Nisma Europiane Qytetare pro abortit dhe të drejtave riprodhuese të grave – ndikimi i tyre në fuqizimin e të drejtave të grave në Shqipëri

Nisma Europiane Qytetare pro abortit dhe të drejtave riprodhuese të grave – ndikimi i tyre në fuqizimin e të drejtave të grave në Shqipëri


Debati mbi abortin në Europë nuk është më vetëm një çështje morale apo shëndetësore. Ai është shndërruar në një provë reale për demokracinë, barazinë gjinore dhe përkushtimin e Bashkimit Europian ndaj mbrojtjes së të drejtave themelore. Në një kohë kur disa shtete europiane kanë zgjeruar mbrojtjen ligjore të të drejtave riprodhuese, ndërsa të tjera kanë miratuar politika më kufizuese, çështja e aksesit në abort të sigurt është rikthyer fuqishëm në qendër të debatit publik dhe politik.

Në këtë kontekst, instrumentet e demokracisë pjesëmarrëse në nivel europian kanë filluar të luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm. Një nga këto mekanizma është Nisma Europiane Qytetare[1], e cila u jep qytetarëve mundësinë të kërkojnë nga Komisioni Europian propozimin e legjislacionit të ri nëse arrijnë të mbledhin të paktën një milion nënshkrime[2] nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian. Ky instrument jo vetëm që forcon pjesëmarrjen demokratike, por krijon edhe hapësirë për të çuar    çështje    të    rëndësishme    shoqërore    në    nivelin    e    politikëbërjes    europiane.


Nga kriminalizimi drejt njohjes së të drejtave riprodhuese në Europë dhe Shqipëri[3]

Historia e të drejtave riprodhuese të grave në Europë është e gjatë dhe e ndikuar nga faktorë fetarë, politikë dhe shoqërorë. Për shumë shekuj, aborti është trajtuar kryesisht si një problem moral dhe demografik, ku interesat e shtetit, familjes apo fesë prevalonin mbi trupin dhe vendimmarrjen e gruas.

Në Europën mesjetare, nën ndikimin e fortë të krishtërimit, aborti u kriminalizua dhe u konsiderua mëkat i rëndë. Ky qëndrim u reflektua edhe në legjislacionet moderne europiane të shekujve XVIII dhe XIX, ku ndalimi i abortit justifikohej jo vetëm me argumente morale, por edhe me nevoja demografike dhe shtetformuese, duke bërë që trupi i gruas të trajtohej si instrument i politikave publike.[4] Vetëm gjatë shekullit XX filloi të ndryshojë kjo qasje, ku lëvizjet feministe, zhvillimet shkencore dhe transformimet shoqërore sollën në qendër të debatit konceptin e vetëvendosjes së gruas mbi trupin e saj. Në shumë shtete europiane, veçanërisht pas viteve ’60 dhe ’70, aborti filloi të dekriminalizohej pjesërisht përmes sistemeve të afateve kohore dhe procedurave mjekësore të rregulluara me ligj.[5] Megjithatë, realiteti në Europë mbetet i pabarabartë[6] ku aborti dhe të drejtat riprodhuese të grave mbeten thellësisht të politizuara dhe të pabarabarta ndërmjet shteteve anëtare. Ndërsa disa vende kanë përforcuar mbrojtjen ligjore të këtyre të drejtave, të tjera po përjetojnë një rikthim të qasjeve konservatore. Ky fragmentim ka shtyrë gjithnjë e më shumë organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët europianë të kërkojnë një qasje më të koordinuar në nivel të Bashkimit Europian.

Nga ana tjetër historia e abortit në Shqipëri është e lidhur ngushtë me ndryshimet politike dhe shoqërore të vendit dhe nuk ndryshon shumë nga historia në europë veç shtrirjes kohore.[7] Gjatë regjimit komunist, aborti ishte kryesisht i ndaluar për arsye ideologjike dhe demografike, ku fatkeqësisht kjo situatë detyroi shumë gra të kryenin aborte ilegale, shpesh në kushte të rrezikshme për shëndetin dhe jetën e tyre.[8] Pas viteve ’90, Shqipëria ndërmori një proces liberalizimi të legjislacionit në këtë fushë duke kulmuar me miratimin e ligjit të vitit 1995[9], i cili legalizoi abortin me kërkesë deri në javën e dymbëdhjetë të shtatzënisë. Ky ndryshim e zhvendosi abortin nga një çështje penale drejt një çështjeje të shëndetit publik dhe të të drejtave riprodhuese.

Megjithatë, ekzistenca e një kuadri ligjor relativisht liberal nuk garanton domosdoshmërisht ushtrimin e barabartë të kësaj të drejte, pasi në zona rurale dhe periferike të Shqipërisë[10], mungesa e shërbimeve të specializuara shëndetësore, distanca nga institucionet publike dhe stigma shoqërore e bëjnë aksesin në abort të sigurt më të vështirë.[11] Për më tepër, mungesa e edukimit seksual dhe e informimit të saktë për shëndetin riprodhues vazhdon të ndikojë në mënyrën se si kjo e drejtë përjetohet në praktikë.[12] Në këtë kontekst, organizatat e shoqërisë civile kanë luajtur një rol të rëndësishëm në informimin dhe mbështetjen e grave,   duke   plotësuar   boshllëqe   që   institucionet   publike   ende   nuk   i   adresojnë   plotësisht.


“My Voice, My Choice”: mobilizimi qytetar në nivel europian

Një nga nismat më të fundit dhe më të rëndësishme në Europë në lidhje me të drejtat riprodhuese të grave është “My Voice, My Choice”[13], një Nismë Europiane Qytetare që synon të forcojë aksesin në abort të sigurt dhe të trajtojë të drejtat riprodhuese si pjesë të të drejtave themelore në Bashkimin Europian.[14] Kjo nismë është një shembull i mobilizimit të shoqërisë civile europiane përmes instrumenteve demokratike të BE-së, duke reflektuar përpjekjet për të adresuar pabarazitë dhe debatet politike që vazhdojnë të ekzistojnë rreth abortit në vende të ndryshme europiane.

Përtej dimensionit të saj europian, “My Voice, My Choice” ka rëndësi edhe për vendet që synojnë integrimin në BE, përfshirë Shqipërinë, ku debati mbi abortin dhe shëndetin riprodhues vazhdon të përballet me sfida ligjore, institucionale dhe shoqërore. Ajo u krijua si reagim ndaj mungesës së aksesit të sigurt dhe praktik në abort në disa vende të Bashkimit Europian, ku përmes platformës zyrtare të Komisionit Europian për Nismat Europiane Qytetare, aktivistë dhe organizata nga vende të ndryshme europiane nisën një mobilizim të gjerë për mbledhjen e nënshkrimeve dhe për sensibilizimin publik.[15] Brenda afatit ligjor, nisma arriti të mbledhë mbi 1.1 milion nënshkrime mbështetëse[16], duke përmbushur edhe kriterin e shpërndarjes gjeografike në disa shtete anëtare. Duhet përmendur se mbështetja ishte veçanërisht e lartë në vende si Sllovenia, Kroacia, Finlanda, Franca, Gjermania, Italia, Rumania dhe Spanja, duke bërë që ky mobilizim të tregonte se çështja e aksesit në abort të sigurt nuk është një problem i izoluar kombëtar, por një shqetësim i përbashkët europian.

Mbështetja politike e dhënë nga [17] Parlamenti Europian për Nismën Qytetare “My Voice, My Choice”, si dhe pranimi i saj zyrtar nga Komisioni Europian[18], përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt trajtimit të abortit jo më thjesht si çështje kombëtare, por si pjesë e debatit europian mbi të drejtat themelore dhe barazinë gjinore. Edhe pse rezoluta e Parlamentit Europian nuk ka karakter detyrues, ajo forcon bazën normative dhe politike për veprim në nivel të Bashkimit Europian, duke e pozicionuar aksesin në abort të sigurt dhe ligjor si një standard të lidhur me të drejtat e njeriut, shëndetin publik dhe barazinë gjinore.[19] Në këtë kuadër, Komisioni Europian ka reaguar ndaj Nismës Qytetare Europiane “My Voice, My Choice”, duke paraqitur qëndrimin e tij mbi hapat e mundshëm që mund të ndërmerren në nivel europian. Ndër opsionet e diskutuara është përfshirë edhe mundësia e përdorimit të instrumenteve financiare të Bashkimit Europian për të mbështetur aksesin në abort të sigurt për personat që përballen me pengesa ligjore ose praktike, ku kjo u theksua më 26 shkurt 2026 duke shprehur se një nga instrumentet që mund të përdoret është European Social Fund Plus (ESF+), i cili mund të mbështesë politikat sociale dhe shëndetësore që synojnë përmirësimin e aksesit të grave në shërbime të shëndetit riprodhues.[20] Normalisht duhet përmendur se shtetet anëtare që vendosin të përdorin këto fonde mund të kenë nevojë të përshtatin programet e tyre kombëtare ose rajonale të financimit në mënyrë që të përfshijnë këtë lloj veprimi në prioritetet e tyre.[21] Ky zhvillim sinjalizon një zhvendosje të rëndësishme: nga fragmentimi i të drejtave riprodhuese brenda Bashkimit Europian drejt një qasjeje më të koordinuar, ku e drejta e abortit trajtohet gjithnjë   e   më   shumë   si   pjesë   integrale   e   vlerave   dhe   objektivave   europiane.


Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë?

Edhe pse Bashkimi Europian nuk ka kompetencë të drejtpërdrejtë legjislative në fushën e abortit dhe të drejtave riprodhuese, zhvillime të tilla kontribuojnë në krijimin e standardeve politike dhe normative që ndikojnë politikat e shteteve anëtare dhe diskursin publik në nivel europian. Këto përmirësime në nivele ndërkombëtare kanë rëndësi edhe për vendet që synojnë integrimin në Bashkimin Europian, përfshirë Shqipërinë[22], ku aborti është i rregulluar në nivel ligjor, por ushtrimi i kësaj të drejte vazhdon të përballet me sfida praktike, si stigma shoqërore, qasja e pabarabartë në shërbime dhe mungesa e edukimit seksual.[23]Në këtë kontekst, diskursi dhe iniciativat që zhvillohen në nivel europian mund të kontribuojnë në forcimin e debatit publik dhe në nxitjen e politikave më gjithëpërfshirëse në fushën e shëndetit riprodhues, ku duhet thënë se një rol të rëndësishëm në këtë proces luajnë edhe organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri[24], të cilat përmes bashkëpunimit me rrjete dhe iniciativa europiane për të drejtat e grave dhe shëndetin riprodhues ndihmojnë në promovimin e standardeve europiane dhe në rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi këto çështje.

Nisma europiane si “My Voice, My Choice” mund të kontribuojnë në forcimin e debatit publik dhe të diskursit politik edhe në Shqipëri, duke nxitur reflektim mbi mënyrën se si të drejtat riprodhuese garantohen jo vetëm në nivel ligjor, por edhe në praktikë, kështu ndikimi i tyre mund të lidhet me disa procese dhe politika që aktualisht po zhvillohen në Shqipëri në kuadër të reformave të sektorit të shëndetësisë dhe të integrimit europian.

Në një dimension mund të përmendim se Shqipëria ka miratuar strategji dhe politika kombëtare që synojnë përmirësimin e shëndetit seksual dhe riprodhues, ndër të cilat një rol të rëndësishëm luan Strategjia Kombëtare e Shëndetit Seksual dhe Riprodhues.[25] Kjo strategji synon rritjen e aksesit në shërbime cilësore shëndetësore, promovimin e planifikimit familjar, forcimin e edukimit seksual dhe reduktimin e shtatzënive të padëshiruara. Në të njëjtën kohë, këto politika zhvillohen edhe në kuadër të procesit të integrimit europian, ku Shqipëria po përmirëson politikat në fushën e të drejtave themelore dhe shëndetit publik, në këtë drejtim, çështje si barazia gjinore, akses i barabartë në shërbime shëndetësore dhe edukimi për shëndetin seksual konsiderohen pjesë e reformave më të gjera institucionale dhe sociale që synojnë përafrimin e politikave shqiptare me standardet dhe rekomandimet europiane dhe ndërkombëtare.

Një tjetër dimension i rëndësishëm lidhet me rolin e organizatave të shoqërisë civile. 26 Organizata që punojnë në fushën e shëndetit riprodhues dhe të drejtave të grave në Shqipëri bashkëpunojnë shpesh me rrjete europiane dhe ndërkombëtare, duke kontribuar në sensibilizimin publik, edukimin seksual dhe advokimin për politika më gjithëpërfshirëse. Në këtë kuptim, nisma si “My Voice, My Choice” mund të shërbejnë edhe si burim frymëzimi për mobilizimin qytetar dhe për forcimin e dialogut ndërmjet institucioneve publike dhe shoqërisë civile mbi këto çështje.

Në plan afatgjatë, ndikimi i iniciativave europiane nuk lidhet vetëm me ndryshime të drejtpërdrejta ligjore, por edhe me transformimin gradual të diskursit publik dhe të prioriteteve të politikave sociale. Për një vend kandidat si Shqipëria, kjo do të thotë që debatet dhe zhvillimet në nivel europian mund të kontribuojnë në përmirësimin e politikave për shëndetin riprodhues, në rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe në afrimin e praktikave institucionale me standardet dhe vlerat europiane.


Përfundim

Nisma Europiane Qytetare “My Voice, My Choice” përfaqëson më shumë se një mobilizim qytetar për të drejtat riprodhuese. Ajo tregon se çështje që dikur konsideroheshin thjesht debate kombëtare po shndërrohen gjithnjë e më shumë në pjesë të diskutimit mbi vlerat dhe standardet europiane. Në këtë proces, brezi i ri dhe veçanërisht gratë e reja po luajnë një rol të rëndësishëm përmes aktivizmit digjital, mobilizimit qytetar dhe përdorimit të instrumenteve demokratike europiane. Për Shqipërinë, kjo nismë shërben si një pikë referimi për të reflektuar mbi mënyrën se si të drejtat e grave garantohen jo vetëm në ligj, por edhe në praktikë.

Në fund, integrimi europian nuk lidhet vetëm me përmbushjen e kritereve formale, por edhe me përparimin drejt një shoqërie ku të drejtat themelore, përfshirë të drejtat riprodhuese, mbrohen dhe respektohen në mënyrë reale dhe të barabartë.


__________________________________________

1 https://citizens-initiative.europa.eu/_en 

2 https://citizens-initiative.europa.eu/how-it-works_en 

3 https://link.springer.com/article/10.1007/s00404-025-08300-3 

4https://www.europarl.europa.eu/news/en/agenda/plenary-news/2024-04-10/12/making-the-right-to-abortion- 

5 https://eur-lex.europa.eu/eli/C/2025/1279/oj 

6https://www.lemonde.fr/en/europe/article/2024/04/11/eu-lawmakers-back-call-to-enshrine-abortion-in-eu-  

7 https://en.wikipedia.org/wiki/Abortion_in_Albania 

8 https://reproductiverights.org/maps/provision/albanias-abortion-provisions/ 

9https://ins-shendetesor.gov.al/wp-content/uploads/2020/06/31.-Ligj-Nr.-8045-dat%C3%AB-7.12.1995- 

10https://www.sexualrightsinitiative.org/sites/default/files/resources/files/2019-05/Albania-UPR33.pdf  

11https://www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2022/08/Rights-of-sexual-and-reproductive-health-of-  

12 https://albania.unfpa.org/en 

13 https://www.myvoice-mychoice.org/ 

14https://euobserver.com/health-andsociety/ar0cf7bdcb  

15 file:///C:/Users/user/Downloads/Legal+Addendum_+My+Voice,+My+Choice_+For+Safe+And+Accessible+Abortion 

16 https://citizens-initiative.europa.eu/initiatives/details/2024/000004_en 

17 https://www.myvoice-mychoice.org/post/european-parliament-votes-in-support-of-the-my-voice-my-choice- 

18 https://www.eunews.it/en/2025/12/17/eu-parliament-yes-to-safe-and-accessible-abortion/ 

19 Commission replies to the European Citizens' Initiative on reducing unsafe abortions in the EU

20 Remarks by Executive Vice-President Mînzatu and Commissioner Lahbib 

21 https://www.europarl.europa.eu/news/en/press-room/20251211IPR32167/my-voice-my-choice-meps-support- 

22 https://rtsh.al/e-drejta-per-abort-sfide-ne-be-kerkohet-perfshirja-e-saj-ne-karten-e-te-drejtave-themelore-por- 

23 https://www.balkanweb.com/progresi-eshte-i-brishte-dhe-nuk-duhet-te-rrime-kurre-duarkryq-aborti-ne-evrope-


Elira Sylshabani, maj 2026

*Elira Sylshabani është e diplomuar pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, MSc në Shkencat e së Drejtës. Aktualisht, ajo punon si juriste prej pothuajse një viti. Më parë, ka punuar si koordinatore projektesh, asistente ligjore dhe përkthyese. Gjithashtu ajo shërben aktualisht si junior expert në projektin European Union Integration Support Facility in Albania. Elira ka kryer një internship njëvjeçar pranë European Movement Albania, ku ka qenë e angazhuar në çështje që lidhen me integrimin Europian. Gjithashtu, ajo ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme akademike dhe profesionale.



 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
24Abonues
European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk