Marrëveshja Shqipëri-Itali për sigurimet shoqërore: Nga portabiliteti i të drejtave te integrimi europian

Marrëveshja Shqipëri-Itali për sigurimet shoqërore: Nga portabiliteti i të drejtave te integrimi europian

‘Sigurime shoqërore’ apo ‘mbrojtje sociale’?


Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), termat si ‘sigurime shoqërore’ dhe ‘mbrojtje sociale’ përdoren si sinonime, dhe u referohen të gjitha masave për t’u siguruar individëve, grupeve dhe kategorive shoqërore kujdes shëndetësor dhe sigurim të ardhurash gjatë gjithë jetës[1]. Institucione të tjera e përkufizojnë termin ‘mbrojtje sociale’ në një kontekst më të gjerë në krahasim me termin ‘sigurime shoqërore’. Në këtë aspekt, ‘mbrojtja sociale’ përfshin një gamë programesh, me qëllimin kryesor uljen e varfërisë dhe pabarazisë. Ajo mbulon të gjithë grupet shoqërore, sidomos ato vulnerabël, dhe përfitimet mund të jenë të formës ‘cash’ (si pensione ose
ndihma papunësie) ose ‘të mira’ (shërbime shëndetësore ose arsimore). Nga ana tjetër, ‘sigurimet shoqërore’ kanë një kuptim më të ngushtë, duke mbuluar vetëm punonjësit e siguruar ose kontribuesit dhe përfshijnë kryesisht sisteme të bazuar në sigurim[2]. ‘Ligji Ndërkombëtar i të Drejtave të Njeriut’ dhe ‘Standardet Ndërkombëtare të Sigurimeve Shoqërore’, e njohin Shtetin si aktorin kryesor përgjegjës për krijimin dhe implementimin e sistemeve të sigurimit shoqëror duke siguruar barazi dhe mirëqenie.

Ekzistojnë disa grupe shoqërore, të cilët janë më vulnerabël përsa i përket të drejtës për sigurime shoqërore. Emigrantët, azilkërkuesit, refugjatët dhe ‘personat e zhvendosur brenda vendit’ përballen me barriera legale shtesë, si kombësia, territorialiteti, mungesa e aksesit në drejtësi dhe përjashtimi nga legjislacioni i sigurimeve shoqërore në marrëveshje bilaterale ose multilaterale për shkak të parregullsisë në statusin e tyre. Marrëveshjet bilaterale dhe multilaterale për sigurimet shoqërore paraqiten si politika më efektive në garantimin e të drejtave të sigurimeve shoqërore[3].


Modeli bilateral dhe europian i sigurimeve shoqërore

Për shtetet anëtare të BE-së, rregullat për koordinimin e skemave të sigurimeve shoqërore zënë një vend shumë të rëndësishëm në literaturën akademike dhe interesin politik. Të gjitha çështjet që lidhen me zbatimin e tyre shqyrtohen nga Komisioni Europian dhe Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Europian. Në kontrast, marrëveshjet bilaterale për koordinimin e sigurimeve shoqërore, të nënshkruara mes një shteti anëtar të BE-së dhe një shteti të tretë, nuk janë në interes as të akademikëve dhe as të politikës, edhe pse në praktikë luajnë rol mjaft të rëndësishëm[4].

Marrëveshjet bilaterale ashtu si edhe rregullat e BE-së për koordinimin e sigurimeve shoqërore kanë si objektiv të shmangin konfliktin e ligjit dhe të mbrojnë të drejtat e punëtorëve emigrantë që lindin nga sigurimet shoqërore. Direktivat e paraqitura në marrëveshjet bilaterale jo detyrimisht duhet të përshtaten me Rregulloren Nr. 883/2004[5] dhe Rregulloren Nr. 987/2009[6] dhe nuk janë subjekt mbikëqyrjeje i institucioneve supranacionale, si Komisioni Europian apo Gjykata e Drejtësisë së BE-së. Si rrjedhojë, aplikimi, interpretimi dhe përfundimi i marrëveshjeve bilaterale për sigurimet shoqërore mbetet kompetencë e Gjykatave Kombëtare të shteteve kontraktore, të cilët veprojnë në mënyrë të pavaruar nga institucionet europiane[7].

Këto marrëveshje shërbejnë si instrumenti kryesor për të siguruar portabilitetin e sigurimeve shoqërore mes shteteve me histori emigrimi[8]. Motive të tjera mund të lidhen me karakteristikat e sistemit kombëtar të sigurimeve shoqërore, zhvillimet historike ose ekonomike ndërmjet shteteve, nxitjen e zhvillimit administrativ të vendeve dhe përshtatjes me rregullat e BE-së, edhe në rastet kur integrimi mund të jetë i largët[9].


Domosdoshmëria e nënshkrimit të marrëveshjes

Republika e Shqipërisë dhe Republika e Italisë kanë një marrëdhënie të ngushtë me njëra tjetrën, qoftë nga aspekti gjeografik, por edhe në këndvështrimin historik, ekonomik, kulturor, shkëmbimet tregtare import-eksport dhe politik. Italia ka qenë një vend pritës i emigrantëve shqiptarë që prej shekullit të 15-të. Kulmi i emigracionit ishin vitet ‘90, megjithatë Italia mbetet edhe sot një nga destinacionet kryesore të shqiptarëve për punë, studime dhe bashkim familjar. Në Shqipëri, remitancat luajnë një rol shumë të rëndësishëm në mbështetje të familjeve dhe ekonomisë kombëtare. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërise, në tremujorin e parë të vitit 2025 prurjet valutore të emigrantëve shënuan rreth 251 milionë euro, dhe krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2024 vërejmë një rritje me 4%. Këto të ardhura përfaqësojnë 83% të të ardhurave dytësore në bilancin e pagesave, ndihmojnë në uljen e
deficitit tregtar, kontribuojnë në rritjen e konsumit të brendshëm dhe në stabilitetin financiar të vendit[10]. Kjo marrëdhënie e konsoliduar në fushën e emigracionit e ka bërë nënshkrimin e marrëveshjes për sigurimet shoqërore të domosdoshme.

Marrëveshja e Sigurimeve Shoqërore u nënshkrua në 6 shkurt 2024 në Romë. Kjo marrëveshje hyri në fuqi në 1 korrik 2025 së bashku me Marrëveshjen Administrative përkatëse. Meqënëse kjo marrëveshje ka karakter reciprok, është po aq e rëndësishme edhe për qytetarët italianë, të cilët ushtrojnë aktivitet ekonomik ose janë të punësuar në Shqipëri. Sipas ish-Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit nga kjo marrëveshje do të përfitojnë 550 000 qytetarë shqiptarë dhe 4000 qytetarë italianë[11]. Në Qarkoren nr.106, të ratifikuar me ligjin Italian nr.29, paraqiten të gjitha dispozitat aplikative të kësaj marrëveshjeje[12.] Marrëveshja synon të koordinojë legjislacionin e sigurimeve shoqërore të dy shteteve kontraktore, të sigurojë transportueshmërinë e të drejtave të sigurimeve shoqërore dhe trajtimin e barabartë të personave për të përfituar pension sipas legjislacionit përkates të të dy vendeve.

Edhe pse marrëdhëniet migratore mes Italisë dhe Shqipërisë kanë nisur kohë më parë, marrëveshja e sigurimeve shoqërore ka ardhur pas më shumë se 35 vjetësh, nga këto 15 vite negociata. Mund të argumentohet se nënshkrimi i kësaj marrëveshje në një periudhë më të hershme do të kishte qenë më gjithëpërfshirëse dhe do të kishte garantuar më mirë të drejtat e punëtorëve emigrantë.

Sipas Institutit Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore (INSP), institucion që menaxhon sistemin e sigurimeve në Itali në sektorin e punësimit publik dhe privat dhe të vetëpunësuarit, Italia ka nënshkruar marrëveshje bilaterale për sigurimet shoqërore me 17 vende joeuropiane[13]. Pjesë e këtyre shteteve janë vendet pritëse të emigrantëve italianë si Argjentina, Brazili, SHBA, etj. Gjithashtu, ekziston një marrëveshje me shtetet jugosllave e nënshkruar në 14 nëntor 1957, e cila, tashmë, zbatohet me ish-shtetet Jugosllave. Shtetet pjesë e Zonës Ekonomike Europiane (EEA) si Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtejni kanë system të unifikuar me shtetet pjesë të BE-së dhe
zbatojnë Regulloret 883/2004 dhe 987/2009 që nga 1 janari 2012. Të njëjtat rregullore zbatohen dhe me Zvicrën që nga 1 prill 201214. Me Rumaninë, që mban vendin e parë përsa i përket komuniteteve të huaja në Itali dhe njëkohësisht pjesë e BE-së që nga janari 2007, zbatohen në mënyrë direkte rregulloret e mësipërme. Pranimi në BE e bën Rumaninë pjesë të një sistemi sigurimesh shoqërore të unifikuar dhe supranacional, duke mos pasur nevojë për traktate të ndara dhe i siguron qytetarëve të saj njohje automatike të të drejtave të sigurimeve shoqërore. Me Marokun, Italia ka një marrëdhënie migratore që nis që në vitet 1970[15]. Marrëveshja bilaterale me
Marokun është firmosur, por ende nuk është ratifikuar për shkak të instabilitetit institucional dhe mungesave në kapacitetin administrativ të këtij të fundit. Me Kinën, me të cilën janë kryesisht të lidhur në tregti, marrëveshja bilaterale për sigurimet shoqërore zbatohet që prej vitit 2017. Për shkak të luftës, numri i emigrantëve nga Ukraina në Itali është rritur, por dhe në këtë rast nuk ka një marrëveshje bilaterale për sigurimet shoqërore duke qenë se situata politike në Ukrainë paraqitet e paqëndrueshme. Në rastin e Shqipërisë, edhe pse flukset migratore drejt Italisë kanë qenë të shumta dhe të qëndrueshme nga vitet 1990, faktorët politikë dhe institucionalë ndikuan në
nënshkrimin dhe zbatimin “e vonë” të marrëveshjes. Gjatë viteve 1990, Shqipëria kaloi nje periudhë tranzicioni, shoqëruar me instabilitet politik, institucione jo të qëndrueshme dhe krizë ekonomike. Sot, Shqipëria, duke mbajtur statusin e vendit kandidat në BE, paraqitet me
institucione të stabilizuara dhe kapacitet administrativ, e gatshme për të formalizuar bashkëpunime të rëndësishme në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Rasti i Shqipërisë tregon se faktorët politikë dhe institucionalë janë po aq vendimtarë sa edhe flukset migratore. Marrëveshja u nënshkrua në një moment të përshtatshëm, kur kushtet politike dhe institucionale e bëjnë të mundur
zbatimin e saj.

Kjo marrëveshje përfaqëson një hap konkret drejt integrimit në BE duke qenë se lidhet me Kapitullin 19 “Politika Sociale dhe Punësimi”, pjesë e Grupkapitullit 3 “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”. Në 8 maj 2025, në Bruksel, u mbajt konferenca mbi proçesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ku vëmendje iu dha grupkapitullit të përmendur më sipër. Në raportin e publikuar nga Bashkimi Europian u paraqitën të gjitha objektivat e papërmbushura,progresi i arritur dhe sugjerime nga BE-ja me qëllim mbylljen e këtij grupkapitulli.

Përsa i përket kapitullit 19, BE-ja argumenton se legjislacioni shqiptar përputhet pjesërisht me “Shtyllat Europiane të të drejtave Sociale”. Politikat e ndjekura në punësim dhe ato sociale janë të priruara të harmonizohen me parimet dhe politikat europiane, megjithatë fokusi kryesor duhet të jetë tek zbatimi i tyre. Në fusha të caktuara të kapitullit 19 si: ‘legjislacioni i punës’, ‘shëndeti dhe siguria në punë’, ‘dialogu social’, ‘politikat e punësimit’ dhe ‘mosdiskriminimi dhe barazia gjinore në punësim dhe politika sociale’, BE-ja evidenton një përputhje të pjesshme me legjislacionin europian dhe sugjeron të ndërmerren nisma për harmonizim të plotë të ligjeve në të gjithë fushat e sipërpërmenduara dhe thekson rëndësinë e ndërtimit të kapaciteteve administrative për të monitoruar zbatimin e tyre. Sipas raportit, legjislacioni shqiptar në fushën e mbrojtjes dhe përfshirjes sociale nuk është ende në përputhje me legjislacionin europian dhe duhen bërë përpjekje më të forta në këtë drejtim[16].

Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë në sigurimet shoqërore ndikon pozitivisht në harmonizimin e praktikave të sigurimeve shoqërore me rregullat e BE-së dhe tregon potencial në përmbushjen e detyrimeve të Kapitullit 19. Megjithatë, nuk është një tregues përfundimtar i arritjes së objektivave të këtij kapitulli. Fillimisht, mbulon vetëm koordinimin e sistemeve të sigurimit shoqëror, ndërsa Kapitulli 19 është shumë më i gjerë. Marrëveshja nuk adreson përparime në kulturën e dialogut social, zhvillimin e politikave gjithëpërfshirëse në punësim apo mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara. Nga ana tjetër, kontribuon në forcimin e mbrojtjes sociale të punëtorëve emigrantë, trajtimin e barabartë dhe portabilitetin e të drejtave të sigurimeve shoqërore dhe nxit bashkëpunimin institucional dhe përmirësimin e administratës publike përmes shkëmbimit elektronik të të dhënave dhe harmonizimit të procedurave ndërmjet institucioneve përkatëse.

Karakteristikat, zbatimi praktik dhe sfidat Sipas Nenit nr.2, “Fusha e zbatimit material”, të ligjit nr.47/2024, në Itali marrëveshja zbatohet në fushat e sigurimit për invaliditetin, pleqërinë, punonjësit e mbijetuar, të vetëpunësuarit (artizanë, tregtarë, fermerë), papunësinë e pavullnetshme, rastet e sëmundjeve dhe të lindjes, skemat zëvendësuese dhe ekskluzive të sigurimit të përgithshëm të detyrueshëm. Në Shqipëri kjo marrëveshje zbatohet në rastet e sigurimit të aftësisë së kufizuar, pleqërisë, të mbijetuarve, sigurimit të kompensimit të sëmundjes dhe lindjes dhe sigurimit të papunësisë. Marrëveshja parashikon se rregullat janë të njëjta edhe nëse shtetet zgjerojnë kategoritë e përfitimit ose krijojnë skema të reja të sigurimeve shoqërore[17].

Marrëveshja mbështetet në parime të njëjta me Rregulloret nr.883/2004 dhe nr.987/2009 të Bashkimit Europian, duke i dhënë një avantazh Shqipërisë në procesin e intergrimit europian. Kjo përputhshmëri nënkupton se sistemi shqiptar i sigurimeve shoqërore afrohet me standartet europiane dhe lehtëson përshtatjen me fusha të tjera ligjore që pritet të zbatohet në të ardhmen si pjesë e BE-së.

1- Trajtimi i barabartë, parim në nenin 3 të marrëveshjes dhe në nenin 4 të Rregullores 883/2004, garanton që cdo shtetas, pavarësisht nga shtetësia (përfshihen refugjatët dhe personat pa shtetësi), gëzon të njëjtat përfitime, si qytetarët vendas.
2- Legjislacioni i vetëm i zbatueshëm, punonjësi i nënshtohet rregullave të vendit ku ka zhvilluar aktivitetin e punës.
3- Totalizimi i periudhave të sigurimit, iu siguron të gjithë punonjësve bashkimin e viteve të punësimit, për të përmbushur kushtet për pension ose përfitime të tjera.
4- Eksportimi i pagesave, iu jep të drejtën qytetarëve të gëzojnë përfitimet në cdo vend, pa u kufizuar nga vendbanimi.
5- Rregulli kundër mbivendosjes së përfitimeve, parashikon se qytetarët nuk mund të kenë përfitime të shumëfishta për të njëjtën periudhë sigurimi. Ky parim siguron që vitet të mos humbasin, por as të dyfishohen.

Le të marrim shembullin e një qytetari që ka punuar 10 vite në Itali dhe 15 vite në Shqipëri. Sipas legjislacionit italian një qytetar duhet të ketë minimalisht 20 vite pune të siguruara dhe sipas atij shqiptar minimumi 15 vite pune të siguruara. Në shembullin tonë, në mungesë të kësaj marrëveshjeje ky qytetar humb të drejtën e pensionit, pasi nuk përmbush kushtin minimal të viteve të punësimit të siguruar në asnjë vend. Me anë të kësaj marrëveshjeje, bëhet bashkimi i viteve të siguaruara, pra i njihen 25 vite pune të siguruara. Totalizimi i periudhave të sigurimit bën që të përmbushtet kushti i viteve të punësimit sipas legjislacionit të të dy shteteve. Si rrjedhojë, qytetari fiton dy pensione. Pensioni do të llogaritet sipas rregullave të sistemit italian për vitet e siguruara në Itali, pra 10 vite, dhe sipas rregullave të sistemit shqiptar për vitet e siguruara në Shqipëri, pra 15 vite. Periudhat e siguruara nuk duhet të jenë të mbivendosura, pra të njëjta në të dy shtetet, pasi, në rast të kundërt i takon administratës të vendosë se kujt sistemi do t’i takojë periudha e mbivendosur. Sipas shembullit të mësipërm, qytetari ka të drejtën e përfitimit të pensionit të llogaritur nga të dy shtetet, pavarësisht vendit ku ai zgjedh të banojë.

Duhet theksuar se rasti i mësiperm është një rast hipotetik, pasi në praktikë qytetarët përballen me rrethana unike, të cilat shqyrtohen nga institucionet përkatëse në të dy vendet. Për qytetarët residentë në Shqipëri, institucioni përgjegjës është Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH), ndërsa për residentët në Itali përgjegjës është Instituti Kombëtar i Sigurimeve Shoqërore (INPS). Në faqen zyrtare të ISSH, aplikantët gjejnë formularin “Kërkesë” dhe dokumentacionin që duhet bashkëngjitur. Nëse kërkohet vetëm pension italian, dokumentacioni dorëzohet fizikisht pranë ISSH-së ose DRSSH- së më të afërt[18]. Nëse kërkohet njëkohësisht pension italian dhe shqiptar, kërkesa ngarkohet në portalin e-Albania dhe dërgohet me postë pranëdrejtorisë rajonale përkatëse. Më pas, ISSH-ja shkëmben informacionin me zyrën e INPS-së në Perugia. Në Itali, procesi zhvillohet online, së bashku me zyra në dispozicion të qytetarëve[19].

Megjithëse metoda elektronike dhe shkëmbimi i të dhënave lehtësojnë procedurat, zbatimi praktik i kësaj marrëveshjeje shoqërohet me sfida administrative. Ndryshimet ligjore dhe institucionale, trajnimi i stafit, rastet e ndërlikuara, si dhe verifikimi i periudhave të sigurimit ndikojnë drejtpërdrejt në përpunimin e kërkesave dhe vonimin e vendimeve përfundimtare. Duke qenë se kjo eshtë një përvojë e re institucionale, praktika do të tregojë nevojën për përmirësim të vazhdueshmë të kapaciteteve administrative dhe teknike në të dy vendet.

Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje përfaqëson një garanci për punëtorët emigrantë, të cilëve u sigurohet njohja dhe mbrojtja e të drejtave socaile pavarësisht vendit ku kanë punuar. Gjithashtu, sjell përfitime të ndërsjella për të dy shtetet: Shqipëria përfiton nga koordinimi i skemave të sigurimeve shoqërore dhe afrohet me standartet europiane, duke e bërë atë më të përgatitur për procesin e integrimit, ndërsa Italia konsolidon mbrojtjen sociale për mijëra shtetas që kontribuojnë në ekonominë e saj. Ajo reflekton parimet thelbësore të Kapitullit 19 të procesit të anëtarësimit, por mbetet vetëm një komponent i këtij kapitulli. Megjithatë, zbatimi i saj është ende në fazë të hershme dhe ndikimi në ekonominë shqiptare, efektet mbi remitancat, sfidat administrative, prakticiteti apo përshtatja institucionale me premisat europiane ofrojnë mundësi për studim dhe analizim në të ardhmen.


                                                                                                                                                                                  Arlanda Turshilla, nëntor 2025                                                                                                              

*Arlanda Turshilla është diplomuar në Financë në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, dhe aktualisht ndjek studimet master në “Politikë dhe Ekonomi Ndërkombëtare” në Universitetin e Bolonjës, Itali. E apasionuar pas zhvillimeve ekonomike dhe politike në nivel ndërkombëtar, ajo ka nisur rrugëtimin e saj profesional me synimin për të kontribuar në fushën e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit europian. Eksperiencat e saj përfshijnë një internship pranë UNISER në Bolonjë, ku ka ndihmuar në menaxhimin e projekteve ERASMUS+ VET për internacionalizimin e edukimit, si dhe një periudhë praktike në Shqipëri si Digital Banker. Gjithashtu, është pjesë e iniciativës “International Talents – Emilia Romagna Ambassador”, ku promovon përvojat ndërkulturore, mobilitetin akademik dhe bashkëpunimin midis studentëve ndërkombëtarë dhe institucioneve lokale.

__________________________________________

1 International Labour Organization, United Nations Human Rights, 2025, “Right to Social Security”, Fact Sheet No.39; 9. https://www.ilo.org/sites/default/files/2025-02/OHCHR- ILO%20Fact%20Sheet%20Right%20to%20Social%20Security%20web.pdf. 
2 International Labour Organization, 2014 , “World social protection report 2014/15”, Building economic recovery, inclusive development and social justice, Glosary 162-164.
3 International Labour Organization, United Nations Human Rights, 2025, “Right to Social Security”, Fact Sheet No.39; 32, 58. https://www.ilo.org/sites/default/files/2025-02/OHCHR- ILO%20Fact%20Sheet%20Right%20to%20Social%20Security%20web.pdf
4 Spiegel, B. (2018). “National approaches of EU Member States in concluding bilateral social security agreements with third countries: The case of Austria”. European Journal of Social Security 2028, Vol.20(2), 148. https://www.researchgate.net/publication/326061543_National_approaches_of_EU_Member_States_in_concluding_ bilateral_social_security_agreements_with_third_countries_The_case_of_Austria   
5 Rregulllorja (KE) Nr 883/2004 e Parlamentit Europian dhe e Këshillit, datë 29 Prill 2004, mbi koordinimin e sistemeve të sigurimeve shoqërore (OJ L 166 30.4.2004). https://eur-lex.europa.eu/eli/reg/2004/883/oj/eng  
6 Rregullorja (EC) Nr. 687/2006 e Parlamentit Europian dhe e Këshillit, e datës 16 Shtator 2006, përcakton procedurat për implementimin e Rregullores (EC) Nr.883/2004. https://eur-lex.europa.eu/eli/reg/2006/687/oj/eng  
7 Spiegel, B. (2018). “National approaches of EU Member States in concluding bilateral social security agreements with third countries: The case of Austria”. European Journal of Social Security 2028, Vol.20(2), 149. https://www.researchgate.net/publication/326061543_National_approaches_of_EU_Member_States_in_concluding_ bilateral_social_security_agreements_with_third_countries_The_case_of_Austria
8 Holzmann R. (2016). “Bilateral social security agreements and pensions portability: A study of four migrant corridors between EU and non-EU countries”. International Social Security Review, Vol.69, Abstrakt. https://www.researchgate.net/publication/312060933_Bilateral_social_security_agreements_and_pensions_portabilit y_A_study_of_four_migrant_corridors_between_EU_and_non-EU_countries  
9 Spiegel, B. (2018). “National approaches of EU Member States in concluding bilateral social security agreements with third countries: The case of Austria”. European Journal of Social Security 2028, Vol.20(2), 150. https://www.researchgate.net/publication/326061543_National_approaches_of_EU_Member_States_in_concluding_ bilateral_social_security_agreements_with_third_countries_The_case_of_Austria  
10 Banka e Shqipërisë, Departamenti i statistikave Financiare, “Njoftim statistikor, Bilanci i pagesave T1 2025” 10 qershor 2025.
11 Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Italia miraton marrëveshjen për njohjen e sigurimeve shoqërore me Shqipërinë, Newsroom, 6 mars 2025. https://meki.gov.al/en/newsroom/senati-italian-miraton- marreveshjen-per-njohjen-e-kontributeve-te-sigurimeve-shoqerore-me-shqiperine   
12 INPS, Circolare n.106. https://www.inps.it/it/it/inps-comunica/atti/circolari-messaggi-e-
normativa/dettaglio.circolari-e-messaggi.2022.09.circolare-numero-106-del-29-09-2022_13948.html  
13 INPS, Paesi extra UE convenzionati https://servizi2.inps.it/servizi/gss/default.aspx?sPathID=0%3b58648%3b58663%3b58674%3bslastMenu=58674si Menu=2 (aksesuar më 24 shtator 2025)
14 European Commission, Official Website, EU social security coordination. https://employment-social- affairs.ec.europa.eu/policies-and-activities/moving-working-europe/eu-social-security-coordination/where- do-these-rules-apply_en (aksesuar më 28 shtator 2025)
15 Garcia de Cortázar Nebreda, C. (2016) “Coordination of social security schemes between the European Union and Euromed countries”, Study. European Economic and Social Committee, 2016; 7. https://search.worldcat.org/es/title/1044468635  
16 European Union, “Conference on Accession to the European Union – Albania- “. https://data.consilium.europa.eu/doc/document/AD-6-2025-INIT/en/pdf  
17 Ligji Nr.47/2024, “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore”. https://qbz.gov.al/eli/ligj/2024/05/16/47/28ee41bf-d8ec-45af- 8514-031a6476927e 
18 ISSH, “Kërkesë për përfitime sipas marrëveshjes Itali-Shqipëri”, https://www.issh.gov.al/kerkese-per- perfitime-sipas-marreveshjes-shqiperi-itali/ (aksesuar më 24 shtator 2025).
19 INPS, “Italia-Albania, diventa operativo l’Accordo in materia di sicurezza sociale”. https://www.inps.it/it/it/dettaglio-approfondimento.schede-informative.sicurezza-sociale-internazionale-  accordo-bilaterale-con-la-repubblica-di-albania.html (aksesuar më 24 shtator 2025).

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues
European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk