Europa përtej kufijve të saj: rikthimet, sovraniteti dhe dilemat e politikave migratore

Europa përtej kufijve të saj: rikthimet, sovraniteti dhe dilemat e politikave migratore

Gjatë dekadës së fundit, migracioni ka pushuar së qeni thjesht një fenomen social për Bashkimin Europian dhe është shndërruar gradualisht në një fushëbetejë ligjore dhe politike, ku ngërthehet pikëpërplasja midis procedurave teknike në mbrojtje të politikave sovraniste dhe kauzës humanitare që i bën apel vizionit dhe vlerave europiane të multikulturalizmit. Luftërat në Siri dhe Ukrainë, paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, si dhe pabarazitë e vazhdueshme globale, e kanë kthyer migracionin në një nga çështjet më të ndjeshme që formëson qeverisjen europiane. Ajo që dikur menaxhohej përmes një kombinimi të praktikave shtetërore të azilit, integrimit dhe koordinimit europian, po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt instrumenteve të centralizuara ligjore, të fokusuara te kontrolli, frenimi dhe rikthimi. Zhvendosja më e fundit në këtë drejtim mishërohet nga vëmendja e ripërtërirë europiane ndaj qendrave të rikthimit dhe propozimit për Urdhrin Europian të Rikthimit në kuadër të Paktit të BE për Migracionin dhe Azilin.

Urdhri Europian i Rikthimit (European Return Order – ERO) përbën një risi themelore në politikën migratore të Bashkimit Europian, pasi për herë të parë krijon një instrument të unifikuar dhe të standardizuar në nivel të Unioni për zbatimin e vendimeve të rikthimit. Risia kryesore qëndron nënjohjen dhe zbatimin e drejtpërdrejtë ndërkufitar të vendimeve për rikthimin: një vendim i marrë nga një shtet anëtar mund të zbatohet nga një shtet tjetër pa qenë e nevojshme nisja e një procedure të re administrative. Gjithashtu, një element tjetër i ri ështëintegrimi i detyrueshëm i ERO-së në Sistemin e Informacionit Shengen (SIS), çka e shndërron kthimin në një procedurë të gjurmueshme dhe të koordinuar në nivel europian. Kjo redukton mundësinë që personat në qëndrim të paligjshëm t’u shmangen procedurës së rikthimit duke lëvizur nga një shtet anëtar në tjetrin. ERO sjell gjithashtu një ndryshim paradigmatik, duke e zhvendosur fokusin nga një logjikë shtetërore të rikthimeve drejt njëqëndrimi të përbashkët europian, ku sovraniteti shteteve anëtare harmonizohet me objektivin e BE mbi kontrollin e përbashkët të kufijve dhe migracionit të parregullt. Një tjetër risi që sjell ky instrument është forcimi i dimensionit ekzekutiv të rikthimit, veçanërisht përmes zgjerimit të rolit të agjencive europiane, me theks të veçantë te Frontex. Agjencia nuk kufizohet më vetëm në mbështetje teknike apo koordinuese, por fiton kompetenca të shtuara në organizimin, monitorimin dhe zbatimin e operacioneve të rikthimit. Kjo pasqyron një prirje më të gjerë të “agjencifikimit” të politikave migratore, ku përgjegjësitë zhvendosen gradualisht nga shtetet anëtare drejt strukturave mbikombëtare, duke fuqizuar kapacitetin operacional të BE-së. Në këtë kuptim, Urdhri Europian i Rikthimit forcon kapacitetin e Bashkimit Europian për të vepruar si një hapësirë e vetme juridike në fushën e migracionit, duke e shtuar për rrjedhojë edhe ndikimin politik të BE në kontrollin e kufijve mes shteteve anëtare dhe atyre joanëtare. Sipas qëndrimit të Këshillit të BE në dhjetor të vitit të kaluar, Komisioni Europian do të kryejë një vlerësim të funksionimit të mekanizmit të njohjes së ndërsjellë dy vjet pas hyrjes në zbatim të rregullores dhe, nëse është e nevojshme, do të paraqesë një propozim legjislativ për ta bërë atë të detyrueshme në të gjitha vendet e Bashkimit Europian.

Komisioni Europian i paraqet këto reforma si përgjigje pragmatike ndaj një realiteti të pamohueshëm: hendekut midis vendimeve për azil dhe rikthimeve reale. Ndërsa qindra mijëra kërkesa për azil shqyrtohen çdo vit, përqindja e aplikantëve të refuzuar që kthehen efektivisht në vendet e origjinës mbetet e ulët. Nga perspektiva e BE-së, kjo mospërputhje cënon besueshmërinë e sistemit europian të migracionit dhe azilit, ushqen reagime politike kundërshtuese dhe forcon narrativat e ekstremit të djathtë, të cilat i paraqesin kufijtë europianë si të dobët dhe joefikasë. Përgjigjja, sipas Brukselit, nuk qëndron në braktisjen e angazhimeve humanitare, por në forcimin e mekanizmave ligjorë të zbatimit që sigurojnë se ata që nuk kanë të drejtë qëndrimi, të rikthehen pa vonesa.

Si pasojë e këtij mekanizmi të ri, emigrantët që lëvizin nga një vend në tjetrin pas refuzimit nuk do të jenë më në gjendje të rifillojnë procedurat apo të përfitojnë nga fragmentimi administrativ. Në teori, kjo krijon koherencë ligjore. Në praktikë, ajo ngre pyetje të thella mbi sovranitetin, liritë civile, garancitë ligjore dhe kapacitetet e pabarabarta të shteteve anëtare për t’i zbatuar këto masa në mënyrë të drejtë dhe efektive. Mirëpo për shumë vende të BE-së, veçanërisht ato në kufijtë e jashtëm, këto reforma shoqërohen me një barrë të rëndë institucionale dhe morale. Shtetet jugore si Italia, Greqia dhe Spanja tashmë përballen me sisteme pritjeje të mbingarkuara dhe burime administrative të kufizuara. Shndërrimi i azilkërkuesve të refuzuar në subjekt të një regjimi të përshpejtuar rikthimi rrezikon të thellojë tensionet brenda sistemeve tashmë të brishta. Në të njëjtën kohë, shtetet veriore dhe perëndimore, ndonëse më të pajisura administrativisht, përballen me rezistencë në rritje ndaj strukturave që ngjasojnë me ndalimin dhe përballen shqetësime serioze mbi liritë civile. Uniformiteti ligjor i premtuar nga Urdhri Europian i Rikthimit mund të fshehë kështu pabarazi të thella strukturore brenda vetë Unionit. Nga një perspektivë politike, risitë e Urdhrit Europian të Rikthimit duhet lexuar në funksion të krizës së legjitimitetit të politikave migratore europiane. Duke e vendosur rikthimin në qendër të qeverisjes së migracionit, Bashkimi Europian synon të demonstrojë kapacitet kontrolli dhe vendosmërie përballë elektorateve kombëtare, veçanërisht në një klimë të dominuar nga narrativa të sigurisë dhe sovranitetit. Në këtë kuadër, rikthimi nuk trajtohet më si fazë përfundimtare administrative, por si element strukturor i rendit politik europian.

 

Qendrat e rikthimit si instrument politik në marrëveshjet e BE me vendet e treta

 

Një aspekt të rëndësishëm dhe ndër më të debatuarit në Paktin e ri të Bashkimit Europian për Migracionin dhe Azilin përbëjnë qendrat e rikthimit si struktura të vendosura në vende të treta, ku personat, kërkesa për azil të të cilëve në BE janë refuzuar mund të strehohen përkohësisht në një vend të tretë, përpara se të kthehen në vendet e tyre të origjinës ose të tranzitit. Këto qendra përmenden në propozimin e Komisionit Europian të vitit të kaluar, te Rregullorja mbi Rikthimin. Nuk është diçka e re që shtetet anëtare i kanë vendosur rikthimet në qendër të strategjive të tyre të migracionit, krahas synimit për të reduktuar mbërritjet. Angazhimi i BE për të forcuar masat kundër emigracionit reflekton narrativat e partive të ekstremit të djathtë, tashmë në pushtet në një pjesë të shteteve anëtare. Pikërisht në këtë kontekst duhet lexuar edhe shtysa e re për modelet e delegimit outsourcing. Ky trend mund të gjurmohet qysh nga thirrja e Ursula von der Leyen-it në vitin 2024 për “zgjidhje inovative” në frenimin e emigracionit të paligjshëm dhe çmontimin e rrjeteve të kontrabandës, e shoqëruar me mbështetjen e saj të fortë për marrëveshjen Itali–Shqipëri. Së bashku me skemën Britani e Madhe–Ruandë, ku roli i Ruandës tashmë është zëvendësuar me Kosovën, iniciativa italiane shënoi një nga përpjekjet e para në Europën kontinentale për të deleguar menaxhimin e migracionit në nivel kombëtar. Të dyja modelet ndryshonin nga qendrat e rikthimit të propozuara nga BE, pasi ato zbatoheshin për azilkërkuesit në përgjithësi dhe jo vetëm për individët që kishin marrë tashmë një urdhër rikthimi. Megjithatë, në të dyja rastet, pengesat ligjore u shfaqën shpejt. Plani për Ruandën u braktis përfundimisht nga qeveria e re laburiste në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa skema italiane mbetet e pezulluar pas vendimit të Gjykatës Europiane. Pavarësisht këtyre dështimeve, strategjitë e delegimit vazhdojnë të gëzojnë mbështetje politike, siç dëshmohet nga masat e marra kundër emigracionit në shumicën e vendeve të BE.

Vitin e kaluar, modeli i delegimit hyri më formalisht në ciklin e politikëbërjes së BE-së. Komisioni propozoi një Rregullore për Rikthimin, e cila synon të plotësojë vakuumin e lënë nga Pakti i Ri për Migracionin dhe Azilin, i miratuar në vitin 2024. Propozimi u perceptua gjerësisht si me pasoja të rëndësishme, duke qenë se korniza aktuale për rikthimet është përshkruar vazhdimisht si joefikase. Arsyeja, sipas shumë aktorëve – përfshirë Komisionerin e BE-së për Migracionin, Magnus Brunner – është shkalla vazhdimisht e ulët e rikthimeve, rreth 20% në total dhe rreth 15% mesatarisht për vendet afrikane. Gjithsesi, problemet strukturore shkojnë përtej shifrave. Praktikat e ndryshme mes shteteve anëtare prodhojnë rezultate të paqëndrueshme, ndërsa jurisprudenca e GJED-së ka nxjerrë në pah mangësi në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut.

Disa faktorë kontribuojnë në shkallën e ulët të rikthimeve paraqiten veçanërisht te bashkëpunimi i kufizuar dhe shpesh transaksional i BE-së me disa partnerë afrikanë. Këto qasje mbeten shpesh paternaliste dhe nuk marrin parasysh presionet demografike, ndjeshmëritë politike dhe kufizimet e brendshme të këtyre vendeve. Në këtë sfond, “zgjidhja inovative” e promovuar nga disa qeveri dhe e përshkruar nga Magnus Brunner si e domosdoshme për të adresuar një shkallë rikthimi më të pranueshme, përqendrohet në krijimin e qendrave të rikthimit në vende të treta. Këto struktura, të vendosura jashtë BE-së, do të strehojnë përkohësisht ata emigrantë që janë subjekt i urdhrit të rikthimit, teksa zhvillohen procedurat për deportimin e tyre. Megjithatë, ky model mbështetet mbi një paradoks: ndërsa synon të rrisë numrin e rikthimeve, ai nuk zgjidh pengesën themelore të bashkëpunimit me vendet e origjinës – kushtin kyç që përcakton nëse rikthimet mund të realizohen realisht.

 

Sfidat e BE në lidhje me politikat migratore dhe ndikimi i partive ekstremiste

 

Kriza e emigracionit ka nxjerrë në pah një Europë të polarizuar e të përçarë duke përforcuar formimin e ndarjeve të reja ideo-politike. Nën dritën e ekonomisë së sotme globale ndarjet politike tradicionale mes së majtës dhe të djathtës gradualisht janë duke u zëvendësuar nga konflikti mes “globalistëve dhe vendasve”, apo siç e quan politologu Ivan Krastev, “Mes atyre që mbështesin shoqërinë e hapur (Open Society) dhe atyre që mbështesin kufijtë e sovranitetit dhe ruajtjen e identitetit kombëtar”. Mirëpo nëse ardhja e një milion emigrantëve në Europën e vitit 2010 mund të duket një numër i madh, në fakt nuk është i paprecedent. Qysh nga Lufta e Dytë Botërore, Europa është përballur me valë të ndryshme emigracioni, pa pasur këtë tension politik e shoqëror që ka sot. Sipas të dhënave nga Financial Times, në vitin 2015 kishte mbi 20 milionë refugjatë në mbarë botën në kërkim të një vendi të ri, kurse Europa strehoi në total vetëm 5% të këtij numri. Pjesa më e madhe e refugjatëve të ardhur nga luftrat në Siri, Irak dhe Afganistan u strehuan në Turqi, Jordani dhe Iran. Me fjalë të tjera, kriza e emigrantëve në të vërtetë qe një krizë globale, por pse kjo valë emigracioni solli një reagim kaq të ashpër në Europë, kur në fakt Europa priti një numër kaq të papërfillshëm emigrantësh? Përgjigjen e kësaj pyetjeje mund ta identifikojmë në mënyrën se si është ndërtuar narrativa e identitetit kombëtar nga e djathta populiste në vende të ndryshme të Europës. Qysh pas krizës ekonomike të vitit 2008, vendet e Europës janë qeverisur përgjithësisht nga liderë teknokratë, të cilët kanë qenë tërësisht të shkëputur nga baza e elektoratit, teksa në dekadën e fundit, partitë e djathta populiste e kanë rritur jashtëzakonisht mbështetjen në elektorat. Në nivel kombëtar, anëtarësia në partitë tradicionale të masave gjatë 40 vjetëve të fundit është ulur me 63.3% (kjo shifër e publikuar nga Financial Times i referohet vetëm Francës, Italisë dhe Anglisë). Gjithashtu, këto formacione politike drejtoheshin nga një grup burokratësh, elitash dhe zyrtarësh karrieristë që nuk përbënin asnjë ndryshim thelbësor ideologjik nga njëra parti në tjetrën, të quajtura ndryshe si “catch all parties”. Pikërisht nga kjo perspektivë mund ta shquajmë suksesin e partive ekstremiste: komunikimi i tyre politik është shumë më i lidhur më bazën e elektoratit, fermerët dhe shtresat e margjinalizuara të shoqërisë, gjithashtu janë shumë më të efektshëm në mobilizimin e masave nëpërmjet përdorimit të rrjeteve sociale, të cilat mundësojnë që mesazhet që i bëjnë apel frikës dhe indinjatës të filtrohen shumë më shpejt në masat e popullsisë sesa komunikimi ‘politikisht korrekt’ i partive tradicionale. Në këtë kuptim, suksesi i këtyre partive nuk qëndron dhe aq në përmbajtjen e ofertës së tyre politike por më së tepërmi në mënyrën se si këto parti kanë arritur t’i drejtohen popullsisë. E në një epokë kur njerëzit po tëhuajësohen përherë e më tepër nga komuniteti dhe shoqëria ku bëjnë pjesë, apeli i emocioneve luan një rol parësor në krijimin e një sensi të përkatësisë dhe identiteti të përbashkët, ku të huajt perceptohen si fajtorë për problemet ekonomike të vendit. Migracioni ka vënë gjithmonë në provë kufijtë e Europës, si ata fizikë ashtu edhe kufijtë politikë. Artikulimi i një qëndrimi të përbashkët mbi politikat migratore përfaqëson një përpjekje për t’i riskicuar këta kufij me më shumë qartësi dhe vendosmëri. Nëse këto përpjekje do të prodhojnë stabilitet apo do të thellojnë ndarjet ekzistuese mbetet e pasigurt. Ajo që është e qartë, megjithatë, është se pasojat nuk do të kufizohen në Bruksel apo në metropolet e mëdha europiane. Politikat e reja migratore të BE do të aplikohen pikësëpari në zonat kufitare, në Qendrat e Pritjes për emigrantët dhe në vende partnere si Shqipëria, ku zgjidhjet ligjore të Europës marrin një domethënie konkrete, të prekshme dhe shumë më të dukshme sesa në kuadrin ligjor të miratuar nga burokracia e Brukselit.

 

Lulzim Hoxha, mars 2026



*Lulzim Hoxha është studiues i shkencave politike, me një karrierë 10-vjeçare në mësimdhënie si pjesë e departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Europian të Tiranës dhe Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës. Aktualisht është i angazhuar si pedagog me kohë të pjesshme në departamentin e Shkencave Politike, Fakulteti i Shkencave Sociale pranë Universitetit të Tiranës. Në vitin 2017 është doktoruar në disiplinën e Shkencave Politike si dhe ka marrë pjesë në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Prej gjashtë vitesh shkruan për revistën “Medius” në Tiranë dhe “Shenja” në Shkup, ku ka botuar artikuj të ndryshëm që lidhen me aktualitetin politik dhe shoqëror në Shqipëri dhe rajon, problematikat e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor, analiza kritike të ligjërimit politik në Shqipëri si dhe trajtesa të ndryshme mbi teoritë e nacionalizmit dhe kombformimit në Ballkan.

 

 

 

Referenca

 

Dubois L, Has Europe Learnt to Manage Migration? Financial Times, Janar 2026

Krastev I, After Europe (2020), University of Pennsylvania Press, Philadeplhia

https://theloop.ecpr.eu/why-the-eus-migrant-return-hubs-are-doomed-to-fail/

https://www.ispionline.it/en/publication/how-return-hubs-became-europes-answer-to-the-migration-return-challenge-224644

https://www.rescue.org/eu/article/what-are-return-hubs-and-why-are-they-so-concerning

https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=CELEX%3A52025PC0101

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues
European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk