Modeli i udhëheqësve politik në vendet e Ballkanit: Ngjashmëritë mes Vučić dhe Gruevski

Modeli i udhëheqësve politik në vendet e Ballkanit: Ngjashmëritë mes Vučić dhe Gruevski

Në artikull do të krahasohen dy figura që sot janë me rëndësi si kryeministri Nikola Gruevski i ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe Aleksandar Vučić kryeministri i rikonfirmuar serb. Artikulli analizon gjashtë tipare të përbashkëta që kanë këto dy figura politike dhe partitë e tyre përkatëse duke nënkuptuar që modeli i një pushteti autoritar qeverisës po implementohet në këto vende duke u veshur me petkun e pro-europianizmit dhe vlerave demokratike.

1. Shndërrimi i partive VRMO-DPMNE dhe SNS (Partia Progresive e Serbisë) nga parti nacionaliste të djathta në parti pro-europiane.

Ndryshimi ideologjik për të dyja partitë është i njëjtë. Të njohura fillimisht si parti që mbështesin nacionalizmin, populizmin dhe konservatorizmin ato më vonë pas viteve ’90 do të kthehen në parti pro-europiane të moderuara dhe më afër qendrës. Kjo ndodhi pasi kryetarët e tyre kuptuan që me karakterin nacionalist dhe konservator nuk mund të sigurohej pushteti dhe mbështetja nga shumica e popullsisë. Edhe pse në dukje qeveria e Gruevskit deklaron zyrtarisht se mbështet dhe punon për anëtarësimin e shtetit maqedonas në BE dhe NATO, politika e brendshme bazohet më së shumti në shkatërrim të institucioneve shtetërore, shkelje të lirisë së fjalës dhe veprimit politik, nepotizmit dhe aksioneve të tjera aspak liberale. Në shtetin serb historia e SNS (Partisë Progresive të Serbisë) lidhet me atë të SRS ( Partia Radikale Serbe) pas ndarjes me këtë të fundit. Partia Radikale ka qenë një parti e ideologjisë ekstreme nacionaliste madje ka qenë edhe pjesë e qeverisë së Slobodan Milosevic por pasi u vlerësua se kjo parti me këtë ideologji nuk do të arrinte asnjëherë shumicën e votave një pjesë e kryesisë përfshirë dhe Vučić u ndanë për të krijuar SNS apo Partinë Progresive të Serbisë, duke përqafuar drejtimin pro-europian dhe duke u ndarë përfundimisht nga nacionalizmi që kishte karakterizuar vitet ’90 të vendeve të Ballkanit.

2. Udhëheqësit: Nikola Gruevski dhe Aleksandar Vučić

Të dy liderët janë moshatarë, të dy të lindur në vitin 1970, dhe u karakterizuan në skenën politike nga rinia, energjia, një edukim i lartë dhe cilësor, por edhe nga pragmatizmi dhe gatishmëria për ‘reforma të dhimbshme’ në vendin e tyre. Fillimisht në role mbështetëse, ku Vučić cilësohej dhe si krahu i djathtë i Vojislav Šešelj, kryetar i Partisë Radikale Serbe i akuzuar për krime lufte edhe pse u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, ata arritën shumë shpejt respektin e partnerëve perëndimorë dhe mbështetjen e të paktën 50% të votuesve në zgjedhjet e para të tyre, në 2006 për Gruevskin dhe në 2014 për Vučić me fokus luftën kundër korrupsionit.

3. Projekte të mëdha Ndërtimi

Përvec kartës së luftës kundër korrupsionit, ndërtimet madhore ishin një tjetër veprim politik që do t’u sillte mbështetje nga qytetarët për udhëheqësit në fjalë. Gruevski u bë i njohur për projektin ndërtimor Skopje 2014 (Shkup 2014), me një kosto prej 500 milion €, që kishte si synim të ndërtonte rreth 20 ndërtesa monumentale dhe 40 monumente të stilit antik për të ri-konfirmuar identitetin dhe historinë e kombit maqedonas që ishte vënë në dyshim nga reagimet e shteti grek dhe ekspertëve të tjerë të historisë. Lehtësisht sot shihen në qendrën e Shkupit një monument gjigand i Aleksandrit të Madh apo perandorit bizantin Justinian. Në Serbi vihet re një skenar i ngjashëm ku gjatë fushatës, Vučić u fokusua në ndërtimin e Waterfrontit të Beogradit (Pjesës ujore), po në të njëjtën mënyrë si projekti i Shkupit 2014 procesi i kostove dhe parave nuk ishte fare transparent, gjithashtu mungoi debati publik, kontratat u nënshkruan në mënyrë të fshehtë dhe të mbyllur dhe kjo rriti pakënaqësitë dhe dyshimet mes popullsisë dhe opozitës.

4. Politika mbi median

Në 2016 Maqedonia u rëndit në vendin e 43 në botë përsa i përket lirisë së medias sipas Indeksit të Reporterëve pa Kufij, ndërkohë në 2016 ajo renditet në vendin e 118 nga 180 vende që janë gjithsej me 36.09 pikë, duke u futur në kategorinë e vendeve jo të lira përsa i përket lirisë së medias. Në këto 10 vite Maqedonia është udhëhequr nga Partia VMRO-DPMNE kështu që kjo rënie i atribuohet kësaj qeverisjeje. Nuk ka media të lirë në Maqedoni, gazetarët shprehen se e censurojnë veten e tyre dhe abuzimi është mjaft i larë. Serbia cilësohet si pjesërisht e pavarur, por vihet re një rënie e pozicionit të saj, ku presioni ekonomik ndaj medias është rritur. Sipas Raportit për vitin 2015 të Freedom House mbi Median Maqedonia është i vetmi vend i Ballkanit që cilësohet si jo-i lirë për median, ndërkohë që si Serbia dhe Maqedonia janë dy vende që janë përkeqësuar në vitet në vazhdim duke humbur më shumë pikë se të tjerët. Sipas raportit ka një rritje të dhunës ndaj gazetarëve, kërcënimeve dhe sulmeve fizike të raportuara në Serbi dhe Maqedoni, më së shumti mbi ata gazetarë që investigojnë aferat dhe çështjet korruptive ku përfshihet edhe qeveria.

5. Grushtet e Shtetit

Shprehja ‘grusht shteti’ përdoret shpesh nga qeveria si në Maqedoni dhe Serbi, si një mënyrë për të arrestuar të gjithë ata kundërshtarë dhe zëra kritikë të qeverisë. Retorika e përdorur është ajo që përmend tradhtarë, spiunë apo kundërshtarë të shtetit që duan ta rrëzojnë atë me dhunë dhe kaos. Në 2013 në Maqedoni u arrestuan më shumë se 20 persona të akuzuar për spiunazh dhe krim të organizuar. Shumë prej tyre ishin gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, apo aktivistë të OJF-ve por që bashkoheshin në momentin që ishin edhe kritikë të fortë të qeverisë. E njëjta gjë ndodhi edhe në 2014, kur lideri i opozitës maqedonase Zaev u arrestua me akuzën se po planifikonte sulme të dhunshme dhe një grusht shteti, kjo ndodhi pasi opozita kishte deklaruar që posedonte fakte dhe prova të shumta që vërtetonin aferat korruptive të qeverisë. Vendimi më i fundit i presidentit Gjorge Ivanov për të penguar hetimet në lidhje me skandalin e përgjimeve, duke u dhëne amnistinë të dyshuarve të përfshirë në një skandal përgjimi, ka thelluar edhe më tej krizën politike në vend. Në Serbi në 2014 do të akuzohej për një grusht shteti, ku si dhe në Maqedoni përfaqësues të OJF-ve, gazetarë dhe përfaqësues të shërbimeve të huaja do të akuzoheshin si organizatorë të këtij akti. Media gjithashtu u bë aktore teksa transmetonte një speciale se si një grup nga opozita dhe aleatët e tyre kërkonte rrëzimin e kryeministrit Vučić, dhe qeverisë së tij. Pjesë e televizionit (TV Pink) në Serbi është bërë edhe vetë kryeministri i cili në shfaqjet e tij është shprehur gjithmonë se ka përgatitje për grusht shteti nga opozita, edhe pse policia nuk ka ndërhyrë asnjëherë, duke shkaktuar frikë dhe ankth mes qytetarëve.

6. Kursi pro-europian dhe mbështetja nga Perëndimi

Gruevski që me marrjen e postit të kryeministrit në 2006 është shfaqur gjithmonë si pro-europian, edhe pse integrimi i Maqedonisë për në BE ka ngecur si pasojë e vetos greke, orientimi euro-atlantik ka vazhduar dhe asnjëherë nuk është vënë në dyshim. Situata e refugjatëve dhe kthimi i Maqedonisë në një vend tranzit ka rritur vlerat strategjike të Gruevskit edhe për Bashkimin Europian që tani vlerëson se ka një aleat në zgjidhjen e këtij problemi. Vučić mori tipare të theksuar apro perëndimore që në kohën kur ishte zëvendës kryeministër i Serbisë, dhe madje ai ishte një partner më i preferuar për aleatët se vetë kryeministri i asaj kohe Dačić. Me zgjedhjen e tij kryeministër në 2014, ai do të shihej si një kryeministër pro europian dhe demokrat për partnerët europianë dhe sjellja e tij gjatë krizës së refugjatëve është pranuar dhe përshëndetur nga liderët europianë, duke e kthyer Serbinë në një shtet që mbështetet nga BE dhe roli i Vučić të forcohet në kontekstin e Bashkimit Europian.

Çfarë sjell e ardhmja për këto dy vende dhe udhëheqësit e tyre?

Europa nuk është e kënaqur përsa i përket situatës në Maqedoni, problemet me korrupsionin, arrestimet kundër zërave kundër, mungesa e lirisë së medias kanë rritur shqetësimin se demokracia në vend është vërtetë në rrezik. Gruevski nuk ndodhet më në një territor të sigurt dhe më rritjen e krizës politike e ardhmja e tij në pushtet është në pikëpyetje. Në Serbi reagimi europian nuk është dhe aq i ashpër dhe nuk i dihet se sa duhet të presë Europa për të reaguar ndaj veprimeve politike serbe që po vënë në pikpytje demokracinë edhe pse jo me atë intensitet si në Maqedoni. E sigurt për momentin është që pranimi i Serbisë si dhe i Maqedonisë në BE mbetet i largët dhe demokracia e vërtetë mbetet e brishtë.

                                                              Journal of Western Balkans Politics dhe Stafi i EuroSpeak, prill 2016

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk