë se janë ndaluar nga eprorët të publikojnë një histori, ndërsa 46.5% pranojnë vetë-censurë, po ashtu 12.9% punojnë pa kontratë të rregullt një terren i përshtatshëm për presion ekonomik dhe juridik (Albanian Helsinki Committee, 2025). Këto shifra e bëjnë të prekshëm mekanizmin e “procesit si ndëshkim”, një padi e gjatë dhe e kushtueshme, në një treg pune të pasigurt, e shndërron lirinë e shprehjes në luks.

Në praktikë, ekspozimi i medias shqiptare ndaj SLAPP-ve ushqehet nga tri faktorë që bashkëpunojnë: Mungesa e filtrit të hershëm, kosto të larta relative për gazetarë/mediat e vogla dhe klimë e fortë e vetë-censurës dhe varësisë ekonomike.

Kjo do të thotë se edhe pa një “etiketë” ligjore SLAPP, padia mund të funksionojë si mjet frikësimi, mjafton të jetë e shtrenjtë, e gjatë dhe e lidhur me pretendime dëmshpërblimi/reputacioni. Në këtë kontekst, Direktivë (BE) 2024/1069 nuk është thjesht “model europian”, por një hartë praktike e cila synon pikërisht të presë efektin frikësues në fillim të procesit aty ku Shqipëria sot ka boshllëkun më të madh.

4. Statusi i ndryshimeve të fundit në Kodin Penal mbi shpifjen

Zhvillimet më të fundit tregojnë se debati mbi dekriminalizimin e shpifjes nuk është më në fazë diskutimi abstrakt, por ka prodhuar ndërhyrje konkrete në legjislacion edhe pse jo në standardet e kërkuara nga shoqëria civile dhe Komisioni Europian, ndryshimet vijnë si një formë që tenton të përafrojë standardet më legjislacionin e BE, por në thelb perseri krijon një hendek i cili pritet të haset në inplementimin e normës nga gjyqësori. Ndryshimet përkatëse u trajtuan fillimisht në nivel komisionesh parlamentare dhe më pas u miratuan në seancë plenare, duke u formalizuar përmes botimit në Fletoren Zyrtare (Reporter.al 2026; Qendra e Botimeve Zyrtare, 2026).

Megjithatë, vlerësimi kritik i përmbajtjes është i domosdoshëm, raportimet dhe reagimet publike kanë nënvizuar se qasja e ndjekur synon një dekriminalizim të pjesshëm, i cili lidhet me elementë të statusit profesional të gazetarit, duke ngritur shqetësime për pasiguri normative, trajtim të diferencuar dhe rrezik të “kushtëzimit” të lirisë së shprehjes me kritere të paqarta (Citizens.al, 2026; ARTICLE 19, 2026). Në planin praktik, edhe nëse presioni penal reduktohet, mund të rritet presioni civil përmes padive për dëm moral me kërkesa financiare të larta, duke prodhuar efekt frikësues të ngjashëm për gazetarinë kritike.

Gjithsesi, nëse analizojmë nenin 120 të Kodit Penal, konstatojmë se përveç asaj që konsiderohet si dekriminalizim i pjesshëm i “shpifjes”, legjislativi ka krijuar një problem tjetër në lidhje me përcaktimin e statusit të gazetarit. Me fjalë të tjera, dispozita hap një hapësirë diskrecioni subjektiv për përcaktimin se kush konsiderohet ose jo gazetar.

Në pikën 3 të nenit 120 specifikohet: “Gazetari i punësuar ose i vetëpunësuar, i regjistruar dhe i njohur si i tillë në përputhje me legjislacionin në fuqi, nuk mban përgjegjësi penale për veprën e shpifjes sipas këtij neni kur: a) qëllimi është informimi i publikut mbi çështje me interes publik; b) në momentin e publikimit nuk ka pasur dijeni se informacioni faktik është i rremë dhe ka bërë përpjekje të arsyeshme për të verifikuar saktësinë e tij; c) pas informimit se informacioni është i rremë, vepron pa vonesë për të bërë përgënjeshtrimin ose sqarimin përkatës.” (Republika e Shqipërisë, 2026).

Hartimi në këtë formë i dispozitës ngre një debat të qartë mbi kriteret që duhet të plotësojë një individ për t’u konsideruar gazetar. Problematika thellohet nga mungesa e një statusi të qartë ligjor të gazetarit, apo e një legjislacioni specifik që ta përcaktojë këtë kategori, ndërkohë që ligjvënësi i referohet “legjislacionit në fuqi” pa identifikuar konkretisht bazën normative përkatëse.

Në shkronjën (c) të dispozitës vërehet gjithashtu një element që ndërhyn në fushën e vetërregullimit, pasi kërkesa për përgënjeshtrim ose sqarim pa vonesë është një standard që tradicionalisht rregullohet nga kodi etik i gazetarisë, si mekanizëm vetërregullues i medias dhe gazetarëve. Futja e këtij elementi në Kodin Penal krijon një ndërthurje midis përgjegjësisë penale dhe standardeve etike profesionale.

Ndërkohë, për kategoritë e tjera të subjekteve, shpifja vijon të konsiderohet vepër penale, çka konfirmon natyrën e dekriminalizimit të pjesshëm. Kjo qasje qëndron në kontrast me rekomandimet e Komisionit Europian, i cili ka sugjeruar dekriminalizimin e plotë të veprës penale të shpifjes për të gjitha kategoritë, duke lënë mundësinë që palët e dëmtuara të kërkojnë kompensim përmes procedurave civile, dhe jo penale.

4.1. Siguria e gazetarëve dhe SLAPP në Rule of Law Roadmap

Në kuadër të procesit të anëtarësimit, Shqipëria ka një Udhërrëfyes të Shtetit të së Drejtës (Rule of Law Roadmap), i miratuar në dhjetor 2023, i cili parashikon masa për forcimin e standardeve të shtetit të së drejtës dhe përmirësimin e kushteve në sektorë kyç, përfshirë dimensione që lidhen me median dhe mjedisin e saj funksional (Centre for Media Pluralism and Media Freedom [CMPF], 2023).

Në lidhje me sigurinë e gazetarëve dhe presionet ligjore, fokusi i Roadmap-it shoqërohet edhe me ndërhyrje të natyrës së kapaciteteve institucionale, si trajnime dhe orientime për sistemin e drejtësisë mbi lirinë e medias dhe trajtimin e padive abuzive (Council of Europe, 2025). Sërish, mbetet thelbësore që angazhimi politik të shndërrohet në instrumente të matshme procedurale, filtrim i hershëm i padive abuzive, kosto dhe sanksione kundër paditësit abuziv, si dhe standarde të qarta për mbrojtjen e pjesëmarrjes publike, në harmoni me standardet europiane. Pa këto mekanizma, rreziku është që presioni mbi gazetarinë të zhvendoset nga sfera penale në atë civile, duke ruajtur të pandryshuar efektin ftohës në raportim.


Konkluzione

Analiza e kuadrit të Bashkimit Europian dhe e standardeve të Nenit 10 të KEDNJ-së, e vendosur përballë realitetit shqiptar, tregon se problemi kryesor nuk qëndron te mungesa formale e lirisë së shprehjes, por te dobësia e mekanizmave proceduralë që duhet ta mbrojnë median dhe gazetarët nga abuzimi me procesin gjyqësor. Në Shqipëri, paditë civile për reputacion, dëm moral apo shpifje mund të përdoren si instrument presioni, pikërisht sepse sistemi nuk ofron filtra të hershëm, mbrojtje efektive ndaj kostove dhe masa ndëshkuese për abuzimin procedural.

Të dhënat nga raportet e monitorimit dhe barometrat e lirisë së medias tregojnë një rritje të padive dhe të presionit ligjor, të shoqëruar me nivele të larta vetë-censure dhe pasigurie ekonomike për gazetarët. Kjo situatë prodhon një “chilling effect” strukturor, ku vetë frika nga procesi gjyqësor ndikon drejtpërdrejt në përmbajtjen dhe intensitetin e raportimit investigativ. Në këtë kontekst, Direktivë (BE) 2024/1069 shfaqet jo vetëm si instrument i acquis-it, por si model praktik për të rikthyer ekuilibrin mes së drejtës për akses në drejtësi dhe mbrojtjes së interesit publik.


Rekomandime

Në funksion të përafrimit me Direktivën (BE) 2024/1069 dhe të forcimit real të mbrojtjes së medias dhe gazetarëve në Shqipëri, rekomandohen masat e mëposhtme:

1.Vendosja e një mekanizmi ligjor për filtrimin e hershëm (“early dismissal”).

Parashikimi në procedurën civile i një filtri të shpejtë për paditë dukshëm të pabazuara ose abuzive, me afate të shkurtra dhe vendim të arsyetuar, për të neutralizuar efektin frikësues që në fazën fillestare.

2.Rregullimi i kostove procedurale në dëm të paditësit abuziv. Vendosja e parimit të mbajtjes së kostove të plota nga paditësi në rastet e padive SLAPP, si dhe mundësia e sigurimit për shpenzimet, për të dekurajuar përdorimin e procesit si mjet presioni.

3.Sanksione procedurale për abuzimin me të drejtën e padisë. Shtimi i gjobave ose masave të tjera ndëshkuese për paditësit që ngrenë padi me qëllim frikësimi, duke e kthyer rrezikun financiar nga i padituri te abuzuesi.

4.Forcimi i standardit të interesit publik në gjykim. Përcaktimi i qartë i interesit publik dhe i rolit të medias si “roje publike”, me barrë provuese të diferencuar në favor të gazetarëve kur raportimi lidhet me çështje me rëndësi shoqërore.

5.Udhëzime unifikuese dhe trajnime për gjyqtarët. Nxjerrja e udhëzimeve interpretative dhe trajnimi i trupës gjyqësore mbi SLAPP-të, Nenit 10 të KEDNJ-së dhe standardet europiane, për të siguruar zbatim të njëtrajtshëm dhe proporcional.

6.Masa mbështetëse për median dhe gazetarët. Forcimi i mekanizmave të ndihmës ligjore dhe i mbështetjes institucionale për gazetarët që përballen me padi frikësuese, veçanërisht për mediat e vogla dhe të pavarura.

7.Dekriminalizimi i plotë i shpifjes. Pavarsisht se janë hedhur hapa ligjore dhe ndryshime në kodin penal, mbetet domosdoshmëri dekriminalizimi i shpifjes plotësisht si vepër penale për të gjithë kategoritë. 

Në përfundim, pa këto ndërhyrje, liria e shprehjes rrezikon të mbetet një garanci formale, e cenueshme nga procesi si ndëshkim. Përafrimi i Shqipërisë me Direktivën (BE) 2024/1069 përbën një mundësi konkrete për ta kthyer procedurën gjyqësore nga mjet presioni në mburojë efektive të medias dhe gazetarisë në interes publik.


Referenca

1.Albanian Helsinki Committee. (2025). National Media Freedom Barometer in Albania 2024–2025. Tirana.

2.BIRN Albania. (2024). Media freedom and journalistic safety in Albania: Annual monitoring report. Tirana.

3.Council of Europe. (2017). Protection of journalism and safety of journalists. Strasbourg: Council of Europe Publishing.

4.Council of Europe. (2022). Guide on Article 10 of the European Convention on Human Rights. Strasbourg: Council of Europe. 

5.Council of Europe, Platform for the Protection of Journalism and Safety of Journalists. (2023). Annual report 2023. Strasbourg.

6.European Commission. (2022). Proposal for a Directive of the European Parliament and of the Council on protecting persons who engage in public participation from manifestly unfounded or abusive court proceedings (SLAPPs), COM (2022) 177 final. Brussels.

7.European Commission. (2024). Albania 2024 Report. Brussels.

8.European Union. (2024). Directive (EU) 2024/1069 of the European Parliament and of the Council of 11 April 2024 on protecting persons who engage in public participation from manifestly unfounded or abusive court proceedings (SLAPPs). Official Journal of the European Union, L.

9.European Union Agency for Fundamental Rights (FRA). (2022). SLAPPs: Challenges and safeguards for journalists and civil society. Luxembourg: Publications Office of the European Union.

10.OSCE Representative on Freedom of the Media. (2021). Abusive lawsuits against journalists and public participation (SLAPPs): Legal analysis and recommendations. Vienna: OSCE.

11.SafeJournalists Network. (2023). Media freedom in Albania: Monitoring report.

12.SCiDEV. (2024). Working paper: Initial assessment – Anti-SLAPP in Albania. Tirana.

13.SCiDEV & BIRN Albania. (2025). Tracking Albania’s progress on media freedom and journalistic safety in line with EU standards: Annual report 2024. Tirana.

14.Tushnet, M., Kaye, D., & Voorhoof, D. (2020). Freedom of expression in Europe and the chilling effect of litigation. Oxford: Oxford University Press.

15.Voorhoof, D. (2019). The role of the European Court of Human Rights in protecting journalistic freedom. Strasbourg: Council of Europe.

16.Republic of Albania. (1995). Criminal Code of the Republic of Albania (Law No. 7895, dated 27 January 1995, as amended). Official Gazette.

17.Republic of Albania. (2026). Law No. 8/2026, dated 28 January 2026, on amendments and additions to Law No. 7895 of 27 January 1995 “Criminal Code of the Republic of Albania”. Official Gazette, No. 36.

18.Ministry of Justice. (2023). Draft Criminal Code of the Republic of Albania (public consultation version). Tirana.




Armand Braho, prill 2026

*Armand Braho është pedagog, gazetar dhe studiues shqiptar me një eksperiencë të larmishme profesionale në akademi, media dhe shoqëri civile. Aktualisht punon si lektor në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë dhe si gazetar pranë Report TV, ku mbulon çështje rajonale në Pogradec. Më herët ka mbajtur pozicione si Specialist për Projekte Rinore dhe Specialist për Zhvillimin e Turizmit në Bashkinë Pogradec, si dhe ka një eksperiencë të gjatë si moderator, prezantues televiziv dhe kryeredaktor në media të ndryshme në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Armandi ka përfunduar studimet Bachelor dhe Master në Drejtësi pranë Universitetit Ndërkombëtar në Strugë, ku ka kontribuar gjithashtu si Kryeredaktor i revistës studentore “International Student” dhe si koordinator për aktivitetet studentore. Interesat e tij akademike fokusohen në reformën në drejtësi, të drejtat e njeriut dhe integrimin europian. Ai ka prezantuar në shumë konferenca ndërkombëtare mbi tema që variojnë nga reformat gjyqësore dhe trafikimi i qenieve njerëzore, te krimi mjedisor dhe harmonizimi i legjislacionit me atë të BE-së. Armandi është Nënkryetar i Sindikatës së Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias në Shqipëri dhe është vlerësuar me disa çmime për oratori, gazetari dhe kontributin e tij në nisma qytetare. Flet rrjedhshëm anglisht dhe është i aftë në prodhimin multimedial dhe kërkimin juridik, ndërsa mbetet i angazhuar në fuqizimin e të rinjve si trajner në etikën mediatike, komunikim dhe aktivizëm qytetar në të gjithë Shqipërinë.




1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues
European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk