Nord Stream II përçan BE-në

Nord Stream II përçan BE-në

Kështu vendet e Vishegradit (Polonia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Hungaria) që njihet gjithashtu si V4, e kanë kundërshtuar fuqishëm këtë projekt pasi cënon interesat strategjike të BE-së dhe vë në pikëpyetje ndërtimin e një Unioni Energjetik. Kjo lëvizje nuk vjen si befasi pasi të paktën shtatë vende anëtare, të Europës Qendrore, ku përfshihen edhe vendet e V4, i kanë dërguar letra të përbashkëta Komisionit Europian dhe Presidentit të Këshillit Europian Donald Tusk.

Pas përfundimit të Samitit Kryeministri hungarez Victor Orban u shpreh se projekti “Nord Stream” kishte implikime strategjike dhe se ishte më i komplikuar madje se çështja e refugjatëve. Sipas tij, ky projekt është i lidhur me Ukrainën, “South Stream” dhe standardet e dyfishta. Gjithashtu, ai kërkoi të dinte arsyen dhe të dëgjonte argumentet se pse “Nord Stream 2” është i pranueshëm dhe me leverdi për BE-në sesa projekti tjetër “South Stream”, i cili u përjashtua kategorikisht nga BE pasi nuk përmbushte kriteret e “paketës së tretë” dhe u shkaktonte humbje vendeve të tilla si Italia, Bullgaria dhe Hungaria.

Në një intervistë, Kryeministri i Republikës Çeke Bohuslav Sobotka e konfirmoi se vendi i tij nuk e kishte nënshkruar letrën, e cila ishte drejtuar ndaj Komisionerit për Energjinë Maroš Šefčovič, por vetëm atë të kryeministrave të V4 dhe Rumanisë drejtuar Presidentit Tusk, në të ciliën nuk përmendej aspak “Nord Stream 2”. Sipas tij nuk ka asnjë divergjencë mes vendeve të V4 lidhur me “Nord Stream 2”, por përkundrazi ato janë të gatshme për të vepruar së bashku. Ai shtoi se ky projekt cilësohet prej tyre si kontrovers, përderisa shkon kundër interesave strategjike të shumë vendeve anëtare të BE-së dhe se godet ekonomikisht Ukrainën. Gjithashtu Z.Sobotka u shpreh se besonte dhe shpresonte që këto vende të ruajnë një qëndrim të përbashkët lidhur me këtë çështje dhe i bëri thirrje Komisionit Europian për të vlerësuar nëse ky projekt është apo jo i pajtueshëm me rregullat europiane.

Po në të njëjtin prizëm janë edhe Italia dhe Bullgaria të cilat kërkojnë më tepër sqarime nga Gjermania lidhur me këtë projekt, pasi është një nga promotorët kryesorë të kësaj iniciative në bashkëpunim me Rusinë, i cili parashikon kalimin e gazit nga Rusia për në Gjermani përmes Detit Baltik. Sipas burimeve mediatike mësohet se lidhur me këtë çeshtje ka pasur debate dhe polemika të ashpra ndërmjet Kancelares gjermane Angela Merkel dhe Kryeministrit italian Matteo Renzi. Ndërkohë që vetë Merkel është përpjekur ta mbrojë projektin, duke e cilësuar së pari dhe mbi të gjitha një propozim biznesi dhe se duhen vendosur kushtet e nevojshme ligjore për zbatimin e tij. Lidhur me këtë Kryeministri Sobotka u shpreh se Kancelarja Merkel pasi përshkroi parmetrat e projektit nënvizoi faktin se i përket Komisionit Evropian të bëjë vlerësimin e të gjitha kësaj situate. Gjithashtu ai përmendi se disa vende e krahasuan projektin “Nord Stream” me projektin tjetër ‘South Stream” dhe kërkuan një qasje të njëjtë ndaj të gjitha projekteve të këtij lloji.

Gjatë konferencës për shtyp, në Bruksel, menjëherë pas samitit, Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk, u shpreh se bisedimet rreth “Nord Stream” kanë qenë dhe janë tepër të vëshitra dhe komplekse për shkak të dimensionit gjeopolitik, përveç atij tregtar dhe energjetik. Komisioni Europian ka vlerësuar se “Nord Stream 2” nuk i shërben diversifikimit por përkundrazi e rrit ndjeshëm varësinë e BE-së ndaj një furnizuesi të vetëm, i cili rrezikon të vendosë një gjendje monopoli të kompanisë ruse Gazprom në sektorin e gazit. Megjithatë ai shtoi se akoma nuk ka një vendim përfundimtar të Komisionit nëse projekti në fjalë përputhet apo jo me legjislacionin e BE-së, edhe pse para një muaji vetë Komisioni mori angazhim për ta shpalllur “Nord Stream” të papajtueshëm me kuadrin ligjor të BE-së. Në fund të fjalës së tij, presidenti Tusk u shpreh se kjo çështje delikate do të trajtohet pa emocione dhe pa bërë favore për furnizues dominues siç është Gazprom-i, duke mos penalizuar askënd tjetër, vetëm sepse kanë gaz me shumicë. Duke folur për problemet në fushën e energjisë Presidenti Tusk kërkoi që të zgjidhen si Europë në tërësi dhe jo përmes marrëdhënieve dypalëshe.

Duhet përmendur fakti se këtë gjë z.Tusk e ka thënë edhe kur ka qenë Kryeministër i Polonisë në vitin 2014, para se të merrte detyrën e re të zyrtarit të lartë të BE-së. Në konkluzionet e Samitit të BE-së, edhe pse nuk përmendet fare projekti”Nord Stream 2”, nënvizohet fakti se “çdo strukturë e re duhet të përmbushet plotësisht me paketën e tretë energjetike dhe ligjet e tjera të zbatueshme të BE-së si edhe me qëllimet e Unionit Energjetik. Pra duket se katër vendet e Vishegradit kanë gjetur një aleat të fuqishëm te z.Tusk, i cili pak a shumë përsëriti po ato argumenta të njëjta të tyre.

Nëse ndërtohet gazsjellësi “Nord Stream 2” atëherë do të anashkalohet Ukraina dhe mund të ndërpritet më me lehtësi furnizimi me gaz i vendeve të ish perdes së hekurt, duke shkaktuar dëme kolosale për ekonominë e tyre. Sipas parashikimeve kjo mund të çojë në humbjen e taksave tranzit që kapin shifrën e 2 miliardë dollarëve në vit. Lidhur me këtë Kancelarja Merkel u ndal shkurtimisht, duke u shprehur se Gjermania dhe disa vende të tjera dëshirojnë për zgjidhje, në të cilën Ukraina të luajë rolin e saj si vend tranzit.
                                                                                                                Stafi i EuroSpeak, dhjetor 2015

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk