Perceptimi i qytetarëve europianë mbi komunitetin LGBTI

Perceptimi i qytetarëve europianë mbi komunitetin LGBTI

Karta ishte e para në rang ndërkombëtar që ndaloi shprehimisht diskriminimin për shkak të 'orientimit seksual' (neni 21 (1)). Sidoqoftë, orientimi seksual e fitoi këtë status vetëm kohët e fundit. Deri në Traktatin e Amsterdamit të vitit 1999, dispozitat përkatëse të Traktatit të Komunitetit Europian adresonin vetëm diskriminimin për shkak të kombësisë dhe gjinisë. Në të njëjtën kohë, praktika gjyqësore e Gjykatës Europiane të Drejtësisë (GjED) ,që përcakton fushën e parimit të përgjithshëm të barazisë nuk ishte uniform - nëse diskriminimi në bazë të orientimit seksual ishte i ndaluar ose jo në bazë të këtij parimi. Amendimi i bërë nga Traktati i Amsterdamit (tani neni 19 TFBE) - i dha fuqi BE-së të marrë masa për të trajtuar diskriminimin dhe mbi baza të tjera, përfshirë këtu dhe orientimin seksual.


Ndër instrumentet e BE me rëndësi për përfshirjen e të drejtave të njerëzve LGBTI, tre direktiva meritojnë vëmendje të veçantë për shkak të problemeve specifike që interpretojnë: • Direktiva e Lëvizjes së Lirë: që bëri përkufizimin e 'bashkëshortit' dhe 'anëtarëve të familjes'; njohjen e martesave të të njëjtit seks, dhe partneriteteve të regjistruara në shtetet e tjera anëtare; • Direktiva e Barazisë në Punësim, që ndalon diskriminimin në bazë të fesë ose besimit, paaftësisë, moshës ose orientimit seksual; dhe • Direktiva e Kualifikimit: dhënia e azilit në bazë të përkatësisë në një "grup shoqëror" specifik, duke u bazuar dhe në orientimin seksual dhe identitetin gjinor.


Por si shihet de facto situata në 2019 nga vetë qytetarët?
Qytetarët europianë shprehen për diskriminimin në vendin e tyre, se 53% ndodh për shkak të orientimit seksual, 48% për shkak të qenurit transgjinor dhe 39% për shkak të qenurit interseks, duke bërë që orientimi seksual dhe identiteti gjinor të jenë ndër shkaqet më të përhapura në BE për çështjen e diskriminimit. Në sondazhin e 2019 të Eurobarometer, vihet re një shpërndarje jo uniforme e kësaj përqindje në shtetet anëtare të BE. Shtetet perëndimore janë më mendjehapur në këtë aspekt, duke u renditur dhe të parat në listën e popujve përkrahës ndaj komunitetit LGBTI, përfaqësuar në vend të parë me Suedinë (98%), Holandën (97%) dhe Spanjën (91%) dhe ndër vendet e fundit renditen shtetet më lindore të BE si Bullgaria (39%), Rumania (38%) dhe Sllovakia (31%).


Pavarësisht përparimit në shumë fusha gjatë dekadave të fundit, njerëzit në Europë janë akoma të paragjykuar për shkak të orientimit të tyre seksual ose identitetit gjinor. Personat LGBTI nuk mund të gëzojnë plotësisht në mënyrë të barabartë si gjithë të tjerët të drejtat universale të njeriut. Edhe pse janë hartuar legjislacione që janë parashikuar të kenë në fokus këtë komunitet , ato janë të kufizuara dhe nuk përfshijnë tema specifike si mbrojtja sociale, kujdesi shëndetësor, arsimi, duke i lënë njerëzit LGBTI veçanërisht të pambrojtur në këto fusha.


Megjithatë perceptimi nga bashkëqytetarët e këtij komuniteti është tejet pozitiv. 76% e tyre janë të të njëjtit mendim se njerëzit e LGBTI duhet të kenë të njëjtat të drejta si heteroseksualët. Kjo paraqet një rritje me 5% të bindjeve të qytetarëve nga viti 2015, kur kjo shifër ka qenë 71 %. Gjithashtu 59% e qytetarëve besojnë se transgjinorët duhet të kenë mundësi për të ndryshuar gjininë e tyre në dokumente ligjore, për ta përshtatur atë me gjininë e re biologjike të tyre dhe 46% e tyre shprehen se në dokumentet identifikuese duhet të jetë një opsion i tretë për të përcaktuar gjininë. Për sa i përket martesave, duke qenë se është një institut që rregullohet nga ligjet kombëtare te vendeve anëtare, 69% e qytetarëve europianë shprehen se martesat brenda të njëjtit seks duhet të lejohen në të gjithë Europën. Kjo paraqet një rritje prej 8% nga sondazhi i fundit i vitit 2015, ku shifra ishte 61%.


Çështje të tjera me rëndësi
Në spektrin global, BE dhe politikat e saj ligjvënëse duken miqësore ndaj komunitetit LGBTI, mbështetur dhe nga fakti se shtetet anëtare janë pjesë e shumë instrumenteve të tjerë ndërkombëtarë përfshirë dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Megjithatë zbatimi i tyre në realitet është pak më kompleks. Qytetarët europianë janë të mendimit se duhet bërë më shumë për promovimin e të drejtave të personave LGBTI në realitet , në mënyrë që ata mos të ndihen inferiorë me pjesën tjetër të shoqërisë. 71% e qytetarëve që i janë nënshtruar sondazhit shprehen se në librat dhe materialet shkollore duhet të përfshihen më shumë informacione për diversitetin e orientimit seksual, ndërsa 65% e tyre kërkojnë të përfshihen më shumë informacione mbi transgjinorët dhe personat interseks.


Pavarësisht paragjykimeve, stereotipeve dhe diskriminimeve, duket se pjesa qytetare është ndërgjegjësuar në lidhje me personat LGBTI. Kur janë pyetur se a mund të përshtateshin në një ambient pune me një koleg të orientimit homoseksual, 72% e tyrejanë shprehur pozitivisht. Ndërsa ndaj personave interseks dhe transgjinor, grupi mbështetës ishte përkatësisht 66% dhe 65%. Ndërsa në lidhje me pyetjen nëse fëmija i tyre do të ishte në një marrëdhënie me një person të së njejtit gjini, a do të përbënte ndonjë problem kjo lidhje, për 55% të personave të pyetur nuk do të përbënte problem, ndërsa në lidhje me personat interseks dhe transgjinor, ka një shifër më të ulët përkatësisht me 44% dhe 43%.

Stafi i EuroSpeak, tetor 2019

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk