Synimi për të krijuar një ushtri të përbashkët europiane është pothuajse aq i hershëm sa vetë historia e Komunitetit Europian. Për herë të parë, kjo ide u propozua më shumë se shtatë dekada më parë nga Winston Churchill, si një përpjekje për të ndërtuar një mbrojtje të përbashkët përballë rrezikut që paraqiste Bashkimi Sovjetik. Prej asaj kohe, ideja e një ushtrie të përbashkët ka mbijetuar më gjatë se karriera politike e shumë liderëve europianë dhe sot është rikthyer sërish në qendër të debatit, si në kontekstin e luftës në Ukrainë, ashtu edhe përballë realitetit të një rendi të ri multipolar që po merr formë pas operacioneve ushtarake të SHBA-së në Venezuelë, gjenocidit izraelit në Palestinë dhe, sidomos, sulmit në Iran. Megjithatë, edhe pse ky objektiv është përfshirë në traktatet themelore, ai mbetet ende i parealizuar në praktikë. Kështu, hendeku mes aspiratave normative dhe realitetit institucional lidhet ngushtë me mënyrën se si është konceptuar BE-ja, me strukturat e saj institucionale, me dallimet e brendshme sipas interesave kombëtare dhe me varësinë e vazhdueshme të shumë shteteve nga arkitektura e sigurisë transatlantike përmes NATO-s.
Që në vitet 1950, ideja e një strukture europiane të integruar të mbrojtjes u shpreh përmes Projektit të Komunitetit Europian të Mbrojtjes (European Defense Community – EDC). EDC synonte formimin e një ushtrie europiane të përbashkët, ku do të integroheshin forcat ushtarake të shteteve themeluese (Fedrigo, Geopolitical Monitor, 2025). Megjithatë, projekti dështoi për shkak të rezistencës parlamentare dhe kundërshtimeve të ngritura në emër të ruajtjes së sovranitetit ushtarak, veçanërisht nga vende si Franca, e cila në atë kohë refuzonte të bëhej pjesë e një aleance ushtarake ku ndikimi i Shteteve të Bashkuara shihej si tepër i zgjeruar. Ironikisht, shtatëdhjetë e dy vjet më vonë, është pikërisht presidenti francez, Emmanuel Macron, një nga zërat më të fortë në mbështetje të krijimit të një ushtrie të përbashkët europiane, dhe kjo po ndodh në një moment kur SHBA-të po planifikojnë tërheqjen e trupave amerikane të NATO-s nga bazat ushtarake në Europë. Sot, Traktati i Lisbonës, veçanërisht nenet 42 deri në 46, e formalizon ekzistencën e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (PPSM), duke e njohur zhvillimin e kapaciteteve ushtarake dhe bashkëpunimin operacional si pjesë të strategjisë së BE-së. Prapëseprapë, një nga pengesat kryesore për një avancim të mirëfilltë drejt një politike të përbashkët të mbrojtjes mbetet praktika e miratimit unanim nga Këshilli Europian në çështjet e mbrojtjes. Kjo do të thotë se çdo shtet anëtar mund të vendosë veto mbi nismat për integrim të mëtejshëm, duke ruajtur kështu kontrollin e vet mbi vendimmarrjen në fushën e mbrojtjes.
Për më tepër, zhvillimi i kapaciteteve mbrojtëse brenda BE-së mbetet i fragmentuar. Edhe pse shtetet anëtare, të marra së bashku, shpenzojnë më shumë se 380 miliardë euro në vit për mbrojtjen, një shumë që është rritur ndjeshëm pas agresionit rus të Ukrainës, këto mjete vazhdojnë të administrohen kryesisht në nivel kombëtar. Në praktikë, kjo do të thotë se, pavarësisht rritjes së buxheteve, BE-ja nuk ka ende një mekanizëm të centralizuar që t’i orientojë këto burime drejt ndërtimit të një strukture të përbashkët ushtarake.
Një tjetër aspekt i mungesës së një politike të përbashkët në fushën e mbrojtjes lidhet me bashkëpunimin financiar. Instrumente si Fusha Europiane e Paqes (European Peace Facility – EPF) mund të përdoren për të financuar operacione ushtarake dhe mbështetje për partnerët, por ato nuk janë pjesë e një politike të përbashkët nën komandën e BE-së. Gjithashtu, EPF përdoret kryesisht për mbështetje logjistike ose përmirësimin e kapaciteteve të partnerëve strategjikë jashtë BE-së, çka e përforcon idenë se edhe instrumentet financiare, në vetvete, nuk mjaftojnë për të krijuar një ushtri të integruar nën kontrollin e BE-së. Po ashtu, marrëdhënia mes BE-së dhe NATO-s mbetet një faktor kyç për të kuptuar pse ende mungon një politikë e përbashkët e mbrojtjes në nivel Unioni. Kufizimet e BE-së për të krijuar një ushtri të përbashkët, si edhe hezitimi i vendeve anëtare për të financuar një politike të përbashkët mbrojtjeje, lidhen ngushtë me faktin se, që nga themelimi i Komunitetit Europian, NATO është parë vazhdimisht si aktori qendror në fushën e mbrojtjes. Varësia ndaj NATO-s në çështjet e sigurisë e ka ngadalësuar vendosmërinë për të ndërtuar një strukturë të pavarur europiane të mbrojtjes, duke krijuar një situatë në të cilën Bashkimi Europian shihet më tepër si partner strategjik dhe ekonomik sesa si një organizatë ku bëjnë pjesë forca ushtarake të pavarura. Në fakt, vetë rendi ndërkombëtar i pas Luftës së Dytë Botërore, i formësuar sipas kushteve dhe interesave amerikane, e vendosi Europën në një varësi të drejtpërdrejtë nga NATO në fushën e mbrojtjes. Megjithatë, rritja e pasigurisë strategjike dhe transformimet në politikën globale të sigurisë pas dinamikave të luftës në Ukrainë, asaj në Iran, dhe veçanërisht, plani për tërheqjen e rreth 30 000 trupave amerikane të NATO-s të stacionuara në Gjermani (e kanë ringjallur diskursin mbi nevojën që Bashkimi Europian të ndjekë një qasje më të pavarur dhe të unifikuar).
Shtetet anëtare po përballen gjithnjë e më shumë me sfidën për të balancuar besnikërinë ndaj NATO-s me aspiratat për autonomi strategjike europiane, një objektiv i cili kërkon që Europa të ndërtojë kapacitete të veta, të afta për të vepruar në mënyrë efektive dhe pa mbështetje të drejtpërdrejtë amerikane. Pak muaj më parë, Komisioneri i Mbrojtjes, Andrius Kubilius, e solli sërish në qendër të vëmendjes këtë propozim, duke hedhur idenë e një force ushtarake europiane prej 100 000 trupash, e cila mund të zëvendësonte personelin amerikan të vendosur aktualisht në bazat ushtarake nëpër Europë. Për t’i dhënë më shumë peshë argumentit të tij, ai iu referua sondazheve që tregojnë se shumica e qytetarëve europianë mbështesin një politikë të përbashkët mbrojtjeje. Në fakt, sondazhet e kryera në vende të ndryshme të Unionit tregojnë se vetëm 24% e qytetarëve të BE-së vazhdojnë t’i besojnë partneritetit euroatlantik në sistemin e mbrojtjes, ndërsa mbi 60% e të anketuarve preferojnë një sistem të përbashkët mbrojtjeje në nivel europian (Support for A Single Unified European Army By Country - Brilliant Maps). Megjithatë, opinion publik, siç shkruante studiuesi Orlando Whitehead për Euractiv , “nuk thotë asgjë për vështirësitë teknike të realizimit të këtij vizioni, i cili, pavarësisht përpjekjeve të mëparshme, nuk është afruar më shumë drejt konkretizimit”. Kësisoj, një plan i vitit 1999 për të ngritur një Forcë të Shpejtë Reagimi Europiane (European Rapid Reaction Force) prej 50 000-60 000 trupash, dështoi të përmbushte afatet e njëpasnjëshme dhe mandej u pezullua. Një tjetër objektiv, i vitit 2022, këtë herë më modest, prej 5000 trupash, ishte plani i Kapacitetit të Dislokimit të Shpejtë (Rapid Deployment Capacity) të BE-së, i parashikuar nga program Strategic Compass for Security and Defense. Edhe ky i fundit nuk arriti të materializohej. Nëse Europa mëton të krijojë një forcë të përbashkët ushtarake, atëherë, me sa duket, do t’i duhet një strategji më e qartë dhe funksionale sesa idetë që janë propozuar në periudha të ndryshme të së shkuarës.
Ideja e një ushtrie europiane si fushëbetejë mes europianistëve dhe sovranistëve
Edhe pse Bashkimi Europian nuk ka një ushtri të përbashkët, muajt dhe vitet e fundit janë shtuar përpjekjet mbi mundësinë e krijimit të një force europiane të integruar. Këto angazhime nuk kanë mbetur vetëm në nivel retorike politike, por janë reflektuar edhe në dokumente zyrtare dhe në veprimet politike të Parlamentit Europian, Komisionit si edhe disa qeverive kombëtare. Gjithsesi, procesi vijon të mbetet i ndërlikuar, sepse ata që përkrahin emergjencën e krijimit të një ushtrie të përbashkët iu duhet t’u bëjnë lëshime aktorëve që kanë si prioritet sovranitetin kombëtar. Në një artikull të Defence24, ekspertë të politikave europiane të mbrojtjes kanë propozuar formimin e një Këshilli Europian të Sigurisë dhe të një force ushtarake që do të shërbente si pjesë e një sistemi të koordinuar ushtarak të Bashkimit Europian. Ky propozim thekson nevojën për një entitet politik më efektiv, i cili do të ishte në gjendje të harmonizonte vendimet strategjike dhe të komunikonte drejtpërdrejtë me institucionet ushtarake në nivel europian. Nga ana tjetër, sipas një raporti të Institutit të Kiel për Ekonominë Botërore (The Kiel Institute for World Economy), nëse ky plan do të funksiononte, Europa do të bëhej e pavarur nga mbrojtja e NATO-s vetëm në mesin e dekadës së ardhshme. Megjithëse kjo do të nënkuptonte një rritje të mëtejshme të shpenzimeve për mbrojtjen, sipas raportit në fjalë, pengesa kryesore nuk qëndron aq të kostoja, sa te vullneti politik i liderëve të BE-së për të marrë vendime në nivel europian dhe për t’i zbatuar ato pa zvarritje burokratike (Jagnieża, Defence24.com, 2026). Nga ana tjetër, Komisioni Europian, përmes nismave si White Paper for European Defense – Readiness 2030 dhe planit Rearm Europe, ka propozuar instrumente financiare për harmonizimin e zhvillimit të kapaciteteve ushtarake, nxitjen e investimeve të përbashkëta dhe rritjen e efikasitetit operacional (Robakidze, 2025). Megjithatë, këto instrumente ende mbeten në kuadrin e nxitjes së bashkëpunimit, jo në krijimin e një strukture nën një komandë të përbashkët europiane. Objektivi parësor vijon të jetë forcimi i kapaciteteve ushtarake kombëtare dhe koordinimi i veprimeve të përbashkëta, por pa i integruar forcat në një ushtri të vetme.
Diskutimet për krijimin e një ushtrie europiane, përtej nevojave emergjente për çështjet e sigurisë, na vendosin përballë nevojës për të reformuar vetë proceset dhe modelin e vendimmarrjes brenda institucioneve të BE-së. Nëse deri më sot, votimi unanim dhe e drejta e vetos janë konsideruar si mjetet kryesore për garantimin e sovranitetit kombëtar brenda një organizate mbikombëtare, sot pyetja shtrohet ndryshe: deri në ç’masë janë vendet anëtare të gatshme të heqin dorë nga një pjesë e sovranitetit të tyre, në emër të gjetjes së një zgjidhjeje ndaj sfidave që po bëhen gjithnjë e më të përbashkëta? Në lidhje me këtë çështje përfshihet edhe modeli i burokracisë së brendshme të BE-së, ku procedurat e zgjatura të vendimmarrjes kanë treguar shpesh kufizime të qarta në përshtatjen dhe reagimin e përshpejtuar ndaj situatave politike ndërkombëtare në një rend global që po ndryshon me shpejtësi. Po ashtu, operacioni amerikan i 28 shkurtit dhe ofensiva në Iran e tregoi hapura se disa shtete hegjemone nuk e shohin të nevojshme të kërkojnë miratimin e NATO-s apo parlamentit për veprimet e tyre ushtarake. Në këtë drejtim, krahasimisht me të tjera fuqi botërore si Kina, Rusia apo edhe SHBA, të cilat kanë treguar se munden të reagojnë brenda një kohe të shkurtër ndaj rrethanave dhe dinamikave ndërkombëtare, Bashkimi Europian shfaqet në disavantazh të dukshëm. Gjithashtu, mbështetja e vendeve anëtare te NATO si aktori qendror i mbrojtjes e redukton peshën dhe ndikimin ndërkombëtar të vendeve të Europës Perëndimore, gjë që shihet edhe në reagimin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili, lidhur me krijimin e një ushtrie të përbashkët europiane, deklaronte: “Nëse mendoni se Europa mund të mbrohet pa ndihmën e SHBA, vazhdoni të ëndërroni!” (Euroactiv). Në këtë kuptim, alternativat e BE-së në fushën e mbrojtjes janë: ose do të nxitet unifikimi i brendshëm në fushën e mbrojtjes, ose rrezikohet fragmentimi i metejshëm dhe zbehja e influencës së BE-së si aktor global. Sot shtetet anëtare kanë kapacitete të kufizuara për të rivalizuar shtete të mëdha si Rusia apo partnerin e tyre kryesor euroatlantik, i cili po e bën gjithnjë e më të qartë se interesat amerikane janë duke u distancuar përherë e më tepër nga ato të kontinentit të vjetër. Në kontekstin e këtyre debateve, duhet pranuar se sfidat globale, nga agresionet rajonale e deri te kërcënimet hibride dhe ato kibernetike po i shtyjnë vendet anëtare ta mendojnë idenë e mbrojtjes së përbashkët si të vetmen zgjidhje. Për disa, forma më logjike e bashkëpunimit është krijimi i një ushtrie të përbashkët europiane, e aftë të veprojë si një forcë autonome strategjike dhe me një autoritet të unifikuar vendimmarrës. Për të tjerë, këto synime duhet të ecin paralelisht me një rol komplementar ndaj NATO-s, në mënyrë që të shmanget krijimi i përçarjeve në strukturën transatlantike të sigurisë. Deri më tani, si një formë kompromisi, ekspertët kanë propozuar një zgjidhje të përkohshme për krijimin e një force ushtarake që nuk do të zëvendësojë ushtritë kombëtare, por do të veprojë krahas tyre, nën komandën e një strukture drejtuese për përballimin e risqeve mesatare dhe të ulëta. Për pasojë, edhe sot, themelimi i një superushtrie europiane për mbrojtjen e kufijve të përbashkët duhet, në një formë ose një tjetër, të gjejë një pikë kompromisi me prirjet sovraniste të disa shteteve anëtare. Megjithatë, faktorë të tillë si rritja e presionit ndërkombëtar nga SHBA për çështje si Groenlanda, thirrjet për përfshirjen e trupave europiane në Gjirin e Hormuzit, refuzimi amerikan për dislokimin e raketave me rreze të gjatë veprimi në Europë apo tërheqja e trupave të NATO-s nga territori europian, e kanë kthyer në domosdoshmëri mbështetjen e vendeve të BE-së për krijimin e një ushtrie të përbashkët, gjë që mund të evidentohet edhe në ndryshimin e qëndrimeve të shteteve anëtare që në të shkuarën kanë qenë skeptike në lidhje me këtë iniciativë.
Historikisht, kërcënimet ushtarake dhe mobilizimi për luftë kanë nxitur rritjen e centralizimit të bashkësive politike (Tilly: 1975). Kështu për shembull në Europën e hershme moderne, presioni i luftërave të pandërprera ndikoi në forcimin e centralizimit të shteteve si Franca. Në shekullin XIX, konfliktet e armatosura me Austro-Hungarinë dhe Francën u instrumentalizuan politikisht për të nxitur unifikimin e Gjermanisë dhe Italisë, duke i transformuar principatat e dikurshme të fragmentuara në shtete kombëtare të centralizuara. Në mënyrë të ngjashme, sot agresioni rus pranë kufijve të BE-së po shërben si katalizator për një koordinim më të madh dhe për një centralizim më të theksuar të politikave të mbrojtjes brenda Unionit. Megjithatë, pavarësisht se cilën alternativë do të zgjedhin, Unioni dhe shtetet anëtare sa i takon një politike të përbashkët mbrojtjeje, gjasat janë që ky vendim të mos kufizohet vetëm te fusha e mbrojtjes. Ai do të lidhet edhe me reformimin e vetë Bashkimit Europian ose me rezistencën ndaj ndryshimit dhe gjetjen e një zgjidhjeje të ndërmjetme për ta fuqizuar rolin e Bashkimit Europian në një arenë ndërkombëtare gjithnjë e më të ndryshme nga rendi që la pas Lufta e Dytë Botërore.
Lulzim Hoxha, qershor 2026
*Lulzim Hoxha është studiues i shkencave politike, me një karrierë 10-vjeçare në mësimdhënie si pjesë e departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Europian të Tiranës dhe Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës. Aktualisht është i angazhuar si pedagog me kohë të pjesshme në departamentin e Shkencave Politike pranë Universitetit të Tiranës, Fakultetin e Shkencave Sociale. Në vitin 2017 është doktoruar në disiplinën e Shkencave Politike si dhe ka marrë pjesë në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Prej gjashtë vitesh shkruan për revistën “Medius” në Tiranë dhe “Shenja” në Shkup, ku ka botuar artikuj të ndryshëm që lidhen me aktualitetin politik dhe shoqëror në Shqipëri dhe rajon, problematikat e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor, analiza kritike të ligjërimit politik në Shqipëri si dhe trajtesa të ndryshme mbi teoritë e nacionalizmit dhe kombformimit në Ballkan.
Referenca
https://www.geopoliticalmonitor.com/deja-vu-the-case-of-the-european-defense-community/
https://brilliantmaps.com/unified-european-army/
https://commission.europa.eu/index_en
https://www.euractiv.com/news/a-cross-party-group-of-30-meps-reports-for-duty-to-push-eu-
defence-union/
https://www.euractiv.com/opinion/the-brief-eu-and-whose-army/
https://euawareness.org/wp-content/uploads/2025/05/European-Defence-Readiness-
https://defence24.com/defence-policy/european-military-independent-from-the-united-states
Tilly, Charles, The Formation on National States in Ëestern Europe, Princeton University Press,
Londër 1975, f. 85-87









.jpg)



























