Ndryshimet legjislative mbi abortin në Europë dhe problemet bioetike të lidhura me të

Ndryshimet legjislative mbi abortin në Europë dhe problemet bioetike të lidhura me të

***

Ndryshimet ligjore mbi abortin në Europë

Gjatë dhjetë vjeçarit të fundit shumë vende në Europë kanë zhvilluar dhe miratuar strategji kombëtare të shëndetit riprodhues, politika dhe dokumenta programues duke përfshirë edhe komponentin e zgjedhjes riprodhuese dhe aksesit në shërbimin e abortit. Kjo është në linjë me Planin për Veprim të Konferencës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë dhe Zhvillimin (ICPD), nënshkruar nga 179 shtete në Kairo në 1994. Të 52 Shtetet Anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetit në Rajonin Europian,me përjashtim të Maltës, ranë dakord se në asnjë rast aborti nuk duhet të promovohet si metodë e planifikimit familjar, por qeveritë dhe organizatat ndër-qeveritate e jo-qeveritare duhet të forcojnë angazhimin në shëndetin e gruas duke e konsideruar abortin e pashëndetshëm si një problem të shëndetit publik dhe duke reduktuar alternativën e abortit me shërbime të përmirësuara të planifikimit familjar. Gjithashtu, këshillimi post-abort, edukimi dhe shërbimet e planifikimit familjar duhet të ofrohen në mënyrën e përshtatshme, për të shmangur abortin e përsëritur (Lazdane, 2005). Sipas të dhënave që rezultojnë nga faqja ndërkombëtare e Klinikës për abortin dhe planifikimin familjar (GynMed), vërehet kujdesi që Shtetet Anëtare të BE-së, në përditësimin e legjislacionit mbi abortin janë kujdesur vazhdimisht për aspektet etike që lidhen me të, duke nisur nga përcaktimi i momentit kur fillon respektimi i të drejtës së jetës. Në Belgjikë, Bullgari, Qipro, Greqi, Itali, Letoni, Luksemburg, Republikën Çeke, Sllovaki dhe Hungari, aborti konsiderohet i ligjshëm nëse kryhet deri në javën e dymbëdhjetë të shtatzënisë, duke i njohur fetusit ius vitae pas tremujorit të parë të jetës intrauterine. Në shtetet e tjera si Holandë, Mbretëria e Bashkuar, Francë e Danimarkë aborti lejohet deri në javën e njëzetëekatërt, ndërkohë që në Portugali mjafton të paguhet një taksë dhe të garantohet prezenca e psikologëve dhe asistentëve sociale për të realizuar abortin e ligjshëm. Në Poloni, Ivg ishte i lejuar vetëm në tre raste: kur ka rrezik për jetën e nënës, keqformime të fetusit apo përdhunim, ndërsa në Maltë aborti lejohet vetëm, dhe, ekskluzivisht kur është në rrezik jeta e nënës. Pas vendimit të datës 22 tetor 2020 të Gjykatës Kushtetuese të Polonisë, u ndalua aborti edhe në rast keqformimi të rëndë të fetusit. Vetëm në Finlandë aborti është i ligjshëm dhe nuk ekziston kundërshtimi i ndërgjegjes nga ana e mjekut. Praktikisht, në pjesën më të madhe të kontinentit, legjislacioni është substancialisht shumë i ngjashëm, me disa ndryshime që lidhen më tepër me mënyrën në të cilën sistemet shëndetësore të vendeve të ndryshme janë përshtatur me metodat moderne të abortit farmakologjik, duke favorizuar në shumë raste mirëqenien psiko-fizike të gruas, si në rastin e Francës (ku aborti është i ligjshëm prej vitit 1974) që nuk ka detyrim për shtrim spitalor pas marrjes së Ru486, ose në të kundërt duke e penguar, ashtu si ndodh në rastin e Italisë ku po merren shumë masa për të penguar abortin farmakologjik i cilësuar si tepër on demand.

Aspektet bioetike që lidhen me abortin

Nëse shqyrtojmë aspektet etike që lidhen me abortin, përballemi me nevojën për të përcaktuar më tej të drejtat e qenieve njerëzore dhe për të dhënë a priori një përgjigje ndaj debatit aporetik mbi çështjen nëse fetusi është ose jo një person. Të ndryshme janë opinionet e studiuesve në lidhje me përcaktimin e termit person, i cili në antikitet i asociohej një maske teatrale. Me kohën, kuptimi ka ndryshuar, Locke (Treccani, 2018) me person identifikonte një akt të menduari, Hume (Thiel, 2014) e shihte personin si objekt inteligjence të aftë për pasion dhe relacione, ndërsa me Hegel personi kthehet në ndërgjegjen e vetes. Në këtë mënyrë koncepti i personit është pasuruar dhe modifikuar dhe sot ka ende diskutime në fushën juridike, ku nocioni “person moral” – i kuptuar si një entitet me aftësi për të konceptuar të mirën për veten dhe mbartës të sensit të drejtësisë – edhe sot përfshihet në themelet e detyrimeve politike. Duke marrë në konsideratë se embrioni njerëzor është individ nga momenti i konceptimit, për rrjedhojë aborti i vullnetshëm do të ishte një krim kundër jetës personale ose kundër personit dhe do të ishim në fakt të detyruar për të abstenuar nga çdo akt që vendos në rrezik qenien njerëzore. Në fakt, dyshimi në lidhje me faktin që në frytin e konceptimit ka apo ka një person njerëzor do të thotë të ekspozohemi ndaj rrezikut për të shtypur një qenie njerëzore, çka do të konfiguronte në vetvetë një prishje të rendit moral (Prisco, 2015). Pra, jeta e embrionit njerëzor nuk mund të varet nga asnjë prej arsyeve që mund të shtyjë gruan shtatzënë të ndërpresë në mënyrë vullnetare një shtatzëni, pavarësisht nëse ato janë ekonomike, sociale apo gjenetike. Edhe në ato raste kur është në rrezik shëndeti i nënës, jeta e fëmijës nuk duhet të instrumentalizohet nga shëndeti i nënës, e drejtë kjo që është dytësore në krahasim me të drejtën e jetës: do të duhej të mbahej parasysh që mëmësia shoqërohet me një përqindje të caktuar rreziku, ashtu si të gjitha ndodhitë e tjera në jetë (Lecaldano, 2002). Impenjimi i shoqërisë, shkencës dhe privatëve, duhet të jetë i orientuar drejt parandalimit me anë të mjeteve legjitime dhe të ligjshme tё situatave tё rrezikut ndaj të cilit mund të ekspozohet gruaja në shtatëzëni, duke i garantuar një asistencë ambulatore dhe spitalore, për të orientuar politikën shëndetësore në mbështetje të jetës dhe jo drejt shtypjes së saj lehtësisht. Edhe shkenca është për jetën si para dhe pas lindjes: ky është edhe impenjimi themelor etik. Në këtë optikë ka nevojë për vlerësimin e situatës në të cilën vlerat në lojë janë jeta e nënës dhe jeta e fëmijës, nuk është e mundur të zgjidhet më shumë njëra se tjetra, prandaj ndërhyrja e mjekut duhet të jetë globale dhe duhet të ketë si qëllim arritjen e më të mirës për të dy. Në ato raste kur ka një ndërhyrje terapeutike urgjente te nëna, e cila shkakton një vdekje të parashikuar por të pashmangshme, nuk flasim për abort të drejtpërdrejtë por të tërthortë, për të cilin vlen parimi i efektit të dyfishtë.

Implikimi i të drejtave të njeriut në argumentin e abortit

Por krahas argumentave të bioetikës “përpara jetës”, duhet të kujdesemi edhe për etikën e jetës së gruas e cila ka lirinë e ndërgjegjes dhe lirinë personale. Me Rezolutën nr. 1607 të vitit 2008, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës mori në konsideratë disa aspekte që lidhen me aksesin në abortin e ligjshëm dhe të shëndetshëm në Europë, duke insitsuar se vendosja e pengesave ligjore është plotësisht e panevojshme dhe e papërshtatshme duke qenë se këto ndalime nuk kufizojnë në fakt zgjedhjet për ndërprerjen e shtatzënive, por rrisin numrin e aborteve klandestine dhe rastet e të ashtuquajturit “turizëm abortues”. Ky instrument tregon qartë vëmendjen e shtuar drejt argumentit të aksesit te aborti si një e drejtë themelore e grave në rrethana të caktuara: veçanërisht kur jeta ose shëndeti psikofizik i nënës janë në rrezik, ose shtatzënia është rezultat i një abuzimi seksual. Në këtë kuptim, duhet qartësuar se aksesi tek aborti jo gjithnjë lidhet me të drejtat e liritë riprodhuese, në kuptimin që nuk është e mundur të gjendet një bazë në të drejtën ndërkombëtare se ndërprerja e shtatzënisë është instrument kontrolli mbi fertilitetin apo autonomi e plotë riprodhuese. Ashtu si është e vështirë të gjendet në të drejtën ndërkombëtare një bazë normative që i njeh të drejtën absolute të jetës fetusit. Ekzistojnë në fakt parashikime ambigue si neni 6.5 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike që ndalon dënimin me vdekje (në ato vende ku nuk është abroguar ende) për gratë shtatzëna, duke u dukur kështu se kujdesi i veçantë lidhet me jetën e fetusit. Nga ana tjetër Konventa për të Drejtat e Fëmijëve e vitit 1989, parashikon se fëmija, për shkak të papjekurisë fizike e mendore ka nevojë për mbrojtje të veçantë dhe kujdes, duke përfshirë mbrojtje të posaçme ligjore, si para dhe pas lindjes. Pavarësisht kësaj, shumica e instrumentave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, një njohjen e të drejtës së jetës, nuk e shtrijnё aplikueshmërinë edhe te fetusi. Përbën përjashtim vetëm neni 4.1 i Konventës Ndëramerikane për të Drejtat e Njeriut, ku parashikohet se e drejta e jetës duhet të mbrohet nga ligji dhe në përgjithësi, që nga momenti i konceptimit. Gjykata e Strasburgut në çështjen Vo. v Francës, është shprehur se e drejta e jetës nuk mund t’i përgjigjet në mënyrë abstrakte pyetjes nëse një fëmijë i palindur është një person për qëllimet e artikullit 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Nga këndvështrimi i të drejtave të njeriut ballafaqimi i autonomisë riprodhuese të gruas (si shprehje e kontrollit mbi trupin e saj) dhe e drejta (e plotë) e jetës së fetusit, që përfaqëson debatin ndërmjet dy vizioneve pro-choice dhe pro-life, nuk gjen zgjidhje në favor të njërës apo tjetrës tezë. Është sidoqoftë i njohur një konsensus ndërkombëtar mbi mundësinë për të garantuar në rrethana specifike, prevalimin e të drejtës (jo vetëm) për vetëkontrollin mbi trupin, por edhe mbrojtjen e jetës dhe shëndetit psikofizik të gruas, mbi nevojën për të mbrojtur fëmijën (Poli, 2017).

Në Parlamentin Europian, një Rezolutë mbi të drejtat e shëndetit riprodhues dhe seksual e adoptuar në 3 korrik 2002, nënvizon se aborti nuk duhet të promovohet si formë e planifikimit familjar, por në mënyrë që të ruhet shëndeti dhe të drejtat riprodhuese, aborti duhet të jetë i ligjshëm, i shëndetshëm dhe i aksesueshëm nga të gjithë. Në 4 shtator 2008, Parlamenti Europian miratoi Rezolutën mbi vdekshmërinë mëmësore, duke promovuar aksesin për të gjitha gratë në informacionin dhe shërbimet për shëndetin seksual dhe riprodhues. Gjithashtu kundërshtoi ndalimin e përdorimit të kontraceptivëve, të advokuar nga kishat, duke shpjeguar se kondomët janë të domosdoshëm për parandalimin e sëmundjeve dhe shtatzënive të padëshiruara.

Me Rezolutën 1607 (2008) mbi Aksesin në abortin e sigurt dhe të ligjshëm në Europë, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ftoi vendet anëtare të Këshillit të Europës të dekriminalizojnë abortin brenda kufijve të arsyeshëm të shtatzënisë, nëse nuk e kanë bërë tashmë atë dhe të heqin kufizimet të cilat pengojnë, de jure ose de facto, aksesin në abort të sigurt dhe, në veçanti, të marrin hapat e nevojshëm për të krijuar kushtet e përshtatshme për kujdesin shëndetësor, mjekësor dhe psikologjik dhe të ofrojnë mbulim të përshtatshëm financiar (COMECE, 2009). Në fakt, me Rezolutën e 26 nëntor 2020 (2020/2876), në lidhje me ndalimin de facto te abortit në Poloni, Parlamenti Europian kujtoi se duke qenë se e drejta për trajtim të barabartë dhe jo diskriminues reflektohet në Traktatet dhe Kartat e Bashkimit Europian, këto të drejta duhet të respektohen plotësisht. Dhe derisa të drejtat seksuale dhe riprodhuese të grave janë të lidhura me shumë të drejta të njeriut si e drejta e jetës, ndalimi i trajtimit çnjerëzor dhe degradues, e drejta për të patur akses në sistemin shëndetësor, e drejta e privatësisë, informimit dhe arsimimit si dhe ndalimi i diskriminimit, Parlamenti Europian dënon vendimin për ndalimin e abortit dhe madje inkurajon Bashkimin Europian për të financuar koordinimin me organizata që ofrojnë abort të ligjshëm e të shëndetshëm.

Dr. Gerta Mehmeti, dhjetor 2020

*Dr. Gerta Mehmeti është pedagoge në Kolegjin Universitar “Pavarësia” Vlorë që prej vitit 2018. Në vitin 2012, ka marrë titullin Master në E Drejtë Private Europiane pranë Universitetit “La Sapienza” në Romë dhe më pas në vitin 2016 ka mbrojtur disertacionin e saj për marrjen e gradës “Doktor” në Universitetin “Tor Vergata” në Romë, me temë “Kontrata e Drejtë. Të drejtat themelore të njeriut në kontratat e rrezikshme”. Pas një experience dy-vjeçare pranë Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Vlorë, Dr. Mehmeti prej vitit 2018, është oficere projektesh pranë organizatës jo-fitimprurëse CELIM me seli në Milano.

 

Referenca

Chiodi M., Etica della vita. Le sfide della pratica e le questioni teoriche, ed. Glossa, MI 2006

Gentile C., Le droit de choisir : L'IVG en France et dans le monde, 2008

Lazdane G., Abortion in Europe: Ten years after Cairo, https://www.euro.who.int/__data/assets/pdf_file/0004/69763/en59.pdf

Lecaldano E., Dizionario di bioetica, 2007

Nobis N., Grob K., Thinking critically about abortion. Why most abortions aren’t arong & why all abortions should be legal https://papers.ssrn.com/sol3/papers.cfm?abstract_id=3424251

Prisco S., Aborto e autodeterminazione della donna: profili problematici https://books.openedition.org/mimesis/1693?lang=it

Poli L., Aborto e diritti umani fondamentali: Corte europea dei diritti umani e treaty bodies a confronto https://iris.unito.it/retrieve/handle/2318/1643026/325121/L.%20POLI%20aborto%20e%20diritti%20umani%20final_post%20print.pdf

Thiel U., The Early Modern Subject: Self-Consciousness and Personal Identity from Descartes to Hume, Oxford University Press2014

https://www.gynmed.at/it/home

http://www.comece.eu/dl/KlMkJKJOllkJqx4KJK/20091029PUBIO_EN.pdf

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk