Pedro Sanchez është një ekonomist dhe politikan spanjoll që shërben si Kryeministër i Spanjës që nga 2 qershori 2018. Ai është gjithashtu Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste të Punëtorëve të Spanjës (PSOE) (pozicion i njëjtë me atë të kryetarit të partisë). Ai ka lindur në Madrid në një datë të veçantë, më 29 shkurt 1972. Duket që profesionin e tij të parë si ekonomist e ka trashëguar nga babai i tij, i cili gjithashtu është një ekonomist dhe biznesmen, ndërkohë që nëna e tij është juriste dhe nëpunëse publike në departamentin e sigurimeve shoqërore. Në vitin 1995, Sanchez u diplomua për ekonomi dhe biznes në Universitetin Complutense dhe në vitin 1998 diplomohet për Politikë dhe Ekonomi nga Free University of Brussels. Sanchez gjithashtu zotëron një diplomë në Lidership nga Shkolla e Biznesit IESE në Universitetin e Navarrës. Në vitin 2012, në moshën 40 vjeçare Sanchez mori dhe titullin Doktor, pasi përfundoi studimet e doktoraturës në ekonomi. Para se të hynte në karrierën politike, Sanchez ka punuar më parë si asistent parlamentar në Parlamentin Europian dhe si shef i stafit të Përfaqësuesit të Lartë të Kombeve të Bashkuara në Bosnje gjatë Luftës së Kosovës. Ai për vite të tëra ka shërbyer si profesor i ekonomisë në disa universitete të Spanjës.
Angazhimi i tij politik daton që në vitin 1993, ku ai ishte akoma student në moshën 21 vjeçare. Ai ka qenë këshilltar i qytetit në Këshillin Bashkiak të Madridit për 5 vite, nga viti 2004 në 2009. Mandatin e tij të parë si deputet në Kongresin Spanjoll e fitoi në vitin 2009 si përfaqësues i Madridit, duke e vazhduar dhe për 2 mandate të tjera. Gjatë viteve 2014-2016 ai ka qenë në krye të opozitës spanjolle. Në vitin 2014, ai u bë Sekretar i Përgjithshëm i PSOE, dhe ishte kandidati i partisë për kryeministër në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2015 dhe 2016 por nuk arriti të fitonte. Gjatë mandatit të tij të parë si Sekretar i Përgjithshëm, ai e kundërshtoi rizgjedhjen e Rajoy si Kryeministër. Rajoy kishte nevojë për abstenimin e partisë PSOE në Kongresin e deputetëve për të siguruar shumicën parlamentare dhe partia PSOE e lejoi Rajoyn që të formonte qeverinë e re pavarësisht kundërshtimeve të ashpra nga Sanchez. Për shkak të kundërshtimeve të shumta ndaj kryeministrit dhe mos mbështetjen nga ana e partisë së tij, Sanchez dha dorëheqjen nga kryesimi i partisë në vitin 2016. Në vendin e tij u vendos që partia do të udhëhiqej nga një komision. Sipas The New York Times, një vit më vonë ai do të ri-kandidonte për të qenë në krye të partisë, ku në vitin 2017 ai do të mposhtte Susana Diaz dhe Patxi López, dhe u rivendos Sekretar i Përgjithshëm. Me qëndrimin e tij, PSOE mbështeti Qeverinë e Spanjës për lejimin e referendumit të pavarësisë së Katalunjës dhe krizës kushtetuese pasuese. Kështu mund të përmendim që në kabinetin e formuar nga Pedro Sanchez u përfshinë shumë persona nga Katalunja. Gjithashtu ai shpeshherë në deklarata publike ka mbështetur të drejtat e kulturën e Katalunjës, duke kërkuar që të gjithë t’i respektojnë këto të drejta.
Më 31 maj 2018, sipas the Guardian, PSOE parashtroi një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit Rajoy, mocion ky i ngritur për shkak të skandaleve të korrupsionit, i cili kaloi me mbështetjen e partive të tjera si Unidos Podemos, dhe partive rajonale dhe nacionaliste baske, valenciane dhe katalane. Ky koalicion u emërua nga partitë rivale si ‘Koalicioni Frankenshtajn’. Ai mori 180 vota nga 176 të nevojshme për krijimin e qeverisë së re dhe për të rrëzuar Rajoy nga posti i Kryeministrit. Ky është rasti i parë në historinë e Spanjës, që një kryeministër largohet me një mocion mosbesimi. Me dekretin mbretëror të 2 qershorit 2018, Sanchez u vendos kryeministër i Spanjës. Interesant ndër të tjera është dhe fakti që ai bëhet kryeministri i parë në Spanjë që nuk betohet mbi bibël apo kryq, por vetëm mbi Kushtetutë. Gjithashtu ai nuk përdori shprehjen e zakonshme: ‘unë betohem’ por shprehjen ‘unë premtoj’ duke bërë kështu ndarjen e dallimin mes shtetit dhe kishës shkruan Politico.eu. Kjo mbase ishte e pritshme pasi ai njihet si ateist, edhe pse jo mirë e pranueshme në një vend si Spanja, ku Kisha dhe besimi i krishterë luan akoma rol dhe ka peshë në funksionimin e shoqërisë.
Përpara mocionit të suksesshëm të mosbesimit ai kishte premtuar rritjen e të ardhurave të papunësisë, trajtimin e barabartë në pagë ndërmjet burrave dhe grave si dhe rivendosjen e dialogut me lëvizjen për pavarësi të Katalunjës. Ai gjithashtu ka premtuar një luftë të ashpër ndaj korrupsionit, për të qeverisur në një mënyrë sa më të drejtë e llogaridhënëse.
Sanchez njihet si një pro europian dhe mbështet disa nga politikat e ndërmarra nga Bashkimi Europian. Rasti i anijes Aquarius e cila u lejua të hynte në portin e Valencias, që mbante 629 emigrantë më së shumti Libianë, por dhe nga vendet e tjera të Afrikës, të cilës iu refuzua hyrja në Itali, tregon mbështetjen e tij ndaj solidaritetit europian ndaj emigrantëve. Samiti i BE-së mbi emigrantët zhvilluar më 27-28 qershor 2018, tregoi edhe një herë tjetër idetë pro-europiane të Sanchez, duke mbështetur fort dialogun, e duke kërkuar që të jepen zgjidhje sa më efikase për të trajtuar krizën e emigrantëve. Një kuriozitet i veçantë është gjithashtu se në postin e ministrit të jashtëm, për të treguar mbështetjen e tij në Europë dhe për Europën, Sanchez ka emëruar Joseph Borrell, ish-kreu i Parlamentit Europian.
Përpara Sanchez qëndron detyra e vështirë për të mbajtur të bashkuar Spanjën. Në këtë situatë ai duhet që të sigurojë mbështetjen e partisë Podemos si dhe partive Baske e Katalanase. Ai gjithashtu është i detyruar që të përballet me krizën Katalanase që e sfidon unitetin e Spanjës. Nën drejtimin e tij pritet që të ketë kundërshtime e sfida të mëdha, kjo për shkak edhe se partia PSOE mban vetëm 84 nga 350 vende në Kongresin Spanjoll. Kabineti qeveritar i Sanchez ka numrin më të lartë të femrave në qeveri në të gjithë Europën duke përfshirë 11 poste nga 17 në total shkruan Politico.eu. Ky do të jetë një kabinet me llojshmëri idesh dhe një kabinet ku në çdo post ministror janë vendosur specialistë të një niveli të lartë. Karakteri i tij reformues mund ta ndihmojë atë që të faktorizohet në një lidership të fuqishëm në arenën europiane, në një kohë ku vende si Italia po i shmangen këtij roli dhe Gjermania e Franca nuk po munden të ruajnë qëndrueshmërinë e tyre të brendshme dhe atë brenda BE-së.
Stafi i EuroSpeak, qershor 2018