Rikonceptualizimi i Tregut të Përbashkët Rajonal në Ballkanin Perendimor

Rikonceptualizimi i Tregut të Përbashkët Rajonal në Ballkanin Perendimor

Samiti i Sofjes i mbajtur në nëntor të vitit 2020, është i fundit në listën e një sërë përpjekjesh të vrullshme në vitin e fundit për të rigjallëruar marrëdhëniet mes Ballkanit Perendimor (BP6) dhe Bashkimit Europian (BE). Samiti vjen në kuadër të Procesit të Berlinit dhe ka prodhuar zotime ambicioze për thellimin e bashkëpunimit rajonal mes gjashtë shteteve të rajonit. Teksa investimi në thellimin e bashkëpunimit rajonal nuk përbën risi në vetvete, ajo që përbën lajm është angazhimi për ngritjen Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM) në Ballkanin Perendimor të bazuar në modelin e katër lirive të Bashkimit Europian. Për këtë qëllim, drejtuesit e gjashtë vendeve të rajonit kanë miratuar një deklaratë politike e cila i hap udhë ngritjes së CRM-së, konform Axhendës së Gjelbër dhe sipas një Plani Veprimi katër vjeçar, dokumente që po ashtu janë miratuar në këtë Samit. Zbatimi i Planit të Veprimit dhe përgatitja e infrastrukturës së nevojshme do të jenë përgjegjësi e vetë shteteve të BP-së. Koordinimi, mbikëqyrja dhe raportimi i zbatimit të Planit të Veprimit do të bëhet nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC). Kështu, bashkëpunimi rajonal pëson një transformim të rëndësishëm duke konsoliduar integrimin rajonal si bazë për marrdhëniet e reja ndërmjet tyre por edhe mes tyre dhe BE-së.

Për të kuptuar dinamikën e marrëdhënieve mes shteteve të rajonit, do të na shërbejë si çelës leximi praktika shumë e debatuar e kushtëzimit nga Bashkimi Europian (Wakelin, 2013). Për një lexim të thjeshtuar e në funksion të këtij artikulli, kushtëzimi është imponimi i reformave nga ana e BE-së në drejtim të konsolidimit të institucioneve, shtetit të së drejtës dhe demokracisë, në këmbim të çuarjes përpara të perspektivës së anëtarësimit te nje vendi. Në këtë mënyrë përcaktohet kursi që do të ndjekë secili nga vendet si fazë përgatitore për aderimin në BE. Pasojë direkte e kësaj strategjie, që përbën edhe kritikën kryesore ndaj saj, është kthimi i reformave në plotësime formale të angazhimeve për të shkuar përpara me procesin e anëtarësimit, duke i zbehur rëndësinë që këto reforma kanë për shtetformimin dhe demokracinë e brendshme. Me qasjen e re të politikës së zgjerimit së BE-së që e trajtonin rajonin si një të tërë, kushtëzimi është tashmë i shtrirë edhe në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

 

Të zotëruarit e procesit: I kujt është Tregu i Përbashkët Rajonal?

Thellimi i bashkëpunimit rajonal është një lajm i mirë për rajonin e shquar për ndasitë e thella mes vetes. Teksa stimujt janë të domosdoshëm, në një klimë relativisht më të qetësuar rajonale, ata duhet të investojnë në drejtim të qëndrueshmërisë. Rajoni ka shfaqur një paaftësi të theksuar për të drejtuar procese strukturore reformash të shtetit të së drejtës, e aq më pak në drejtim të bashkëpunimit rajonal. Kjo i faturohet pjesërisht edhe rolit komandues që ka ndërmarrë BE-ja në këtë proces. Një nga pasojat kryesore të kësaj praktike, e që në gjykimin tim përcakton ecurinë dhe qëndrueshmërinë e procesit, është mungesa e pronësisë së procesit nga vetë rajoni.

 

Integrimi Europian dhe Bashkepunimi Rajonal, pikat e konvergimit

Procesi i Berlinit është një instrument i cili ka strukturuar dhe përqëndruar iniciativat për bashkëpunim në formën e integrimit të shtuar të rajonit, si fazë paraprake për anëtarësimin me të drejta të plota në BE. Por jashtë kornizës së perspektivës të anëtarësimit në BE përgjithësisht, dhe Procesit të Berlinit veçanërisht, iniciativat rajonale janë të pakta, sporadike dhe me qasje bilaterale. Në këtë këndvështrim, edhe miratimi i deklaratës për krijimin e CRM nga udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perendimor nuk është mirfilli tregues i vullnetit për bashkëpunim rajonal nga palët e përfshira. Më tepër, ai është hapi i radhës në vizionin e integrimit rajonal të synuar nga BE-ja. Për këtë arsye, sugjeroj që iniciativa e Tregut të Përbashkët Rajonal duhet parë ekskluzivisht nën dritën e politikës së zgjerimit me qasjen rajonale që BE-ja ka për BP6-ën. Në mbështetje të këtij pohimi, është edhe qasja që ka Plani Ekonomik dhe i Investimeve i paraqitur nga Komisioni në verën e vitit të shkuar. Së bashku me Metodologjinë e re të zgjerimit, ndihma financiare e para-aderimit është po ashtu element kyç në politikën e zgjerimit. Shpërndarja e këtyre fondeve nxit perspektivën e integrimit rajonal, duke financuar së pari projekte që janë në funksion të ndërlidhshmërisë së rajonit, e në plan të dytë projektet e përcaktuara si strategjike nga vetë vendet.

Në këtë mënyrë mbulohen të gjitha fushat e integrimit rajonal: aspekti financiar, integrimi i tregjeve dhe politikave që e shoqërojnë. Këto janë te gjithë stimuj që vijnë nga BE-ja dhe që zbatohen në rajon. Teksa në vetvete përmbushja e qëllimit krijon përfitime për rajonin, autorësia dhe pronësia nuk qëndron në BP6, duke i dhënë një incentivë të mangët angazhimi vendeve të Ballkanit.

Monitorimi dhe raportimi nga Këshilli i Përbashkët Rajonal për zbatimin e Planit të Veprimit shkon te Komisioni dhe aty vlerësohet nëse janë plotësuar detyrimet apo jo. Një impuls i tillë, e mban integrimin rajonal si marrëdhënie në kuadër të listës me detyra që duhen përmbushur në rrugën e integrimit europian, dhe jo për peshën specifike që në fakt meriton të ketë në jetën publike vendase. Në krahasim me nisjen e rrugëtimit të integrimit europian, ku gjashtë shtetet themeluese e kishin vetë në dorë drejtimin e procesit, përpjekjet atje kanë rezultuar më efikase në tejkalimin e problemeve të mprehta historike e politike edhe për këtë arsye.

 

Institucionalizimi i nismës

Krahasimisht me fillesën e integrimit europian me hyrjen në fuqi të Traktatit të Romës (me vetëm qarkullimin e lirë të mallrave në atë kohë) dhe me institucionet e ngritura për përmbushjen e funksionit të tij, këto struktura mungojnë tërësisht në rastin e CRM-së. Kjo është afërmendsh, duke mbajtur në konsideratë se vetë krijimi i CRM është në funksion të përgatitjes së anëtarësimit ku këto institucione veprojnë. Dublikimi i tyre, qoftë edhe përkohësisht, do të ishte një investim i pavlerë në energji dhe në kohën e pritjes për konsolidimin e funksionalitetit të institucioneve.

Në këto kushte, implementimi i CRM-së mbështetet në investimin politik të BE-së, angazhimin e shprehur politik të vendeve të BP6 dhe strukturat rajonale që do të koordinojnë dhe monitorojnë procesin. Megjithëse ruhet trendi i shtimit të angazhimit që e ka përshkuar Procesin e Berlinit që prej krijimit, sërish instrumentet në dispozicion ofrojnë hapësirë për shmangie nga detyrimet dhe nuk ofrojnë mekanizma të llogaridhënies apo zgjidhjes së ngerçeve në proces. Në kushte dhe objektiva të ngjashme, iniciativa e CEFTA-s nuk ka prodhuar rezultatet e dëshiruara pavarësisht investimit politik.

Kështu, me detyra e afate të përcaktuara specifikisht në Planin e Veprimit, është e paqartë nëse do të ketë formë të llogaridhënies dhe korrektim të ngecjeve apo mosrespektimeve eventuale të detyrimeve. E nëse po, është gjithashtu e pacaktuar se cila do të jetë ajo instancë që do të identifikojë e vlerësojë problemet, cila do të zgjidhë mosmarrëveshjet, duke qënë se asnjë prej këtyre institucioneve nuk ështe i mandatuar për të ushtruar ndonjërin prej këtyre roleve.

 

Ikje nga modeli neoliberal

Modeli që do të implementohet për krijimin e CRM është i marrë shabllon nga ai i BE-së, me në bazë të tij katër liritë themelore të qarkullimit të mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit, në bazë të rregullave dhe standardeve të BE-së, e të funksionit të krijimit të një tregu të integruar e konkurrues (Deklarata Politike për CRM, 2020). Një numër i rëndësishëm studiuesish e konsiderojnë neoliberale strukturën ekonomike të BE-së nisur nga fokusi i saj i madh në politikat e forcimit të konkurrencës dhe dominancës private mbi ndërhyrjen publike në tregje (Mercille & Murphy, 2015). Debatet për këtë model ekonomik variojnë që prej përcaktimit të kuptimit të tij e deri tek seti i karakteristikave që e përbëjnë atë (Gertz & Kharas, 2019). Por që prej krizës financiare të 2008-ës, që gjerësisht i faturohet forcimit të institucioneve financiare prej modelit neoliberal, debateve i janë shtuar edhe zërat kundërvënës. Institute kërkimore të rëndësishme janë duke hulumtuar për mundësitë e tranzicionit në modele me qasje holistike e të integruar mes ekonomisë, shoqërisë dhe mjedisit (World Economic Forum, 2020). Teksa krijimi i tregut të përbashkët është një histori suksesi e BE-së dhe qëndron në qendër të projektit politik e social, modaliteti i funksionimit të tij duket se sapo ka hyrë në një epokë të re ndryshimesh.

Në këtë mënyrë, Tregu i Përbashkët Rajonal ka mundësinë, e njëkohësisht është i detyruar të shmangë çedimet e konstatuara nga modeli i integrimit i ndjekur në BE, i cili ka vënë në qendër të tij forcimin e konkurrencës. Fuqizimi i pakontrolluar i institucioneve financiare, thellimi i pabarazive, shpërfillja ndaj dëmeve mjedisore kanë rezultuar problematike për ekonominë shumë herë më të qëndrueshme të BE-së (Gertz & Kharas, 2019), dhe njejtë mund të ulin në mënyrë drastike rezultatet e pritshme nga kjo nismë në BP6. Me përjashtim të miratimit të Axhendës së Gjelbër në Samitin e Sofjes e cila vë bazat për strategjinë drejt arritjes së klimës neutrale, pikat e tjera nuk janë të reflektuara ose janë të reflektuara dobët në dokumentet e deritanishme.

Pavarësisht suksesit në rastin e BE-së, modeli i krijimit të tregut të përbashkët atje ka filluar si iniciativë në një kontekst tjetër socio-ekonomik e shumë vite të shkuara. Modeli i ngritjes së Tregut të Përbashkët në Ballkanin Perendimor ka mundësinë të jetë një model zhvillimor inovator, i përshtatur me dinamikat e brendshme politike dhe ekonomike. Gjithashtu, ai mundet të jetë katalizator për rritjen e konvergjencës ekonomike të rajonit me shtetet e BE-së dhe të afrojë pikëtakimin e politikave mes palëve.

 

Rekomandime

Në parim, krijimi i tregut të përbashkët është një objektiv i cili i shërben drejtëpërdrejtë perspektivës së bashkëpunimit rajonal, dhe në këtë drejtim shumëçka mund të përftohet nga eksperienca e BE-së. Megjithatë, është pikërisht prej eksperiencës së BE-së që kemi mundur të identifikojmë edhe efekte derivative negative që ka sjellë me vete ky proces, mbi të cilat duhet të nxirren mësimet e nevojshme pa qënë e domosdoshme të përshkuarit e çdo faze.

Së pari, rajoni duhet të ketë edhe de facto zotërimin e procesit. Është i paçmueshëm roli i Komisionit Europian me eksperiencën dhe kapacitetet e ekspertizës, por këto duhet të kanalizohen në formën e mbështetjes dhe fuqizimit të përpjekjeve që burojnë nga rajoni. Instrumentet si fondet IPA, aksesi i shtuar në programe të përbashkëta, forcimi i nismave rajonale dhe integrimi i tyre me acquis communautaire, si në rastin e Traktatit të Komunitetit të Transportit, kanë një potencial të konsiderueshëm nëse vihen në funksion të rritjes së stimujve të brendshëm të rajonit.

Së dyti, duhet të bëhet harmonizimi i politikave dhe vizioneve mes rajonit dhe BE-së në ngritjen e Tregut të Përbashkët Rajonal. Transformimi ambicioz e me investime të paprecedenta financiare, drejt ekonomive të gjelbra dhe dixhitalizimit që po ndodh duhet të reflektohet i plotë edhe në rajon, sepse do të jetë përcaktues për të ardhmen. Nisma e CRM-së e ka potencialin të drejtojë e specializojë tregjet drejt këtij qëllimi. Maksimizimi dhe mbarështimi i avantazheve krahasuese, siç janë qëndrueshmëria e konsoliduar makroekonomike apo mosha e ulët dhe niveli relativisht i lartë i popullsisë së arsimuar (Sanfey, Milatović & Krešić, 2016), por edhe oferta e plotë e përbashkët turistike, duhet të jenë në qendër të formimit të CRM.

Së treti, duhen krijuar pritshmëri realiste dhe të specifikuara për rezultatet e nismës së CRM-së apo të tjerave të ngjashme. Premtimi ambicioz dhe i mediatizuar për rritje të PBB-së me 6.7% si pasojë direkte e krijimit të CRM-së në fakt presupozon një nivel të integrimit si të Bashkimit Europian aktual për të prodhuar atë rezultat (World Bank, 2019). Kjo është e pamundur pasi vetë Plani i Veprimit nuk e parashikon dot një nivel të tillë integrimi në 4 vitet e ardhshme, dhe një rritje 2.5% është më realiste sipas plotësimit të objektivave të integrimit të vendosura në CEFTA (World Bank, 2019).

Së fundmi, fenomenet rajonale duhet të kenë qasje të përshtatur dhe jo universale. Njohja e larmishmërisë së dinamikave politike në rajon hap rrugën për zgjidhje të qëndrueshme kur BE-ja është e aftë të ruajë qasje koherente në qëndrime dhe vëmendje të investuar. Një nga sfidat kryesore me të cilat përballet rajoni e që thellohet gjithnjë e më tepër, është fenomeni i ashtuquajtur “rrjedhje e trurit”. Në gjykimin tim kërkon trajtim të integruar me dy kahe: frenimi i lehtësimit të praktikave që joshin të rinjtë e arsimuar nga rajoni drejt vendeve të BE-së; dhe forcimi i stimujve të brendshëm me investime në programe inovatore, në institucione arsimore dhe profesionet e së ardhmes.

Pas një të shkuare të trazuar, koha punon gjithnjë në favor të tejkalimit të ndasive. Rajoni është gjithnjë e më shumë i përgatitur për të absorbuar mundësitë që i ofrohen dhe për të gjeneruar vetë të tilla në vazhdim. Nëse qasja është serioze dhe e qëndrueshme, rajoni do të mund të jetë në gjendje të arrijë rezultate më shpejt se pritshmëritë e drobitura të qytetarëve të tij.

Arsild Tepelija, mars 2021

*Arsild Tepelija është në përfundim të mbrojtjes së temës së diplomës në Universitetin Sapienza të Romës në degën Studime Europiane, program i Masterit Shkencor me fokus tek ligji dhe ekonomia. Më herët, ai është diplomuar në Financë në Universitetin Europian të Tiranës në nivelin Bachelor. Që prej kthimit nga studimet, është koordinator projektesh për çështje të integrimit, bashkëpunimit rajonal dhe qeverisjes së mirë në Institutin për Bashkëpunim dhe Zhvillim. Gjithashtu, ai është pjesë e “United Nations Youth Association Albania”, ku mban pozicionin e drejtuesit të Departamentit të Projekteve.

 

 

Referenca

 

Common Regional Market  2021- 2024 Action Plan

https://www.rcc.int/docs/543/common-regional-market-action-plan

Gerz, G., & Kharas, H. (2019). Beyond neoliberalism: Insights from emerging markets, p. 7-8, p. 82

https://www.brookings.edu/wp-content/uploads/2019/05/beyond-neoliberalism-final-05.01.pdf

Herman, C. (2007). Neoliberalism in the European Union

https://www.academia.edu/812427/Neoliberalism_in_the_European_Union

Mercille, J. & Murphy, E. (2015). Deepening Neoliberalism, Austerity, and Crisis, p. 51

Available at

https://www.researchgate.net/publication/298704503_Deepening_neoliberalism_austerity_and_crisis_Europe's_treasure_Ireland

Pelkmans, J. (2008). Economic Approaches of the Internal Market

http://www.coleurop.be/eco/publications.htm

Sanfey, P. & Milatović, J. & Krešić, A. (2016). How the Western Balkans can catch up

www.ebrd.com › oce › pdf-working-paper-186

Sofia Declaration on the Green Agenda for the Western Balkans

https://www.rcc.int/download/docs/Leaders%20Declaration%20on%20the%20Green%20Agenda%20for%20the%20WB.pdf/196c92cf0534f629d43c460079809b20.pdf

Wakelin, E. (2013). EU Conditionality: An Effective Means for Policy Reform?

https://www.e-ir.info/2013/11/01/eu-conditionality-an-effective-means-for-policy-reform/

Western Balkans Leaders Declaration on Common Regional Market

https://www.rcc.int/docs/544/declaration-on-common-regional-market

World Bank Group (2019). Western Balkans Regular Economic Report No.16: Rising Uncertainties, p. 27

https://openknowledge.worldbank.org/bitstream/handle/10986/32532/Rising-Uncertainties.pdf?sequence=1&isAllowed=y

World Economic Forum (2020). Dashboard for a New Economy: Towards a New Compass for the Post-COVID Recovery,

http://www3.weforum.org/docs/WEF_Dashboard_for_a_New_Economy_2020.pdf

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk