Cilat janë qëndrimet e Komisionit Europian për zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë?

Cilat janë qëndrimet e Komisionit Europian për zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë?

Për këtë arsye, një proces i besueshëm si ai i zgjerimit, në bazë përcaktimin e disa kushteve, mbetet një mjet i pazëvendësueshëm për forcimin e këtyre vendeve dhe për të mbështetur modernizimin e tyre përmes reformave politike dhe ekonomike, në përputhje me kriteret e pranimit.


Më 9 nëntor 2016, Komisioni Europian miratoi Paketën e tij vjetore të Zgjerimit, ku dhe vlerësoi zhvillimet e fundit në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe në Turqi, lidhur me zbatimin e reformave kyçe politike dhe ekonomike. Gjithashtu, KE-ja parashtroi dhe propozime sa i përket trajtimit të sfidave që mbeten ende pa një zgjidhje.

Në prezantimin e Paketës së Zgjerimit, Komisioneri për Politikën Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn u shpreh se: "Perspektiva e anëtarësisë në BE vazhdon të nxisë transformimin dhe të vendosë stabilitet në vendet e Europës Juglindore, pasi një proces i besueshëm zgjerimi mbetet një mjet i pazëvendësueshëm për t’i forcuar këto vende dhe për t’i ndihmuar ato të kryejnë reforma politike dhe ekonomike. Ne vazhdojmë të përsërisim mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për këto përpjekje dhe u bëjmë thirrje qeverive të vendeve të zgjerimit të përqafojnë në mënyrë më aktive reformat e nevojshme dhe ta bëjnë vërtet këtë programin e tyre politik – jo sepse e kërkon BE-ja, por sepse është në interesin më të mirë të qytetarëve të tyre dhe Europës si e tërë".

Përveç këtij komunikimi, Paketa e Zgjerimit përmban raportet në të cilat shërbimet e Komisionit paraqesin vlerësimin e tyre të detajuar të situatës në secilin vend kandidat, ajo që është arritur gjatë vitit të kaluar, si dhe përcaktojnë udhëzime për prioritetet e reformave në vazhdim.

Por cilat kanë qenë qëndrimet dhe vlerësimet e Komisionit Europian për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor? A do të marrë Shqipëria lajmin e shumëpritur në dhjetor të këtij viti? Si ka ecur procesi i integrimit në vendet e tjera të rajonit?

Shqipëria: Sa i takon vendit tonë, raporti bën me dije se ka një përparim të dukshëm e të qëndrueshëm drejt përmbushjes së të gjithave prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave për anëtarësim. Amendamentet e rëndësishme kushtetuese u miratuan njëzëri në korrik të këtij viti, duke filluar kështu një proces të plotë dhe gjithëpërfshirës të Reformës në Drejtësi. Kjo duket të ketë qenë dhe kryefjala e zhvillimeve në Shqipëri kohët e fundit, duke u konsideruar kështu dhe si një arritje e madhe dhe domosdoshme për çuarjen më tej të negociatave. Ndërsa sa i përket Reformës së Administratës Publike, duket se ajo ka pasur ecuri dhe zbatim në mënyrë të vazhdueshme. Gjithashtu edhe puna drejt krijimit të të dhënave solide të hetimeve, ndjekjeve penale dhe të dënimeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka vazhduar të shënojë progres. Të drejtat themelore vazhdojnë të respektohen gjerësisht në vend. Në funksion të progresit të mësipërm në përmbushjen e prioriteteve kyçe dhe një progresi të dukshëm në zbatimin e reformës në drejtësi, në veçanti të ligjit të Vetting-ut, Komisioni rekomandon dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në familjen e madhe Europiane. Në dhjetor të 2016, vendi ynë është në pritje të dy lajmeve pozitive: ai i Komisionit të Venecias dhe ai i Këshillit për hapjen e negociatave. Megjithatë, krahas vlerësimeve deri më tani pozitive, duket ka ende shumë punë përpara.

Kosova: Më 1 prill 2016, hyri në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) për marrëdhëniet Kosovë- BE. Kjo, në fakt mund të konsiderohet dhe si marrëdhënia e parë kontraktuale ndërmjet BE-së dhe Kosovës, si një kornizë gjithëpërfshirëse për një dialog më të ngushtë në marrëdhëniet politike dhe ekonomike. Në fakt, Kosova është ballafaquar me sfida të brendshme serioze, të cilat kanë penguar reformat lidhur me BE-në në disa fusha. Por tashmë, ajo duhet të fokusohet në zbatimin e MSA-së, të udhëhequr nga Axhenda e Reformës Europiane, për të forcuar më tej sundimin e së drejtës si dhe të reformojë ekonominë e saj. Kosova ka vazhduar të adresojë prioritetet e përcaktuara në Raportin e vitit të kaluar. Në veçanti, duket se vendi ka zbatuar reformat për të përmbushur kërkesat e mbetura të dialogut mbi liberalizimin e vizave. Që nga viti 2012, Komisioni ka lëshuar katër progres raporte për Kosovën sa i takon kësaj çështjeje (më të fundit janë ato në dhjetor 2015 dhe maj 2016) dhe më 4 maj 2016 paraqiti një propozim legjislativ ndaj Këshillit dhe Parlamentit Europian për të hequr vizat për qytetarët e Kosovës. Një propozim ky, i cili në fakt është duke u konsideruar nga të dyja institucionet kompetente, në pritje të plotësimit të dy kërkesave të mbetura nga Kosova. Deri më sot, sipas qeverisë, Kosova është njohur nga 110 shtete anëtare të OKB-së, përfshirë këtu 23 shtetet anëtare të BE.

Mali i Zi: Bisedimet me Malin e Zi për anëtarësimin në BE duket të kenë përparuar, sidomos nëse marrim në konsideratë zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të tetorit 2016, të cilat në përgjithësi u përcollën sipas një kuadri ligjor më transparent dhe me një pjesëmarrje më të gjerë. Sipas raportit, duket se kuadri ligjor në fushën e sundimit të ligjit në vend është kryesisht i plotë dhe institucional. Por sa i përket qëndrueshmërisë fiskale, rritja e nivelit të borxhit publik në Mal të Zi, ka përkeqësuar ndjeshëm sferë ekonomike dhe publike. Sipas Komisionit, një çështje me prioritet për të cilën Mali i Zi duhet të marrë masa, është kufizimi i shpenzimeve aktuale dhe përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave. Gjithashtu, duket se më shumë punë duhet bërë në zvogëlimin e pengesave për të punuar, zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe industrisë së orientuar nga eksporti. Megjithatë, ajo çka mund të konsiderohet si një arritje e rëndësishme për një vend të vogël si Mali i Zi, është ftesa e marrë në dhjetor të 2015, për t'iu bashkuar NATO-s. Tashmë duket se një aleat i ri me rëndësi nga Ballkani Perëndimor do t’i bashkohet organizatës Atlantike, duke krijuar kështu një bashkëpunim më të gjerë në sfidat e përbashkëta.

Serbia: Pas zgjedhjeve kombëtare të parakohshme në prill, programi i qeverisë së re serbe përfshin si qëllim kryesor anëtarësimin e Serbisë në BE. Shteti Serb ka ndërmarrë hapa të mëdha drejt përmbushjes së këtij qëllimi, duke çuar në hapjen e katër kapitujve të parë të negociatave për anëtarësim, përfshirë këtu edhe sundimin e ligjit dhe normalizimin e marrëdhënieve të saj me Kosovën. Ritmi i përgjithshëm i negociatave për anëtarësim në BE do të varet në mënyrë të veçantë nga qëndrueshmëria dhe progresi në këto dy fusha. Sipas raportit, Serbia duhet të thellojë angazhimin e saj në dialogun me Kosovën, duke përfshirë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve. Reformat ekonomike duket se po japin rezultate, por ajo që duhet të vazhdojë është në veçanti ristrukturimi i ndërmarrjeve në pronësi shtetërore dhe shërbimeve publike. Roli kryesor i Serbisë në rajon është pa dyshim i rëndësishëm në përmirësimin e marrëdhënieve rajonale dhe ruajtjen e stabilitetit.
Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë: Për Maqedoninë, viti i kaluar ka qenë një vazhdimësi e krizës politike, sidomos sa i takon funksionimit të institucioneve demokratike, e cila ende mbetet dhe problematika kryesore me të cilën përballet ky vend. Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë ka nevojë të zbatojë plotësisht Marrëveshjen Pržino, veçanërisht duke siguruar kështu një proces të besueshëm zgjedhor në lidhje me zgjedhjet e parakohshme parlamentare në fund të këtij viti. Raporti bën me dije se stabiliteti makroekonomik duhet të vazhdojë të ruhet dhe në mënyrë të veçantë, deficiti publik duhet të kontrollohet më rigorozisht, si dhe duhet përmirësuar transparenca në zbatimin e shpenzimeve publike. Por, natyrisht që një fokus të veçantë duhet të ketë ndërmarrja në zbatimin e masave për ndërtimin e besimit me Greqinë, hapa vendimtarë që janë të nevojshëm për të zgjidhur çështjen e emrit. Megjithatë, bëhet me dije se hapat pozitive të ndërmarra së fundmi në kuadrin e Marrëveshjes Pržino, do të sigurojnë një mundësi reale për udhëheqësit politikë për të kapërcyer krizën e gjatë dhe për të adresuar çështjet më problematike.

Bosnje dhe Hercegovina: Bosnja dhe Hercegovina duket se është fokusuar dukshëm në prioritetet që rrjedhin nga procesi i saj i reformave, veçanërisht në lidhje me Axhendën e Reformave. Mbi këtë bazë, Këshilli i ka ngarkuar Komisionit përgatitjen e një opinioni mbi aplikimin për anëtarësim. Përpjekjet e rëndësishme orientuar BE-së për reformat duhet të jenë të qëndrueshme në mënyrë që të adresohen problemet strukturore të rrënjosura thellë të cilat pengojnë zhvillimin e vendit, duke përfshirë këtu edhe aspektin socio-ekonomik. Në rastin e Bosnje & Hercegovinës, KE-ja raporton se forcimi i sundimit të ligjit dhe një administratë publike në përputhje me standardet europiane në të gjitha nivelet e qeverisjes, si dhe përmirësimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në mes të të gjitha niveleve, mbeten ende prioritete kyçe të qeverisë së vendit. Miratimi i mekanizmit të koordinimit për çështjet e BE-së duhet të zbatohet në mënyrë që të mundësojë përballjen me sfidat e procesit të integrimit në BE, duke përfshirë edhe miratimin e strategjive të gjera të nevojshme të vendit. Së fundmi, mbetet për tu nënshkruar dhe protokolli mbi përshtatjen e MSA-së në korrik të 2016.

Por sa i takon anëtarësimit të Turqisë, si kanë ecur bisedimet me BE-në pas grushtit të shtetit në korrik të 2016? A kanë ndikuar këto ngjarje në Marrëveshjen Turqi-BE?

Turqia: BE-ja dënoi ashpër përpjekjen e dështuar për grusht shteti më 15 korrik të këtij viti si një sulm i drejtpërdrejtë i parimeve demokratike, duke shprehur dhe mbështetjen e plotë dhe solidaritetin e saj me popullin turk dhe institucionet e tij demokratike. Duke pasur parasysh shkallën dhe natyrën kolektive të masave të marra që nga korriku, BE-ja i ka bërë thirrje të vazhdueshme Turqisë për të vëzhguar standardet më të larta në fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtat themelore. Bashkimi Europian është angazhuar për të punuar së bashku me Turqinë demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për të adresuar sfidat e përbashkëta. Megjithatë, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të njeriut duhet të respektohen në të gjitha rrethanat, dhe parlamenti dhe të gjitha forcat e përfaqësuara në institucionet demokratike të vendit duhet të jenë në gjendje të luajnë rolin e tyre kushtetues në mënyrë të plotë. Lidhur me konsideratat për të rivendosur dënimin me vdekje, BE-ja kujton se refuzimi i qartë i dënimit me vdekje është një element thelbësor i acquis i Unionit si dhe një detyrim ndërkombëtar për Turqinë.
Turqia është një partner i rëndësishëm për Bashkimin Europian, sidomos në strehimin e më shumë se 2,7 milionë refugjatëve Sirianë në shtetin Turk. Turqia ka bërë përparim të konsiderueshëm në vitin e kaluar në përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Komisioni ka bërë një propozim për të hequr vizat nëse Turqia do të përmbushë standardet e mbetura. Turqia është një aktor aktiv ndërkombëtar si anëtare e NATO-s, G20-ës, OSBE-së dhe Këshillit të Europës. Ndër të tjera, ajo mbetet e angazhuar në koalicionin ndërkombëtar në luftën kundër Da'esh si dhe një partner kyç në rajon.

Megjithatë, duket se Turqia duhet të adresojë pabarazitë makroekonomike, të kryejë më tej reformat strukturore, sidomos në fazën e ndjeshme pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti. Së fundmi, në përputhje dhe me qëndrimet e mbajtura të Këshillit dhe Komisionit në vitet e mëparshme, tani duket se është urgjente që Turqia të bëjë përparim drejt normalizimit të marrëdhënieve me Republikën e Qipros.

Në fakt, politikat e zgjerimit vazhdojnë të japin rezultate pasi reformat kanë pasur përmirësime të dukshme edhe pse me ritme apo nivele të ndryshme. Megjithatë, duke pasur parasysh natyrën komplekse të reformave të nevojshme, ky është një proces afatgjatë dhe të metat strukturore vazhdojnë, veçanërisht në fushat kryesore si ajo e sundimit të ligjit dhe në ekonomi.

Raportet e Komisionit Europian shpesh herë janë dhe kritike ndaj disa prej zhvillimeve lokale dhe të brendshme në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi në sajë të anëtarësimit dhe integrimit të tyre në familjen e madhe Europiane. Por, në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që në këtë kuadër të pranohet se negociatat e anëtarësimit nuk janë - dhe nuk kanë qenë kurrë - një qëllim në vetvete. Ato janë pjesë e një procesi më të gjerë të modernizimit dhe reformimit, për të cilat kanë nevojë këto shtete. Qeveritë e vendeve të zgjerimit duhet të përqafojnë reformat e nevojshme në axhendën e tyre politike – dhe kjo jo sepse e kërkon BE-ja, por për shkak se ajo është në interesin e qytetarëve të tyre. Mbështetja publike për zgjerimet në të ardhmen do të varet nga shkalla e përgatitjes së vendeve kandidate. Prandaj, reformat përmes procesit të pranimit në BE ndihmojnë gjithashtu në rritjen e besimit të qytetarëve të shteteve anëtare në BE.

                                                                                                               Komisioni Europian, nëntor 2016

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk